HERONJTË E HESHTUR SI JASHAR ALIA!

HERONJTË E HESHTUR SI JASHAR ALIA!

Vështrim analitik librit “Nëpër shtigjet e luftës”, shkruar nga Agim Sylejmani, botuar në Prishtinë, dhjetor 2023.

Nga Fatmir Brajshori

Ky libër është konceptuar si intervistë e gazetarit me mysafirin e radhës, por unë e quaj bashkëbisedim dhe rrëfim në mes dy bashkëidealistëve, qëllimi parësor i të cilit është që lexuesit nëpërmjet bashkëbisedimit ta njohin metodologjinë e pyetje – përgjigjeve dy palëshe, në fjalë, frazë të rëndësishme dhe semantike… Bashkë-bisedimi është i sinqertë, pa dogma dhe koherent. E vërteta e një personaliteti zbulohet përmes bashkëbisedimit. Ka disa që mendojnë që me „urtësinë“ e të bërit të pyetjeve, e vërteta zbulohet me bashkëbisedim edhe atëherë kur pala tjetër merr pozicion modest dhe thjeshtësor. Ndërsa në këtë bashkëbisedim, kam përshtypjen, që të gjithë që e lexojnë librin sikurse unë, do ta njohin më mirë Jashar Alinë, me të drejtën e tij për të rrëfyer e për t’u përgjigjur në pyetjet e Agimit me sinqeritetin më të madh.., Sipas Frojdit (me çka mendoj që ka të drejtë) „historia e origjinës së njerëzimit është e mbushur me vrasje“, teksa unë them me lirinë. Edhe pse perëndia i tha Evës „mos ha asgjë nga ai kopsht“, ajo mendoi që po i cenohet e drejta për të qenë e lirë. Nuk e dëgjoi sundimtarin, hëngri frutat nga ai kopsht, ani pse e dinte që mund të vdes; në mes dëgjueshmërisë dhe skllavërisë në një anë dhe të qenit e lirë me kusht të vdes, ajo zgjodhi lirinë…

Kështu që libri që e kemi sot si subjekt bisedimi, ka dy protagonistë, të cilët në mes dëgjueshmerisë dhe robërimit zgjodhën sakrificën dhe luftën për liritë e popujve… Nëse sot, fëmijët e njerëzimit mësojnë për të kaluarën, në „thelb” (sërish sipas Frojdit) mësojnë për një varg vrasjesh të popujve nga popujt. Por (sipas meje) pak mësohet e flitet për heroizmin e heronjve të heshtur, për të mbijetuar, jo nga lufta por nga pasojat që ajo lë tek të mbijetuarit, të cilët padyshim janë po ashtu heronj…

Ky libër rrënjët i ka te intervista e bërë kohë më parë për nevojat e një televizioni. Intervista që në nisje është e natyrshme. Janë dy personazhe që në shpirt ishin dhe janë të lirë. Nuk është diçka e re nëse them që: „Liria është një nga ato gjërat për të cilën të gjithë janë dakord; edhe i shtypuri edhe sundimtari. Vetëm se i shtypuri e do lirinë edhe për të tjerët, ndërsa sundimtari vetëm për vetën e tij. Nga libri kuptojmë që Jashari ishte në kërkim të lirisë për vegjëlinë karshi sundimtarëve të të gjitha ngjyrave… Jashari dëshmon që ishte duke ecur shtigjeve të revolucionit, për të kuptuar kuptimin politik, që populli i tij të jetë i lirë, me të drejta të pacenueshme si, liria e fjalës, shoqërimit, ndërgjegjës, mendimit, shkrimit, e kështu me radhë”. Agimi dhe Jashari në libër na tregojnë se varësisht kohërave bëhej shpërdorimi i lirisë; u shpërdorua në vitin 1945, sikur që u shpërdorua vite më vonë edhe në vitin 1974 e këtej. Deri sa lexoja rrëfimet e Jasharit për pushtetin ushtarak në Kosovë, dhunën rankoviqiste, mashtrimin Fadil Hoxha – Bakalli – Nimani, e sidomos koha e shpërdorimit të madh nga Azem Vllasi me kompani, kujtova Madam Rollandi i cili para se të ekzekutohej në vitin 1793 klithi: „O liri! Sa krime janë bërë në emrin tënd!“

  • Jashar Alia

Në prezantimin hyrës, Agimi bashkëbiseduesin e tij e prezanton si „hero të heshtur“ dhe menjëherë m’u kujtua që kur e njoh Jasharin gjithnjë ka qenë i tillë; fjalëpak por me peshë, sikur gjithnjë shoqërohej nga heronjtë e tjerë të heshtur. Pra “heroi ynë i librit tuaj“, i cili që në fëmijëri mbeti pa baba, u rrit pa shijuar kënaqësitë e vegjëlisë, pa shijuar lojërat e dëfrimet si fëmijët e tjerë… Nëna Zukë dhe vëllezërit e motrat, përpos përpjekjeve për t‘i mbijetuar shtypjes së regjimit, bënin përpjekjen tjetër për të siguruar misërnikën; të cilën po ashtu shtypësi e mbante të okupuar. Jashari fare i njomë u nis për t’punuar siç thotë për „çështjen“. Ai na sqaron që me çështje kuptohej organizimi, veprimi, përgatitja, aksioni, analiza, sakrifica, rënia; pra, të gjitha për çështjen dhe atë s‘bashku me shokë si Kadri Osmani, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj etj… Pra, ai flet për „çështjen“. Kështu mendova dhe unë një kohë që të gjitha ato që përmenda ishin „çështje“. Por më vonë kuptova porsi Jashari që „çështja“ kishte një qëllim; qëllimi ishte Çlirimi dhe Bashkimi Kombëtar! E këto të gjitha kanë vetëm një emër: Liri! Prandaj OMLK-ja, ku bënte pjesë Jashari, nxori organin e tij me emër: LIRIA! Pasi u brumos me ide se për lirinë kombëtare vdiset, ndikimi i demonstratave të vitit 1968 “heroi i heshtur i librit“ anëtarësohet në Grupin Revolucionar të Kosovës“ të cilët ishin shumë të zëshëm e të zhurmshëm e të çartur me armikun; duke lexuar emrat besoj që secili do pajtohet me mua që; të gjithë anëtarët e GRK-së, GMLK-së e më vonë OMLK-së, pas ardhjes së lirisë në Kosovë, nuk rrahën gjoks dhe nuk thanë: “Ne kemi merita!“ Këta s‘kërkuan meritë – e deshtën lirinë! Tani protagonistë u bënë ata që e deshtën „Meritën dhe dekorimin me kusht edhe pa lirinë e kombit!“ Jashari me shokë në heshtje shijuan lirinë! Lirinë zëshëm po e shijonin Ata që dikur pikërisht Jashar Alisë ia kishin privuar lirinë..

Njerëzit e revolucionit më së vështiri e kanë adaptimin me jetën pas revolucionit. Kam bindjen që kjo gjë ndodhte me Jashar Alinë pas daljes së tij në emigracion; tjetër gjë është të jesh në shtigjet e luftës rrugëve të atdheut dhe tjetër gjë të luftosh për atdheun rrugëve të panjohura. Për këtë arsye Jashari mendon që do ta gjejë veten te LPRK-ja me adresë; shokët i gjeti – revolucionin e nisur nuk e njohu! Iku! U largua. Pastaj, kur pa që disa shokë të OMLK-së, u angazhuan brenda një subjekti legal që vepronte në Kosovë, nuk hezitoi, u aktivizua! Më vonë u dëshpërua! Më kujtohet ajo kohë dhe kisha frikë mos „pushka amanet – do ta vrasë poetin e vet!“ Ndodhi ajo që deshëm; Pushkën amanet – poeti vet dhe Jashari me shokë e kërkuan e gjetën dhe e vunë në shënjestër të duhur dhe kahje të qëlluar. Duke kujtuar revolucionarët të cilët paqja i vë në siklet, m‘u kujtua Çe Guevara; që ngarendë nga një revolucion tek tjetri.

Kosova – nga 12 qershori i vitit1999, po frymon lirshëm, falë sakrificës dhe luftës që bëri populli ynë, një popull trim dhe liridashës por pak „mirënjohës, ngaqë i harruan dhe anatemuan ATA më meritorët për rezistencën, sakrificën, qëndresën, ngritjen e popullit kombëtarisht, sypatremburit, udhërrëfyesit e lirisë dhe themeluesit e lirisë, të Burgosurit Politikë. U shpallën Hero – ata që ishin Hero!“ U shpallën qe besa edhe ata që nuk ishin. Thjesht, menduan që koha fillon me kohën e sotme; historia nis me t‘jetuarit e kohës së sotme dhe liria është pronë e këtyre të sotmëve. Por harruan kategorinë më vitale të kombit, më kombëtaren, më të dlirën, më të sakrificës dhe mendjendritur e që ishin të burgosurit politikë! Të burgosurit politikë, ishin ATA, që në çdo kohë dhe cilitdo pushtet okupues, i thanë „No Pasaran!“ dhe të cilët u përballën fyt më fyt dhe gjoks më gjoks, me lloj-lloj bajlozi të zi; siç ishin torturuesit nëpër hetuesi në secilin burg hetues. Të burgosurit politikë, ishin ATA që mbrojtën trojet tona; mbrojtën çdo shkronjë të abetares shqipe, çdo vjershë naimjano-çajupçe si dhe çdo prozë, roman a dramë të letërsisë shqiptare. Të burgosurit politikë, ishin ATA që i ushqyen me patriotizëm Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Tahir Mehën, Hasan Ramadanin etj., ngaqë qëndresa dhe lufta e Rexhep Malajt, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut etj., i bënë luftëtarët e më vonshëm, të dashurohen në rënien e tyre për liri e Atdhe! Të burgosurit politikë, ishin ATA që rrëzuan një iluzion të rrejshëm për „të drejtat e shqiptarëve“ e të cilin opinion e kishin krijuar pushtuesit serbo-jugosllavë dhe veglat e tyre qorre shqipfolëse të Kosovës, dhe të cilët me shembullin e tyre personal, u nisën sypatrembur për të shembur një perandori, për të cilën 80% të shqiptarëve mendonin që nuk shembet! Ata, të burgosurit politikë pra, shembën një perandori me emrin si të doni, Serbi e Jugosllavi dhe mitin për një ushtri, e të cilën e luftuan me krenari duke formuar ushtrinë (UÇK-në) për ta fituar lirinë! Çdo pushtet ka frikë nga të burgosurit politikë, e sidomos pushtetet që falë qëndresës së të burgosurve e marrin atë pushtet duke i përjashtuar ATA nga jeta… I duhej një nëne, (si nëna Zukë) nëpër borë e nëpër shi, verë e dimër me opinga të shqyera e çorape të lagura të merrte rrugën e largët për t‘vizituar në burg vajzën a t’birin e syrgjynosur; I duhej një babai të merrte rrugë të gjatë, për t‘pritur para dyerve të hekurta të burgjeve monstrume duke u dridhur nga të ftohtit me shpresën që do ta shihte të birin edhe vajzën së paku edhe një herë; I duhej një gruaje (bashkëshorte) jo vetëm të rriste kalamajtë me misërnike dhe t‘i shkollonte e edukonte në frymën e babait por edhe të ruante nderin e të përballej me fjalët „pise“ të botës. I duhej një biri o një vajze të shkonte për ta vizituar babain në burg; dhe para se të vinte babai te salla e vizitave, shpejt e shpejt t‘i fshinin lotët, që nëna o babai të mos i shihnin. E, i burgosuri para se të takonte nënën, babain, nusën, fëmijët, kujdesej që të fshihte plagët e trupit, ta bënte fytyrën të qeshte; ani pse trupi kishte dhembje dhe fytyra vrragë! Këta ishin ATA që e vetëdijësuan kombin me shembullin e tyre se „për Atdhe vdiset me mijëra herë!“ Këtë e bëri Jashar Alia, këto i përjetoi Ai dhe shokët e tij… Këta ishin ATA pa të cilët nuk do të ishte as UÇK-ja dhe as sakrifica e Adem Jasharit! Këta ishin ATA që na e sollën lirinë! E këta janë ATA që tërë jetën e tyre e përfundojnë me dinjitet dhe duke frymuar si frymon vegjëlia dhe jo paria! Disidentët e lindur! Të cilët asnjë pushtet s‘mund t‘i bëjë për vete!

Për këta heronj duhet shkruar ngaqë këta bënë historinë. Atdheut i dhanë lirinë, çlirimin por nuk i kërkuan asnjëherë për këtë gjë shpërblimin. Heronjtë e vërtetë të luftës sonë për liri janë heronjtë e heshtur!!!

Fatmir Brajshori

14 janar 2024, Jona/SG, Zvicër

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura