(Tiranë, 24. 02. 2013) – Mufid bej Libohova është i biri i Neki Pashës nga Libohova, i njohur si guvernator i Gjirokastrës, një nga deputetët e Shqipërisë në Parlamentin e parë të Perandorisë Osmane dhe anëtar i Këshillit Perandorak të Shtetit Turk. Mufid Libohova rrjedh nga fisi i Arsllan Pashallinjëve të cilët kanë qenë për breza me radhë Vezirët e Janinës dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës e Delvinës dhe shumë herë dhe të krahinave të tjera. Në shtëpinë e Libohovës fliteshin shumë gjuhë dhe kjo falë edukimit që kishin të gjithë anëtarët e saj. Ata kishin kuptuar se vetëm kultura mund të ndryshonte statusin e tyre kombëtar dhe të mjedisit ku jetonin. Po kështu, dituria u jepte një status ndryshe krahasuar edhe me njerëzit e tjerë të Perandorisë, ku familja e tyre ishte pa asnjë dyshim një nga më fisniket. Mufidi u lind në korrik të vitit 1876, në fshatin Libohovë, ku ishin sarajet e stërgjyshërve të tij. Si të gjithë shqiptarët e kulturuar dhe të pasur, Mufidi, kreu formimin shkollor fillestar në Liceun “Zosimea” të Janinës, ndërsa formimin e plotë e përfundoi në Liceun Perandorak të Stambollit në “Gallata Saraj”. Këtu pati gjuhë bazë frëngjishten, por më vonë ai ishte i aftë të komunikonte lirisht edhe në gjuhët turqisht, persisht, greqisht dhe italisht. Në Stamboll, Mufidi u diplomua në degën e drejtësisë. Pas kësaj ai shkoi në Lozanë, ku studio dhe u diplomua në Shkencat Politike dhe mori doktoraturën për Shkencat Politike.
Në vitin 1898, kur ishte vetëm 22 vjeç, u emërua në Ambasadën Perandorake turke, në Bruksel, ku brenda pak viteve u emërua i ngarkuar me punë i asaj Ambasade (“Charge d’Affaires”). Atje ndihmoi nacionalistët shqiptarë dhe veçanërisht kushëririn e tij, Ismail Qemalin, që botonte në atë kohë gazetën “Albanie” e më vonë “Le salut de l’Albanie”, e cila botohej në shqip, turqisht dhe greqisht.
Në vitin 1904, Mufidi transferohet në Bernë, i caktuar në detyrën e kryetarit të misionit diplomatik. Në këtë kohë Mufidi shtoi më tej bashkëpunimin me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Për këtë problem bëri disa udhëtime në qytetet kryesore të Evropës, si në Berlin, Londër, Romë, Paris, Vjenë, Shën Petërburg, duke siguruar miq të kauzës shqiptare.
Mufid Libohova (1876–1927)
* * *
Në vitin 1906, ai shkoi në Kajro si mysafir i Hidivit (mbreti i Egjiptit) Abas Hilmi pashajt, të cilin e kishte mik, për t’i kërkuar ndërhyrjen e tij pranë Oborrit të Stambollit në favor të autonomisë shqiptare.
Në vitin 1907, me kërkesën e vet, është emëruar kryekonsull në Thesali, duke pasur mundësinë që të mbikëqyrte personalisht pasurinë e madhe familjare pas vdekjes së babait.
Me shpalljen e Hyrietit, në vitin 1908, megjithëse ishte graduar ministër Fuqiplotë dhe kishte një të ardhme të shkëlqyer në Perandorinë Osmane, së bashku me vëllezërit (Ekrem beu, në atë kohë oficer madhor në Akademinë e Kavalerisë Perandorake në Shtatmadhorinë turke dhe Ajet beu, këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë), braktisin Perandorinë për t’u angazhuar me çështjen e lëvizjes shqiptare. Xhonturqit i përgatitën dy atentate për ta vrarë, por pa sukses. Më vonë, ata e dënuan me vdekje dhe pasuria e tij, e konsiderueshme edhe në Turqi, iu konfiskua krejtësisht. Mbas shumë rreziqesh, iku fshehurazi nga Stambolli dhe mbërriti në Shqipëri për të marrë pjesë në përgatitjen e shpalljes së pavarësisë, në Vlorë.
Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë ka qenë në Reshadie (Gumenicë) dhe ka pasur komunikim telegrafik me Eqerem bej Vlorën . Nuk ka qenë pjesëmarrës në Asamblenë Kombëtare, në Vlorë, që në datën 28 nëntor, por ka shkuar atje më vonë, së bashku me Petro Pogën, kryebashkiakun e Gjirokastrës (i thirrur Hasib), katër vetë nga Çamëria dhe Fehim Efendi Mezhdigorani, që ishte emëruar përfaqësues i klubit të Janinës, më pas edhe i Tepelenës. Nga kjo ka mbërritur në Vlorë një ditë para se të krijohej ministria (qeveria) si delegat i Gjirokastrës e Tepelenës, nuk rezulton të ketë qenë firmëtar i nënshkrimit të dokumentit dhe as i zgjedhur në Pleqësi. Sipas dokumenteve arkivore, mbërritja e tij në Vlorë daton më 3 dhjetor 1912, së bashku me Petro Pogën, Fehim Mezhdigoranin, Jani Papadhopullin, Hysen efendi Gjinokastrën dhe Veli bej Klisurën, sikurse u theksua më lart, në ditën e fillimit të mbledhjes së tretë, nga ku i ka dërguar një telegram Xhevdet Efendi Selfos, në Gjirokastër, ku përveç urimit për shpalljen e pavarësisë dhe sqarimit se janë në pritje të instruksioneve “për punë të organizimit e të formës së sundimit”, i jep porosi “të mundoheni e të kujdeseni më të madhët, për mbajtjen e qetësiës”. Në këtë rast ka nënshkruar me emrin Myfit Neki (në telegrame të tjera ka shënuar Myfit Neki Libohova-H.L.) dhe pranë tij edhe një emër tjetër, Hysen ky duhet të jetë Hysen Hoxha, xhaxhai i Enver Hoxhës; edhe më herët u ka telegrafuar z. Idris Angoni, Musa Xhiku e Abedin Xhevdeti -H.L.). Në votimin e kuvendit për ministrat fitoi që në raundin e parë 52 vota, u rendit i dyti, pas Luigj Gurakuqit.
Ai është ministri i parë për Punët e Brendshme i shtetit të pavarur shqiptar dhe më vonë ministër i Jashtëm, detyrë të cilën e mbajti deri në fundin e vitit 1913. Në postin e ministrit të Brendshëm përgatiti që në mbledhjen e parë disa akte që lidheshin me sigurinë e brendshme dhe mënyrën e veprimit të forcave të sigurisë në vend. Në mbledhjen e datës 4 dhjetor të vitit 1328/1912, në urdhrin e ditës që nxori qeveria, pika 5 përmbante problemin “Ç’farë masa dot mirren kundra atyne njersve e kundra ata vende qi s’dojnë ta njohin Qeverine e re”? dhe në pikën 6 theksohet: “Të organizohet nji shërbim i msheftë për viset të shkeluna të Shqipnis” . Në vendimet e kësaj date, dokumenti sipërcituar, faqe 6, për pikën 5 është shkruar: “Për pikën e (5) u tha qi Qeveria së ka se ç’ka me i ba atyne nëpunësve qi s’dojnë t’a njohin Qeverin’e re”. Për pikën 6 është shkruar: “Për pikën (6) u venduë qi të dërgohet nji njeri në Mirditë me nji letrë shkrumun prej anës të z. Mid’hat be Frashërit për Bajram bej Tsurin, ene z. Lef Nosi dot përpiqet për m’u mar vesh, me Dibrën” , domethënia e së cilës ka të bëjë me lidhjen e shtrirjen e zonave të qeverisë në influencën e Bajram Currit (Malësinë e Gjakovës) dhe Lef Nosin (zonën e Shqipërisë Lindore, Dibra). Në vendimin e datës 8 shëndre 1912, pika tretë , thekson “Për të vënë në udhë punët e shtetit dhe për të themeluar një sundim të vërtetë të qytetëruar do të merren këshilltarë prej Evrope për çdo ministri dhe më shumë, mjaft oficerë të Xhandarmërisë që të forcohet sigurimi” . Në zbatim të masave të qeverisë, Libohova përgatiti aktin e krijimit të forcave të rendit në fillim të janarit 1913. Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e forcave të rendit i takon datës 13 janar 1913 , vendim i cili evidentohet të ketë hyrë në fuqi më 14 shkurt 1913.
Në urdhrin që lëshoi, më datë 29 maj 1913, ministri i Brendshëm, Mufid Libohova, u bëri të qartë strukturave të sigurisë se kanë ardhur në Shqipëri, nga Turqia e vende të tjera, disa shqiptarë me qëllime të këqija dhe për të bërë propagandë kundër pavarësisë së Shqipërisë, ndërkohë ngarkoi strukturat e rendit me detyra për të mbajtur në vëzhgim dhe hetuar vazhdimisht dhe për t’i dërguar ata në gjyqin ushtarak në Vlorë.
Në maj 1913, Libohova përgatiti aktin normativ për qeverinë mbi bazën e të cilit ajo formoi disa komisione për organizimin e Drejtësisë, Xhandarmërisë, Policisë e zyrave të tjera, por sipas raporteve dhe korrespondencës së qeverisë me prefekturat rezulton se vëmendja e qeverisë për problemin e rendit ishte përqendruar kryesisht te Xhandarmëria. Kur qe ministër i Brendshëm, Mufid Libohova ka pasur këshilltar Rauf Ficon, njohës i mirë i akteve ligjore dhe procedurave administrative. Që në fillim drejtuesit e Ministrisë së Brendshme planifikuan masa për organizimin strukturor, aktet normative, uniformat, pagat, përgatitjen, etj.
Libohova u dorëhoq nga ministër i Brendshëm në fillim të korrikut 1913, duke i lëshuar vendin Esadt pashë Toptanit dhe u caktua ministër i Jashtëm, por pak më vonë u kërkua si i përzgjedhur nga ndërkombëtarët për t’u caktuar përfaqësues i parë i Shqipërisë në konferencën e Londrës dhe anëtar i Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar (KNK) për problemet e Shqipërisë.
Në muajin gusht 1913, udhëtoi në Vjenë, ku u prit nga Berchtold, ministër i Jashtëm i Austrisë, për bisedime.
Para dorëheqjes së Ismail bej Qemalit, Mufid Libohova, delegati shqiptar në KNK, të martën u nis nga Vlora për Durrës “duke pasur një misië fort delikate nga ana e së ndershmes Komisiës Kontrollore” , çfarë shpreh se ai ka qenë në ujdi me komisionin për “bindjen” e Esad Toptanit të dorëhiqet, mbasi ata ishin siguruar për lëshimin e postit nga kryetari i qeverisë së Vlorës. Mufid Bej Libohova, njëri nga anëtarët e Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit erdhi në Durrës “për me u pjek me E. e T. kryetarin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme”.
Kur dha dorëheqje Ismail Qemali, më 16 janar 1914 Mufid Libohova, mori kompetencat e kryeministrit dhe iu drejtua prefekturave të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, ku qeveria e Vlorës kishte autoritet të plotë, duke theksuar se: “Nëpunësit të gjithë, siç janë do të mbeten ndër detyrat e tyre dhe do të provojnë patriotizmin që pritet kurdoherë nga ata e jo vetëm nëpunësit, por i tanë populli, për ma tepër sot që atdheu ka më fort nevojë për rend, qetësi e bindje. Ju lutem veçanërisht që t’u komunikoni edhe qarqeve për sa bahet fjalë sipër” .
Ai ka mbështetur ardhjen e Princ Wied-it në vitin 1914, pas dorëheqjes së qeverisë së brishtë të Vlorës, dhe ka asistuar në pritjen e tij në Durrës. Në kabinetin e Princ Wied-it, (kryeministër Turhan pashë Përmeti) i ka lëshuar vendin në KNK Mehdi Frashërit dhe më 14 mars 1914 është emëruar në detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe të Kulteve. Pak më vonë Libohova zëvendësoi Gaqo Adhamidhin në postin e ambasadorit shqiptar në Romë. Më 28 maj 1914 u caktua në postin e ministrit të Drejtësisë në qeverinë e dytë të Turhan pashë Përmetit. Sipas shënimeve të vetë Mufidit, ai shprehet se ka qenë ministër i Brendshëm në maj 1914, kur u zhvillua Asambleja Kombëtare , por ka mundësi që këtu të ketë ndonjë pasaktësi ose mund të ketë qenë një zëvendësim i përkohshëm në postin që mbante Esadi, i cili u arrestua ato ditë.
Në vitin 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore dhe ashpërsimin e gjendjes së brendshme në vend, ka shkuar në Zvicër, së bashku me përfaqësinë shqiptare dhe më vonë, prej andej, në Korfuz, për të ndjekur më nga afër çështjen shqiptare. Më 1914 ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Berlinit, si përfaqësues ballkanik.
Libohova u largua nga Italia, megjithëse qeveria italiane i ofroi mbajtjen e përfaqësisë në Romë me shpenzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe ndërkohë i siguronte të ardhurat personale si ministër shumë herë më të mëdha se ato që i ofronte qeveria e Shqipërisë. Megjithëse propozimi i qeverisë italiane ishte në interesin e tij personal, nuk pranoi dhe mbylli përfaqësinë diplomatike. Kur u çlirua Gjirokastra nga pushtimi grek, ai u kthye në vendlindje dhe vijoi të merrej me politikë, me dëshirën e zjarrtë për të ringjallur përsëri një qeveri shqiptare.
Kur Gjirokastra qe zaptuar nga Italia, kolonel Kastoldi i ka propozuar “Kryesinë e Administratës provencit të Gjirokastrës”, por kjo mbeti thjesht propozim mbasi Libohova vuri kusht dhe kërkoi që administrata të ishte krejtësisht shqiptare, “me një xhandarmëri dhe me një Polici thjesht shqiptare dhe Kumanda të ketë vetëm kontrollin”, gjë e cila nuk u miratua nga gjenerali italian Ferrero .
Në vjeshtën e dytë të vitit 1918, Libohova mirëpriti humbjen e Austrisë dhe përparimin e Italisë në Shqipëri, dhe me këtë rast vlerësoi se kishte ardhur koha për formimin e qeverisë shqiptare. Më 22 tetor 1918 i ka dërguar gjeneralit Ferrero një raport për këtë çështje, në gjuhën frëngjisht, duke sqaruar se situata paraqet nevojën për t’i kërkuar qeverisë mbretnore “të na ndihmojë e të i bëj të mundur formimin e një qeverie kombëtare nga arsyeja që e do doemos gjendja ndërkombëtare”. Ai i lutet gjeneralit duke i pasqyruar rreziqet e intrigat e armiqve, të cilat “qeveria mbretnore i di pa dyshim”, duke sqaruar se ngjarjet e ndodhura në Korçë janë shqetësuese, se politika e Fuqieve të Mëdha për çështjen e kufijve është shqetësuese, nevoja kërkon që populli shqiptar të shfaqet “pranë Evropës dhe Amerikës si komb që ka një qeveri të përkohshme dhe nuk i mungojnë fuqia dhe mietet për të formuar shtet autonom”, qeveria do të kërkoj “ngjitien me Shqipri nga an’e jugës të Çamërisë që gjendet kundrejt Korfuzit, dhe nga an’e veriut Sanxhaqet e vjetra dhe thjesht shqiptare, të Dibrës, t’Ipekut, të Prizrenit dhe të Prishtinës”, etj . Pas kësaj është ftuar në Romë nga ministri italian i Punëve të Jashtme, Sonino, me ndërmjetësinë e kolonel Kastoldit, së bashku me Turhan pashë Përmetin, Dr. Turtulllin dhe Mehmet bej Konicën. Aty ka shprehur mendimin për formën qeveritare “monarki konstitucionale”. Në takim ka qenë i mendimit se pushtimi ushtarak i Vlorës “do duhej të ishin të pranueme dhe të qujtuna si sigurim i më efikasë edhe i pa ndryshim i gjendjes të një Shqipërije mvete (indipendente). Unë mirë-likshtë përveç Italisë nuk shihja tjatër dhogë shpëtimi dhe doja një marrëveshje të plotë me konsullatën, aqë më shumë doja një marrëveshje drejt për drejt me qeverinë mbretërore.
Ndërkohë qeveria e Romës kishte siguruar përkrahjen në favor të platformës së shpallur në Gjirokastër, të disa personaliteteve shqiptare, si Mehmet Konica, Myfit Libohova, Medi Frashëri, Feizi Alizoti, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja e të tjerë. Madje, ata po përgatiteshin të krijonin një organ politik në Shqipëri, i cili të miratonte platformën e Romës “Shqipëri autonome nën mandatin italian, pa Vlorën dhe krahinën e saj”. Në marrëdhëniet që pati me komandantët aleatë dhe i mbështetur nga qeveria italiane, pas shumë përpjekjesh, në bashkëpunim me disa miq të tij mundën të sigurojnë krijimin e “Qeverisë Provizore” të Durrësit, e cila përfaqësoi Shqipërinë në konferencën e Paqes. Këtë detyrë e realizoi në bashkëpunim me Mehmet bej Konicën (vëllai i Faik Konicës) dhe Mustafa Krujën, e cila u mundësua nga mbledhja e kongresit të Durrësit, që vendosi formimin e një qeverie shqiptare, të kryesuar nga Turhan pasha. Ky eveniment është pasqyruar edhe në tekstin e historisë së Shqipërisë, ku shkruhet se: “Më 12 tetor 1918 Turhan pashë Përmeti me një grup patriotësh i drejtuan një memorandum me anë të të cilit i njihnin Italisë rolin e “protektoratit”. Gjithashtu, ata, më 30 nëntor 1918 formuan një këshill apo komitet kombëtar, siç udhëzonte Soninoja, nga shqiptarët “besnikë” të Italisë dhe “me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej italianëve, me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj”. Për të marrë pjesë në këtë këshillë erdhën në Shqipëri Mufid Libohova, Mehmet Konica, Mustafa Kruja, e persona të tjerë, të cilët gjatë muajit nëntor ishin grumbulluar në Romë për t’u këshilluar me qeverinë italiane”. Më tej, në këtë dokument, theksohet se: “Kongresi i Durrësit u hap më 25 dhjetor 1918. Qeveria e përkohshme që doli nga kongresi i Durrësit përbëhej prej 14 anëtarësh…”. Në këtë qeveri, përkrah kryeministrit Turhan pashë Përmeti kanë qenë edhe Mufid bej Libohova, Mustafa Kruja, etj. Më 25 dhjetor 1918 ka hapur kongresin e Durrësit, në rolin e organizatorit, së bashku me Mehmet Konicën. Ka qenë delegat i Gjirokastrës, së bashku me 6 të tjerë (përfshirë edhe mikun e tij, Petro Pogën, ky u propozua nga Hiqmet bej Delvina për nënkryetar, u kontestua nga shumë delegatë, por gjithsesi u miratua “pa vue re fenë e vendin e tij”. Në kongresin e Durrësit, Mufid Libohova u caktua nga kongresi zëvendës kryeministër.
Pas krijimit të qeverisë së Durrësit, Mufid bej Libohova, shkoi në Paris, ku qëndroi tre muaj, për ndjekjen e punimeve të delegacionit zyrtar shqiptar në konferencën e Paqes, në të cilën u pranua përsëri, në kundërshtim me interesat jugosllave e greke, liria e Shqipërisë sipas vendimit të konferencës së Londrës, që caktoi kufijtë e Veriut dhe të Verilindjes më 22 mars 1913, duke e lënë fatkeqësisht jashtë atdheut Kosovën e Çamërinë. Këto ngjarje i shpjegon gjerësisht Mufid beu në librin e tij “Politika ime në Shqipëri në 1920”.
Më 20 mars 1919, Mufidi ka qenë në mbledhjen që u zhvillua në Gjirokastër, ku u diskutua problemi i rrezikut të gllabërimit nga grekët të Gjirokastrës, dhe u vendos: ‘t’i jepet Shqipërisë Jugore ndënë garancinë edhe mbrojtjen e Italisë pa ngajtur mvehtësin edhe njësin e Shqipëris”, por kjo është kundërshtuar nga përfaqësia shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, madje kanë protestuar aty për këtë veprim të Mufidit.
Me vendim të qeverisë së Durrësit, të 17 prillit 1919, së bashku me Mehdi bej Frashërin është caktuar të marrë pjesë në delegacionin e qeverisë në Paris, për t’u përpjekur të minimizojë përçarjen e grupeve shqiptare në Konferencën e Paqes. Duke mos mundur të zgjidhin çështjen Mufidi ka takuar disa herë, në Paris, Esad Toptanin, për të ndërmjetësuar me serbët në të mirë të çështjes shqiptare, por ai vuri kushte që të njihej si kryetar i qeverisë shqiptare. Në fillim të gushtit ka shkuar në Romë, ku e priste Fejzi bej Alizoti, të dy kanë përgatitur një marrëveshje të përkohshme për “një sundim shqiptar ndënë kontrollin e Italis”.
Në qeverinë e Durrësit, Mufidi, në muajin korrik 1919, mori për herë të dytë dhe mbajti për disa muaj postin e ministrit të Brendshëm, duke u ndërruar në post me Mehdi Frashërin, kur ishin në konferencën e Paqes. Kjo qeveri pati jetë nga dhjetori 1918 deri më 1920. Në këtë qeveri ka punuar duke pasur përkrah intelektualët e shquar Luigj Gurakuqi, Sami Vrioni, Mehdi bej Frashëri, Fejzi Alizoti, Preng Bib Doda, Mustafa Kruja, Abdi Toptani, Imzot Bumçi, etj.
Më 20 gusht 1919, kur kishte pak ditë që ishte caktuar ministër i Punëve të Brendshme, së bashku me Fejzi Alizotin (në atë kohë ministër i Financave) dhe markezin Karl Durazzo, këshilltar i Legacionit të Italisë e Kolonel Bartolomeo Viçenzi, kanë nënshkruar Traktatin e fshehtë (prej nëntë pikash) midis qeverisë së Italisë dhe “Qeverisë së Përkohshme Shqiptare” të Durrësit, i cili i jepte të drejtë Italisë për të vendosur arbitrarisht mbi shumë probleme të Shqipërisë (buxheti, kontratat, koncesionet, ndërtimet e zyrave shtetërore, emërimet e zyrtarëve të lartë të shtetit, etj.).
Duke iu referuar dokumenteve të administruara në Arkivin e Shtetit, bie në sy ashpërsia e tij në ndëshkimin e keqbërësve dhe kriminelëve. Në fondin e Ministrisë së Brendshme gjendet një shkresë, nënshkruar nga Delegat’i P. të Brendshme (ministri i Punëve të Brendshme-H.L.) Mufid Libohova, dërguar Komandës së Përgjithshme të Gjindarmërisë (Xhandarmerisë) “Mi masat për me u marrë kundër t’arratisunëvet”, në të cilën shkruhet: “Për dije e veprim, Ju komunikojmë Vendimin e Këshillit të Delegatëve nr. 2574, datë 4.10.1919, mas të cillit tue qenë se krimet sa po venë po shtohen e vepruesit e tyne po arratisen tue prishë qetësinë e përgjithshme edhe Qeveria për të ndaluar hovin e tyre dhe për të mundur të verë në dorë bërësit e arratisun vendos qi (që-H.L.), të këtillë të arratisun për gjana vrasje, tue u thirrë nga Qeveria, në mos u dorëzofshin t’u digjen shtëpitë edhe t’u merren nga an’e Qeverisë gjithë gja e gjallë dhe të shitet për llogari të Qeverisë. Veç këtyre do t’u (n)digjen shtëpitë dhe gjithë atyre qi nuk i dorëzohen Qeverisë tue i kundërshtue me armë, cilido të ketë pas qenë faji i përparshëm”.
Duhet theksuar se kjo detyrë ishte në zbatim të ligjit të dytë të hartuar nga Mehdi Frashëri, kur ky qe ministër i Brendshëm, për vendosjen e qetësisë në vend, pasqyruar më hollësisht në jetëshkrimin e Mehdi beut, në ketë libër.
Mufid Libohova, si italofil i thekur që ishte, ka qenë hapur kundër mbledhjes së kongresit të Lushnjës. Kur po mblidheshin delegatët e kongresit të Lushnjës, Mufidi ka shkuar deri në Vlorë dhe në bazë të marrëveshjes së fshehtë të qeverisë së Durrësit me Komandën e Përgjithshme Italiane në Shqipëri, është munduar të bindë gjeneralin italian, Piaçentinin, të merrte masa ushtarake kundër kongresit të Lushnjës, por ai për oportunitet nuk guxoi të ndërmerrte një masë të tillë dhe u mjaftua vetëm me dërgimin e një batalioni me një efektiv prej 1200 vetash nga milicia e Gjirokastrës. Komanda italiane, pa iu dhënë asnjë lloj shpjegimi oficerëve shqiptarë, dërgoi me mjete të shpejta në Kolonjë të Lushnjës batalionin e milicisë me qëllim që të shpërndante mbledhjen e Lushnjës, duke i treguar botës se kongresi u shpërnda prej fuqive të armatosura shqiptare. Shumica e oficerëve (ishin katolikë shkodranë) kuptuan qëllimin dinak të italianëve, kontaktuan me kongresistë dhe nuk vepruan për shpërndarjen e kongresit. Mufid Libohova është deklaruar tradhtar i atdheut nga kongresi i Lushnjës. Meqenëse kongresi i Lushnjës zgjodhi Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, Mufid beu u tërhoq nga politika, duke shikuar se ylli i Ahmet Zogut po ngrihej frikshëm në mugëtirën politike shqiptare. Mufid Libohova, ministër i Brendshëm në detyrë, kur u mblodh kongresi i Lushnjës, për sa më sipër ka pohuar: “Nisa ushtrinë për në Kolonjën e Myzeqesë edhe andeja për në Lushnjë. Pllani ishte të rrethoja këtë qytet edhe të përndaja mbledhjen tuk’e proklamuar në tërë Shqipërin zgjedhje të përgjithshme për një Asamble Konstituente”, por kjo u kundërshtua nga koloneli italian që ndodhej në Lushnjë, gjë të cilën e ka anuluar edhe gjenerali Piaçentini. I mërzitur nga kjo ka shkuar në Vlorë të bindë Piaçentinin t’i jepte në përforcim 700 milicë, me qëllim që t’i kundërvihej kongresit të Lushnjës, duke zhvilluar një mbledhje më të madhe në Durrës e në Gjirokastër, por edhe kjo nuk u pëlqye as prej Piaçentinin dhe as nga qeveria italiane.
Gjatë periudhës që u tërhoq përkohësisht nga politika shqiptare, është angazhuar seriozisht me punët e tij dhe me studime në fushën e historisë e të jurisprudencës. Gjithashtu, sistemoi bibliotekën personale, e cila ishte një pasuri e çmuar e familjes së shquar Libohova.
Ndonëse i vendosur për të mos u angazhuar më me politikë (sikurse kishte deklaruar pas kongresit të Lushnjës), ka provuar përsëri në zgjedhjet parlamentare të vitit 1921, por nuk ka mundur të fitojë. Kur të gjithë mendonin se Mufid Libohova po braktiste skenën e politikës, çuditërisht dhe atëherë kur askush nuk e besonte, ai bëhet më këmbëngulës për të fituar. Në mbledhjen e këshillit kushtetues që u hap në Tiranë më 1923, populli i Gjirokastrës dhe i Labërisë e zgjodhi përsëri deputet dhe në kabinetin e ri qeveritar ai u bë ministër i Drejtësisë dhe, më vonë, në një kabinet të dytë, ministër i Financave dhe i Drejtësisë.
Pak ditë para se të fillonte revolucioni i qershorit, ka shkuar në Shkodër, si përfaqësues i qeverisë, për të hyrë në bisedime me parinë e vendit. Gjatë një mbledhje, ka debatuar ashpër me Sejfi Vllamasin, duke iu drejtuar atij “Zoti Sejfi, e ke kot, se Ali Këlcyra nuk mund të bëhet demokrat , pasi ay rrjedh nga një familje e cila ka vrarë e prerë në popull, prandaj ay atë shpirt ka, qoftë me anë të trashëgimit nga prindërit, qoftë edhe nga atavizmi”.
Kur triumfoi revolucioni i qershorit i vitit 1924, Mufidi ka qenë pjesëtari i fundit i qeverisë që u largua nga Tirana, nga ku u drejtua për në Shkodër dhe qëndroi për disa ditë, para se të kalonte për në Jugosllavi. Qeveria e Nolit iu kërkoi shkodranëve me këmbëngulje të dorëzonin Mufid bej Libohovën, por ata nuk pranuan kërkesën e autoriteteve të Tiranës, përkundrazi e nderuan Mufidin, duke e përcjellë me respekt deri në kufi. Flitet se kur vetura e tij la tokën shqiptare rojet kufitare i drejtuan (paraqitën) armët. Kur qeveria e Nolit ishte pa përkrahje dhe afër dështimit, në pragvdekje, Mufid beu, në krye të fuqive të tij të armatosura, hyri në tokën shqiptare nga posta e kufirit të Kakavijës, më 24 dhjetor 1924. Në këtë rast ka filluar sulmin duke qenë në krye të forcave zogiste (legaliste) në drejtimin Greqi-Kakavijë, në bashkërendim me Ahmet Zogun që hyri nga drejtimi i Dibrës, Musa Jukën që sulmoi nga Podgorica, Kostaq Kottën nga Kapshtica dhe Selaudin Blloshmin nga Qafë-Thana, për rrëzimin dhe dëbimin përfundimtar të qeverisë së Nolit.
Duke kujtuar këto ngjarje, historiani L. Vernon, ka shkruar: “Qeveria e Tiranës i drejtoi Lidhjes të Kombeve një thirrje të nxehtë më 18 dhjetor, por duke mos marrë asnjë përgjigje, qeveria dha dorëheqjen dhe Ahmet bej Zogu hyri në Shqipërinë e Veriut pothuajse pa asnjë qëndresë” . Në dhjetor 1924, kur erdhi në qeveri me forcën e armëve, duke qenë në mbështetje të Zogut, Mufid beu i ka dhënë fjalën Zija Dibrës se është i sigurt se nuk do të pësonte asgjë, por pas pak ditësh ky është arrestuar dhe i shoqëruar rrugës, afër Kavajës, është vrarë, gjoja se paska tentuar të largohet! Kjo lojë nuk mund të ishte rastësi, aq më tepër kur bëheshin bashkë Zogu dhe Libohova.
Sipas të afërmve të tij, flitet se në akordet që kishin marrë gjatë mërgimit, Mufid beu në Romë dhe Ahmet Zogu në Beograd, ishte parashikuar që mbas rrëzimit të pushtetit fanolist, njëri nga këta të dy do të bëhej president i republikës ndërsa tjetri kryeministër, por kjo marrëveshje nuk u respektua nga Zogu.
Ndonëse fillimisht ishte kundër qeverisë së dalë nga kongresi i Lushnjës dhe kundër Ahmet Zogut, karrieristi Mufid Libohova, në qeverinë e krijuar më 1925 (të Iljaz Vrionit dhe të Zogut) ka kryer detyrat e ministrit në tre ministri, përkatësisht në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në atë periudhë Mufid beu krijoi bankën kombëtare dhe për nevojat urgjente të zhvillimit ekonomik të vendit, ai bëri një marrëveshje ekonomike-financiare për një hua të rëndësishme në favor të Shqipërisë, me një shoqëri private italiane të madhe. Veprimi i parë mundësoi faktin që Shqipëria, për herë të parë, hyri në tregun monetar të përbotshëm dhe kapitalit shqiptar iu sigurua vlera si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.
Gjithashtu, u krijua një monedhë kombëtare që u quajt “Lek”. Huaja i dha Shqipërisë rrugët, urat, ndërtesat qeveritare dhe veprat publike më me rëndësi, aq të nevojshme asokohe për vendin tonë.
Njerëz të afërt të Libohovës pohojnë se: “…gjatë kësaj kohe divergjencat midis Mufid beut, njeri me karakter të fortë dhe kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut, u bënë gjithnjë më të thella, mbasi i pari nuk mund të pranonte disa veprime të presidentit në lidhje me drejtimin e punëve të shtetit, sidomos për sa i përkiste politikës së tij tepër krahinore, zvogëlimi i rolit të parlamentit, hyrja në sferën drejtuese qeveritare të disa elementeve të papërshtatshëm dhe falja Jugosllavisë të Shën-Naumit si dhe konfliktet për Vermoshin. Për shkak të këtyre rrethanave, Mufid bej Libohova preferoi të tërhiqet kundër interesave të tij nga rrethet qeveritare dhe shkoi për kurime mjekësore në Paris si dhe për një pushim pranë të birit, Malik Beut, që ishte në atë kohë i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Francë.”
(VIJON…)