HYDAJET HYSENI: NJË JETË E TËRË PËR LIRI E PËR BASHKIM

Prishtinë, 20 dhjetor 2020: (Duke lexuar librin e Agim Sylejmanit për jetën dhe veprën atdhetare të Nazmi Hoxhës)
U ndjeva fort mirë, kur më tha Agim Sylejmani se po shkruante një libër monografi për Nazmi Hoxhën. Nuk e prisja, por megjithatë nuk u befasova. Nuk ishte hera e parë që Agim Sylejmani po ndërmerrte nisma domethënëse dhe me peshë historiografike dhe aktuale e përspektive.

E prisja që do të më kërkonte një lloj bashkangazhimi në monografinë për Nazmiun. Dhe, natyrshëm, pa e menduar fare, pasi e përgëzova për nismën e qëlluar, i thashë: “Po, do të shkruaj. Do të shkruaj edhe atë me kënaqësi të veçantë. Si mund të mos shkruaj për Nazmiun?” Nazmiut si edhe shumë shokëve të tjerë po vazhdojmë t’u mbetemi borxh.
Vepër veprimtari për veprën e brezave
Agim Sylejmani, i njohuar si një veprimtar politik, ish i burgosur politik, luftëtar lirie, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare si dhe jashtë atdheut, tashmë është i njohur dhe i afirmuar edhe si autor i frytshëm i veprave me vlerë historike, letrare dhe publicistike, si dhe me krijimtarinë e bujshme gazetareske dhe atë dokumentare. Ai shpesh befason për të mirë, jo vetëm me vëllimin dhe dinamikën e krijimit, por befason për të mirë sa me përzgjedhjet e temave të gjetura dhe të qëlluara aq edhe me dinamikën e përgatitjes dhe hartimit të librit si dhe me konceptiminin, ndërtimin dhe hartimin mjeshtëror.
Agimi është bir i mësuesit të njohur iluminist dhe novator, Taib Sylejmanit dhe nga ana tjetër nip i veteranit të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare dhe ish të burgosurit politik, Ramiz Osmani, i të burgosurit politik Begzad Osmani, si dhe i veprimtarit të palodhshëm dhe kryetarit të Grupit Revolucionar të Kosovës, gjatë fillimviteve ’70, me tri dënime politike dhe me 18 vjet të kaluara në burg politik, Kadri Osmani.
Agimi, edhe vetë veprimtar militant i pakursyer, ka vite që shquhet edhe si kronikan i përkushtuar i jetës dhe veprimtarisë së atdhetarëve të dalluar para dhe pas tij. Midis një vargu veprash të botuara, dy syresh shquhen për nga përkushtimi: monografia “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” dhe romani historik “Rrugëtimi i një Vigani”.
Agim Sylejmani vjen nga brezi i ri i organizimit gjatë viteve ’70, që vinte si reagim jo vetëm ndaj gjendjes së rëndë dhe në keqësim të vazhdueshëm, por ishte edhe reagim ndaj burgosjeve të grupeve atdhetare të kohës dhe shprehje e vendosmërisë për vazhdimësi të përpjekjeve çlirimtare dhe paravajtëse. I sapodalë nga burgu, Jashar Alia, njëri nga anëtarët e Grupit Revolucionar, ato vite, ishte një ndërlidhje e rëndësishme midis brezave dhe një këshilldhënës i suksesshëm dhe me përvojë.
Të rinj e të reja, me ndonjë pretekst të vogël, ndonjë gazetë a libër e lexuar, ndonjë poezi a parullë e shkruar, ose edhe fare pa pretekst, shtrëngoheshin, kërcënoheshin, torturoheshin dhe kaloheshin formalisht nëpër gjykatat e instrumentalizuara, për t’iu shqiptuar dënimet drakoniane që u prenin shkollën, rriten, karrierën dhe jetën.
Goditeshin egërsisht dhe pa mëshirë të rinj e të reja edhe si ndëshkim, por edhe si shembull frikësimi të rinisë, si një mënyrë parandalimi të brumosjes dhe angazhimit atdhetar.
Në mungesë të fakteve dhe argumenteve, hetuesia sadiste udbashe, provonte t’i përpunonte të arrestuarit dhe t’i joshte me lloj-lloj ofertash e premtimesh mashtruese dhe, kur këto nuk bënin punë, dhe zakonisht nuk funksiononin, pasonin format e ndryshme të dhunës, rrahjes brutale dhe mundimeve të llojllojshme trupore, mentale e shpirtërore, madje edhe duke ua shkulur flokët vajzave njomëzake, nxënëse e studente të dalluara në mësime.
Me burgosje, rrahje, tortura, joshje e kërcënime, synohej ngulfatja e frymës së patriotizmit shpërthyes rinor, por, zakonisht, ndodhte e kundërta. Burgu politik kthehej në shkollë edukimi atdhetar dhe farkë forcimi e pjekurie të rinisë vashërore dhe djaloshare.
Agimi si edhe shokët dhe shoqet e grupit, vazhduan veprimtarinë atdhetare edhe në burg, brenda grilave dhe me atë frymëzim e përkushtim, i intensifikuan edhe më shumë përpjekjet dhe format e ndrys hme të veprimit dhe organizimit, me hov të ri, me përvojë, me vendosmëri edhe më të fortë dhe me pjekuri politike të shkollës së mësuesve të tyre të adhuruar që po vazhdonin të vuanin burgun shovinst. Në shkollën e ndaluar të burgut, Agimi i ri, te Rexhep Malaj kishte gjetur edhe mësuesin edhe modelin e militantit atdhetar.
Vazhdimësia dhe veprimtaria atdhetare ishte një obligim i shtuar për brezin e ri të të rinjve dhe të rejave, tashmë të rryer e të pjekur në vuajtje e torturë. Ky brez është angazhuar veçanërisht për ruajtjen e flakës së lirisë dhe rimëkëmbjen e Lëvizjes çlirimtare, të goditur rëndë nga burgosjet e shumta e të njëpasnjëshme.
Veprimtarët atdhetarë të këtij brezi rinor, pothuajse të gjithë, jo vetëm që vazhduan veprimtarinë e fshehtë atdhetare, por ishin nga të parët që iu bashkuan radhëve të batalioneve e brigadave me emra të idhujve të tyre atdhetarë.
Edhe përkundër represionit të egër të dhunës dhe terrorit shovinist dhe krahas kësaj edhe të një lufte perfide e tinëzare speciale dhe skajshmërisht kuazi ideologjike, brezat zinxhirorë të Lëvizjes së fshehtë funksionuan, jo vetëm si betonarme uniteti gjithëpopullor i qëndresës dhe substancë promotorike e proceseve historike të çlirimit, shtetformimit, demokratizimit dhe evropeizimit.
Në veprimtarinë dhe krijimtarinë e Agim Sylejmanit, nuk haset mania dhe prirja e fryerjes dhe ekzagjerimit të rolit dhe kontributit të tij dhe as të brezit të tij, siç ndodh me disa karrieristë dhe aktivistë që përpiqen të krijojnë përshtypjen sikur historia dhe gjithçka e vlefshme ka filluar nga ata dhe është arritur vetëm nga ata. Edhe Bacë Adem Demaçi i madh, frymëzuesi shpirtëror i brezave, theksonte se ajo që kishte bërë ai ishte vetëm vazhdimësi e përpjekjeve të brezave pararendës.
Në librin “Pergamenë e gjallë” kushtuar Dëshmorit Sadik Buja, Agimi pasqyron dhe vlerëson lart brezin e tij dhe brezat e tjerë rinorë, por gjithnjë në ndërlidhje dhe vazhdimësi me brezat parardhës.
Qasjen gjithëpërfshirëse Agimi e shpreh, në çdo rast dhe veçanërisht në përkujtimet, portretet dhe dokumentarët e shumtë në televizionin Albanian Amerikan Vision, etj.
Rexhep Malaj, idhulli dhe shoku i tij mësues do t’ia ketë përsëritur shpesh atë moton domethënëse të të parëve: “Trimi i mirë me shokë shumë.”
Pas monografisë dhe romanit për Rexhep Malajn, natyrshëm, Agimi zgjeron dioptrinë e tij hulumtuese edhe te shokët e Rexhepit dhe jo rastësisht ndalet te veprimtari Nazmi Hoxha, njëri nga shokët rinorë të Rexhepit të papërfshirë në rrethin e të të burgosurve të ’68-tës, dhe njëri nga vazhduesit e misionit të Rexhepit me shokë.
Marathonomaku i familjes Hoxha
E kisha njohur Nazmiun qysh në fëmijëri, si një nga nipërit e familjes fisnike Kamberi, me të cilën familja ime kishte një afri dhe fqinjësi të ngushtë. Gjyshja e Nazmiut, halla Zade, ishte një grua punëtore, bujare dhe e shumëvuajtur. Ashtu si edhe bijat e saj, kishin shkuarje-ardhje të shpeshta me nënën time. Daja i Nazmiut, Kadriu, djali i dëshirit i familjes, shquhej me natyrën e tij të hapur dashamirëse, atdhetare dhe përparimdashëse. Nazmiu vinte shpesh në fshatin e dajave dhe dallohej për afërsinë dhe çiltërinë e pazakonshme. Secilin nga më të moshuarit e fshatit ai e quante dajë dhe ata e konsideronin edhe si njërin nga nipat e tyre më të dashur.
Me kalimin e viteve, pos dajës Kadri, gjente rastin të kontaktonte e të komunikonte me veprimtarët Zija Shemsiu, Zahir Kamberin si dhe me më të rinjtë, Kadrushin, Nexhatin, Naimin etj.
Gjatë viteve të shkollës së mesme, bashkë me kusherinjtë e tij Shefqet Hoxhën dhe Shemsedin Hoxhën, ishin pjesë e njërit nga rrethet e organizuara të Rexhep Malajt.
Nazmiu, Vahidja, Shefqeti, Shemsedini etj. vinin prej familjes së madhe dhe të shquar atdhetare të Ramiz Cernicës, të Kadri Halimit, Ramadan e Ymer Halimit etj., pa dyshim njërës nga familjet më të përndjekura dhe më të përsekutuara dhe njëkohësisht njëra nga familjet më qëndresëtare, më kontribuese, jo vetëm në Anamoravë, por edhe më gjerë.
Një ndikim të dukshëm të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë, kishin edhe veprimtarët e tjerë që studionin dhe vepronin jashtë Gjilanit, në Prishtinë e gjetiu, si Skender Kastrati, Isa Kastrati, Kadri Osmani, Irfan Shaqiri dhe veprimtarë të tjerë, që po ashtu vinin nga familje të njohura dhe të dëshmuara atdhetare dhe ishin në lidhje me prijatarë të lëvizjes atdhetare si Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Halimi, Sadik Tafarshiku, Rexhep Elmazi etj.
Grupi i Gjilanit, i fundviteve ’60 dhe fillimviteve ’70, viteve që, në forma të ndryshme, i jepnin tonin frymës gufuese atdhetare dhe i bënin zap qarqet dhe grupet shoviniste dhe elementët kolaboracionistë që ende po përpiqeshin të dominonin dhe kontrollonin qytetin.
Në Nëntorin pranveror ’68 ata edhe ishin bërthama e aksioneve të nduarduarshme që kulmuan me shpërthimin e demonstratave edhe në Gjilan, Prishtinë, Ferizaj e gjetiu dhe me përleshjet dhe kacafytjet me milicinë e kohës, gjë që më përpara nuk mund as të imagjinoheshin.
Siç edhe pritej, pasuan përndjekje, burgosje, përjashtime nga shkolla dhe një farë shpërndarjeje dhe shkapërderdhjeje por jo edhe thyerje të rrethit të brezit ’68. Disa përjetuan burgun, disa u detyruan të shkojnë nëpër shkolla të qyteteve perreth, sidmos në Preshevën bujare e atdhetare, nën përkujdesjen e guximshme dhe bujare të profesorëve të atjeshëm atdhetarë dhe sekretarit të shkollës Liman Stanecit.
Për të vazhduar shkollimin, disa syresh ia mësynë edhe kapërcimit të kufirit, për vendin e ëndërruar, Shqipërinë nënë dhe pastaj me porosi vëllazërore prej andej, u kthyen në Kosovë, me bindje se pikërisht në Kosovë mund t’i kontribuonin lirisë dhe Atdheut.
Edhe përkundër përndjekjeve dhe repersionit, fryma atdhetare dhe antishoviniste jo vetëm që nuk u fashit por përkundrazi mori hov edhe më të madh dhe po bartej natyrshëm edhe te brezat më të rinj që admironin brezin pararendës të nëntorit ’68, dhe mezi prisnin të bëheshin pjesë plotësuese e Lëvizjes.
Gjithandej, lexohej e shpërndahej, dorë më dorë, literaturë e ndaluar atdhetare, e ardhur kryesisht nga Shqipëria dhe aty-këtu nga mërgata shqiptare, libra, gazeta, revista, disqe këngësh të zgjedhura shqipe dhe albume poetike të deklamuara nga artistët e mirënjohur, krijimtari e ndaluar letrare e politike, fotografi të personaliteteve të shquara atdhetare e politike të kohës, flamuj kombëtarë e tablo artistike me përmbajtje historike e atdhetare. Gjithandej prisheshin, shlyheshin e shkarraviteshin parulla politike të regjimit dhe thyheshin e griseshin fotografi, pano e pllakate të ndryshme të eksponentëve të nomenklaturës politike krahinore dhe në vend të tyre shkruheshin parulla liridashëse antipushtuese dhe antishoviniste.
Pas ndonjë viti, forma e organizimit dhe veprimit pothuajse spontan dhe gjysmë të organizuar po merrte një formë më të avancuar, më të organizuar, më të emancipuar dhe më efektive. Brenda rretheve shoqërore e gjysmë të organizuara po krijoheshin bërthama edhe formalisht të organizuara në formë celulash, kryesisht treshe, me organizim strikt, me përzgjedhje të kujdeshme të të rekrutuarve, madje me një fazë verifikimi si simpantizantë dhe tek pastaj me anëtarësim edhe formal dhe me betim, me takime e mbledhje të rregullta, me disiplinë strikte dhe me konspiracion të thellë.
Me kohë celulat treshe bashkoheshin dhe ktheheshin në grupe e organizata atdhetare, me synimin që të bashkoheshin në një Lëvizje të përbashkët, të fuqishme dhe fitimtare.
Grupi Revolucionar i Kosovës ishte njëri nga organizimet dhe grupacionet më të organizuara, më vepruese dhe më jetëgjata të fillimviteve shtatëdhjetë.
Ishte vepruar në një formë deridiku të fshehtë dhe gjysmë të organizuar, por organizimi i mirëfilltë dhe me hierarki në celula, Komitet e Kryesi, ishte një shkallë tjetër e organizimit dhe veprimit, dhe kishte për bazë rregulla të ashpra, të shkruara dhe të zotuara edhe me betim.
Një nga rregullat ishte konspiracioni i plotë, që do të thoshte se lidhjet organizative nuk duhej t’i dinte absolutisht askush tjetër, as familjarët dhe madje as shokët nuk mund të dinin dhe nuk do të duhej t’i tregonin njëri-tjetrit shokët e tyre të celulës dhe rrjetin e organizimit.
Kjo mënyrë veprimi dhe organizimi në fshehtësi të thellë ishte e domosdoshme dhe e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar rrjetit të gjerë, gjurmues e nuhatës të shërbimit sekret jugosllav, që në popull quhej UDB.
UDB-ja ishte vërtet e fuqishme, kishte rrjet të shtrirë gjithkund dhe ishte aq e rrezikshme, sa që edhe në popull, madje aty-këtu, edhe ndër veprimtarë të mëhershëm atdhetarë ishte krijuar bindja se veprimtaria e fshehtë, sado që ishte e nevojshme ishte e pamundshme të mos zbulohej nga UDB- ja e gjithëkundndodhur.
Shprehje e kësaj bindjeje vetëngulfatëse ishte edhe ajo deklarata famëkeqe e Fadil Hoxhës: “bira e minit – pesëqind grosh…”
Këtë frymë fatalizmi dhe papërspektive e kishte krijuar edhe përvoja e organizimeve të deriatëhershme politike, të cilat ose zbuloheshin dhe burgoseshin që në embrion, ose zbuloheshin dhe mbaheshin nën vëzhgim në pritje të rastit më të përshtatshëm për amplifikim goditjeje të gjithë rrjetit potancialisht veprues, si parandalim dhe pamundësim të veprimtarisë së organizuar politike dhe sidomos zgjerimit dhe bashkimit të saj. Kjo e vështirësonte shumë riorganzimin dhe vazhdimësinë e veprimtarisë së organizuar atdhetare, rigjetjen dhe rilidhjen e fijeve të këputura dhe degëve të prera ose edhe të zbuluara dhe të dekonspiruara të Lëvizjes së shkapërderdhur atdhetare.
Celulat, grupet dhe organizatat e krijuara pagëzoheshin me emra të ndryshëm, por ato zakonisht ishin degë të prera të trungut dhe rrënjëve të organizatave të mëparshme të burgosura, të cilat bashkërisht konsideroheshin si Lëvizje e përbashkët dhe quheshin Lëvizje. Lëvizja ishte tërësia e qerthujve, grupeve dhe organizatave të organizuara dhe gjysmë të organizuara që vepronin të veçanta dhe në forma të ndryshme me synim e pëpjekje për të gjetur njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar kështu bashkimin e dëshiruar të Lëvizjes së fuqishme çlirimtare.
Një nga rregullat e organizimit dhe veprimit konspirativ, siç e quanim, ishte edhe mosekspozimi verbal dhe formal, me biseda të hapura dhe shpërfaqje të dukshme dhe dalluese dhe sidomos me kontakte të hapura me veprimtarët adhetarë të njohur për UDB-në dhe të cilët mbaheshin nën vëzhgim të fortë edhe për të evidentuar rrethet e reja të aktivistëve potencialisht të angazhuar ose të angazhueshëm në veprimtatrinë, sipas tyre, “armiqësore…”
Nazmiu vinte nga njëra prej familjeve më të njohura dhe më të ekspozuara, nga dera e njohur e familjes së madhe Hoxhaj, e njohur si familja e Ramiz Cernicës, e Kadri Halimit dhe e brezave të një sërë emrash të njohur e të respektuar, ndërkaq edhe babai i tij, baca Hasim, luftëtar i dalluar dhe i plagosur në luftën e pabarabartë, në Kikë, me ripushtuesin çetnikopartizan. Ai ishte njëri nga të mbijetuarit dhe dëshmitarët e masakrës së përgjakshme të Tivarit.
Siç është e njohur, Ramiz Cernica, mik i afërt dhe bashkëluftëtar i ish-prefektit të Gjilanit, Rifat Berishës, në mbledhjen e tradhtisë në Prizren, ishte deklaruar hapur: “Me Serbinë – Jo! Me Shqipërinë – Po!” ndonëse djali i tij, Raifi, atëherë 17-vjeçar, ishte i burgosur, në krye të grupit kryengritës, si komisar i batalionit të rinisë kundër dhunës dhe terrorit të brigadave çetnikopartizane dhe bashkimit me qëndresën e Shaban Polluzhës me shokë, për çka, pas arrestimit ishte dënuar me vdekje, pushkatim. Pas pak vitesh, edhe përkundër kontributit të ndjeshëm në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe autoritetit të madh që gëzonte në popull, Ramiz Cernica u dënua me 20 vjet burg dhe u degdis në burgjet e largëta të Serbisë.
Kadri Halimi, i burgosur dhe i dënuar politik tri herë dhe në vazhdimësi të burgimeve drakoniane të axhës së tij Ramizit dhe kusheririt Raifit, tok me Ramadan Hoxhën dhe me familjarë të tjerë, një nga inteklektualët e parë atdhetarë, hulumtues shkencor dhe pararendës i studimeve etnologjike dhe albanologjike të Kosovës, ishte prijatari i njërës nga organizatat e para, më me peshë dhe më me ndikim në Lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar, bashkë me emra eminentë të Lëvizjes kombëtare gjithandej hapësirës së robëruar shqiptare. Nuk ka brez të përpjekjes çlirimtare që të mos ketë pasur brenda pjesëtarë të familjes atdhetare Hoxha, Halimi.
Nazmi Hoxha i përket brezit të katërt dhe funksiononte si urë midis brezave pararendës dhe brezave të tjerë pasues të veprimtarëve atdhetarë të familjes së tij të madhe dhe jo vetëm asaj. Siç shkruan autori i librit Agim Sylejmani, Nazmiu ishte një hallkë lidhëse e gjeneratave veterane atdhetare të familjes Hoxha, Ramiz Cernicës, Kadri Halimit, Ramadan Halimit, etj. dhe brezit më të ri me vëllaun Sami Hoxhën, Arban dhe Besa Halimi dhe të tjerë si ata.
Nazmi Hoxha – militant dhe organizator i pakursyer dhe i pandalshëm
Në praktikën organizative të asaj kohe, ishte adoptuar edhe një rregull e pazakonshme kujdesi dhe dashamirësie.
Porositej që bijat dhe bijtë e familjeve të persektuara të kurseheshin nga angazhimi veprues i fshehtë, edhe ngase familjet e tyre survejoheshin rreptë dhe rrjedhimisht mund të zbuloheshin lidhjet, por edhe për t’i kursyer familjet edhe ashtu tejmase të persekutuara dhe të dëmtuara.
Por, Nazmi Hoxha dhe shokë të tij prijatarë si edhe atdhetarë të tjerë para dhe pas kësaj kohe, nuk përmbaheshin, nuk mund ta shihnin veten në rolin e spektatorit dhe të rrinin pa u përfshirë në lëvizjen çlirimtare.
Dhe jo vetëm kaq. Siç pasqyrohet edhe në librin e Agimit, Nazmi Hoxha ishte nga ata veprimtarë që çështjen e lirisë e shihte dhe e kishte pashmangshëm si çështje para të gjitha çështjeve dhe mbi të gjitha çështjet.
Nazmiu lexonte shumë dhe ato që lexonte edhe i përvetësonte dhe i diskutonte me pasion dhe i shkëmbente me të tjerët.
Emri Nazmi në gjuhën e origjinës, ka kuptimin organizator, aranzhues. Nazmiu ishte vërtet organizator i dalluar, i pakursyer dhe i pandalshëm.
Duke qenë njeri i hapur dhe komunikativ, plot energji e entuziazëm, për dallim nga shumica e shokëve të tij, Nazmiu kishte shumë shokë, ilaka dhe farefis, të cilët i afronte, i bindte dhe i rekrutonte disi lehtë dhe shpejt. Përveç familjes së tij, që edhe ashtu ishte vatër e atdhetarisë dhe pothuajse secili anëtar, në një mënyrë ose tjetër, ishte i angazhuar edhe aktivisht në përpjekjet çlirimtare, Nazmiu i kishte shndërruar në baza lufte edhe familjet e të afërmëve dhe ilakave të tij.
Në funksion të zgjerimit ai zgjodhi për studimin e historisë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës, ku ai gjeti rreth të mirë dhe të larmishëm. Edhe autorit të këtij shkrimi, atëherë në ileglitet të thellë, Nazmiu i kishte siguruar, jo vetëm bazat e vendqëndrimit në Gjilan dhe në Gjakovë por edhe transportin, lëvizjen, ushqimin dhe gjithçka që kërkonte ilegaliteti i kohës.
Edhe kur punonte si arsimtar dhe u shpjegonte brezave të rinj historinë e lavdishme shqiptare, Nazmiu kombinonte veprimtarinë e tij politike, edukative dhe vetëdijësuese, në funksion të përhapjes së të vërtetës dhe zgjerimit të radhëve.
Madje edhe kur ishte në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në ushtrinë okupuese antishqiptare jugosllave, Nazmiu komunikonte dhe gjente mënyrën që të ndikonte, jo vetëm ndër rekrutë e ushtarë të thjeshtë, por edhe me ndonjë epror shqiptar, madje edhe me ndonjë të kombësive të tjera, kroate, sllovene a boshnjake.
Për të krijuar lidhje me punëtorinë, ai kishte shprehur gatishmërinë që të shkonte për të punuar edhe në Kroaci e Slloveni dhe madje edhe si punëtor fizik dhe minator në miniera të Kosovës.
Me detyrë të organizatës, siç përshkruhet në libër, Nazmiu udhëton për në Zvicër për t’u takuar me Kadri Zekën, për t’i dërguar shkrimet dhe materialet për Revistën “Liria” si dhe letra dhe porosi nga Komiteti Drejtues i Organizatës. Edhe Kadriu edhe Nazmiu ruanin me shumë respekt e dashuri kujtimet dhe përshtypjet më të mira nga ditët e kaluara bashkë, bisedat dhe punët e përbashkëta.
Nazmiu ruante me shumë mall edhe një mantel që ia kishte dhënë Kadriu, kur Nazmiu i ngarkuar me porosi dhe me literaturë të ndaluar e materiale të tjera, po kthehej në Kosovë.
Kishte edhe veprimtarë, që donin porositur e nxitur që të angazhoheshin më shumë dhe të mos pasivizoheshin në emër të kujdesit, ruajtjes dhe mbajtjes së fshehtësisë, kurse Nazmiu, përkundrazi ,zakonisht, duhej porositur që të përmbahej, të kishte kujdes dhe të ruhej.
I mllefosur me dhunën dhe terrorin gjatë dhe pas demonstratave të Pranverës ’81 dhe i entuziazmuar me gufimin rinor dhe unitetin gjithëpopullor, Nazmiu ishte nga ata që arsyetonin edhe rrezikimin e vet dhe të veprimtarëve të tjerë, në funksion të zgjerimit të radhëve dhe fuqizimit të qëndresës dhe luftës, sipas motos, “bie një, ngriten njëqind”. Një qasje e tillë vetëmohuese dhe vrulluese, kishte brenda edhe rrezikun dhe koston e pritshme, por shprehte po ashtu vendosmërinë edhe për rrezikime dhe sakrifica të rënda, në funksion të fitores së synuar.
Burgu shovinist u qëndronte mbi kokë gjithë veprimtarëve atdhetarë si kërcënim dhe shpatë Damokleu. Nazmiu ishte nga ata që nuk i frikësohej burgosjes brutale, presioneve të ndryshme, mundimeve dhe torturave shtazarake dhe as kërcënimeve për dënim të rëndë shumëvjeçar.
Para gjykatës së instrumentalizuar, Nazmiu deklaronte: “Po, unë jam marrë me aktivitet bashkë me anëtarët e grupit që nga viti 1976… Kemi qenë të bindur dhe jam i bindur se është e pashmangshme lufta në Ballkan, pra, në ato kushte kishte për të ardhur gjer te ndërrimi i sistemit shoqëror në drejtim të cekur më lart… …Është e kuptueshme se me atë rast populli kishte për të vendosur se a do t’i bashkohet Shqipërisë apo jo… …Kam sakrifikuar dhe do të sakrifikoj gjithëçka timen për idetë e shprehura në aktivitetin tim. Tërë aktivitetin e kam bërë me dije dhe krenohem për të…”
Dënimi ishte vërtet drakonian. Jo rastësisht Nazmiu edhe u dënua me 15 vjet burg të rëndë, bashkë me një numër shokësh, kurse prokurori, në ankesën e tij kërkonte dënim edhe më të rëndë.
Por, si edhe shokët e tij, ai nuk dorëzohej dhe nuk hiqte dorë nga bindjet dhe idealet e tij.
Si presion, ndëshkim dhe hakmarrje, jo vëtëm ia arrestuan dhe ia torturuan edhe vëllaun Samiun por shkuan dhe ia arrestuan edhe babain, Hasimin. Ia arrestuan babain dhe madje edhe i ballafquan në funksion të ligështimit, thyerjes dhe pendimit eventual, por as ky marifet UDB-ashësh, nuk bëri punë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur edhe babai i të dy djemve të prangosur dhe dukshëm të munduar dhe torturuar, i porosiste hapur: “Qëndroni si burrat… nuk është asgjë, vetëm të dilni faqebardhë! Edhe tre të tjerë i kam te shtëpia!”
Një qasje e tillë vetëmohuese dhe sfiduese, kishte brenda edhe rrezikun dhe koston e pritshme…
Edhe në ankesën e tij kundër aktdënimit drakonik, Nazmiu deklaron hapur angazhimin e pandryshuar për demonstrata dhe kërkesat e tyre të drejta për Republikë e Vetëvendosje, por konteston ashpër parullat e ndajmbathura të propagandës së strategëve të luftës speciale.
“Sa i përket parullës “Kosova etnikisht e pastër”, theksonte Nazmiu në ankesën e tij, – kjo është një shpikje e funksionarëve më të lartë serbë e jugosllavë në përgjithësi për ta njollosur kërkesën e drejtë të popullit, bile edhe për të ngjallë armiqësi dhe urrejtje ndërnacionale në mes popujve të Jugosllavisë dhe popullit shqiptar”.
Pas lirimit nga burgu ai u ribashkua me Lëvizjen e fshehtë atdhetare dhe u aktivizua në strukturat e larta të Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Nazmiu ishte njëri nga atdhetarët pa kufij, që nuk i njihte dhe i shpërfillte kufijtë shqiptato-shqiptarë. Hapësirë e angazhimit të tij ishte gjithë hapësira shqiptare, veçmas hapësira e robëruar shqiptare.
Në qershor të vitit 1992, Nazmiu, i shoqëruar nga intelektuali dhe atdhetari kumanovas Arif Seferi tok me veprimtarin Xhevat Qerimi, në rrugë për në Bullgari, ndalohet nga policia maqedonase, kontrollohet dhe arrestohet me të vetmin pretekst: një shumë parash e gjetur tek ata, dhe pas mundimeve dhe torturave të egra, mbytet në torturë Arif Seferi, kurse Nazmiu dhe Xhevati mezi shpëtojnë gjallë. Arsyetimi i hetuesisë maqedonase ishte se paratë e konfiskuara ishin destinuar për furnizim armatimi, por kjo ishte vetëm një supozim dhe nuk ishte argumentuar.
Nazmiu vendoset në Durrës, ku para një kohe kishte filluar një biznes në një ndërmarrje në Rogozhinë, në Fabrikën e Vajit dhe Sapunit. Në fillim puna i ecte mirë dhe, duke qenë njeri i mishëruar me punëtorinë, ai krijoi modelin e rrallë të raporteve të drejtuesit të ndërmarrjes dhe punëtorëve e administratorëve.
Nazmiu ishte nga ata që e donin fort Shqipërinë Nënë, siç edhe e quanim ngase edhe e trajtonim si nënën; sido që të ishte ajo ishte nënë dhe duhej dashur si nënë.
Ai kërkonte nga shokët e tij të burgosur politikë që t’i marrin përgjegjësitë e tyre në të gjitha situatat. Ata duhet ta marrin rolin organizativ dhe udhëheqës dhe t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre në këto rrethana, duke kombinuar format legale me ato ilegale, “Misioni ynë nuk përfundon sa të jemi gjallë…”, thoshte ai. Ndërsa rreth çështjes së sigurimit të burimeve të rregullta me armë, municione dhe logjistikë të nevojshme, Nazmiu kishte qëndrim të prerë: “Dera ku duhet të trokasim për këto punë është Shqipëria, vetëm aty mund t’i realizojmë të gjitha nevojat dhe kërkesat për nevojat e Lëvizjes sonë për çlirim e bashkim kombëtar”, shkruan autori i librit duke iu referuar kujtimeve të veprimtarit Naser Kuka.
Trazirat e vititi 1997 si dhe ato të mëparshmet e dëmtuan rëndë Shqipërinë dhe ekonominë e saj, por në saje të autoritetit që kishte gjithandej Nazmiu dhe, në saje të respektit që kishte punëtoria ndaj drejtorit të tyre, fabrika e drejtuar nga ai u ruajt nga punëtorët dhe nuk u dëmtua.
Gjatë kësaj periudhe të rëndësishme por edhe të rëndë dhe të trazuar, Nazmiu ishte militant i riangazhuar i Lëvizjes Popullore dhe nuk kursente jo vetëm kohën dhe energjinë, por edhe gjithçka që kishte e vinte në dispozicion të kauzës së lirisë dhe bashkimit.
Gjendja e rënduar shëndetësore i bënte shokët e tij që të mos e lejonin që edhe ai t’i vishej malit dhe të angazhohej në aksionet dhe operacionet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare, por askush nuk mund ta bindte që të mos shkrinte gjithçka që kishte edhe nga familja dhe biznesi i tij, për luftën çlirimtare.
Banesa e Nazmiut dhe Fabrika e Vajit dhe Sapunit në Rogozhinë ishin nga bazat e para logjistike të Luftës Çlirimtare dhe e furnizimit të luftës me gjithçka që i duhej luftës. E angazhuar ishte e tërë familja e tij si dhe rrethi i gjerë i shokëve dhe miqve të Nazmiut. Banesa e tij e vogël, ishte gjithmonë plotë veprimtarë dhe luftëtarë lirie, aq sa ndodhte jo rrallë që Nazmiu dhe familjarët e tij detyroheshin të shkonin e të flinin tek shokët e miqtë e tyre, për t’iu bërë vend luftëtarëve të lirisë që vinin nga lufta për armatim ose shkonin në luftë për liri. Në banesën modeste, siç argumenton autori Agim Sylejmani, kanë hyrë shumë personalitete të njohura dhe figura të shquara të luftës së UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe Fehmi Lladrovci me bashkëshorten e tij, Xhevë Lladrovcin, Agim Ramadani, Abdullah Tahiri, Urim Mehmeti, Rasim Kiqina – të gjithë tashmë dëshmorë të kombit, por edhe figura të shquara si Xhevat Qerimi, Hydajet Hyseni, Xhevat Ademi, Bajrush dhe Emrush Xhemajli, Azem Syla, Ramë Buja, Kadri Kryeziu, Nijazi Idrizi, Naim Haziri, etj., si edhe nga fshati i tij si Musa Bllaca, Avdyl Hasani e shumë të tjerë.
Për bujarinë dhe mikritjen e familjes së Nazmi Hoxhës, në Durrës e Rogozhinë dhe jo vetëm për këto, veçanërisht e merituar ishte Zijaverja, bashkëshortja dhe shoqja e jetës dhe e gjithë veprimtarisë së tij të bujshme dhe të shumanshme. Thënien e drejtë se pranë një burri të suksesshëm, gjithmonë gjendet edhe një grua e zellshme, e dëshmon në mënyrë shembullore çifti Nazmi dhe Zijavere Hoxha. Siç tregonte shpesh Nazmiu dhe e vërtetonte dhe e plotësonte Zijaverja, ata ishin njohur, simpatizuar dhe madje edhe dashuruar në moshe fare të re, si nxënës të shkollës fillore. Ishte një lidhje shpirtërore që jo vetëm nuk u shkëput, por as nuk u luhat kurrë, as në kohën e burgosjes së Nazmiut dhe as gjatë persekutimeve edhe të familjes, as në situatat e rënieve, krizave dhe vështirësive lidhur me investimet e shumta në afarizëm dhe shpenzimin pa kursim të gjithë të ardhurave për kauzën e lirisë dhe logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj fitimtare.
Edhe përkundër të gjithave, Zijaverja ishte me fat që e kishte njohur dhe lidhur fatin me Nazmiun. Që nga fëmijëria pa fëmijëri dhe rinia e pranguar e deri te dita e fundit e jetës, ata dy ishin shembull dhe model bashkëshortësie, dashurie, harmonie, mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë.
Nazmiu ishte i mirë, i drejtë dhe i kujdeshëm për të gjithë, nuk ishte i mirë, i drejtë dhe i kujdeshëm vetëm për vetveten, për Nazmi Hoxhën.
Një libër – reflektor ndriçues për brezat
Nazmiu u nda herët nga jeta dhe la shumë boshllëk. Thuhet në raste të tilla, po la boshllëk, por mbeti kujtimi dhe vepra. Dhe vërtet ashtu është, por e vërteta është edhe se kujtimi dhe vepra mbeten dhe jetojnë vetëm nëse ruhen, nëse afirmohen dhe kultivohen dhe sidomos nëse u barten brezave të rinj.
Agim Sylejmani e ka shpalosur dhe e ka pasqyruar luftën dhe veprën e Nazmiut, jo vetëm me përkushtim të jashtëzakonshëm, por edhe në një mënyrë disi ndryshe dhe origjinale.
Libri i Agimit për Nazmiun, nuk është thjesht një monografi stereotipe me një biografi të zgjeruar dhe një kompilim kujtimesh. Agimi ka hulumtuar gjatë dhe gjithandej duke grumbulluar një mal faktesh, dëshmish dhe materialesh, nga burime të llojllojshme dhe të kohërave të ndryshme, duke analizuar e përpunuar me kujdes, duke sistemuar, harmonizuar dhe duke i konkretizuar me fotografi, dokumente, dëshmi dhe referenca të nduarduarshme, duke i ndërlidhur dhe mbarështruar me mjeshtëri në një vepër shumëdimensionale e shumështresore për Nazmi Hoxhën, por edhe për brezat e tij idealistë si dhe për brezat pararendës, pa të cilët nuk mund të kuptohet drejt dhe mirëfilli as historia e vërtetë e çlirimit dhe as proceset tashmë historike dhe gjithnjë aktuale dhe të ngatërruara të bashkimit, demokratizimit dhe evropeizimit.
Libri është shkruar me përkushtim dhe kujdes dhe si i tillë lexohet me një frymë. Aq më tepër që ky memorial libror po vjen si një shënim specifik dy përvjetorëve, përvjetorin e lindjes më 5 dhjetor, me përvjetorin e 20-të të ndarjes nga jeta të Nazmiut, më 3 gusht dhe me përvjetorin e 40-të të Pranverës shqiptare ’81, të cilës Nazmiu i kontribuoi me gjithëçka që kishte, me jetë, me zemër dhe dhe me shpirt.
Ky libër me peshë, padyshim do të ketë lexues të shumtë dhe do të jetë një llambadar ndriçues për emrin dhe veprën e atdhetarit Nazmi Hoxha, brezit të tij, brezave atdhetarë pararendës.

Hydajet Hyseni, Prishtinë 5. 12. 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura