(Prishtinë, 11. 09. 2012) – Gjatë këtyre ditëve po e shihja një debat televiziv në televizionin tonë publik. Ishin të ftuar aty në debat përfaqësues të subjekteve politike por edhe një këshilltarë i shefit të ICO’së zotit Peter Feith. Ajo që më shtyri që të shkruaj ishte një gjë që e dëgjova nga ky këshilltar në këtë debat. Besoni ose jo ai tha se Kosova është sikur një person me aftësi të kufizuar të cilit natyrisht i duhet ndihma e të tjerëve. Në fillim nuk u besoja veshëve që po e dëgjoja këtë nga ky njeri. Fillova të mendoj dhe konstatimi është se vërtet këta ndërkombëtarë na trajtojnë në këtë mënyrë. Për ta ne jemi njerëz me nevoja të veçanta. Ndryshe nuk do të kishte kuptim sjellja e tyre në Kosovë ndaj qytetarëve gjatë gjithë kësaj kohe.
Por të ndalemi pak e të shohim se kush janë personat me aftësi të kufizuara dhe si është e mundur që një këshilltarë i një shefi të një misioni ta trajtojë në këtë mënyrë një popull të tërë. Unë e di se në Kosovë ka njerëz me nevoja të veçanta ashtu siç ka të tillë në gjithë botën. Për dallim nga vendet e tjera më të zhvilluara, ndoshta në Kosovë kjo kategori nuk trajtohet ashtu siç do duhej por ky zotëri e futi në këtë kategori krejt popullin e Kosovës. Në kategorinë e njerëzve me nevoja të veçanta hyjnë të sëmurit mendorë, të verbrit, shurdhmemecët, por edhe ata me aftësi të kufizuara fizike si invalidët e luftës dhe invalidët civil. Nuk e di ky zotëria nga ICO në cilën kategori të nevojave të veçanta e paraqet popullin e Kosovës. A i dukemi si njerëz të lëvizur nga mendtë, a i dukemi të verbër që nuk shohim asgjë, a i dukemi të shurdhër apo i dukemi pa ndonjë gjymtyrë të trupit. Për shumicën e këtyre kategorive rehabilitimi është i përjetshëm e rrjedhimisht ndihma dhe asistenca është deri në fund të jetës. Ky zotëri e ka fyer rëndë gjithë popullin e Kosovës.
Robert Vilton, Këshilltar i Shefit të ICO-së Piter Feith në RTK’Jeta në Kosovë, 06. 09. 2012: Debatë – Fundi i Pavarësisë së mbikëqyrur. Shikoni debatin në këtë lidhje: http://www.jetanekosove.com/sq/Debate/Fundi-i-pavaresise-se-mbikeqyrur-989 (shën.i Sh.B)
………………………………………………
Ne si një popull me aftësi të kufizuar gjatë gjithë kohës deri sa të ekzistojmë do të duhet të kemi asistencë e ndihmë nga misione të huaja sepse vetë nuk do të mundemi. Ne si të tillë nuk e paskemi merituar që të jemi të lirë, nuk e paskemi merituar shtetin por ja që paskan dalë disa ndërkombëtarë shpirtmirë dhe paskan vendosur që kështu siç jemi të shkalluar nga mendtë, të verbër e të shurdhër dhe pa disa gjymtyrë të trupit të na mundësojnë një shtet me aftësi të kufizuar. Ky shtet do të qëndrojë në këmbë vetëm nëse duan këta ndërkombëtarë shpirtmirë.
Nga një anë tjetër deklarata e Robertit të ICO-së tregon qartë se çka ka ndodhur në Kosovë në këto vitet e pasluftës e po ta shohësh siç duhet, po vërtet, Kosova u bë një shtet me aftësi të kufizuar. Këtu Roberti ka të drejtë. Por ai nuk po bëhet i sinqertë dhe të tregojë pse Kosova
u bë një shtet i tillë. Misioni nga vjen zotëria është një nga kontributorët e “paaftësisë” sonë. Po ashtu dhe Plani i Presidentit Ahtisaari i cili përbën dëmtimin themelor. Përmes zonave të veçanta rreth kishave ortodokse e trajtimi i tyre si trashëgimi kulturore e historike serbe, përmes decentralizimit etnik duke krijuar komuna me shumicë serbe sigurisht që na e keni paaftësuar shpirtëroren e fiziken që do të krijonte kohezion e paqtim shoqëror që i kontribuon funksioneve bazë të shtetit. Po pra, vërtet na keni bërë shtet me aftësi të kufizuara. Pasi na gjymtuat, tani na ofroni një terapi. Pasi që ne nuk jemi në gjendje që as terapinë ta marrim vetë ju duhet të jeni këtu e këtu duhet të jetë edhe Serbia. Kjo është ccfarë po kërkoni nga ne dhe kërkoni bile që ne të jemi falënderues ndaj jush.
Zotëri Robert por edhe ju zotërinjtë e tjerë të misioneve ndërkombëtare që mendoni kështu, duhet ta dini që Kosova dhe populli i saj e meritojnë lirinë. Meriton ky popull që të jetoj në një shtet i cili kujdeset për ta, një shtet i cili mundëson që qytetarët e saj të bëjnë një jetë normale, një shtet i cili mundëson zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale për ta.
Kosova i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një shtet normal. I ka edhe kapacitetet njerëzore e edhe ato ekonomike. Vetëm një pengesë të madhe e ka Kosova zotëri Robert e ajo pengesë janë misionet ndërkombëtare me fuqi ekzekutive dhe politikanët e korruptuar e servil që sot po qeverisin me Kosovën.
Për fund zotëri Robert ju edhe mund ta ndihmoni Kosovën. Pasi që po shkoni nga këtu mund t’i merrni me vete këta politikanët që qeverisin në Kosovë. Nëse i konsideroni si njerëz me aftësi të kufizuara mund edhe t’i trajtoni për të tillë në vendet e juaja. Ndërsa ne qytetarëve të Kosovës, faleminderit shumë por nuk na duhet ndihma juaj.
………………………………………
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)