IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e tretë)

Pashtriku.org, 08. 10. 2016: Dhe grupi i organizimit dhe i ri-organizimit për përgaditjën e mbledhjës së tretë të përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe unë kam qenë pjesë e atij grupit organizativ, kam qenë bashkë me Xhavit Hazirin, i cili sot nuk dihet ku është, nuk dihet për fatin e tij, është kidnapuar n’shtatorin e vitit 1998 n’mes t’Prishtinës, me Xhavit Hazirin, me Ahmet Haxhiun për t’cilin ma vonë kam bërë një libër monografik, me Emrush Xhemajlin i cili erdhi nga Zvicra me… si përforcim, si ndihmë këtu, me Shaban Mujën, me Ramadan Avdiun, me Azem Sylën dhe emrat tjerë s’po m’kujtohen krejt kush është. Edhe si grup organizimi ne përgaditëm mbledhjen e tretë t’përgjithshme të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës e cila u mbajt në natën mes 3 dhe 4 tetorit të vitit 1991 dhe në atë mbledhje u morr vendimi për formimin e një force t’armatosur që për mue është vendimi i cili çoi n’themelimin e UҪK-së.
Aty paraqitën… unë sot po shoh që po paraqitën data të ndryshme e gjëra të ndryshme, por për mue mbetet data e themelimit të UҪK-së, mbetet data kur është marrë vendimi për themelimin e nji force t’armatosun dhe kjo ka ndodhur në shtëpinë e Sadri Shalës në Ujëmir të Klinës, në natën mes 3 dhe 4 tetorit, të vitit 1991, në të cilën kanë marrë pjesë delegatë nga të gjitha viset shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia. Ka pasë delegatë edhe nga Plava e Gucia andej ka pasë delegatë edhe nga Struga, nga Kërçova, ka pasë nga Presheva, Bujanovci, nga t’gjitha viset e Kosovës madje edhe nga mërgata ka pasë delegatë në atë mbledhje. Edhe me rezolucion të asaj mbledhje… është dalë themelimi i nji force të armatosur, të nesërmen e asaj dite në orët e hershme të mëngjesit ose të paraditës, në orët e hershme të paraditës të asaj dite unë komunikatën, përmbajtjën e asaj mbledhje e kam dërgue në redaksinë e atëhershme të “Bujkut” sepse “Rilindja” nuk dilte ma, në redaksinë e atëhershme të “Bujkut” dhe ua kam dorëzuar Dush Gashit dhe Bajram Kabashit.

Unë ua kam dorëzuar dhe ajo komunikatë kurrë nuk është publikuar në “Bujk” apo ndonjë informatë për te. E do të thotë është kjo njëra ndër ato veprimtaritë e mija n’kuadër të… n’fushën politike. Pastaj jam pjesëmarrës i mbledhjes konsultative njëra ndër mbledhjet ma t’rëndsishme të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës që është mbajtur në Kërçovë të Klinës në fshatin… në Kërçovë të Maqedonisë në fashtin Kollarë të Kërçovës, është një mbledhje që është përfolur shumë në koluare të ndryshme, edhe n’atë mbledhje kanë marrë pjesë delegatë nga të gjitha… nga e gjithë hapsira gjeografike shqiptare e pushtuar nga ish-Jugosllavia dhe nga ajo mbledhje po ashtu kam dalë anëtar i grupit t’organizimit dhe ri-organizimit i ngarkuar për çështje programore dhe statutare. Po këtë vit është mbajtur…
Erëmirë Krasniqi: Ҫka ka dal prej atyne mbledhjeve?
Ibish Neziri:
Po vendimi për mbajtjën e mbledhjes katërt t’përgjithshme edhe ajo ka pasë t’bëjë, do të thotë, sepse gjatë kësaj periudhe kohore gjthmonë jemi goditur edhe nga pushteti por edhe nga politika legale e Kosovës, legaliste e Kosovës, jemi goditur n’forma nga ma t’ndryshmet. Unë thashë ne jemi cilësuar si t’kuq, jemi etiketuar me etiketa që… jo neve por atyne që i kanë lëshuar, nuk iu bajnë nderë as sot dhe nuk do t’u banë nderë kurrë, sepse ne kemi qenë njerëz që kemi vënë kokën n’torbë për këtë vend, në fund t’korrikut nga mbledh… pas mbledhjes tretë t’përgjithshme ka dalë një fraksion i Lëvizjes arsyet e fraksionit unë tash nuk po i përmendi, por ka dalë një fraksion prej Lëvizjes. Është nda një grup që ma vonë ka themelue LKÇK-në dhe në 93-shin, 93-shin.
Pastaj për… pasun arrestime, mirëpo para se t’pasojnë arrestimet n’masë në 93-shin në shku… janar, në fund t’janarit, pat një përpjekje për të m’arrestuar mua në Pejë dhe unë ika nga Peja. Në ndërkohë vendbanimin tim e kisha paraqitur n’Maqedoni, më shumë për shkaqe objektive sepse prisja gjithmonë që do t’më kerkonin kisha dokumentacion kroat t’Zagrebit, kisha pasaportë dhe letërnjoftim kreden… kredencialet, isha akreditu si gazetar atje, isha akreditu si gazetar tek Lidhja Demokratike e Kosovës te Qendra Informative e Kosovës, QIK që quhej atëhere. Dhe unë ika nga Peja dhe erdha n’Prishtinë. Këtu n’Prishtinë kam banur me ni antar t’organizatës i cili ishte student edhe ai student pas mbajtjës së denimit me burg i cili njëkohësisht ishte edhe anëtar i Kryesisë se Këshillit të Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, për rrethin e Pejës. Kam banuar me të, e kam kryer punën time si gazetar, kam lëvizur nëpër Prishtinë me dokumenta të falsifikuara por n’rrafshin e Dukagjinit asnjëhere ditën nuk kam… nuk e kam kalur urën e Klinës dhe sidomos n’Pejë nuk kam hyrë ditën dhe gjatë gjithë vitit 1993 unë kam qëndruar n’ilegalitet deri në… deri me 3 gusht… deri me 4 gusht kam qëndruar po them gjysëm ilegal ose gjysëm legal si t’doni po e marrim këtu nëpër Prishtinë.
Erëmirë Krasniqi: Kur keni emigru?
Ibish Neziri:
Urdhëroni?
Erëmirë Krasniqi: Kur keni emigru?
Ibish Neziri:
Kur kam emigru, tash po e them këtë. Dhe këtu në Prishtinë kam banuar ni kohë në Dragodan dhe pastaj n’Taslixhe n’shtëpinë e Avdyl Ramës, kam banuar po me t’njejtin person dhe me një shok tjetër i cili po ashtu ishe i burgosur politik dhe deri me 3 gusht une e kam kryer punën time prej gazetarit, aty përfundon puna ime si… puna ime si gazetar sepse me 3 gusht ndodhën arrestimet e dyta. Me 27 korrik u burgos grupi i LKÇK-së nëse nuk gabohem datë… n’datë se n’grup jo, por vetëm n’datë, u burgos grupi i LKÇK-së dhe me 3 gusht u godit edhe Lëvizja pas mbajtjës së si thuhej të mbledhjës të katërt të përgjithshmë dhe u burgosën një numër njerëzish, u burgos…
Erëmirë Krasniqi: Edhe ju?
Ibish Neziri:
Jo une nuk u burgosa se unë isha gjysëm ilegal dhe e kisha një fat që t’mos bija n’pritën e tyre edhe atë mëngjes unë nisem prej Taslixhes për t’dalë deri n’qytet. Ne kishim një bazë afër gjimnazit, ajo ishte një agjensi turistike, agjensi udhëtimesh dhe mu pronari i agjensisë m’tha se nga e hëna do të shkoj për pushime në Ulqin. Edhe deri sa unë dilja n’qytet nga ana tjetër e rrugës e pashë derën e agjensisë të hapur edhe pyes veten thom, “Po çfarë paska ndodhur, pse spaska shku Nehati në pushim?” E kaloj rrugën dhe kur afrohem te dera, kur t’afrohem për të [hyrë] brenda e shoh mi tavolinë, e shoh atë radion e policisë edhe une n’vend se ta vija kambën n’shkallë edhe t’ngjitesha lartë e drodha kambën edhe ika me shpejtësi, u largova nga aty.
Dhe ndërkohë pastaj unë morra vesh për arrestimet që kanë ndodhë, kontakti, njoftimet, morra vesh për arrestimet që kanë ndodhë ishte arrestu ai shoku, ishte arrestu Ahmet Haxhiu, ishte arrestu Xhavit Haziri. Ndërkohë morra informata për arrestime n’Ferizaj, për arrestime në Therandë, n’Suharek, për arrestime në Prizren, për arrestime në Vushtrri edhe do të thotë, arrestimet veç e përfshinë gjithë Kosovën. Unë nga ky moment nuk kam lëvizur ma, kur kam telefonuar n’shpi më është thanë se, “Është bastisë shtëpija dhe se është marrë vllau.” Dhe ashtu dhe kishte ndodhë, do të thotë vllaun e kanë marrë diku dymbëdhjetë-trembëdhjetë herë e kanë marrë në hetuesi.
Erëmirë Krasniqi: Ka qenë ai, edhe ai në Prishtine apo anëtarë?
Ibish Neziri:
Jo, ai nuk ka qenë anëtar, ai na ka pritë, na ka përcjellë, na ka pritë, na ka përcjellë, e ka çu naj porosi dikun që nuk ka ditë çka konkretisht po çon, po domethanë direkt n’organizim nuk ka qenë po edhe nuk ka qenë pa njohuri rreth veprimtarisë sime. Edhe pastaj unë kam kaluar në ilegalitet të thellë, ma nuk kam lëvizë pa siguri t’madhe. Dhe nji ditë nga Prishtina këtu, po ashtu n’mënyrë t’organizuar, me dokument, me dokument t’falsifikuar ma jam nisur drejt Rrafshit të Dukagjinit. E kam mësuar pas lufte, nuk e die kush ka ardhë deri te ato të dhana po m’është thanë se unë kam qenë i përcjellur deri përtej urës së Klinës, nga Prishtina. Kam qenë i përcjellur, dhe kur kemi shkue, kur tash kur e kujtoj atë rrugë mu m’kujtohet mirë që i kemi tejkalu dy, dy kamiona t’mdhaj. I kemi tejkalue. Edhe menihere prej, pasi i kemi tejkalu ata kamiana përtej Kline i kam thanë shoferit i cili e ngiste makinën drejt Dukagjinit, i kom thanë, Ktheu në të majtë këtu”. Edhe ai ka hy menihere, ka hy n’tmajtë. Po meqë ishte kthesë, kamianat ishin n’kthesë, përcjellsit që kanë qenë prapa nesh nuk kanë mund të hyjnë n’tejkalim, me rrezikue vetvetën me hy n’tejkalim dhe unë nuk kam vazhdu për Pejë por kam hy n’t’majtë t’fshatrave. Ata kanë vazhdu tutje për Pejë edhe kur na kanë nxanë, kanë alarmue.
Por unë gjithnji, domethanë, i kam njekur rrugët që i kam ditur ato rrugë mirë se i kam kaluar për atë vit kambë, i kam kaluar [në] kambë deri në Deçan sa herë prej Kline edhe kam lëvizë nga aty kam shku në Raushiq. Në fakt, jo në Raushiq, por në Raushiq kam shku ku ishte njeriu me t’cilin kisha banu në Prishtinë, ai ishte n’pushime, dhe i cili ishte anëtar i Këshillit të Rrethit, Kryesisë të Këshillit të Rrethit në Pejë, Gani Fetaj. Dhe i them, e njoftoj Ganiun se çka ka ndodhur, domethanë, çka duhet me bo edhe çka t’ketë kujdes. Po se ku jam duke shkuar, si kam tregu askujt. Madje as shoferit. Shoferi m’ka fut deri n’fshatin që osht’ dashtë të hy edhe ai, edhe me të jam marrë vesh, ai ka qenë njeri që ka dashtë vetëm me mu t’punojë edhe me asnjë tjetër. Do të thotë, “Çdo detyrë që ti ma jep, une e kryj, po nuk du t’marr detyra, as t’i raportoj askujt tjetër pos teje”. Ai nuk ka qenë i argu… i organizuar, por ka qenë një njeri që mu m’ka besu shumë edhe ka kry detyrat që unë ia kam dhanë. Edhe atë ditë ishte detyra e fundit që e ka kry prej meje. Për të m’çu në Rrafsh të Dukagjinit dhe unë ka shku n’fshatin Beleg.
Aty jam strehu në shtëpinë e Ismet Nezirit. Kam qëndrue edhe për ni kohë dhe pastaj i përcjellur nga shokët e organizatës bashkëveprimtare t’mi kam kaluar në Shqipëri. Në këtë rast mendoj se edhe dy emra duhet t’i përmend n’mënyrë që të mos ju mbetem borxh sepse kam shfrytzue shtëpitë e tyre gjatë qëndrimit në ilegalitet n’Prishtinë. Ka qenë Demë Ibërdemaj. Unë me vlla të Demës jom ulun katër vjet në ni bankë, n’gjimnaz, kemi qenë shokë t’mirë. Dhe, jam takuar më të n’vorrim të Esat Mekulit. N’pyetjen se si i kam hallet i kam thanë “Jam shumë keq, dhe prej momentit në moment jam duke pritur kur po m’gjuhen për t’më arrestu.” “Thirrem mu çdo kohë në qet’ numër të telefonit”. Dhe ai ka ardh mu m’i ka sjellë, se unë banesen time e lshova, m’i ka sjellë çelësat, dhe unë e kam pasë. e kam marrë e kam shfrytzu mas pari banesën e motrës tij. Ata kanë qenë po ashtu n’pushim. Për disa ditë aty nga aty kam vue kontakt me ni shok të fshatit Beleg i cili po ashtu nuk ka qenë i organizuar dhe e kemi mbajtur larg organizimit edhe jom taku me të.
Atij i kam thanë, “Shko!” E ia kam dhanë detyrën ku duhet t’shkojë edhe pa i tregu konkretisht, pa e ditë ky konkretisht ky ku duhet t’vie, lidhja ime e organizatës ku duhet t’vie dhe ai e ka çu, e ka çu porosinë dhe unë kam kalu nga ajo banesë kam kalu në banesën e Demë Ibërdemajt, po n’Kodër të Diellit, dhe aty kom nejt për disa ditë. Kur kanë ardhë të Këshillit të Rrethit të Pejës, kanë vu kontakt me mu, aty ka ardhë personi i cili e ka ditë atë banesë ku osht’. Pastaj unë meniherë e kam përcjellë atë person, dhe përsëri e kom ndrru banesën. Se pas çdo takimi mas shumti dhjetë minuta kam nejt n’atë objekt. Pas secilit takim unë kam lëvizë, nuk kam qëndru në t’njejtin objekt dhe nga aty kam shku jam strehu në shtëpinë e Ismajli e ka mbiemrin, punon në Postë ktu n’Dardani dhe vllain e ka profesor n’Juridik, se s’m’kujtohet emri i tij tash (buzëqeshë). Kam banu në shtëpinë e tij edhe për pak kohë dhe pastaj nga aty kam kalu n’Rrafsh t’Dukagjinit. N’Rrafsh t’Dukagjinit kom nejt n’fshatin Beleg rreth nji muj, dhe i përcjellur nga Binak Dina dhe shokë tjerë kam kaluar kufinin dhe kam dalë n’Shqipëri. Dhe prej Shqipërie, do të thotë, në nëntor të vitit 1993 kam shku n’Zvicër. Ky është kapitull i përmbledhur, megjithatë është shkurtë i përmbledhur.
Erëmirë Krasniqi: Me çfarë dokumentacioni prej Shipnisë n’Zvicër?
Ibish Neziri:
Për në Shqipni unë kam dalë nëpër mal.
Erëmirë Krasniqi: Po, prej Shipnisë n’Zvicër?
Ibish Neziri:
Për në Shqipni, për në Shqipni, unë s’i kam kërku kërkuj leje kur kam hi as kur kam dalë. Kam kalu malin edhe kur m’burgosën atje, se edhe atje m’kanë burgosë, dhe kur m’burgosën atje ju thosha, “Unë si kërkoj kuj leje kah bi nëpër toka t’mijat, nëpër ara t’mijat. Këto jonë t’mijat, edhe une i bi kah t’du”. Dhe atje kom kalu me dokument jo t’falsifikum. Me dokumente t’pafalsifikuara por me dokumente origjinale me ni person që kemi qenë, n’atë kohë kemi qenë, për kah pamja kemi qenë t’ngjajshëm me njëri tjetrin (buzëqesh). E Për nga sjellja dhe veprimtaritë tash, atëherë kemi qenë e tash ma nuk jemi. Ai është sot n’skenen politike. Është në ni pozitë shumë t’lartë, unë s’po ja përmendi emrin. Analizojeni ftyren time, mund ta gjeni vet. Se osht ftyrë publike, ftyrë publike edhe unë, unë me pasaportë të tij kam kalue, kam kam hyp n’aeroplan pa e ndërru fotografinë, pa kurgjo, kom mrri në Zvicër (qeshë). Edhe në Zvicër, mrenda ni kohe shumë t’shkurtë m’është njohur statusi i refugjatit politik dhe atje kam, ça të them tash.
Erëmirë Krasniqi: E çka ka ndodhë me Ilegalën?
Ibish Neziri:
Atje kam vazhdu me veprimtarinë timë përsëri n’organizatë. Kam qenë anëtar i redaksisë sociale t’Kosovës. Kam vazhduar punën e Zërit të Kosovës. Kam kry kurse t’ndryshme. Kurse integrimi dhe kurse gjuhe. Atje kam udhëheqë në periudhën shkurt 1998, gusht 1999 dhe kam udhëhequr emisionin në gjuhën shqipe në radio kanalin K. Në Aaraut të Zvicrrës kam qenë unëheqës kryeredaktor i emisionit. Ni emision ose ni ni ni po ta marrë ni emision që ka qenë me gjithçka ka qenë në krahun e UÇK-së që ka qenë ni za i vogël i UÇK-së në Zvicër. Pasi ka përfunduar lufta këtu e tutje, domethanë s’kam pasë interesim për ta udhëheqë ma atë radio dhe kam e lëshuar. Ma vonë kam marrë një radio tjetër poashtu ni emision, ni emision tjetër në gjuhën shqipe Radio Vlora në Cyrih është quajtur dhe aty kam punuar vetëm dy vjet.
Kam… kry kurse të gjuhës dhe kam fillue të punoj si msus i gjuhës gjermane në kurse të gjermanishtës për të rritur. Ç’është e vërteta, më shumë e kam mësuar gjermanishten gjatë kohës sa kam punuar si mësus sesa sa kam qenë vet nxanës. Sepse jam skuqë edhe jam turpru t’shkoj përpara nxansve i papërgatitur. Nxanësit i kam pasë të të gjitha niveleve dhe të të gjitha kategorive, prej nxansit t’shkollës mesme ose prej nxansit që ka kry, njeriut që ka kry tetë vjeçaren, prej atij që ka qenë n’shkollë t’mesme deri te njeriu që ka qenë me titullin doktor shkencash. I kam pasë nxansë n’kurse gjuhë gjermane dhe ma shumë e kam mësuar gjermanishten duke qenë si mësus vet. Edhe pas ni viti e gjysmë, si mësus i, po pas ni viti mësus, si msus i gjermanishtes, kam kalu si mësus i marrëdhanieve sociale. Kam punue edhe për gjashtë muj tjerë, dhe kam, kam përfundu projekte, ka përfundu projekti dhe pastaj kam shkuar tek gazeta “Arbeitsmarktes Agenda”, Agjenda e Tregut të Punës kur përkthehet në gjuhën shqipe titulli i gazetës dhe aty kam punuar për një vit si redaktor i rubrikës.
Ka qenë një punë shumë e mundimshme për mua për shkak së është dashur t’punoj jo non [nëntë] orë sa ka qenë orari i punës por 18 orë. Unë nuk kam qenë i detyruar t’punoj 18 orë, por për ta arrit nivelin e kolegëve t’mij, për ta arritur nivelin e kolegve t’mij është dashtë t’punoj ma shumë se ata, dyfish sepse ata e kanë pasë gjermanishten gjuhë amëtare unë nuk e kam pasë. Dhe për knaqësinë time, pas një kohe që e kam lëshuar punën në atë gazetë edhe përkundër insistimit të shefit tim, i cili ka bërë përpjekje t’mëdha me premtimin se do të më ndihmojë për çka t’kem nevojë aty, unë nuk kam nejt, do të thotë, e kam lëshu punën si… atij i kam thanë se, “Ju mund t’më ndihmoni mu një mujë, dy, tre, gjashtë mujë, por jo gjithë jetën time, mbase pas gjashtë mujsh edhe ju vetë e lshoni ketë punë e gjeni ndonjë punë më t’mirë dhe shkoni dhe pas përsëri m’duhë t’punoj 18 orë n’ditë”.
Kan qenë artikuj që janë marrë me problemet e t’hujve në tregun e punës në përgjithsi e të shqipëtarve n’veçanti. Do të thotë, për herë t’parë aty janë futë problemet e t’hujve në tregun e punës dhe pasi këtu unë kam kalu n’fushën e përkthimit dhe të ndërmjetsimit ndërkulturor. Në ndërkohë jam çertifikuar në këtë fushë, kam qenë i punsuar, dhe pas një periudhe kohore edhe kam diplomue n’fushën, si gjenerata e parë n’fushën e përkthimit dhe t’ndërmjetsimit ndërkulturor. Dhe sot e kam një diplomë t’nivelit federal, jam në mesin e grupit, në mesin e grupit prej 40 vetëve, prej 40 vetave i diplomuar bashkë edhe me dy gra tjera shqiptare, jemi tre shqiptart e parë që diplomojmë. Unë për fushen e gjermanishtës ato dy gra për fushën e frengjishtes, edhe unë prej asaj kohe punoj, pjesërisht punoj si perkthyes dhe ndërmjetsues ndërkulturor dhe pjesërisht n’kuadër të nji projekti punoj si animator dhe ligjërus në ciklin e lartë shkollorë. Është një projekt i inicuar nga organizata për ndihmë, refugjatëve, është organizatë e nivelit federal me seli në Bern është, “Schweizerische Flüchtlingshilfe”.
N’kuadër të kësaj punoj si ligjërus dhe si animator pjesërisht është projekt që prej tetë vjetësh a non [nëntë] vjetsh vazhdon edhe jam i kyçur edhe në atë projekt, eh njikohsisht unë kam vazhdu punën time në Lëvizje për nji periudhë edhe për nji periudhë t’gjatë kohore. Kam qenë pjesë e fondit “Vendlindja thërret” për Aarau dhe rrethinë se kantoni ka qenë pak ma i gjanë, kam qenë pergjegjës i fondit aty edhe jo vetëm atëherë po edhe sot edhe gjithënji gaditshmëria ime është çdo moment që ta japë llogarinë për secilën qindarkë që ka hy përmes meje n’fond dhe që ka dalë përmes meje Domethanë, që kanë hy edhe që kanë dalë sa kanë hy dhe sa kanë dalë ku kanë shku, domethanë unë jom i gatshem çdo moment sepse unë e kam dorzu nji, mjetet i kam dorzu, nji kopje e kam dorzu, nji kopje e kam mbajtë për veti, do të thotë i kam të gjitha dosjet dhe i kam të krijuara. Kam qenë pjesë e atij fondi, që nihem shume mirë që kam qenë pjesë e atij fondit, jam përpjekë që ushtarët e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës të mos i lamë pa bukë edhe pa barut edhe kjo oshtë kshtu.
Në anën tjetër, pos, punës së gazetarit në këto dy radio, gazetën “Schweizerische” këtë në gazetën “Arbeitsmarktes Agenda” unë kam punuar edhe në gazeta tjera, kam punue fillimisht deri në mars të vitit 1997 kam punue edhe për gazetën “Bota sot” dhe n’mars t vitit 1997 kur gazeta “Bota sot” e mori teposhtzën dhe u rreshtue krah atyne që i shkaktun t’gjitha fatkeqsitë n’Shqipëri në 97-tën, dhe mori një qëndrim që t’i shajë ushtarët e UҪK-së të cilët kishin filluar aksionin qysh…aksionet qysh n’93-shin. Unë jom shkputë prej asaj gazete po kam punu për gazetën “Glob” kam udhheqë gazetën që nuk ka dalë gjatë për shkaqe objektive, për shkaqe materiale gazetën e klubeve dhe shoqatave shqiptare në Zvicer të quajtur “Bashkimi” kam qenë kryeredaktor i saj. Kam punuar ose kam qenë antar i redaksisë së gazetës “Republika” i revistës “Republika”, na ka mete mi than “Republika e Sali Kabashit”, se i mungon fatkeqsisht sot, i mungon… fushës së gazetarisë shqiptare shumë ajo gazetë, kam punuar nuk po di edhe për çka tjetër për kë tjetër, po do të thotë nuk kam nejt. Kam botuar gjashtë libra deri tash, libri i parë është përmbledhje intervistash n’bashkautorsi që quhet “Spektër shqiptar” është n’bashkautorsi me Emrush Xhemajlin dhe intervistat ose librin e hapë intervista me Ukshin Hotin dhe janë politikanë dhe intelektualë edhe nga Prishtina edhe nga Tirana t’përfshirë në atë përmbledhje intervistash.
Erëmirë Krasniqi: Cili është viti?
Ibish Neziri:
Viti 1992-93 është…përfundon, fillon me Ukshin Hotin dhe përfundon me Ramiz Kelmendin. Dhe është për çudi për t’i parë opinion ose qëndrimet e dy ekstremeve në Shqipri për çashtjen e Kosovës, për ta parë ekstremin e djathtë dhe ekstremin e majtë që të dytë kur të është çashtja e Kosovës që të dy ekstremet takohen në një pikë për Kosovën. Edhe libri im i dytë është “Fytyra e dhunës mbi univerzitetin e Tetovës” që është një ë… më shumë është një foto album sepse fotografia flet vet ma shumë se fjalt, është përmbledhje e atyre ngjarjeve që janë zhvilluar rreth universitetit të Tetovës në shkurtin e vitit 1995, kjo është në bashkautorsi me Tahir Abdullahun, është e botuar në gjuhën shqipe, komentet, legjendat, parathanja, po parathanja edhe legjendat janë botuar në gjuhën shqipe, në gjuhën gjermane dhe gjuhën frenge. Ky libër është shpërnda shumë nëpër institucione t’ndryshme evropiane, gratis.
Libri i tretë është “Hamit Haxhiu, Një Jetë të Tërë në Lëvizjen Ilegale” është monografi kushtuar Hamit Haxhiut, i cili për herë të parë u burgos në moshën 14 vjeçare në vitin 1945 dhe për herë të fundit u burgos me 3 gusht të vitit 1993, koha kur unë ika dhe i cili vdiq me 6 korrik t’vitit 1994. Libri, ky libër është libër që është vlersu po thirrem n’raportet e Kohës Ditore për nji vjet rresht ka qenë në mesin e dhetë librave ma të kerkuara në Prishtinë, ka lëvizur n’mes rendit katër dhe gjashtë. Libri im i katërt është një monografi për shoqatën kulturore shqiptare “Mëmëdheu” i Saint Gallenit, një shoqatë që vërtetë ka qenë nje copë mëmëdhe në Zvicër për shqiptarët. Është monografi e dalë kryesisht nga dokumentet arkivore të saj nji, nji, nji shoqatë që ka bërë shumë për çashtjen shqipëtare, që ka bërë shumë për shqiptarët edhe në Zvicër edhe për shqiptarët në Kosovë që edhe sot e kësaj dite është aktuale.
Libri im i pestë osht’ libri… shkolla është te libri “Vallet në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar” është një monografi kushtuar shkollës shqiptare të vallzimit “Shota” në Zvicër që është nji ose ka qenë dhe ka mbetë nji ambasador i shkëlqyeshëm i kulturës shqiptare në Zvicër që ka marrë pjesë në shumë manifestime kulturore dhe ndërkulturore, që ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare të valles dhe së fundit ka marrë pjesë edhe në festivalin e Gjirokastrës. Madje pas paraqitjës së saj dhe dy grupeve tjera nga Zvicrra bashkarisht që u paraqitën në skenën e Gjirokastrës, gazetat të nesërmen shkruanin “Shqiptarët nga Zvicrra pushtuan kalanë” dhe unë n’atë shkollë vallëzimi pos [që] kam bërë, pos [që] kam bërë atë monografi për atë shkollë vallzimi që është në tri gjuhë, në shqip, në gjermanisht dhe në anglisht, unë aty jam edhe këshilltar i drejtuesit të shkollës, i kolografit të asaj shkolle dhe ajo shkollë ecë, vazhdon me moton “Të mësojmë të ecim shqip”. Edhe domethanë tash veç ka kalue njëzet e tri vjet që funksionon kjo shkollë. Është shkollë që i ka nxjerrë më shumë se pesëqind valltarë, do të thotë që i ka nxjerrë, që i ka msue më shumë se pesqind vetë të ecin shqip veshur me tirçe me veshje nga gjitha viset shqiptare burrash e grashë.
Libri im i gjashtë është, libri “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë” monogafi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj, i cili përmenda ma herët e ka, ka fillue veprimtarinë e vet para moshës 17 vjeçare, ka përfunduar me 31 maj në Koshare, në llogore të ushtrisë serbe duke luftuar fyt për fyt me ta. Dhe titulli i librit ka dalë nga vetë thanja e tij në nji intervistë të radio televizianit gjerman ku në pytjen e gazetarit se, “Pse ti je këtu meqë grun dhe fëmijët tuaj i ke në Gjermani?” Thotë se, “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë.” Ky është libri im i gjashtë i botuar, dy të pa botuar nuk i përmenda që rrinë n’sirtar. Njeni është pjesë e kujtimeve te mija “235 dite në burgun e Gospiçit, burgu pjesë e jetës”. “ 235 në burgun e Gospiçit…” ky rrin në sirtarë të tavolinës prej vitit 1989 i pabotuar, dhe është libri i fundit. Poashtu i pabotuar është një material arkivor, është “Masakrat Titiste në Kosovë në periudhën 1942-1951”, është deklarata e Xhafer Vokshit, i cili ka qenë ministër këtu dhe n’vitin 1949 ikë në Shqipëri. Është deklarata e tij që e jep dhe që sjellë dëshmi shumë interesante për opinionin që ende nuk i din dhe që n’shumë raste ngjarjet edhe keqinterpretohen. Ky libër është i pregaditur në gjuhën origjinale, transliterimi është bërë në standard dhe jonë futë të gjitha faqet dhe dokumentet, jonë futur si faksimil dhe libri do t’përkthehet edhe në anglisht dhe do të botohet si i tillë, do të thotë, këto janë. Kam projekte tjera nëpër duar, e kam një arkivë jashtzakonisht të pasur, kryesisht e kam elektronik, por kam edhe në letër.
Erëmirë Krasniqi: Shumë faleminderit!
– FUND –

Ibish Neziri / Intervistë, Pjesa e Dytë
=====================================
– ERËMIRË KRASNIQI (INTERVISTUESJA) NOAR SAHITI (KAMERA)

(Kjo intervistë fillimisht u publikua në: Oral History Kosovo)

___________________________

IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e parë)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5734
***
IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e dytë)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5735
***
IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e tretë)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5736

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura