PROF.SKËNDER SUSURI: KONTRIBUTI I AKADEMIK ESHREF ADEMAJ PËR TË DREJTAT KOMBËTARE DHE NJERËZORE TË SHQIPTARËVE

Prizren, 6. 9. 2016: Akademik Eshref Ademaj (1940-1994) me punën e tij të palodhur shumë produktive dhe shkencore, me mendjen e tij prodhuese e origjinale të shkencëtarit la vulën e vet për këtë kohë jo vetëm në rrafshin kombëtar por edhe në përmasa botërore. Me kontributin dhe aktivitetin e tij të guximshëm, të një vizionari dhe organizatori të shkëlqyer në organizimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme në mbrojte të autonomisë së shkollës shqipe, të autonomisë së Universitetit të Prishtinës dhe të zgjidhjes së drejtë dhe meritore të statusit të Kosovës, duke u ndodhur në ballë të protestave dhe demonstratave gjithëpopullore në vitin 1990 e në vijim, hyri në historinë kombëtare shqiptare si një nga veprimtarët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të viteve 90 të shekullit XX-të.
“Me temperamentin e tij të zjarrtë, i bëri herët idealet e veta aspiratat e bashkëkombësve për liri, të drejta kombëtare e njerëzore dhe përparim shoqëror. Ai ishte i ndërgjegjshëm se kjo luftë e vështirë do të zhvillohej në kushte inferioriteti në qoftë se shqiptarët nuk do të kishin njerezë të ditur, të aftë e me formim bashkëkohor që t’i orientonin në labirintet e ngatërruara në të cilat do t’a futnin luftën armiqët dinakë.” “Akademik Eshref Ademaj jetoi me Universitetin e Prishtinës, u ngrit me të dhe e ngriti atë. Terë potencialin e vet intelektual e vuri në shërbim të Universitetit, që në vitet e para të krijimit të Universitetit, veprimtaria e tij e nxori në ballë të trupës pedagogjike e shkencore të këtij institucioni, që për jetën e Kosovës kishte tjetër rrezatim e ndikim, tjetër peshë po ta krahasosh me institucionet analoge të vendeve tjera.”‘
Duke e ditur dhe vlerësuar Universitetin e Prishtinës si institucionin më të rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor në Kosovë, për popullin shqiptar, Akademik Ademaj asnjë herë nuk iki nga puna dhe obligimet, por kërkonte punë, niste punë dhe ngarkohej me obligime, por edhe hapte obligime për të tjerët.

Për të kontribuar në afirmimin dhe rritën e Universitetit ai pranoi dhe kreu me shumë përgjegjesi dhe suksesshëmë funksione të ndryshme me rëndësi shoqërore dhe qeverisëse si ato të prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Kryetarit të Shoqatës së Arsimtarëve Universitarë dhe të Punëtorëve të tjerë Shkencorë të Kosovës dhe atë të Prorektorit të Universitetit të Prishtinës. Në të gjitha këto detyra me përgjegjësi ai tërë energjinë e vet intelektuale e kombëtare e derdhi në mbrojte të Universitetit, veçanërisht në periudhën më të vështirë dhe më dramatike të jetës dhe të rritës së tij, siç ishte periudha e pas vitit 1990 e këndej, kur Serbia u vërsul me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e tij dhe për zhbërjen e arsimit dhe kulturës shqiptare në përgjithesi, siç do ta vërtetojnë ngjarjet në vijim, sidomos dhuna, terrori dhe gjenocidi shtetëror serb i vitit 1998/1999 ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Me vemendje të veçantë përcillej puna dhe aktiviteti i stafit mësimdhënës dhe organeve udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës. Kjo dhunë e egër serbokomuniste aq me tepër mori tipare gjenocidale pas vitit 1989, kur Serbia me me tërë forcën dhe në kundërshtim me të gjitha normat juridike vendore dhe ndërkombëtare, duke përdorur policinë dhe ushtrinë, e suprimoi dhunshëm autonominë e Kosovës (mars 1989).
Gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë për Kosovë, popullin e saj dhe Universitetin, Akademik Eshref Ademaj u gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e Universitetit, duke reaguar pranë organizmave të ndryshëm në nivel vendi (ish Jugosllavisë), pranë shoqatave, institucioneve dhe mekanizmave të ndryshme ndërkombëtare, duke shkruar dhe botuar publikime të ndryshme në gazetat prestigjioze të ish Jugosllavisë dhe Evropës, duke ju kundërvu proceseve të ndryshme antikombëtare të kohës të cilat i ndërmerrte LKJ, siç ishte i ashtuquajturi diferencimi ideo-politik dhe duke qëndruar afër studentëve, duke i inkurajuar ata që të mos bien pre e provokimeve dhe dhunës policore serbe.
Kontributi kombëtar i Akademik Eshref Ademaj arrin kulminacionin e vet pas vitit 1989, në kohën kur Serbia në mënyrë joligjore dhe të dhunshme suprimoi autonomin e Kosovës (mars 1989) dhe filloi të rrënojë çdo gjë që frymonte shqip, në veçanti sistemin arsimor shqiptar, duke u nisur nga niveli parafillor e gjerë në atë sipëror-universitar. Në kohën më të vështirë të mbijetesës së Universitetit të Prishtinës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, ai u gjend në ballë të Shoqatës së Arsimtarëve Universitar dhe të Punonjësve të tjerë Shkencorë të Kosovës dhe me vonë edhe në pozitën e Prorektorit të Universitetit, dhe u vu në ballë të protestave, demonstratave dhe formave të tjera të rezistencës në mbrojte të shkollës shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës.
“Akademik Ademaj e kishte të qartë se Serbia komuniste ishte duke u përgatitur për një fushatë të egër ndaj shkollës shqipe në përgjithësi dhe Universitetit të Prishtinës në veçanti. Populli shqiptar në Kosovë dhe shkolla shqipe ishin duke përjetuar çaste të vështira, bile dramatike. Me metoda më të vrazhda Serbia po atakonte vlerat më të ndritshme të popullit shqiptar, të cilat i arriti me shumë mund.
Pas terrorit policor-ushtarak mbi rinin shqiptare të Kosovës, pushteti okupues serb-komunist, po përgatitej për një fushat të tmerrshme të dhunës edhe mbi shkollën shqipe. Qëllimi ishte i qartë, shkatërrimi i të gjitha themeleve të shkollës shqipe, në të gjitha nivelet. Në shënjesër sidomos ishte Universiteti i Prishtinës.
Ky institucion tejet i rëndësishëm i arsimimit të të rinjëve tanë, sipas professor Ademaj, që moti ishte bërë halë në sy për forcat shoviniste serbe, të cilat vazhdojnjë ta quajnë atë “bastion, kështjell, vatër…” e nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar. Për ta mbrojtur universitetin nga kjo dhunë e cila po përgatitej nga forcat shovene serbe, profesor Ademaj me bashkëpunëtorët ndërmorri veprime konkrete.
Në vazhdën e këtyre veprimeve është edhe organizimi dhe mbajtja e Tubimit të Arsimtarëve të Universitetit të Prishtinës më datën 26 shkurt 1990” . “Shoqata e ka një obligim që për situatën e krijuar t’i shpreh vrejtjet e veta për rrethanat e krijuara në këtë tubim, sepse deri tash ato nuk mundem t’i paraqesim para organeve shoqërore-politike dhe të tjera. Kohëve të fundit po udhëhiqet një fushat e rëndë ndaj universitetit e cila i ka prekur dhe shqetësuar punonjësit e këtij institucioni më të lartë kërkimor, studentët dhe përgjithësisht banorët e Kosovës. Pakënaqësin tonë e shkaktuan vrasjet e mbi 30 qytetarëve shqiptar dhe plagosja e mbi 200 të tjerëve, pastaj rrahjet, maltretimet, burgosjet, plaçkitjet dhe keqpërdorimet e tjera të detyrës zyrtare nga ana e disa milicëve të aradhës së bashkuar. Gjithashtu edhe Ligji për Univeristetin i cili është aprovuar anipse diskutimi publik në Kosovë atë e ka hedhur posht” .
Nga ky tubim të cilin e kryesoi Akademik Eshref Ademaj, dolën qëndrimet që shërbyen si udhërrëfim për veprimin politik në periudhën para zhbërjes përfundimtar të Jugosllavisë. Qëndrimet përfundimtare që dolën nga ky Tubimi i Mesimdhënësve Universitar dhe të Punëtorëve Shkencorë ishin:
 depolitizimi dhe deideologjizimi i Univeristetit,
 shpërndarja e të gjitha organizatave të LKJ-së në UP,
 të ndërpritet diferencimi ideopolitik,
 të kthehen në punë të gjithë të anatemuarit,
 Univeristetit t’i kthehet autonomia dhe të mbrohet nga sulmet e pabaza
“Në vitin 1990 u nxor vendimi për masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, ndërsa në qershor 1991 u futën masat e dhunshme në Universitet dhe në fakultete. Më 27 qershor të atij viti, Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë miratoi këtë vendim: “Për aplikimin e masave të përkohshme për mbrojtjen e të drejtave vetëqeverisëse dhe të pasurisë shoqërore ndaj Universitetit të Prishtinës dhe ndaj fakulteteve në përbërje të tij, Fakultetit Filologjik, Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik, Fakultetit Elektroteknik, Fakultetit të Makinerisë, Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës, Fakultetit të Bujqësisë, Fakultetit të Arteve, Fakultetit të Kulturës Fizike dhe ndaj Fakultetit XehetarMetalurgjik të Mitrovicës.” (“Sluzbeni glasnik SRSî, nr. 38, Beograd, 27.VI.1991)” .
“Në fillim të vitit akademik 1991/1992 profesorët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës nuk e nënshkruan marrëveshjen me Bashkësinë e Shkollave të Larta dhe me Bashkësinë e Fakulteteve të Serbisë. Më 1 tetor 1991 Fondi Krahinor për Arsimin e Lartë në Kosovë ndërpreu financimin e mësimit shqip në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta. Studentët dhe arsimtarët shqiptarë u përjashtuan nga Universiteti i Prishtinës. Përjashtimi i arsimtarëve shqiptarë nga Universiteti i Prishtinës gjatë vitit 1991, në historinë e arsimit të lartë të Kosovës, do të mbetet si një akt jocivilizues, jonjerëzor dhe antishqiptar i pushtetit serb” .
Përkundër përpjekjeve të pareshtura, të egra, jocivilizuese dhe joligjore të “shtetit juridik serb-komunist” të kohës, për zhbërjen e sistemit arsimor të shqiptarëve, në veçanti për zhbërjen e Universitetit të Prishtinës në mësim në gjuhën shqipe, Akademik Ademaj ishte i bindur në dështimin e plotë të qarqeve serbomadhe per realizimin e koncepteve te erreta dhe hegjemoniste serbe, ngase siq theksonte profesori këto koncepte janë të gjykuara të dështojnë.
Akademik Ademaj në menyrë energjike, të vendosur, të argumentuar dhe publike ju kundërvu të gjitha këtyre përpjekjeve hegjemoniste dhe antidemokratike të politikës komuniste- serbe, mbi të gjitha fuqishëm ju kundërvu aplikimit të masave të dhunshme administrative të cilat shteti komunist-serb në mënyrë thellësisht joligjore i zbatojë në Universitetin e Prishtinës, nje akt ky i cili dëmtonte rëndë sistemin e arsimit të popullit shqiptar, jo vetem në Kosovë por edhe në viset e tjera të ish Jugosilavisë ku jetojnë shqiptarët.
Lidhur me aplikimin e masave të dhunshme administrative dhe represionin tjetër serb në Universitetin e Prishtinës, Akademik Eshref Ademaj në intervistën dhënë gazetës studentore “Bota e Re” nr. 17 të datës 3 gusht 1991 shprehej: “Qysh nga viti 1981 represioni ndaj Universitetit të Kosovës merr nuanca me të vrazhda që nuk njihen fare në botën e civilizuar dhe as figurojnë diku në aktet ndërkombëtare. Rreth shkeljes së autonomisë së Universitetit të Kosovës siç është vepruar sot me aplikimin e masave të dhunshme, që në gjithë botën, njihet si rast unik, vrazhdësia tejkalon gjithë kufijtë”.
“Më duket se rrugëdalje tjetër nuk ka. Në qoftëse nuk i konvenon pushtetit serb të ekzistojë universiteti në gjuhën shqipe atëher duhet të përgatitemi edhe që nga fillimi i vitit akademik të organizojmë univeristetin në gjuhën shqipe e lë urdhërojë atëher Serbia dhe të bëjë universitetin në gjuhën serbe në Kosovë. Por mos të harrojmë se 90% e popullatës së Kosovës është shqipëtar e 10 % janë pakica kombëtare ( serb, malazez etj). Mohimi i Universitetit në Gjuhën shqipe, siq e tha edhe vetë Papoviqi është rast eklatant dhe i vetëm në botë. Ne nuk do të lejojmë këtë, prandaj do të organizojmë forma të reja në universitet dhe e vetmja rrugë është mësimi paralel. Me gjithëse janë prishur marëdhëniet në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, sidomos me vendosjen e masave të dhunshme, unë mendojë se nuk ka kurrfarë baze të kemi më universitetin e përbashkët, andaj le të mendojë qeveria e Serbisë, le të mendojë edhe federata, se ne nuk heqim dorë nga Univeristeti i Kosovës, as nga shkollat e mesme as nga programet mësimore. Ky është betimi i gjithë popullit, pranadj këthim prapa dhe dorëheqje nuk ka”.
“Serbia po përpiqet të rrënojë çdo gjë shqiptare në truallin e Kosovës. Ajo pandeh se me dhunë mund ta mbajë një popull të tërë të okupuar. Mirpo me internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi u kompromitua politika “largëpamëse” millosheviqiane në Kosovë. Në vend se të përmisojnë gabimet fatale mbi institucionet arsimore e shkencore kosovare, pushteti okupues serb ashpërson gjendjen e tërësishme në to dhe përgjithësisht në Kosovë. Padyshim Serbinë dhe shovinistët serb i pengon rritja e deritashme e Univeristetit të Kosovës, të gjithë ato kuadro profilesh të ndryshme, ekspert e punonjës shkencor, të cilët i vënë themelet e këtij institucioni dhe krijuan një bazë të forte për prespektivën e ndritshme të mbarë Kosovës” “Autonomia e Universitetit të Prishtinës duhet mbrojtur me çdo kusht, sepse është kërkesë dhe nevojë e popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera të jugosllavisë, që janë autoktone në viset ku jetojnë, ndaj edhe janë plotësisht legjitime e të patjetërsueshme të drejtat e tyre për arsim, shkencë e kulturë” .
Akademik Eshref Ademaj në të gjitha intervistat, konferencat, tubimet publike dhe aktivitetet e tjera nuk hezitojë që veprimet dhe aktet e njëanshme dhe joligjore serbe mbi institucionet legjitime të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës t’i klasifikojë dhe emërtoj si veprimeve gjenocidale, përmes të cilave ajo synon që t’i përmbys sukseset dhe të arriturat shkencore tashmë të afirmuar të kuadrit shkencor shqiptar në botë. Gjithashtu ai i gjykojë ashpër dhe publikisht të gjithë ata të ashtuquajturit intelektual të cilët pushteti serb i angazhoi në procesin arsimor dhe të cilët u tjetërsuan dhe u shëndërran në emër të parave dhe të patriotizmit verbërues, në mercenar të paskrupllët, duke u rekrutuar dhe u vërsulur kundër çdo gjëje që është shqiptare. “Serbia deshi t’i tregojë shqiptarëve se kush është me të shpërblehet edhe në këtë mënyrë dhe kush e kundërshton mund të ndëshkohet kështu dhe në mënyra të tjera edhe më banale e më të shthurura.Mirpo, meqenëse as kështu nuk arriti ti “mbush mend shqiptarët”, e ka vënë në shënjestër tash gjithë Universitetin e Kosovës dhe me një të rënë kërkon ta serbizoj atë dhe ta flakë në udhë gjuhën shqipe” .
Duke qenë në krye të Shoqatës së Arsimtarëve Universitarë dhe e Punëtorëve të Tjerë Shkencor të Kosovës akademik Ademaj organizojë edhe forma të tjera të kundërshtimi ndaj politikave serbe, si tubime, protesta dhe demonstrata. Të gjithë ata që e kanë njohur për së afërmi dhe kanë bashkëpunuar me profesorin, e vlersojnë lartë kontributin e madh të tij dhe me të drejtë e kanë quajtur kryetari legjendar i këtij asociacioni. Me atdhedashurin e madhe që kishte, me entuziazmin, guximin dhe bindjen në fitoren përfundimtare, arriti me sukses të bashkërendojë të gjitha format e mundshme të rezistencës kombëtare në shërbim të çështjes madhore kombëtare gjatë viteve nëntëdhjeta.

Akademik prf.dr.Eshref Ademaj,veçanërisht në vitet 1989,1990,1991 e derisa ndërrojë jetë,padyshim ishte personaliteti, përkatësisht njëri nga kolosët më të mëdhenjë në mbrojtjen e UP-së, për mëvetësimin e tij dhe sigurimin e vazhdimsisë së misionit të tij madhor civilizues e kombëtar në kushte të jashtëzakonshme, në shtëpit-shkolla.
“Zgjuarsia e tij për ta ndalë kohën, e për ta shpenë atë përpara në në edhe koha vetë zuri të trembej me 1990-1991. Nuk lejoi të ndalet koha por vetem e drejtoi Universitetin edhe pse të zhvendosur, në drejtim të duhur, që e nxe kohën; në drejtim që vazhdohet. Për të mos u ndalur mendja, shpirti e zemra e popullit, edhe pse rrebeshi i kohës, e njeriu rrebesh derdhej me tërë vrazhdësinë në Universitet, ai nuk u frikësua që për te të luftojë në Prishtinë, në Beograd, në Tiranë e gjetiu që koha të ece dhe Universiteti bashkë me te”.
Në mbrotje të autonomisë së Univeristetit të Prishtinës, kundër masave të dhunshme administrative në të gjitha institucionet shkencore e kulturore të Kosovës dhe të njohjes së Kosovës statusi i Republikës, stu-dentet e Universitetit te Prishtines gjatë muajit qershor 1990 (18, 25 dhe 27 qershor) organizuan tri tubime protestuese dhe greven studentore. Edhe në këto tubime protestuese u shtruan kërkesat për: largimin nga Kosova te formacioneve speciale ushtarake-policore serbe, t’i kthehet autonomia Univeristetit të Prishtinës, të hiqen masat e dhunshme në të gjitha institucionet shkencore e kulturore të Kosovës, të lirohen të gjithë të burgosurit politikë shqiptar që mbahen nëpër kampet e përqëndrimit në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe vende të tjera.
Tubimi i dytë (25 qershor) ishte shumë masovik dhe dinjitoz, marshuta studentore paraqiti një simbolikë të fortë dhe një paralajmërim se nga Universiteti nuk do të hiqet dorë në asnjë mënyrë, Edhe pse nga policia serbe nuk u lejua daljen e studentëve dhe mësimdhënësve në rrugë, ata arriten të parakalojnë hapesirën në mes Filologjikut, rreth Bibliotekës Universitare deri te Fakulteti juridik.
Në kët tubim protestues të cilin e organizoi Unioni i Pavarur i Studentëve të Univeristetit të Kosovës, të pranishmëve ju drejtua edhe prof.dr.Eshref Ademaj, i cili theksoi se dhuna dhe terrori që po ushtrohet ndaj Universitetit dhe arsimit shqiptar tash e sa kohë, sivjet (1990-1991) arriti kulminacionin.
Me këtë po tentohet të shuhet arsimi kosovar dhe përgjithësisht ai shiptar në Jugosllavi, prandaj kemi ngritur dhe do ta ngrermë zërin që t’i jepet fund kësaj dhune dhe do ta mbrojmë universitetin tonë, pa marrë parasysh dhunën dhe presionin policor që po ushtrohet mbi ne.
Gjithashtu më datën 27 qershor 1991 përsëri u organizua një tjetër tubim protestues, tani në ambientet e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, me po të njejtin qëllim, pra të kundërshtimit të politikave shtypse të shtetit policor serb, ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në mbrojtje të shkollës shqipe dhe të Universitetit të Kosovës. Masës së tubuar studentore dhe mësimdhënësve universitar ju drejtua prof.dr. Eshref Ademaj.
Se regjimi serbokomunist millosheviçian nuk do të tërhiqej nga vendimet e erreta dhe shoviniste për mbylljen definitive të shkollës shqipe në Kosovë dhe të Universitetit, vendime këto të cilat ishin në kundërshtim te plotë edhe me Kushtetutën e vetë shtetit jugosllav dhe me të gjitha Konventat ndërkombëtare, u vërtetua kur me 2 shtator 1991, në ditën kur duhej të fillonte mësimi për vitin e ri shkollor 1991/1992 për të gjithë nxënesit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, policia dhe ushtria serbe vendoset para ndërtesave shkollore dhe nuk Iejoi hyrjen e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë në këto godina shkollore, pra nuk Iejoi fillimin e mësimit për nxënësit shqiptarë. Kjo ndodhi edhe me studentët dhe pedagogët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës në fillim të vitit akadernik 1991/1992. Para dyerve të Fakulteteve të Universitetit të Prishtinës ishin vendosur forca të shumta policore serbe dhe mjete të blinduara.
Në mbrojtje të shkollës shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”, Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës dhe Shoqata e Pavarur e Arsimtarëve Universitarë dhe Punetorëve Shkencorë të Kosoves, të cilës i printe Akademik Eshref Ademaj, më datën 10 shtator 1991 organizuan protestë gjithëpopullore në Prishtinë me qëllim të kundërshtimi të politikave kriminale serbe dhe informimit sa më të plote dhe të drejtë të opinionit të vendit dhe atij ndërkombëtar për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej tashmë arsimi shqip në Kosovë.
“Gjatë protestës policia përdori dhunë. Në shënjestër ishin intelektualet më të njohur. U rrah një akademik, shumë profesorë të Universitetit, veprimtarë të partive politike etj. Për dallim nga herët e tjera policisë serbe iu kishte bashkangjitur edhe popullata serbe, e cila kishte provokuar protestuesit me. sirena të veturave, të autobuseve, kishte përdorur fjalorin më banal ndaj shqiptarëve, etj. Policia serbe përveç rrahjes dhe maltretimit të protestuesve në këtë rrëmujë arriti të arrestojë veprimtarë të arsimit, studentë e nxënës. Ishin të arrestuar për pak kohë prof,dr. Fehmi Agani, prof. dr. Eshref Ademaj, mr. Fatmir Sejdiu, Hazir Rekaj. Gjatë këtyre ditëve ishin ftuar ne biseda informative Zejnullah Jakupi, ish kryeinspektori i arsimit i Kosoves, Nazmi Caka këshilltar në Pleqësine e Arsimit të Kosoves etj.””
Protesta ishte shumë masive, protestuesit me prezencën e tyre treguan edhe një herë gadishmërin e tyre për ta mbrojtur interesin nacional të tyre dhe shkollën shqipe. Qëndrimi dinjitoz por njëkosisht edhe i guximshëm dhe insistues i protestuesëve në mbrojtje e të drejtave kombëtare përfundimish e vërtetojë faktin se shqiptarët e Kosovës ishin të pandalshëm në realizimin e kërkesave të tyre të drejta, shekullore për liri dhe pavarësi.
Në këto protesta studentët dhe protestuesit mbanin këto pankarta: “Rroftë Universiteti i Kosovës”, “Duam bukë”, “Duam shkollë”, “Pa liri s’ka demokraci”, “Të rrënohet muri i Berlinit mes shqiptarëve”, “Rroftë Bashkimi Kombëtar” etj. Edhe, pas kesaj proteste Serbia nuk u zmbraps nga veprimet dhe masat e saja represive dhe kriminale kundër arsimit dhe shkollës shqipe dhe nuk lejoi fillimin e mësimit për nxënësit shqiptarë në nivelin parauniversitar, as me datën 16 shtator 1991, sipas kërkesës së LASH-it.
Me 24 shtator 1991 në Prishtinë, para Fakultetit Filologjik u organizua një protestë tjetër nga arsimtarët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, për t’a mbrojtur arsimin dhe gjuhen shqipe. Në ballë të protestuesve ishte prof.dr.Eshref Ademaj, Kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve të Universitetit. Në këtë protestë profesor Eshref Ademaj lexoi tekstin ku ishin të parashtruara kërkesat e protestuesve, por nuk arriti ta perfundojë leximin e tekstit të pergatitur dhe u detyrua ta ndërpres diskutimin sepse policia serbe ndërhyri dhunshëm (duke përdorur shufrat e gomes dhe mjete të tjera të forte të dhunës) dhe shpërndau protestuesit.
(…)
Studimin të plotë mund ta lexoni në formatin PDF:
PROF.SKËNDER SUSURI: KONTRIBUTI I AKADEMIK ESHREF ADEMAJ PËR TË DREJTAT KOMBËTARE DHE NJERËZORE TË SHQIPTARËVE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/skender%20susuri%20eshref%20ademaj.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura