IBRAHIM KELMENDI: KOMPLOTI NDAJ FONDIT ‘VENDLINDJA THËRRET’! (DOKUMENTE ARKIVORE)

Pashtriku.org, 7 maj 2018: (Bedri Islami – B.I) – Le të kthehemi tek një problem, ndaj të cilit keni reaguar që herët. Në janar 1999, Këshilli i Përgjithshëm mori vendimin që administrimi i Fondit t’i kalojë Shtabit të Përgjithshëm. Të dy e dimë se si lindi ky variant. Unë dhe gjithë Këshilli i Përgjithshëm, e kemi mbështetur këtë vendim, ndërsa Ti, Ali Ahmeti dhe Naser Idrizi, ishit kundër. Sidoqoftë, vendimi u mor, për mendimin tim edhe të sotëm, parimisht ishte një vendim i drejtë, ndërsa për shkak të moszbatimit si duhet të tij, sidomos nga ti dhe Jashari, ai vendim u tërhoq. Arsyet mund t’i kishit pasur të ndryshme, por fakt është se, edhe në këshillat popullorë, si quheshin asaj kohe, vendimi u prit ftohtë, për të mos thënë se nuk ishin në një mendje me Këshillin e Përgjithshëm. Është vendi që edhe një herë të kujtoni të gjithë atë që ka ndodhur dhe meqenëse kemi qenë në dy pozicione të ndryshme, le të shfaqim mendimet tona edhe sot. Së pari, pse ishit kundër atij Vendimi?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Të dy e dinim se ishte një si komplot ndaj Fondit. Ashtu kam menduar atëherë, ashtu mendoj edhe tani. Ju mendonit se mund ta kthenit në të mbarë, sipas parimit që mbronit. Unë mendoja se nuk mund të kthehej për mbarë, duke pasur parasysh problemet që kishim pasur dikur. Sidomos më vriste ideja se ky vendim erdhi menjëherë pas vendimit tonë për përqendrimin e Fondit në zyrën që kishim ngritur, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, në Tiranë dhe ku, sipas propozimit tuaj, autorizuam Ramiz Lladrovcin dhe Halil Selimin. Kam qenë në zyrë, në fond, kur erdhi Letra që e kishit shkruar ju, së bashku me Vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe e pashë se si u ngrysën disa. Lëvizja e kishte themeluar UÇK-në dhe Fondin “Vendlindja Thërret”. Përse “fëmija” duhet t’u impononte tani prindërve parimet?! – nëse mund të përdor figuracion kaq të pahijshëm. Në çdo shtet qeveria dhe parlamenti caktojnë buxhetin për ushtrinë, ndërsa ministria e mbrojtjes e menaxhon atë buxhet dhe jo ushtria. Meqë nuk kishim shtet, Lëvizja për UÇK-në ishte parlamenti, qeveria dhe ministria e mbrojtjes. Vetëm militaristët që mendojnë se ushtria duhet të jetë mbi të gjitha institucionet, mundohet ta “pavarësojnë” ushtrinë, që do të thotë ta vënë mbi institucionet që e kanë formuar dhe financuar…

Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti dhe Azem Syla.

(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje:) – Mos e trajto kështu, le ta trajtojmë më realisht, si e kemi shtruar atëherë: kush më mirë se Shtabi i Përgjithshëm do t’i dinte hallet e nevojat e luftës. Pastaj, paraprakisht është vendosur që Organizata të kishte përfaqësinë e saj në Tiranë dhe përmes saj të bëhej lëvizja e logjistikës. Deri atëherë, Lëvizja dhe Shtabi kishin qenë buka e një mielli, përse duhet bërë ndarja, ne jemi “prindërit”, e ju jeni “fëmija”. Pra, në asnjë rast nuk do të kishte mënjanim të Lëvizjes. Fakti që dy personalitete të Lëvizjes, Ramizi dhe Halili ishin në qendër, ishte një shkas më shumë për besimin që duhej të kishim ndaj Vendimit tonë. Herë pas here, ka ngritur shtat mendimi se kush do të kishte mjetet e logjistikës, ishte më i rëndësishëm. E di, jam i bindur, se nuk ke vuajtur nga kjo “hedhje shtati”. Por, për hir të së vërtetës, më parë, këtë Vendim, e kisha diskutuar në Tiranë me Xhavit Halitin dhe ai kishte qenë dakord, e pastaj, në Lërach (Lörach) edhe me Hashim Thaçin. Pra nuk kishte qenë një Vendim që do të kishte shkak të kundërshtohej.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Nëse të kujtohet, ne kemi qenë në shtëpinë e Shaban Vishës, kur ka ardhur Letra e Shtabit për vendimin e tyre, që duhej ta miratonte edhe Lëvizja. Që në atë moment në mbledhjen e Kryesisë i thashë Bardhylit që e solli Letrën, se këtu ka një hile të madhe dhe se nuk është vendim i lindur rastësisht. Ne kishim gjendje jo gjithnjë të mirë në terren, kur e dinim se mjetet financiare të Fondit jo kudo po përdoreshin drejtë, pasi kishte edhe dyshime se mund të shpërdoroheshin. Për këtë Lëvizja, Këshilli i Përgjithshëm, bëri disa analiza të veçanta për Fondin. Dyshimi im ishte se mos shtetarët shqiptarë, përmes presionit, bllokimit, angazhimit fals, mund të përfitonin dhe do të shpërdoronin Fondin. Flitej se Nano po përfitonte shumë nga fondi ynë…
(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje) – Mos harro që Nano ka ikur nga qeverisja në shtator 1998 dhe deri asaj kohe, fondi i luftës ishte tepër i pakët për të pasur dikush që të përfitonte shuma të ndjeshme nga fondi. Në maj të këtij viti fondi nuk mbulonte as nevojat për ushqim dhe pak logjistikë të njerëzve që kërkonin të luftonin, e jo të bënte “dhurata”.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.: / Vazhdim i përgjigjes:) – … pastaj, ata që donin të “centralizonin” Fondin, nuk e kishin të gjithë për të mirë të UÇK-së, por për të bërë presion kundër zonave operative ushtarake të Ushtrisë sonë, sepse ato ende nuk e pranonin komandimin e atyre që rrinin në Tiranë. Por, edhe kur u konsolidua Shtabi i Përgjithshëm, financimi i UÇK-së, ashtu siç kishit shpresuar ju, nuk u përmirësua krejtësisht. Për dëshmi po sjell prononcimin e Komandantin të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekut. E pata pyetur pas lufte, në prani të Rexhep Qosjes, Ton Markut dhe të tjerëve, në kabinetin e tij, se a dinte kush i menaxhonte financat e UÇK-së gjatë kohës kur ai ishte Komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe a ishte informuar ndonjëherë për mënyrën e shpenzimit të tyre? Ai qe përgjigj me një JO të prerë. Po të tjerë pjesëtarë të Shtabit janë informuar ndonjëherë, a është diskutuar e planifikuar në Shtab, sa mjete kanë dhe përse e si duhet t’i shpenzonin!? Përgjigja e tij qe gjithashtu jo. Që të mos e zgjas, ju patët votuar pro sepse, siç e thatë, e çmuat parimore. Disa nuk kishin informata se po mund të shpërdoroheshin mjetet. Ne që votuam kundër kishim informata edhe para se ju të zgjidheshit Kryetar, dhe vazhdonim të ishim të lidhur me shtabet e zonave, prej ku informoheshim. Këto informata i kishit edhe ju, kur u bëtë Kryetar, qoftë nga lidhjet tuaja, qoftë përmes nesh, që herë pas here konsultoheshim me njëri-tjetrin, si edhe nga raportimet që bëheshin. Kishte të tjerë, sidomos ata që porsa ishin zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm, që nuk kishin njohuritë e duhura se çfarë po ndodhte në kushtet e luftës. Po sjell si shembull, se si silleshin disa, sidomos “komandanti i përgjithshëm”, Azem Syla. Ta zëmë Naser Idrizi kishte vëllanë, Qemalin, në Krumë dhe bashkë me Ruzhdi Saramatin kishin krijuar një linjë furnizimi për të futur armë në Kosovë. Nga mesi i marsit 1998, ata kërkuan një varkë, sepse kalimi i Drinit me ngarkesë të logjistikës së luftës ishte i vështirë, ujët ishte i ftohtë dhe meqë ishte i thellë, lageshin armët dhe municioni. Me kërkesën e tyre porositëm Refik Hamitin në Gjermani për ta blerë e sjellë një varkë gome. Në Portin e Durrësit prisnin njerëzit e Azem Sylës, për t’i marrë të gjitha furnizimet materiale dhe prurjet financiare. Ata e kishin marrë atë varkë dhe e kishin dërguar në depon që e menaxhonte Shaip Muja. Por, nga depoja nuk dilte gjë pa leje të Azem Sylës. Iliri dhe Dilaveri e kishin kërkuar disa herë atë varkë për ta dërguar në Krumë. Nuk e merrnin dot. Kërkuan intervenimin tim. Që të tre e takuam Azemin. Ai refuzonte, me arsyetim se ishte blerë pa lejen e tij. U desh ta kërcënoja që të jepte miratimin. Qemali kishte parë një aksion spektakular, të cilin e kishte përgatitur Azem Syla. I kishte paguar hasjanët që të fusnin në Kosovë 24 kuaj të ngarkuar me armë. Kishte bërë incizimin me videokamerë kur ishte nisur karvani. Ndërkohë bënë mot i keq dhe hasjanët zbarkojnë armët në një vend tjetër, jo atje ku ishin porositur. Disa ditë kishte rënë shi. Qemali dhe Ruzhdi Saramati i kishin parë rastësisht armët, kur po hynin në Kosovë. Erdhi Qemali në Tiranë për të kërkuar leje nga Azemi që t’i merrte ato armë që kishin filluar të ndryshkeshin nga shiu dhe t’i dërgonte deri në pikën ku do t’i merrnin furnizuesit e UÇK-së. Azemi, në vend që të mirëpriste atë lutje, u tërbua fare, duke thënë se Qemali po shpifte, meqë ato armë kishin shkuar në destinacion. Qemali u hidhërua dhe fati deshi që isha unë i pranishëm, përndryshe kisha drojën se do ta kishte demoluar fizikisht Azemin për atë denigrim që i bëri. Pas dy ditësh Ushtria serbe i gjeti ato armë. Bëri incizime dhe i emetoi në televizion, si sukses operativ kundër UÇK-së. Për ca zhvillime para se ju të zgjidheshit Kryetar rrëfeva më herët dhe nuk po i përsërisë. Ama, ju falënderoj edhe tani për atëherë, se ju mbajtët qëndrim të drejtë, jo si disa anëtarë të Kryesisë që më patën bërë fajtor në mbledhjen e marsit 1997, pse Nëndega në Gjermani u kishte dërguar ndihma financiare tri zonave ushtarake në Kosovë. Dhe jo vetëm mbajtët qëndrim të drejtë, por drejtuat Kryesinë që të gjenim kompromise dhe nuk di të na ketë ndodhur ndonjë përplasje e hidhërim gjatë mandatit tonë. Këto ndodhi Qemali duhet t’ia ketë treguar vëllait të tij, Naserit. Pastaj Naseri ishte i autorizuar nga Shtabi i Zonës së Shalës për ndërlidhës dhe e dinte çfarë do të ndodhte, nëse do të kishte një pëqndrim fiktiv dhe jo të efekkshëm.. Neve që kishim aq shumë informata nuk do të na falej asnjëherë të votonim pro tjetërsimit të të gjithë Fondit, edhe nëse në dukje, duhej të ishte parimore që Fondin ta menaxhonte në mënyrë të centralizuar Shtabi i Përgjithshëm. Edhe sot nuk e di përse Ramiz Lladrovci paskësh votuar pro. Ka mundësi se ai nuk ka qenë në atë Mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, ose e ka bërë nga respekti ndaj jush. Ai e dinte se me çfarë zori e kishte siguruar një snajper 12.7 mm për Fehmiun. Të tillë snajperë vazhdimisht i kemi pasur problem. Ata i binin bashkatdhetarët nga Amerika. Totali i shpenzimeve për një snajper ishte rreth 8 mijë dollarë. Nga ata snajperë vetëm një mundi ta merrte Ramizi për t’ia dërguar Fehmiut, pasi u rebelua. Ai përgjithësisht e dinte se si po e pengonin Fehmiun, Bekim Berishën dhe të tjerë si ata. Bekimi i pat lënë ankesat e tij me shkrim dhe në audiokasetë, para se të nisej drejt vdekjes heroike në Junik. Fatmirësisht vendimin e tërhoqët shpejt dhe për këtë merita kryesore ju takon juve, sepse ishit Kryetar që respektonte kundërshtitë e këshillave popullorë dhe kishit ndikim te Hashimi, që ta bindnit për pasojat.

(Bedri Islami – B.I.) – Me Vendim të Këshillit të Përgjithshëm, si përfaqësues të Lëvizjes dhe të Fondit u dërguan në Tiranë Ramiz Lladrovci dhe Halil Selimi. Ramizi jetonte në Gjermani ndërsa Halili që nga viti 1993 jetonte në Shqipëri. Mendoni tani se ky ishte një vendim i drejtë, dhe nëse po, ku konsiston arsyetimi yt, dhe e kundërta: nëse sot nuk keni të njëjtin mendim si asaj kohe, si e arsyeton?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Vendimi ishte i drejtë, por rezultoi vetëm pjesërisht i suksesshëm. Këshilli i Përgjithshëm vendosi për të menaxhuar ndershmërisht dhe efektivisht mjetet e Fondit. Por, nuk mundem ta shkarkonim Xhavitin nga autorizimi, për ta zëvendësuar me Ramizin dhe Halilin që i kishim votuar. Kjo po dëshmonte se Kryesia jonë nuk e kishte të gjithë autoritetin e duhur për të zbatuar atë vendim.
(Bedri Islami – B.I.: / Ndërhyrje) – Pasi lexova këtë pjesë të përgjigjes tënde, iu drejtova edhe një herë Arkivit të Organizatës dhe gjeta Vendimin përkatës, i cili, kur u dërgua në Tiranë, është nënshkruar nga unë. Më përpara, kisha një bisedë telefonike me Azem Sylën, nga të paktat, pasi vetë përcaktimi që kishim dhe njohja jonë kishte qenë e vonshme. Ndryshe ishte me Xhavit Halitin, me të cilin, edhe pse nuk e kishim njëri-tjetrin, në rrethin e miqve të afërt, kishim gjithnjë ndjenjën e mirë të bashkëpunimit. Azemi më kërkoi informacion për Vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe më tha se do të ishte mirë nëse do të shkoja vetë në Tiranë dhe të qartësonim gjërat, e ndërkohë, t’i dërgoja një kopje të vendimit përkatës. Unë mora pjesë nga procesverbali, pra nga diskutimet e zhvilluara, dhe për korrektesë, po i risjell në dialogun e përbashkët: “Bedriu: – Ky është një Sektor i ri që po krijojmë në Tiranë dhe që del nga Vendimi që porsa morëm për mbarëvajtjen e mëtejme të Fondit ‘Vendlindja thërret’, po edhe nga Vendimi që kemi marrë për centralizimin e fondit në Shqipëri. Ky Sektor nuk i bie ndesh Sektorit të rëndësisë se veçantë, por bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Për krijimin e këtij sektori është biseduar paraprakisht edhe me Zekën (Xhavit Halitin), është biseduar edhe me të tjerë, të gjithë janë dakord që të bëhet centralizimi i fondit”.
(…)
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – ‘Një qëndrim i kundërt me njëri tjetrin, faqe 448 – 454’)

(Ilustrimet: listat e Fondit “V.Thërret” janë nga arkivi i kryeredaktorit të pashtrikut, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura