IBRAHIM KELMENDI: (PA)VARËSIA SHQIPTARE

(Prishtinë, 27. 11. 2012) – Përse nuk na ndodhi çlirimi i gjithë Shqipërisë (etnike), por vetëm i një të tretës!? Sepse Rilindja jonë kombëtare nuk pati potencialin e nevojshëm. E nuk e pati, sepse shumë shqiptarë flisnin shqip, por mendonin e vepronin turqisht, serbisht e greqisht. E quajtën dhe e quajmë Rilindje Kombëtare lëvizje shpirtërore e çlirimtare, e cila u finalizua me pavarësim të vetëm një të tretës së Shqipërisë, sepse popullit tonë gati sa nuk i kishte vdekur gjithë shqiptaria e të menduarit, të vepruarit e të jetuarit shqip.
Edhe disa orë mbushen 100 vjet nga Shpallja e Pavarësisë sa Shqipërisë. Prandaj: Gëzuar Pavarësinë e vetëm një të tretës së Shqipërisë (etnike). Ndërsa ngushëllime për 100-vjetorin e ripushtimit të dy të tretave të territoreve të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
Me të drejtë po festojmë Ditëlindjen e Shqipërisë (londineze), sepse kemi qenë të rrezikuar të mos e kishim as Atë. Por pak, pothuajse aspak, nuk po kujtojmë 100-vjetorin e ripushtimit tonë – dy të tretave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
Edhe kur po shpjegojmë Ditën e Pavarësisë, nuk po e themi dot se ishte dita simbolike, virtuale, e çlirimit nga pushtimi rreth 520-vjeçar otomano-turk.Përse?
Mos vallë jemi turqizuar në ato përmasa, sa mos ta themi dot këtë të vërtet të hidhur!?

Para 100 viteve ka ndodh Dita e e Pavarësisë simbolike e Shqipërisë (londineze), por ende nuk ka ndodhur pavarësimi i të menduarit shqip. Bile, edhe pas Shpalljes së Pavarësisë nuk e kishim të çliruar as Shqipërinë (londineze), por tek disa muaj më vonë, kur mori vendim Konferenca e ambasadorëve të fuqive të mëdha në Londër dhe ia caktojë kufijtë shtetëror.
Megjithatë, kemi arsye të festojmë Ditëlindjen e Shqipërisë (londineze), por jo të dalldisemi, sepse dy të tretat e Shqipërisë (etnike), respektivisht dy të tretat e popullit shqiptar, u ripushtuan nga pushtuesit serbë e greku. Edhe më pak kemi arsye të dalldisemi, sepse ende nuk e kemi pavarësuar plotësisht të menduarit e të vepruarit shqip, bile as në Shqipërinë (londineze).
Përse nuk na ndodhi çlirimi i gjithë Shqipërisë (etnike), por vetëm i një të tretës!? Sepse Rilindja jonë kombëtare nuk pati potencialin e nevojshëm. E nuk e pati, sepse shumë shqiptarë flisnin shqip, por mendonin e vepronin turqisht, serbisht e greqisht. E quajtën dhe e quajmë Rilindje Kombëtare lëvizje shpirtërore e çlirimtare, e cila u finalizua me pavarësim të vetëm një të tretës së Shqipërisë, sepse popullit tonë gati sa nuk i kishte vdekur gjithë shqiptaria e të menduarit, të vepruarit e të jetuarit shqip.
Meqë nuk u realizua dot e gjithë Rilindja jonë kombëtare, ende kemi shqipfolës që flasin me krenari për qindra sadriazem, vezirë, pashallarë otomano-turq, që ishin me origjinë shqiptare, por që kanë menduar e vepruar otomanishto-turqisht. Akoma më keq, edhe sot e kësaj dite, kemi shqipfolës që mendojnë, veprojnë e jetojnë turqisht.
Edhe më keq akoma: Kemi ende shqipfolës që mendojnë se Perandoria otomano-turke dhe feja islame na paskëshin shpëtuar nga asimilimi i plotë kombëtar, duke harruar të vërtetën e hidhur se tani më shumë kemi shqiptarë të turqizuar, se sa shqiptarë. Meqë nuk u realizua dot gjithë Rilindja kombëtare, ende kemi shqipfolës që madhërojnë edhe ata që kanë menduar e vepruar serbisht e greqisht. Dhe kemi edhe të tillë shqipfolës që mendojnë se feja e krishterë na ka shpëtuar nga turqizimi i tërësishëm, edhe pse e vërteta e hidhur është se duhet të ketë me miliona shqiptarë të greqizuar, serbizuar e makedonizuar.
Duke e përmbyll, uroj që tani e tutje të na pavarësohet sa më shpejt të menduarit, të vepruarit e të jetuarit shqip!
Ibrahim (Haxhi/Noke) Kelmendi
P.S. E shihni, edhe emri im, i Babait, por edhe i Gjyshit dhe i katër stërgjyshëve nuk janë shqip…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura