IBRAHIM RUGOVA DHE UNЁ KEMI QENЁ TITISTЁ, LENINISTЁ, KOMUNISTЁ DHE RUSOFILЁ TЁ ZJARRTЁ!

Ibrahim Rugova që (s’)e njohim!

IBRAHIM RUGOVA DHE UNЁ KEMI QENЁ TITISTЁ, LENINISTЁ, KOMUNISTЁ DHE RUSOFILЁ TЁ ZJARRTЁ!

Nga Institute for Economic Policy Research and Analyses (INEPRA)

Dëshmi publike me fakte nga miku i fëmijërisë dhe i jetës, tezaku i natyralizuar i Ibrahim Rugovës…

Këtë fakt duhet nxjerr në pah për hir të vërtetës e të historisë.

Me Ibrahimin na lidh së pari të qenmit istogali, pastaj për nja 10 vjet rrojtja në katundet e afërta njëra me tjetrën. Më herët se këto janë nanat tona të vëllaznume ndërshejveti në kohë rinie e çobanie. Ne na lidhte edhe Ura në Llukavc të Begut dhe dy brigjet ballëmballë të Ujit të Istogut. Na lidh shofer Shaini i Pejës që na çonte 6 herë në javë në Pejë dhe na kthente poaq herë në Gjurakovc e Istog. Na lidhin replikat me malazez e serbë që këndonin këngë komunisto-çetnike në fund të autobusit, të cilëve ne normalistët shqiptar të Pejës ua kthenim nga fillimi i autobusit, menjëherë mbas bythëve të gjana të shoferit, me të vetmen këngë që e kishim përshtatë për luftë muzikore me serbë e malazez: «Krajl Nikolla kryelopa, S’merret Shkodra me dy topa…», me plot fishkëllima e ulurima nga dy taboret. Ibra nuk këndonte. Asnjëherë. Ndërsa unë po, në kupë qielli, sa më jepte Zoti kyvet! Ibra, në shenj mbështetjeje për ekipin tonë, ia nxirrte shpirtin një fletores së tij të bërë trumpetë.

Salih Kabashi dhe Ibrahim Rugova, 1988 – (Burimi: Istogu Sot).

Ne, nxënësit e Istogut ishim gjithmonë më të mirët e shkollave të mesme të Pejës. Ata të Deçanit ishin më të fortë me u rrehë me grushta. Pejonët neve të Istogut na xhelozonin, nga ata të Përtej Bistricës trembeshin… Normal.

Ibra ishte i urtë kingj. Ishte një klasë më lart se unë, por me folë e me shkëmbye libra nuk kishte shok tjetër pos meje e vetëm meje. Me vajzat, Ibrës, pothuajse kurrë nuk i ka ecë muhabeti. Po pse trembej prej tyre kur ato ishin edhe më të buta se ai vet?!

Profesorët në Pejë kishin nivel tjetër. Ata, sidomos ata të të tri gjuhëve që mësonim në shkollë, pa vonuar i zbuluan nxënësit e mirë e me talent. Ndër ta Ibrahim Rugovën, Brahim Ukën e Cërcës.

Nuk qëndroja prapa tij në gjuhët shqip, serbisht e rusisht. Serbishten e kishim për të dëshmuar vëllazërim-bashkimin, rusishten për internacionalizmin proletar. Profesorët e dy gjuhëve të fundit ishin më punëtorë me ne nxënësit, më pedagogë e, shkurt, më të aftë e më të zellshëm në mësimdhënie. Mua, ndërkaq, më mërziste kur mësimet për letërsinë dhe shkrimtarët që merrnim në lëndën e serbishtes, i merrnim edhe nga profesorët e shqipes.

Kishte gara. Kishim një grup letrar. Atje lexonim poezi të dobëta të shkruara në copëza letre. Temat na i sugjeronin profesorët: Trimat e LNÇ, Partizani, Ylli i kuq, 29 Nëntori, Maji i kuq proletar, Ditëlindja e Shokut Tito. Shkruanim, por nuk i ruanim shkrimet tona. I hidhnim menjëherë pas leximit. Ndoshta qysh atëherë donim të zhduknim gjurmët tona të hymnizuesve të regjimit komunist jugosllav!

Profesori i rusishtes ishte një pedagog i vërtetë. Njohës i shkëlqyeshëm dhe interpretues brilant fragmentesh në poezi e prozë të shkrimtarëve të mëdhenj rusë dhe sovjetikë. Ai infektoi Ibrahim Rugovën me Jeseninin e Majakovskin, ndërsa mua me Lermontovin. Na jipte detyrë të përkthenim poezi apo fragmente proze. Ishte komunist dhe rusofil. Shkëputja e Jugosllavisë nga blloku sovjetik, atij i kishte kushtuar 4 vjet burg politik. Atje kishte shtuar dashurinë për Rusinë dhe simpatinë për Shqipërinë e Enver Hoxhës… Nuk e fshihte admirimin.

Ai na pat orientuar, Ibrën dhe mua, që të abonoheshim në një revistë sovjetike. Aganjok quhej. Ajo na vinte me postë. Pra, pos rusofonë, Ibrahim Rugova e unë, Salih Kabashi, u bëmë edhe rusofilë…Nënkuptohet edhe leninistë të zjarrtë. Se për titistë ishim bërë më herët. Përmes mësuesve të shqipes e të historisë. Natyrisht edhe të asaj të serbishtes.

Kjo e fundit na pat ftuar të dyve që të shkruanim diçka, thellë nga vetja, për 22 Dhjetorin e lavdishëm, Ditën e themelimit të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe t’i dorëzonim në Dom JNA, ndërtesa e tashme e Komunës në Pejë. Atje shkrimet tona do të mateshin me shkrime të tjera garuese, ndër të cilat tri më të mirat do të merrnin çmime.

Ibrahimi e pat marrë Çmimin e parë. Dhe kjo më pat bë pak xheloz. Atij ia dhanë dhuratë dy libra serbisht në qirilicë, njëra për betejën e Neretvës e tjetra për atë të Sutjeskës. Mua më patën dhënë vetëm një copë letërfalënderimi të pshurrtë…

Kur dolëm nga ceremonia e ndarjes së çmimeve, unë e Ibra u ndalëm në krye të Korzos, afë Zallit, pranë një Salepxhihaneje, pa pasur pare me ble nga një salep të nxehtë në atë ditë të ftohtë dhjetori. Sidoqoftë edhe unë njësoj si Ibra treguam sa e donim Partinë e Ushtrinë tonë Jugosllave, sa mrekullohemi me LNÇ-në e me Komandantin Suprem, Mareshalin Tito…

Me Titon unë u prisha pa vdekë qeni i biri qenit.

Ibra që ishte njeri i urtë kingj nuk e konsideroi asnjëherë oportune të distancohej nga titizmi që atij familjarisht i kishte sjellë aq shumë dhimbje e aq shumë të zeza…

————

Burimet:

– telegramisot.info për artikullin e autorit, tezakut të Ibrahim Rugovës;

– pashtriku.org për lavdet e Ibrahim Rugovës për shokun Tito;

– elpais.com për fotografinë e Ibrahim Rugovës.

===================

IBRAHIM RUGOVA QЁ (S’)E NJOHIM

Dëshmon publikisht me fakte miku i fëmijërisë dhe i jetës, tezaku i natyralizuar, i Ibrahim Rugovës. Intervista e plotë në komentin e parë të këtij postimi.

23: 13 MODERATORI: Keni pasë njohje t’afërt, sidomos në rininë e tij, me presidentin Ibrahim Rugova. Si u njohët me të, cilat janë kanë njohjet e para? Keni thënë edhe më herët, nënat e juaja kanë pas lidhje gjaku, qysh janë motërzu atëher përmes gjakut.

23:40 “TEZAKU”: Me Ibrahim Rugovën nuk mund t’them se kur u njohëm sepse ishim t’njohur. Sepse, ai i kishte dajt n’Llukavc t’Begut, e pjesa ku unë kam lind po ashtu quhet Llukavc i Begut, edhe pse e kemi lumin n’mes, lumin e Istogut. Edhe ato dy vajzat e reja atëhere, nana e tij, e mëvonshme, edhe nana ime, domethanë vajza t’reja, çobanesha, janë dasht mes veti, e kanë çmu njana-tjetrën edhe janë vllaznu. Sofa nana e Ibrahimit edhe Fatimja nana ime, domethanë kanë qenë të motërzuara, kanë pi gjakun e njana-tjetrës, janë therë me therrë murrizi. Nana m’kallxojke qysh e tek. Mandej, unë e kam njoft para se me fillu shkollimi i mesëm se atëherë ka qenë më intensiv n’shkollimin e mesëm. Ai rrinte te dajt e tij, ka nejt n’Llukavc t’Begut, i ka pasë fis Rugove edhe ata, njerëz fantastik, njerëz shumë të dashur, njerëz atdhetarë, njerëz humanitarë e krejt. Ka nej me nanë t’vet 9 vjet ka nej, sepse ktij iu..meti pa babë ky. Edhe, na shiheshim. Ai n’shkollë t’Llukavcit, unë n’Gjurakovc, por verave, ai natanë lumi, unë n’këtë anë lumi, grupe njerëzish, djem anej e knej, e dikush hudhej n’uji, e Ibrahimi asnjëherë. Ishte i ndrujtshëm, i tillë ishte, ashtu i urtë. E masanaj jemi njoft n’shkollë, n’shkollë t’mesme se ai ka qenë dy vjet para meje n’shkollë…ka pasë talent, lexonte, edhe aty është intensifiku lidhja e jonë përmes vullnetit për t’lexuar. Kemi marrë pjesë në mbramje letrare, kemi marrë pjesë në konkurse letrare që i bojke Partia [komuniste], nuk duhet me rrejt.

26:30 MODERATORI: E keni një shkrim ku thoni se jemi kanë të dytë Leninist dhe Titist?

26:40 “TEZAKU”: Ai meti Titist. Ibrahimi meti. Unë masanej ia pata kthy shkelmat, m’thanë t’drejtën a po kupton, ai meti, por u tërhoq atëherë kur u tërhoqën gati t’gjithë. Po mirë, kështu që, n’këtë pikëpamje unë nuk kam ndonjë vërejtje për të.

26:58 MODERATORI: N’publik është shqu si durimtar, si njeri i heshtur, si njeri i ditur…

27:02 “TEZAKU” (e ndërpret): Ndëgjo tash, unë po t’them: qysh e njoh unë Ibrahim Rugovën, rrallë kush e njeh. Fillimi i aktivizimit të tij ka qenë shumë i ndruajtshëm. Ai mu m’thoshte shumë haptas: “O ti Sali, ti e din, s’jam unë për këtë punë [politikë]”, ndërkohë unë e inkurajojsha “pse s’je”, edhe tash, n’politikë le ta ketë dikush që ka sjellje t’mirë, që është i butë, ta humanizojmë politikën e cila ishte gjakatare deri atëherë, a po kupton. E kam inkuraju, është e vërtetë, ma shumë se gjithkush edhe para të tjerëve. Megjithëse mas mrami nuk u prishëm mes veti por na e futën një gardh ndërmjet dhe na u ndërpre komunikimi në [19]95-ën e tutje.

28:07 MODERATORI: [19]95 ka qenë takimi i fundit?

28:09 “TEZAKU”: Po. Edhe ai nuk erdhi se nuk e lan këshilltarët e tij me ardhë në ditën e themelimit. E pata thirrë unë. Edhe në botimet, unë e inkurajojsha, e majsha nga veti duke e futë n’kshill botues, e tjera e tjera, a po kupton. Se dojsha me pasë Ibrahim Rugovën, shokun tem n’fun t’funit. Në një mënyrë, i kishim nanat motra; tezak, qysh t’dush. 

24:42 MODERATORI: Për shkak se e njihni mirë, po ndalna pak edhe te figura e tij, i keni disa shkrime, njani që flet për dyshimet për prindin e tij që ai ka dyshu apo ka dëgju fjalë prej dikujt tjetër, ka pasë mundësi që prindi i tij ka shku n’Slloveni dhe nuk ka vdekë, edhe te e dyta, që nuk u ka besu mjekëve.

29:15 “TEZAKU”: Ai kishte një koll. Një koll non-stop, të cilin unë ia lejsha duhanit se e pinte pa nalë. Edhe, pak alkoolik ishte, jo pak po bukur fort. Edhe, i pata thanë unë n’Slloveni. Se ai kur vinte atje, deri n’[19]94-ën, domethanë prej [19]88-ën dej [19]94-ën, dëshironte të m’takonte vetëm mu. Dhe muhabetin e nejën e bënte kryesisht me mu. Ishte kthy prej Amerike, edhe i thash: pse s’po kontrollohesh, edhe ka mjekë t’mirë atje. Edhe tha [me zë të ultë]: “Sali, a e din qysh o puna e mjekëve?”, thash fol? Tha “shkon për një sëmundje, ai t’i gjanë 10 tjera, tha e des para vakti. A e kupton ti? S’ia vlen me shku te mjeku.” Me fjalë tjera, domethanë nuk besoj në mjekë. Ajo tjetra çka ishte?

30:23 MODERATORI: Për prindin e tij që ka pasë dyshime…

30:25 “TEZAKU”: Ajo për prindin e tij…Unë kisha dëgju përpara po, për me m’nxitë mu me thanë atë që e kam thanë, unë e kujtoj kur ai m’ka thanë vetë: “Sali, m’ka thirrë dikush tha, edhe nuk e njoh unë atë njeri, po m’ka thanë, baba yt ka jetu n’Maribor, ka jetu fort mirë me një gru jo shqiptare, dhe ka qenë gjallë deri vonë!” I thashë ani, tash po u dufka me ba diçka? Tha jo! Edhe unë e kuptova këtë pse po thotë jo. Sepse ai, nuk dëshironte tash të prishte atë, qysh me thanë, aureolën e një viktime të madhe qysh ishte thanë, a po kupton, sepse i bjente që njerëzit do ta keqpërdornin atë, do t’thonin se ai nuk ka qenë ndonjë anmik i Jugosllavisë a i Serbisë, po ka shku me një, ku me ditë, femre të padenjë dhe ka qu një jetë t’veten, pa dashtë me ditë për gru që e la atje dhe për djalin që e la atje.

31:50 MODERATORI: Qysh e vlerësoni imazhin që u ndërtu edhe n’t’gjallë t’tij, po edhe pas vdekjes s’tij, sepse figura e tij i ka impresionu shqiptart?

32:00 “TEZAKU”: Tash na duhet me folë. Badihavgjitë i ka impresionu. IBRAHIMI NUK KA QENË PËR POLITIKË. Ibrahimi ka mun me qenë një penë e shkëlqyeshme. Kjo nuk do të thotë se ishte gjeniu i letërsisë shqipe, jo. Nuk ishte. Por ka mun me qenë. Politika i ka marrë shumë kohë atij, duhani i ka marrë shumë kohë, rakia i ka marrë shumë kohë atij.

33:20 MODERATORI: Po thoni që momentumi e ka pru Rugovën aty ku është, jo naj shkathtësi e tij e veçantë..? Nëse ish kanë gjallë tash, dhe ish aktivizu tash n’politikë?

33:36 “TEZAKU” Tash munesh me folë çka t’dush, por unë po përpiqem me qenë i arsyeshëm. Unë them se ai ka ardhë në një mënyrë jodemokratike. Kjo nuk do me thanë se ai ka ardhë me grusht shtet se s’ka pasë shtet, me i msha shtetit grusht. Ka udhëheq në mënyrë jodemokratike është zgjedhë, është rizgjedhë, jodemokratike…mungesa e përvojës në shtetndërtim. Ajo [filozofia e tij] nuk do t’kishte sjellur lirinë. Do t’kishte zgjatë shumë kohë ajo për me ardhë liria përmes atij GANDIZMIT të ashtuquajtur…

Fotografia është marrë nga syri-vision.tv në domen publik.

______________

Shkrime tjera

SHERADIN BERISHA: SHEMBËLLTYRA E JOSIP BROZ TITOS NË STUDIMET ‘SHKENCORE’ TË IBRAHIM RUGOVËS

***

SHERADIN BERISHA: KOMUNISTI I PAKËNAQUR – SHOKU IBRAHIM RUGOVA (1985-1986)

***

SHERADIN BERISHA: TË THËNAT JOHISTORIKE PËR PRESIDENTIN ‘HISTORIK’ IBRAHIM RUGOVA

***

SHKЁLZEN MALIQI: RITUALI MAGJIK I IBRAHIM RUGOVËS!

***

FADIL HYSAJ – “RUGOVA NUK NJEH KËSHILLË QË I VJEN NË GJUHËN SHQIPE”

***

BUJAR BUKOSHI – “SHKAKU KRYESOR PËR DËSHTIMIN PRAKTIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS ËSHTË IBRAHIM RUGOVA”!

https://pashtriku.org/sheradin-berisha-bujar-bukoshi-shkaku-kryesor-per-deshtimin-praktik-te-pavaresise-se-kosoves-eshte-ibrahim-rugova/

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura