ILAZ RAMAJLI, HEROI MODERN I KAÇANIKUT LEGJENDAR!

Në 32 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, 07.09.1990 – 07.09.2022

Ilaz Ramajli, heroi modern i Kaçanikut legjendar!

 Pashtriku, 7 shtator 2022

Ideja për të pasur një intervistë me z.Ilaz Ramajli, politikanin komunist liberal të Autnomisë së Kosovës në vitet e vështira 1989 – 1990, kohë kur Kosova po kalonte momentet e rizgjimit të saj kombëtar për krijimin e Republikës së Kosovës në një anë dhe heqjen edhe të asaj Autonomie që Kosova kishte pasur nga viti 1974, ka qene e hershme, por ishin shumë ngjarje të vrullshme të të rrëmbyerit shekullit XX, të cilat nuk lejonin komoditet për një intervistë të tillë. Iliaz Ramajli, njejtë sikur Ismail Qemajli në fillim të shekullit XX, ishte pjesë e strukturave politike dhe organizative të Perandorisë Jugosllave, i cili politikën nuk e shihte për të bërë karrierë personale, por meqë vinte nga një provincë konservative, ai politikën më shumë e shihte si mundësi për t`i shërbyer qyetetarëve dhe popullit, i cili në vitet 70-të dhe 80-të po ngritej në aspektin edukativ, arsimor dhe ekonomik. Vitet 1981-1989, dhe ngjarjet politike që ndodhën gjatë kësaj dekade me plotë trazira në Kosovë, njejtë sikur në vitet 1909-1912, ndikuan tek Ilaz Ramalji dhe deputetët e Kuvendit të Krahinës së Kosovës që të oranizojnë mbajtjen e Mbledhjes së Kuvendit të Kosovës në venndlindjen e Udhëheqësit të saj, z.Ilaz Ramajli, për të shpallur REPUBLIKËN E KOSOVËS, të cilën pushtuesi Jugosllavë e kishte mohuar afër pesë dekada. Zoti Ramajli zgjodhi Kaçanikun për shumë arsye historike, por edhe nga se e dinte se malësorët trima e besnik të Kaçanikut legjendar, do të kryejnë me sukses edhe këtë mision kombëtar ndaj Atdheut, madje para hundëve të pushtetit.

Ndonëse politika aktuale e pasluftës është munduar që të mbulojë me pluhur këtë ngjarje të rëndësishme historike, historia do të tregojë se nëse Ismail Qemajli është heroi i kombit shqiptar i fillimit të shekullit XX, Ilaz Ramajli është heroi i shqiptarëve të Kosovës i fund shekullit XX. Për realizimin e intervistët me z. Ramajli, në pamundësi për tu takuar fizikisht, u morëm vesh përmes telefonit dhe pyetjet e përgjigjiet i shkëmbyem përmes emailit.

Ilaz Ramajli ka lindur me 20 shtator 1951 në fshatin Rakaj, i cili në atë kohë i përkiste Komunës së Kaçanikut. shkollimin fillor e ka kryer në Kaçanik, ndërsa Gjimnazin dhe Fakultetin Juridik, i ka kryer në Prishtinë. Nga viti 1974 deri në vitin 1976, ka punuar në Kuvendin Komunal të Kaçanikut, nga viti 1976 deri në vitin1978, ka qenë Kryetar i Rinisë në Kaçanik ndërsa nga viti 1978 deri në vitin 1980 anëtar i Kryesisë së Rinisë së Serbisë nga Kosova. Nga viti 1980 deri në vitin 1982 ka qenë Sekretar i Ekonomisë së Pyjeve në Kaçanik, më pas nga viti1982 deri në vitin 1986, ishte Kryetar i Gjykatës në Kaçanikut. Si anëtar dhe Sekretar i Qeverisë së Kosovë ka punuar nga viti 1986 e deri në vitin 1989, dhe në të njejtën kohë nga shkurti 1989 deri në nëntor 1989, ishte anëtar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës – LKK. Në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës  është zgjedhur më 4 dhjetor 1989 dhe ka qenë në këtë funksion deri në shtator 1991 kur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është zgjedhur  Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, e në të cilën pozitë ka shërbyer deri më 2 maj 1992. Me vendim të Kryetarit të Republikës së Kosovës z. Ibrahim Rugova, në korrik të vitit 1995 Ilaz Ramajli është emëruar Udhëheqës i Zyrës Diplomatike të Republikës së Kosovës në Tiranë, ku ka shërbyer deri në qershor të vitit 1999. Pas luftës në Kosovë, nga shtatori 1999 deri në mars 2002 ka punuar në Institutin Riinvest në Prishtinë si Drejtor Administrativ. Si Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, me delegatët e tjerë, ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës ku është nxjerr Deklarata Kushtetuese e njohur si Deklarata e Pavarësisë me 2 korrik 1990. Ka udhëhequr Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në Kaçanik në të cilën është nxjerrë Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut më 7 shtator 1990.

***

Kushtetuta e Kaçanikut vlerësohet pikënisje e shtetësisë së Kosovës

PASHTRIKU: Zoti Ramajli në cilin vit jeni zgjedhur delegat i Kuvendit të Kosovës ?

I.Ramajli: Delegat i Kuvendit të Kosovës jam zgjedhur me 4 dhjetor 1989. Në fakt zgjedhjet ishin mbajtur një muaj më herët por konstituimi i Kuvendit të Kosovës, delegat i të cilit u zgjodha edhe unë, u bë në këtë datë.

PASHTRIKU: Cila ishte pozita juaj politike me 23 mars 1989, datë në të cilën Serbia me dhunë hoqi Autonominë e Kosovës të vitit 1974?

I.Ramajli: Në fund të shkurtit të vitit 1989 jam zgjedhur anëtarë i Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKJ dhe në këtë pozitë kam qenë deri në nëntor të këtij viti.

PASHTRIKU: Cilat ishin zhvillimet politike në Kosovë pas datës 23 mars 1989?

I.Ramajli: Më 28 Mars 1989, në mënyrë të dhunshme dhe kundër kushtetuese, nën masat e jashtëzakonshme, u bënë ndryshimet Kushtetuese me çka  Kosovës iu morr autonomia të cilën ia garantonte Kushtetutat e RFSJ  dhe ajo e Kosovës e vitit 1974. Para se të votohej në Kuvendin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese ishte organizuar një diskutim publik për këto ndryshime, i paraparë me Kushtetutë në rastet kur ajo duhet të pësonte plotësime apo ndryshime. Diskutimi publik ishte organizuar në të gjitha vendbanimet e Kosovës duke përfshirë edhe fshatrat më të vogla dhe qytetarët shqiptarë dhe ata të tjerë jo serb unanimisht ishin deklaruar kundër këtyre ndryshimeve. Kjo nënkuptonte se shumica e qytetarëve të Kosovës nuk pranonin ndryshimet Kushtetuese dhe se çdo ndryshim kundër vullnetit të tyre nuk do ta pranonin. Në ditët që i paraprijnë ditës kur duhej të votoheshin ndryshimet kushtetuese në Kosovë u bënë presione të shumta ndaj delegatëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë të organeve shtetërore në Kosovë, në mënyrë që delegatët, përkundër vullnetit të popullit të shprehur gjatë diskutimit publik për ndryshimet kushtetuese, ti adaptonin këto ndryshime.

Presionet më të mëdha u bënë nga ana e organeve të Serbisë por edhe nga ana e organeve federative duke përfshirë kërcënimet direkt të delegatëve dhe të familjeve të tyre nga ana e pjesëtarëve të organeve të sigurimit, shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që kishte për rrjedhojë kufizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve si dhe të organeve dhe institucioneve shtetërore dhe atyre shoqërore e të punës së bashkuar. Procedura e votimit ditën e kur diskutohej për ndryshimet kushtetuese ishte në kundërshtim me dispozitat kushtetuese si dhe me Rregulloren mbi punën e Kuvendit të Kosovës. Përkundër këtyre të metave dhe shumë të tjerave, me 28 mars 1989 ndryshimet kushtetuese u shpallën si të adoptuara dhe Kosova humbi autonomin e vetë të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974. Populli i Kosovës asnjëherë nuk pranoi se këto ndryshime u bënë me vullnetin e tij dhe në rrugë institucionale si dhe në forma të tjera të veprimit si demonstrata, mos dëgjueshmëria qytetare dhe veprimet e organizimet klandestine vazhdoi të luftojë për të drejtat e tij.

Krahas ndodhive në fushëveprimin e organeve shtetërorë unë do ti përmend dhe veçoj disa prej ngjarjeve të asaj kohe të cilat, krahas demonstratave të pa ndërprera gjithë popullorë, për mendimin tim, kanë pas rëndësi të veçante për unifikimin e plotë të faktorit shqiptar në përcaktimin e tij për rrugën që duhet ndjek Kosova drejt mëvetësisë dhe pavarësisë së plotë.

Menjëherë pas datës 28 mars 1989, kur në mënyrë të dhunshme, nën masat e jashtëzakonshme, u bënë ndryshimet Kushtetuese me çka Kosovës iu morr autonomia e vitit 1974, ndodhi akti i “izolimit” të më tepër se 100 intelektualëve shqiptar të Kosovës, të cilët ishin kritik dhe publikisht kundërshtonin atë që po ndodhte në Kosovën e atyre ditëve. Ata u mbajtën të izoluar jashtë Kosovës dhe ndaj tyre u përdor dhunë e egër fizike dhe psikike. Ata u izoluan pa një proces gjyqësorë dhe u mbajtën për shumë javë pa ditur familjet dhe të afërmit se ku gjendeshin ata. Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit. Ky aksion do të hyjë në histori si veprim që ndikoi thellësisht në bashkimit dhe pajtimin të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe në mërgatë.

Kah gjysma e viti 1989 në Kosovë u vërejtën shenjat e para të fillimit të organizimit alternativ politik. U paraqitën grupe të intelektualëve të cilët provonin të organizoheshin në forma të ndryshme dhe që përfaqësonin dhe promovonin qëndrim dhe mendim ndryshe nga ai i LKJ lidhur me ngjarjet në Kosovë por edhe më gjerë në Jugosllavi.  Me 23 dhjetor 1989 u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe për Kryetar u Zgjodh Ibrahim Rugova. Nismëtar për themelimin e LDK ishin një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, të cilët u pajtua që të themelonte një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë në vendet e bllokut të atëhershëm socialist. Më vonë u faruan edhe disa parti të tjera të cilat I bashkërendonin veprimet e tyre mes vedi përmes një Këshilli Koordinues të partive politike.

Në mars të viti 1990 ndodhi helmimi i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme thuaja se në të gjitha qytetet e Kosovës më vonë kjo u zgjerua edhe të një numër të rriturish dhe fëmijë parashkollor. Televizioni i Prishtinës përcillte në publik skena të llahtarshme të nxënësve që barteshin për në spitale e ambulante dhe me shenja dridhje e asfiksie. Qeveria federative doli me njoftim se në Kosovë nuk kishte ndonjë helmim por se ishte një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptar. Më vonë do të konstatohej nga ekspert edhe jashtë Kosove se nxënësit u helmuan me helm luftarak.  Në gjysmën e parë të vitit 1990 nga një grup nismëtaresh në krye me profesor Hajrulla Goranin u formua Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës (BSPK). Thuaja se menjëherë të gjithë punëtorët në Kosovë u deklaruan si anëtarë të kësaj sindikate dhe ajo zhvilloi aktivitete të shumta dhe artikuloi jo vetëm qëndrimet e punëtorëve lidhur me të drejtat e tyre por edhe artikulonte qëndrime politike lidhur me situatën e atëhershme në Kosovë.

Aktiviteti më i rëndësishëm i kësaj sindikate ndodhi me 3 shtor 1990 kur u organizua Greva e përgjithshme. Kjo ngjarje shënoi një ditë të rëndësishme për historinë e Kosovës. Ajo ndodhi teksa po bëhej largimi sistematik i më shumë se 120 mijë punëtorëve nga puna të cilët refuzuan të nënshkruanin deklaratën që pranonte rregullat dhe ligjet e reja që vinin pas ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht suprimimit të autonomisë në mars 1989. Greva e udhëhequr nga Prof. Hajrullah Gorani ishte manifestim i kërkesave të punëtoreve për mbrojtjen e të drejtave sindikale në Kosovë, shprehje e protestës ndaj politikave represive që bazoheshin në diskriminim brutal në baza etnike, por edhe një lloj i referendumit për liri dhe pavarësi të Kosovës. 03 shtatori i vitit 1990 do të shënonte manifestimin më madhështor dhe më mbresëlënës të protestës në heshtje – greva e përgjithshme thirrur nga BSPK-ja kishte qenë arsyeja e mbylljes së shqiptarëve nëpër shtëpitë e tyre. Për dallim nga frika prej dhunës, kjo mbyllje ishte vullnetare. Mos-hapja e dyqaneve dhe amullia në të gjitha institucionet ku ende kishte pasur shqiptarë të punësuar pasqyroheshin në Prishtinën krejtësisht të zbrazur, të pa lëvizje, të pajetë. Pasoja e drejtpërdrejtë e grevës ishte se jo pak njerëzve iu përshpejtua pushimi nga puna, me gjithë faktin se e drejta për grevë ishte e drejtë sindikale e garantuar me ligj dhe me konventa ndërkombëtare. Por porosia më e fuqishme që doli nga ky veprim ishte se pavarësisht të gjithave, shqiptarët nuk do të pranonin nënshtrimin ngase pa dëgjueshmëria qytetare që kishte nisur me aksione sistematike që lëviznin në intensitet tashmë kishte arritur përmasa të papara mendueshme.

PASHTRIKU: Si u zhvilluan ngjarjet gjatë vitit 1990, sa i përket veprimtarisë së Kuvendit

I.Ramajli: Pas zgjedhjeve që u organizuan në Kosovë gjatë nëntorit të vitit 1989, me 4 Dhjetor 1989 u konstituua Kuvendi i Kosovës, u zgjodh Qeveria dhe Kryesia e Kosovës. Presioni serb vazhdoi të rritet me qëllim të futjes nën kontroll të plotë të gjitha organeve dhe fusha të jetës në Kosovë. Serbia bënte presion dhe kërkonte nga Qeveria e Kosovës që ajo plotësisht të adoptonte dhe zbatonte politikën e Serbisë në Kosovë. Këtë Qeveria e Kosovës e refuzoi. Përmes Kuvendit dhe nxjerrjes së ligjeve Serbia tentonte që të shtinte nën kontroll të plotë fushën e energjetikës, arsimit, shëndetësisë etj. Kuvendi gjithashtu refuzoi të sillte ligje të tilla të cilat do ta binin Kosovën dhe popullin e sajë nën kontrollin e Serbisë.

Ajo që e karakterizon fillim vitin e 1990 është konfrontimi total i institucioneve shtetërorë të Kosovës me ato të Serbisë dhe refuzimi i politikave serbe që kishin për qëllim nënshkrimin e plotë të Kosovës. Thuaja se asnjë mbledhje e Kuvendit të Kosovës dhe dhomave të tij, në këtë kohë, nuk kishte zhvillim normal por karakterizohej me konfrontime të pandërprera dhe të hapura mes delegatëve shqiptar dhe një numër të kombësive tjera me delegatët serb. Dëshiroj të rikujtoj mbledhjen e Kuvendit të datës 22 dhe 23 maj kur anëtarët shqiptar të Qeveris së Kosovës, për shkak të kritikave të shumta nga delegatët, dhanë dorëheqje. Pas diskutimeve dyditëshe dorëheqja e anëtareve shqiptar të Qeveris së Kosovës nuk u pranua nga delegatët, posa delegatët kuptuan se anëtarët shqiptar të Qeveris së Kosovës kishin refuzuar që ti zbatonin ligjet diskriminuese të Serbisë dhe politikat serbe për Kosovën. Anëtarët e Qeverisë tërhoqën dorëheqjet dhe kjo qështje u mbyll.

Në prill të vitit 1990 filloi iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës së RSFJ. Me këtë iniciativë dhe nëse kjo do të adoptohej Kosova do të shlyhej përfundimisht si element konstituiv i Federatës Jugosllave dhe do të mbetej vetëm një regjion i Serbisë. Kuvendi i Kosovës Qeveria si dhe përfaqësuesit e Kosovës në organet Federative e refuzonin një ndryshim të tillë. Këtë ndryshim të propozuar të Kushtetutës Federative e refuzonin edhe Sllovenia dhe Kroacia të cilat ishin kundër ndryshimit të raporteve në Federatën Jugosllave dhe vendosjen e supremacisë Serbe në këtë Federatë.

Me 19 Qershor 1990 u mbajt mbledhja e Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës në të cilën anëtarët shqiptar të komisionit kushtetues (ishin për nga numri shumica e nevojshme per nxjerrje të vendimeve) votuan kundër dhënies së pëlqimit apo mendimit pozitiv për nxjerrjen e Kushtetutës së re të RSFJ-së dhe atë të RS dhe me propozim që komisioni u obligua që në afat prej 15 ditësh ti shqyrtoj të gjitha kërkesat popullore e që binin në kompetencë të tij. Në fakt kjo mbledhje e Komisionit Kushtetues përcaktoi qëndrimin e Kosovës në raport me ndryshimet kushtetuese në RSFj dhe RS dhe tregoi qartë se populli shumicë i Kosovës më nuk do të pranojë nënshtrimin dhe se ai vet dëshiron të përcaktojë fatin dhe të ardhmen e tij.

Anëtaret shqiptar të Komisionit Kushtetues në atë kohë isha unë (në cilësinë e nënkryetarit të komisionit dhe mbajtja fjalën hyrëse ku në përfundim propozova që të mos ipet pëlqimi apo mendimi pozitiv për nxjerrjen e Kushtetutës së re të RSFJ-së dhe atë të RS), Muharrem Shabani, Ramadan Kelmendi, Agush Bala, Isa Shefkiu të gjithë delegat dhe punëtorët shkencor/ekspert anëtar të këtij komisioni Dr. Ejup Statovci, Dr. Ismet Salihu, Dr. Fatmir Fehmiu, Dr. Kurtesh Salihu dhe Dr. Riza Smaka.

PASHTRIKU: Si rrodhi mbledhja e Parlamentit e datë 20 qershor1990?

I.Ramajli: Në fillim të mbledhjes delegati Ramadan Kelmeni propozoi që në rend të ditës të kësaj seance të Kuvendit të futet edhe Propozimi për marrjen e vendimit për fillimin e procedurës për hartimin e propozimit të Kushtetutës së re të Kosovës. Ky propozim  hapi polemika të shumta për dy ditë sa zgjati mbledhja ku erdhi në pah ndarja e plotë e Kuvendit. Delegatët shqiptar ishin që propozimi të aprovohet ndërkaq ata serb që propozimi të mos futet në rend të ditës. Ishte një ditë dramatike e mbushur me diskutime konfrontuese e cila përfundoi me ndaljen e dritave në sallën e Kuvendit në orët e vona të natës,  qëndrimi i delegatëve në sallë me kërkesë të delegatëve shqiptar që mbledhja të vazhdojë, përkrahje të shumta që vinin nga popullata, studentet, partitë politike përmes valëve të radio Prishtinës dhe televizionit të Prishtinës po edhe të arritjes së njësisë speciale të policisë federative në podrumin dhe garazhin e Kuvendit, e gatshme për të intervenuar. Në fund u arrit marrëveshja që mbledhja të vazhdoj me 2 Korrik dhe delegatët u larguan nga salla.

PASHTRIKU: A ishte i koordinuar propozimi i deputetit Ramadan Kelmendi, për ndërrimin e Kushtetutës së 23 marsit 1989, apo ishte propozim i tij individual ?

I.Ramajli: Kur Ramadani e prezantoj propozimin për futje në rend të ditës së seancës, ai kishte formën e shkruar dhe mbante nënshkrimet e 61 delegatëve. Atë gjatë mbledhjes e nënshkruan edhe disa delegat dhe numri përfundimtar në tekstin e propozuar ishte 74. Përndryshe propozimi gjatë diskutimit në mbledhje është përkrahur nga të gjithë delegatët shqiptar.

PASHTRIKU: Po Serbia çka ndërmerrte në këtë kohë ?

I.Ramajli: Në këto raporte të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë në njërën anë si dhe qëllimeve serbe të udhëhequr nga Millosheviqi, për të bërë ndryshime rrënjësore në rregullimin Kushtetues Juridik të ish Federatës Jugosllave, Serbia vendosi që të shkojë me masat më të ashpra që kishte ndërmarrë deri më atëherë për të disiplinuar Kosovën dhe për ta futur atë nën kontrollë totale. Me 26 qershor 1990, Kuvendi i Serbisë nxori Ligjin mbi veprimin e Organeve Republikane në rrethana të posaçme. Të njëjtën ditë kur Kuvendi i Serbisë nxori këtë ligj, ai nxori edhe vendimin me të cilin konstatoi se në Kosovë janë krijuar kushtet për aplikimin në praktikë të dispozitave të këtij ligji. Me nxjerrjen e këtij ligji dhe vendimi Serbia në mënyrë definitive ndërmori hapat për ti suspenduar të gjitha organet e Kosovës dhe për të futur nën kontrollë të plotë direkt dhe të dhunshme Kosovën dhe popullin e saj.

***

2 korriku 1990, themeli i shtetësisë së Kosovës

https://m.facebook.com/kosovalb.no/videos/2-korriku-1990themeli-i-shtet%C3%ABsise-se-kosov%C3%ABs/247290590142757/

PASHTRIKU: Si ndodhi mbledhja e 2 Korrikut?

I.Ramajli: Mbledhja e dy Korrikut 1990 ishte caktuar rregullisht sipas marrveshjes pas ndërprerjes së mbledhjes së Kuvendit të datës 20 qershor 1990, Kryetari i Kuvendit Gjorgje Bozhoviq në ndërkohë mes 20 dhe 02 Korrikut 1990, thirri një grup të delegatëve, ndër ta edhe mua, dhe propozoi që mbledhja e 02 korrikut të shtyhet për datën 05 Korrik. Ne nuk pranuam dhe tham që mbledhja është caktuar rregullisht dhe do të mbahet. Për mbledhjen e 02 korrikut është shkruar dhe thënë shumë dhe nuk dua të zgjerohem. Kuvendi në kushte jo të zakonshme, para dyerve të hyrjes së ndërtesës, atë ditë shpalli Deklaratën Kushtetuese me të cilën vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi dhe barazi i jepte formën juridiko – kushtetuese. Deklarata shpallte Kosovën njësi të barabarta me njësitë tjera në ish Jugosllavi, shfuqizonte vendimin e Kuvendit të Kosovës të datës 23 mars 1989 si dhe obligonte Kuvendin për të nxjerrë Kushtetutën e re të Kosovës.

Shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 02 Korrikut i kishin parapri unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për mëvetësi, liri e barazi, konfrontimi total i organeve shtetërore të Kosovës me ato të Serbisë në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet,  qëndrimet e partive politike rishtas të formuar të cilat artikulonin këto kërkesa dhe  ishte Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës që me Deklaratën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës të dt. 14 qershor 1990, të cilën ia drejtoi Kuvendit të Kosovës, formuloi shumë qartë pozicionin politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj. Në fakt teksti i Deklaratës Kushtetuese të 02 Korrikut të cilin e kishte përgatitur dhe shkruar Akademik Gazmend Zajmi burimin dhe përmbajtjen e kishte nga Deklarata e Akademisë e datës 14 qershor 1990.

Më 1 Korrik u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Koordinues të partive politike të cilat bënë një deklaratë me të cilën definohej vullneti i popullit të Kosovës për status të ri dhe të avansuar juridiko- kushtetues. Akademia e shkencave e Kosovës jo vetëm që u angazhua rreth deklaratës së 02 Korrikut, por ajo vazhdoi të kontribuojë gjatë gjithë kësaj kohe në shumë fusha të jetës në Kosovë. Anëtarët e saj ishin shumë aktiv dhe kanë ndihmuar në shumë aspekte në ecjen e Kosovës drejtë rrugës për pavarësi.

PASHTRIKU: Çka ndodhi pas datës 02 korrik 1990?

I.Ramajli: Me datën 5 Korrik 1990 Kuvendi i Serbisë, në mbështetje të Ligjin Mbi Veprimin e Organeve Republikane në rrethana të posaçme si dhe vendimit me të cilin konstatoi se në Kosovë janë krijuar kushtet për aplikimin dispozitave të këtij ligji,nxori Ligjin mbi  pushimin e punës së Kuvendit të Kosovës dhe Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës. Me nxjerrjen e këtij ligji të drejtat dhe obligimet e Kuvendit të Kosovës i merrte Kuvendi i Serbisë, ndërkaq të drejtat dhe obligimet e Qeverisë së Kosovës i merrte Qeveria e Serbisë. Me të njëjtin Ligj u shkarkuan të gjithë funksionarët e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës si dhe funksionarët, të cilët udhëheqshin me organet e administratës në Kosovë. Të njëjtën ditë nga zyrat e tyre u larguan nga ana e zyrtarëve të administratës dhe policisë serbe të gjithë funksionarët e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe në ditët në vijim gjithashtu u larguan të gjithë të punësuarit në administratën qendrore të Kosovës.

Me nxjerrjen e akteve të cituara më lartë Serbia në mënyrë antikushtetuese dhe duke u mbështetur në dhunë morri për ti ushtruar direkt të gjitha funksionet shtetërorë në Kosovë, shkeli Kushtetutën Federative duke prishë raportet kushtetuese dhe duke e privuar Kosovën, si njësi konstituive  e federatës nga e drejta që të qeverisë vetë veten. Serbia mbështetur   në Ligjin Mbi Veprimin e Organeve Republikane në rrethana të posaçme dhe pasi kishte suspenduar të gjitha organet legjitime të Kosovës ndërhyri direkt në të gjitha fushat e jetës në Kosovë duke larguar nga funksionet të gjithë shqiptarët jo vetëm në organet e pushtetit por edhe në institucionet shëndetësorë, arsimore, kulturore, të ndërmarrjeve etj.

Nga data 05 Korrik 1990, Serbia realisht e kishte pushtuar me forcë dhe me masa antikushtetuese Kosovën dhe shqiptarëve të Kosovës iu ishte mohuar çdo e drejtë në të gjitha fushat e jetës.  Me 05 Korrik 1990 njësia speciale e policisë Serbe e cila vepronte në kuadër të forcave Federale të policisë të stacionuar në Kosovë, me dhunë, hyri në Televizionin e Prishtinës, e pushtoi atë dhe i largoi nga vendet e punës stafin udhëheqës dhe të punësuarit shqiptar në këtë televizion. Nga ky moment Televizioni i Prishtinës filloi të emitojë program vetëm në gjuhën serbe dhe kryesisht transmetonte programin e RTS. Po të njëjtin fat e përjetoi edhe gazeta në gjuhën shqipe “Rilindja”, e cila u mbyll disa ditë ma vonë.

PASHTRIKU: Cilat ishin zhvillimet politike pas datës 02 korrik 1990 ?

I.Ramajli: Me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë me 02 korrik ishte bërë hapi i parë në rrugën drejtë pavarësisë së plotë të Kosovës. Delegatët e Kuvendit filluan të merren në biseda informative nga ana e sigurimit serb dhe ndaj tyre filloi të ushtrohej dhunë e presion i cili do të zgjasë deri në shtatorë. Në biseda informative merreshin edhe anëtarët e qeverisë së Kosovës. Ndaj masave të dhunshme të Serbisë faktori shqiptar i prirë nga partitë e reja politike që vepronin atëherë (më e madhja ishte LDK) si dhe nga sindikatat e pavarura të Kosovës filloi të riorganizojë dhe përshtatë mënyrën e veprimit dhe të rezistencës në kushteve dhe rrethanave të reja të cilat i kishte imponuar Serbia. Shumë manifestime dhe demonstrime dhe forma të reja të rezistencës jepnin të kuptohej që populli i Kosovës nuk do të nënshtrohej dhe se do të kundërshtonte okupimin e Kosovës nga Serbia. Ky ishte një mesazh i fuqishëm që çdo ditë i dërgohej forcave okupuese serbe në Kosovë dhe faktorit të jashtëm.

Në këto kushte dhe rrethana edhe organet shtetërorë të Kosovës bënin përpjekje për të riorganizuar mënyrën e veprimit dhe përshtatjen e organizimit të veprimtarisë sipas situatës dhe rrethanave të krijuar. Të gjithë të punësuarit në administratën qendrore shprehnin gatishmërinë për të vazhduar punën në cilëndo formë por këto mundësi ishin realisht shumë të vogla.  Veprimtaria e tyre dhe e pjesëtareve të policisë u organizua në kuadër te sindikatës së pavarur.

Qeveria e Kosovës  gjithashtu ndërmerrte veprime dhe aktivitete të cilat ishin të mundshme në ato kushte. Ajo përveç që mbante takime të shpeshta mundohej të mbajë në kontakt të përditshëm me udhëheqësit e institucioneve të rëndësishme në të gjitha fushat e jetës në Kosovë edhe pse shumica prej tyre tanimë gjendeshin jashtë objekteve të tyre. Qeveria kah fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit dërgoi një delegacion në Kroaci dhe Slloveni në mënyrë që të vendoste kontaktet me pushtetin e zgjedhur rishtas atje dhe nga ta të kërkonin mbështetje politike si dhe mundësi të gjetjes së zgjidhjeve alternative për shumë probleme që tani kishte Kosova (kërkesa qeverisë kroate për një emision në gjuhën shqipe në radio dhe televizion të Zagrebit etj.).

Kuvendi i Kosovës ishte në një gjendje edhe më specifike në këto kushte. Ai kishte një obligim të veçante që dilte nga pika 5 e Deklaratës Kushtetuese. Ai duhej të përgatiste dhe të shpallte Kushtetutën e Republikës së Kosovës me aktet tjera të nevojshme që nxirreshin në raste të tilla. Kjo e vente në pozitë të tillë Kuvendin që duhej të organizohej në atë mënyrë që kjo  punë të bëhej sa më shpejtë dhe sa më mirë. Thuaja se çdo ditë gjatë korrikut dhe gushtit delegatët vinin në Prishtinë, mblidheshin në vende të ndryshme dhe bisedë të vetme e kishin si dhe kurë të mbahet mbledhja ku do të shpallej Kushtetuta. Te ta kishte një gatishmëri të jashtëzakonshme dhe mundë të thuhet një padurim që kjo punë të bëhet sa më shpejt, pa marrë parasysh pasojat. Të punësuarit në Kuvend, sekretarët e komisioneve të kuvendit dhe të punësuarit të tjerë pa përjashtim gjithashtu shprehnin gatishmëri që të jenë në dispozicion për të kryer cilëndo punë.

Kishte tri fusha në të cilat ishte i nevojshëm angazhimi në mënyrë që të realizohej mbajtja e mbledhjes së Kuvendit ku do të shpallej Kushtetuta e Republikës së Kosovës. E para duhej të shkruhej teksti i Kushtetutës dhe akteve përcjellëse të cilët do të aprovoheshin në Kuvend. E dyta kishte nevojë për intensifikimin e kontakteve dhe koordinimin e veprimeve me partitë politike që vepronin atëherë në Kosovë si dhe me sindikatën e pavarur. E treta kishte të bënte me caktimin e vendit të mbajtjes së mbledhjes, organizimin e sajë dhe me mbajtjen e vet seancës së kuvendit ku do të shpallej Kushtetuta. Të gjitha këto do të duhej të bëheshin nën masa të thella të ruajtjes së fshehtësisë në mënyrë që pushteti okupues serb mos të ketë informacion në mënyrë që ta pengojë mbajtjen e mbledhjes.

Sa i përket shkuarjes së tekstit të Kushtetutës dhe akteve të tjera përcjellëse kishim një fat që në pjesën profesionale të anëtareve të Komisionit Kushtetues të Kuvendit gjendeshin profesor të nderuar të cilët ishin ekspert të kësaj fushe. Këtu bënin pjesë I ndjeri Prof. Dr. Ejup Statovci, Prof.Dr. Ismet Salihu, Prof. Dr. Kurtesh Salihu, Prof. Dr. Fatmir Fehmiu si dhe Dr. Riza Smaka. Halit Muharremi, sekretar i Komisionit Kushtetues në atë kohë direkt organizonte punën e këtij grupi por edhe kishte shkruar një kapitull të Kushtetutës. Familja Shoshi nga Prishtina kishte ofruar lehtësira për punën e grupit duke vërë në dispozicion shtëpinë e tyre dhe pajisjet e tjera të nevojshme. Hamëz Ajazi, I punësuar në Kuvend kishte qëndruar gjithë kohën në dispozicion të këtij grupi dhe të Kuvendit dhe kishte kryer shumë punë të rëndësishme. Gruaja e tij Nexhmije Ajazi kishte shtypur versionet punuese si dhe atë përfundimtar të tekstit të Kushtetutës. Ky grup kishte filluar punën në dhjetëditëshin e fundit të muajit korrik dhe pas një pune të jashtëzakonshme dhe në kushte shumë të vështira e kishte përfunduar punën në tekstin e Kushtetutës me 26 gusht. Gjate punës grupi kishte mbajtur takime të shumta për të cilat më tepër u shfrytëzua shtëpia e Dr. Ismet Salihut. Për punën e grupit Halit Muharremi më informonte rregullisht. Ai ma dorëzoi tekstin përfundimtar me 28 gusht. Delegatët informoheshin se po përgatitej teksti I Kushtetutës. Ata ishin gjithnjë të padurueshëm dhe kërkonin që mbledhja të mbahet sa më shpejt. Teksti I Kushtetutës, kur ai u përfundua, iu dorëzua edhe dy anëtareve të Kryesisë së atëhershme të LDK me kërkesë që ti dorëzohet Kryetarit Rugova dhe të njoftohen anëtarët e tjerë të Kryesisë .

PASHTRIKU: Gjatë kësaj kohe a kishit kontakte me faktorin politik shqiptar të Kosovës?

I.Ramajli: Sigurisht. Nga fundi i korrikut dhe deri në fund të gushtit unë kontaktova thuaja se të gjithë kryetarët e partive të atëhershme dhe përfaqësuesit e sindikatave të pavarura. Ndihmesë në realizimin e këtyre takimeve më dhanë kryesisht Behlul Beqaj dhe Lirije Osmani që të dy sekretar të komisioneve të Kuvendit. Gjatë kësaj kohe u takova me Veton Surroin, Shkelzen Maliqin, Hivzi Islamin dhe me të ndjerin Fehmi Aganin. Me Fehmi Aganin gjatë korrikut dhe gushtit kisha 4 takime. Gjithashtu u takova në fund të gushtit edhe me disa anëtar të kryesisë së sindikatës së pavarur të cilët i kryesonte Agim Hyseni, me që Hajrulla Gorani, Kryetar i sindikatave të pavarura, në këtë kohë ishte arrestuar nga policia serbe për shkak se ishte njoftuar për mbajtjen e grevës së përgjithshme me 3 shtator. Këto takime ishin shumë të dobishme për mirëvajtjen e mëtutjeshme të punës së Kuvendit por edhe për të siguruar se aktivitetet e partive dhe të Kuvendit do të jenë të koordinuara në kohë.

Me që partitë politike dhe sindikatat kishin kontakte me përfaqësues të faktorëve të jashtëm dhe me ato nga Sllovenia e Kroacia kërkoja nga ata që të hulumtojnë se si do të jetë reagimi në planin e brendshëm dhe të jashtëm, me rastin e shpalljes së Kushtetutës, dhe se a mundë të pritej ndonjë përkrahje dhe pranim zyrtar i këtij akti. Në takime ju dha mbështetje e fortë e të gjithëve që Kuvendi  të vazhdojë punën dhe të shpall Kushtetutën. Me të ndjerin profesor Aganin u takova më së shpeshti dhe më duhet të them se nga këto takime dhe nga informacionet dhe këshillat që ai dinte ti shtronte Kuvendi dhe unë kishim ndihmesë dhe mbështetje të jashtëzakonshme. Kontakte me përfaqësues të partive politike mbanin edhe delegate të tjerë të Kuvendit. Po e zëmë Halit Muharremi mbante kontakte me Ali Aliun, anëtarë I kryesisë së LDK, Zenun Qelaj ishte i njoftuar me punën e grupit që përgatiste tekstin e Kushtetutës etj. Nga kjo distancë kohore mundë të thuhet se në këtë fushë u arit që strukturat e Kuvendit dhe partitë politike që vepronin në atë kohë në Kosovë së bashku me Sindikatat e Pavarura kishin një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe kjo siguronte një mbështetje të jashtëzakonshme për punën e Kuvendit në kushte jashtëzakonisht të vështira.

PASHTRIKU: Si u caktua data dhe vendi i mbajtjes së mbledhjes së 07 shtatorit 1990?

I.Ramajli: Njëri ndër aktivitetet që u ndërmor gjatë kësaj kohe  kishte të bënte me caktimin e vendit të mbajtjes së mbledhjes, organizimin e sajë dhe me mbajtjen e vet seancës së kuvendit ku do të shpallej Kushtetuta. Pas okupimit të ndërtesës së Kuvendit nga ana e Serbisë ishte iluzion të paramendohej se mbledhja mundë të mbahej atje. Bisedën e parë lidhur me mënyrën e mbajtjes së mbledhjes, si ajo do të mundë të organizohej dhe çka do të duhej krejt të përgatitej rreth sajë e pata me Ilaz Kurteshin, atëherë delegate në Kuvendin Federativ. Bisedën e bëra në fund të korrikut, në shtëpinë e tij,  dhe në te morri pjesë edhe Behlul Beqaj. Më duhet të them se Ilaz Kurteshi ishte maksimalisht i angazhuar dhe ka dhanë kontribut të pazëvendësueshëm gjatë gjithë kohës së përgatitjeve për mbajtjen e kësaj mbledhje. Ai ishte i inkuadruar në të gjitha aktivitetet dhe përvoja e angazhimi i tij kanë qenë të dobisë së dorës së parë. Me te vazhdova të konsultohesha deri në mbledhjen e 07 shatorit 1990.

Pas kësaj bisede në takimet e shpeshta që kishim me delegatët diskutonim se ku mundë të mbahej mbledhja dhe si ajo duhet të organizohet. Delegatët në biseda mes tyre propozonin vende të ndryshme për mbajtjen e mbledhjes. Me që delegatët vazhdonin të merreshin në biseda informative te ata ekzistonte një frikë se mundë të burgoset një numër I konsiderueshëm me çka do të pamundësohej mbajtja e rregullt e mbledhjes së Kuvendit. Ky ishte shkaku që ata insistonin me ngulm që mbledhja të mbahet sa më shpejt që është e mundur. Pra duhej gjetur vendin dhe duhej filluar përgatitjet. Në ndërkohë gjatë gushtit u ndërmorën edhe një veprim për të qenë të sigurt që Kushtetuta gjithsesi do të shpallej. U vendosë që nga delegatët të mblidhen nënshkrimet dhe në rast se pamundësohej mbajtja e mbledhjes Kushtetuta të shpallej me nënshkrimet e delegatëve. Mbledhjen e nënshkrimeve të delegatëve nëpër tërë komunat e Kosovës e bëri Hamëz Ajazi i shoqruar nga  Refik Beqiri dhe delegati Nazmi Kelmendi.

PASHTRIKU: Cili ishte kontributi i Kaçanikasve në organizimin e 07 shtatorit 1990 ?

I.Ramajli: Unë u morra në bisedë informative nga policia në Kaçanik me dt. 15 Gusht 1990. Nga ajo ditë u tërhoqa në Prishtinë dhe shumë rrallë vija në Kaçanik. Më kujtohet se me datë 22 gusht ftova Refik Rakën, delegat i Kuvendit nga Kaçaniku dhe i thash se kam idenë se mbledhja e Kuvendit për nxjerrjen e Kushtetutës të mbahet në Kaçanik dhe i thash që të takohet me Hebib Shehun, atëherë Kryetar i LDK në Kaçanik dhe të vinin në Prishtinë në banesën time. Pas disa ditësh Refiku, Hebib Shehu dhe Fadil Raka erdhën në banesën time në Prishtinë dhe unë Hebib Shehut i shtrova idenë se mbledhja e Kuvendit ku do të shpallej Kushtetuta e Republikës së Kosovës mundë të mbahej në Kaçanik. Nga ai kërkova që të kthehet në Kaçanik, të njoftojë disa njerëz nga rrethi i ngushtë i udhëheqjes dhe ata së bashku të vlerësojnë se a mund të bëhet kjo punë dhe se a janë në gjendje të marrin këtë përgjegjësi. Nga ai kërkova që të më kthejë përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur. Hebib Shehu, pas konsultimeve që kishin bërë në Kaçanik me të ndjerin Bedri Kyqyky, Fadil Raka, Maksut Hoxha si dhe Refik Raka, pas disa ditësh, më njoftoi se janë të gatshëm që të marrin përgjegjësinë për mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit në Kaçanik dhe se vlerësojnë se kanë kushte dhe njerëz që kjo punë të kryhet me sukses. Pas kësaj mundë të fillohej me përpunimin e planit për organizimin e mbledhjes. Planin e diskutuam me Hebibin, Fadilin dhe Refikun në banesën time në Prishtinë, më duket më 1 shtator,  në takimin e dytë kur Hebibi konfirmoi se janë të gatshëm që ta marrin përgjegjësinë për mbajtjen e mbledhjes. Plani përfshinte mënyrën e thirrjes së delegatëve, për objekt të mbajtjes së mbledhjes parashihej Shtëpia e Kulturës në Kaçanik, vend alternativ ishte shkolla fillore në fshatin Nikaj (këtë e propozoi Hebibi), pastaj ishte caktuar vendi i kontaktit të parë të delegatëve me aktivistët e Kaçanikut në rrugën Prishtinë – Kaçanik, mënyra e hyrjes në Kaçanik (edhe në këtë pjesë Hebibi propozoi një ndryshim të vogël)  dhe vendosja e tyre nëpër shtëpi të Kaçanikasve derisa të vinte koha e caktuar për mbajtjen e mbledhjes si dhe mënyra e largimit të delegatëve pas përfundimit të mbledhjes.

Plani kishte edhe pjesën e veçante të mbrojtjes me forcë të delegatëve derisa do të mbahej mbledhja në rast se do të zbuloheshin nga policia serbe. Plani kishte edhe shumë detaje të tjera të cilat nuk mund të përshkruhen në këto pak rreshta. Pas këtij takimi ata shkuan në Kaçanik dhe filluan përgatitjen për zbatim të planit atëherë kur do të ju thuhej se në cilën datë do të mbahej mbledhja. Në Kaçanik, sipas asaj që ndodhi me vonë, u caktuan njerëzit të cilët do të duhej të merrnin pjesë në realizimin e planit për mbajtje së mbledhjes. Të gjithë atyre do të ju thuhej se po bëhen përgatitjet për mbajtjen e një mbledhje të rëndësishme të sindikatave dhe se në atë mbledhje do të marrin pjesë shumë personalitete të rëndësishme të Kosovës. Hebib Shehu më njoftoi se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se tani mund të caktohet lirisht data e mbajtjes së mbledhjes dhe se ata janë të gatshëm për çdo gjë. Deri në këtë kohë unë nuk kisha njoftuar askënd nga Kuvendi e as nga Qeveria si dhe asnjë nga partitë politike për këto përgatitje.

Tani mund të thuhej se ishte bërë çdo gjë gati për të mbajtur mbledhjen e Kuvendit. Teksti i Kushtetutës ishte shkruar, ishte krijuar një mbështetje dhe koordinim me partitë politike dhe me sindikatat e pavarura dhe ishin bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Mbledhjes. Nga 29 gushti e deri më 5 shtator 1990, Ilaz Kurteshi, në emër të delegatëve në Kuvendin Federativ, Jusuf Zejnullahu, Kryetar i Qeverisë dhe Halit Muharremi, sekretar i Komisionit Kushtetues dhe unë si Nënkryetar i Kuvendit u takuam 3 herë. Në takimin e parë, në banesën time në Prishtinë,  biseduam për vendin e mundshëm të mbajtjes së mbledhjes dhe pasi u shqyrtuan disa propozime unë i njoftova për krejt atë që ishte bërë në Kaçanik. Ata të gjithë u pajtuan se më së miri është që mbledhja të mbahet në Kaçanik, duke pasur parasysh vlerësimet dhe përgatitjet të cilat veç ishin bërë. Në takimin e dytë vazhduam ti vlerësojmë përgatitjet dhe efektet e mundshme që do ti ketë shpallja e Kushtetutës dhe çka të bëhet pastaj, ndërsa në takimin e tretë i cili u mbajt me 5 shator u aprovua propozimi im që Mbledhja të mbahet më 07 shtator 1990 ora 20:00, në Kaçanik. Gjithashtu unë propozova që në mbledhje të mos marrin pjesë delegatët Federativ dhe anëtarët e Qeverisë, me qëllim që ata të vazhdojnë punën në Kosovë meqë ishte vlerësim i yni se delegatët pas shpalljes së Kushtetutës duhet të largohen nga Kosova për të vazhdua punën.

Ky propozim për mospjesëmarrje në mbledhje, kaloi shumë vështirë, pasi që Ilaz Kurteshi dhe Jusuf Zejnullahu insistonin që edhe delegatët Federativ dhe anëtarët e Qeverisë do të duhej të ishin në Kaçanik. Në fund u pajtuan, duke qenë të bindur se do të mund të vazhdojnë të punojnë në Kosovë. Halit Muharremi mori për obligim që ta njoftojë Zenun Qelën për ditën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes dhe që ai të marr me vetë  2 -3 gazetar të tjerë dhe një kameraman të Televizionit të Prishtinës, i cili duhej të siguronte një kamerë për incizimin e mbledhjes. Ditën e nesërme me 6 shtator filloi thirrja e delegatëve për mbledhjen, e cila do të mbahej më 07 shator 1990. Më 07 shtator 1990, çdo gjë funksionoi në mënyrë perfekte. Delegatët arritën në Kaçanik në kohën e caktuar, u pritën sipas planit nga Naser Gashi, Halim Dema dhe Refik Raka, delegat nga Kaçaniku si dhe disa të tjerë që ishin caktuar për këtë qëllim. Me që delegatët filluan të vinin që nga ora 17 ata u vendosen në shumë shtëpi Kaçanikase, për të pritur orën e fillimit të mbledhjes. Në ndërkohë pjesëtarët e policisë së sindikatave të policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Tahir Çaka, kishin marrë masa për sigurimin fizik për mbajtjen e mbledhjes. Mbledhja filloi në ora 20:00, kur edhe ishte planifikuar dhe përfundoi pa pengesa. Kuvendi në këtë mbledhje shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera përcjellëse, duke e çuar Kosovën në një etapë të re drejt ecjes së saj në rrugën për Pavarësi dhe krijimit të shtetit sovran të Kosovës.

Me rëndësi është të thuhet se për ketë fazë të procesit dhe ecjes drejt pavarësimit të Kosovës dhe krijimit të shtetit sovran ishte vendimtare. Kërkesat dhe mbështetja gjithë popullore si dhe ajo e faktorit politik të kohës që i ishte dhënë Kuvendit, lidhur me punën që ai duhej ta bënte, vendosmëria dhe guximi i delegatëve që kërkesat gjithëpopullore për pavarësi të Kosovës ti sendërtojnë përmes një procedure dhe forme të njohur dhe të pranuar botërisht si dhe gatishmëria, profesionalizmi dhe guximi i grupit të komisionit kushtetues që hartoi Kushtetutën e Kosovës dhe aktet tjera përcjellëse. Në këtë fazë që zgjati nga 02 korriku e deri më 7 shtator 1990, qindra individ u inkuadruan dhe dhanë kontributin e tyre në mënyrë që Kuvendi të realizojë atë që ndodhi me 07 shtator 1990 në Kaçanik. Angazhimi dhe puna e tyre bënë të mundur që të realizohet një akt, i cili do të ketë ndikim në rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme, por besoj edhe në të ardhmen përderisa mos ta bëjmë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur.

PASHTRIKU: Shikuar nga perspektiva e sotme, a mendoni se keni vepruar drejtë në atë kohë ?

I.Ramajli: Unë besoj se nxjerrja e Deklaratës Kushtetuese më 02 Korrik 1990 dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e nxjerrë me 07 shtator 1990, shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e parashtruara që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuat. Në themel të Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe akteve të tjera janë kundërshtimet në të gjitha format e organizuara dhe spontane të rezistencës shqiptare në të gjitha periudhat e rëndësishme të historisë sonë. Angazhimet për arritjen e këtij qëllimi, gjatë historisë, janë shprehur përmes formave legale dhe ilegale si në krijimin e organizatave nacionale shqiptare, që angazhoheshin për subjektivitet dhe mëvetësi, ashtu dhe përmes rrugëve legale të avancimit të pozitës së shqiptarëve të Kosovës.

Ngjarjet e mëvonshme dëshmuan që në kohën kur u morën këto vendime, ishin akte mbrojtëse dhe pozicionuese, në kuptim politik dhe kushtetues, lidhur me rrjedhën e ngjarjeve në ish Jugosllavi. Ishin edhe përgjigje e pashmangshme politikës nacional shoviniste serbe, e cila me ndryshimet Kushtetuese të vitit 1989, të cilat i bëri me dhunë, Kosovës ia hoqi autonominë, duke krijuar edhe raport të ri në Federatën Jugosllave, me qëllim të hapjes së rrugës së mbizotërimit serb. Ngjarjet e mëvonshme të shpërthimit të konflikteve të përgjakshme në territorin e ish Jugosllavisë si dhe lufta e përgjakshme, por heroike e popullit shqiptar në Kosovë, të cilën e bëri UÇK-ja, dëshmojnë më së miri se ne patëm të drejtë që në këtë mënyrë dhe në atë kohë, i bëmë të ditur Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar, aspiratat dhe vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës  për liri dhe pavarësi të plotë.

PASHTRIKU: A ishte i drejtë vendimi për largimin nga Kosova pas mbledhjes së Kaçanikut?

I.Ramajli: Mendoj që po. Ne nuk u larguam për ndonjë interes personal, apo nga frika. U larguam me qëllim të vazhdimit të punës së Kuvendit. Kuvendi i Republikës së Kosovës nga data 07 shtator 1990 ka vepruar jashtë Kosovës, nga rrethanat për të cilat tanimë janë të njohura për të gjithë. Gjatë veprimit jashtë vendit Kuvendi plotësisht ka koordinuar aktivitetet e tija me subjektet politike të cilat në atë kohë ishin të organizuara dhe vepronin në Kosovë. Nisur nga rrethanat e kohës dhe ngjarjeve në hapësirat e ish Jugosllavisë si dhe në rrafshin ndërkombëtar por edhe me qëllim të rrumbullakimit të kornizës kushtetuese dhe ligjore për Kosovën si shtet sovran e të pavarur e në marrëveshje me subjektet politike ne Kosovë. Kuvendi në mbledhjet e mbajtura në Slloveni, ku ndër të tjera, ka nxjerr Vendimi për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pa varur (26–30 shtator 1991), zgjedhja e Qeverisë së Përkohshme të Koalicionit të Republikës së Kosovës (19 tetor 1991), shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme për Kryetarin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës (2 maj 1992).

PASHTRIKU: Pse nuk u mblodh pas luftës, përbërja e deputetëve që shpallën Republikën e Kosovës?

I.Ramajli: Në fakt jemi mbledhur çdo përvjetor më 02 korrik dhe 07 shtator, përveç disa rasteve që kanë qenë përjashtim. Puna e përbërjes së Delegatëve të cilët shpallën deklaratën e 02 korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut përfundoi me mbajtjen e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës me 02 maj 1991 kur u zgjodhën delegatët e ri për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Presidenti i Republikës së Kosovës. Pas përfundimit të punës së kësaj përbërje të Kuvendit, vetëm një numër i vogël i delegatëve të kësaj  përbërje u angazhua në ndonjë parti politike.

Gjatë gjithë kësaj kohe, deri më sot, 02 korriku dhe 07 shtatori i vitit 1990 shënohen nga forma të ndryshme të organizimit dhe nga qytetarët e Kosovës.  Pas lufte thuaja se çdo vit deri me sot, me 02 korrik dhe 07 shtator delegatët janë ftuar nga Presidenti, Kryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës apo Kryetar të Qeveris së Republikës së Kosovës, për ti shënuar këto ditë dhe për të shpreh respektin për punën e delegatëve të përbërjes së vitit 1990. Kuvendi i Republikës ka mbajte disa seanca solemne për shënimin e këtyre ditëve të rëndësishme për historinë e re të Kosovës. Presidenti Rugova i dekoroi të gjithë delegatët që morën pjesë në mbledhjen e 2 korrikut dhe 7 shtator 1990 me Medaljen e Artë të Pavarësisë. Medaljet  në vitin 2010 ia shpërndau delegatëve  Presidenti Fatmir Sejdiu, me që presidenti Rugova nuk kishte arritur të bënte këtë deri sa ishte gjallë. Nga viti 2017 delegatët mbështeten me një  shumë vjetore materiale, por kjo çështje ende mbetet e pa rregulluar me ligj dhe ka karakterin e mbështetjes materiale të njëhershme.

PASHTRIKU: Me çka merret dhe si jeton sot, ish-Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Ilaz Ramajli, njeriu që shpalli KOSOVËN REPUBLIKË?

I.Ramajli: Pas përfundimit të luftës dhe kthimit tim në Kosovë, pas 10 vitesh në mërgim, unë jam kthyer në Prishtinë. Nuk jam inkuadruar në politikë por kam zgjedhë të punoj në profesion. Pas dy vitesh punë në Institutin Riinvest në vitin 2003 jam regjistruar si avokat dhe kam hap Shoqërinë e parë të Avokatëve në Kosovë Ramajli dhe Partnerët e cila është marrë ekskluzivisht me çështje ekonomike dhe çështjen e korporatave. Edhe tani, përkundër faktit se kam mbushur 70 vite unë  vazhdoj te bëjë të njëjtën punë por me numër të klientëve të reduktuar. Gjatë gjithë këtyre viteve unë përveç punës sime kam kontribuar në mënyra të ndryshme në shumë fusha të së drejtës që kanë të bëjnë me ngritjen e institucioneve dhe legjislacionit në Kosovën e pas luftës. Ndër të tjera kam dhënë kontribut si anëtarë i Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës  gjatë viti 2007-2008 ku kam udhëhequr grupin për çështje ekonomike dhe për këtë, si edhe të gjithë anëtarët e Komisionit, jam nderuar në dhjetëvjetorin e pavarësisë me Medaljen e Art të Pavarësisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe për kontribut për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (2008), më është ndarë Çmimi për Drejtësi “Hero Sali Çeku” (2013). 

Vitet e fundit, pas pandemisë, pjesën më të madhe të kohës e kaloj në vendlindjen time në Kaçanik.

Ilaz Ramajli, 03.05.2022, Kaçanik,

Intervistën e realizoi Metush Zenuni dhe ajo botohet ekskluzivisht në portalin pashtriku.org, më 07 shtator 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura