SOKOL BYLYKBASHI: PPRESIDENTJA PARTIAKE

Prishtinë, 22. 05. 2012 – Atifete Jahjaga në muajin e kaluar i ka bërë një vit si Presidente e Republikës së Kosovës. Mënyra se si ishte propozuar dhe zgjedhur Jahjaga në krye të shtetit para një viti, ishe bërë objekt i shumë diskutimëve dhe kritikave. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, pa u konsultuar me askënd, kishte propozuar Jahjagën për presidente të vendit. E ata që e pranuan propozimin arbitrar dhe imponues të Dell-it, ishin Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behxhet Pacolli.
     Dihet që sistemi qeverisës i vendit tonë i jep presidentit apo presidentes kompetenca më shumë se në çdo model tjetër parlamentar. Megjithëkëtë, Jahjaga duke mos pasur platformë politike dhe duke qenë plotësisht nën diktatin e Qeverisë, nuk ka arritur aspak që të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e situatës së përgjithshme në vend. Përkundrazi, Jahjaga me veprimet apo mosveprimet vetëm po e ndihmon Qeverinë që të realizojë agjendën e saj të mbrapshtë për Kosovën.
     Në ditën që është zgjedhur Jahjaga presidente, me fjalimin e saj të parë që iu drejtua qytetarëve nga Kuvendi, ndër të tjera patë thënë: “unë do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor bashkues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës”. Një vit në pozitën e presidentes së vendit, Jahjaga nuk e ka përmbushë asnjërin nga këto premtime që iu ka dhënë qytetarëve. Gjatë një viti kushtetushmëria dhe ligjshmëria e vedit tonë u cenuan nga strukturat paralele serbe, Qeveria e Kosovës, dhe nga persona të fuqishëm partiakë e biznesorë. Presidentja Jahjaga nuk bëri asnjë veprim konkret kundër këtyre shkeljeve flagrante. 

PRESIDENTJA E ZARFIT!

____________________________________________

     Presidentja Atifete Jahjaga nuk mund të vlerësohet si figurë konsensuale, ngase kurrë nuk e ka pasur mbështetjen e të gjitha forcave politike në Kosovës. Jahjaga me veprimet e saja, nuk ka treguar që është figurë që përfaqëson unitetin e popullit. Jahjaga haptas ka përkrahur partinë e Thaçit në proceset e ndryshme politike, sa herë që ky i fundit ia ka kërkuar një gjë të tillë. Të gjithëve na kujtohet fjalimi i Jahjages në një përvjetor të themelimit të PDK-së. Jahjaga aty kishte folur tamam sikur të ishte zyrtare e lartë e PDK-së, e jo si presidente unifikuese. Përmbajtja e këtij fjalimi ishte krejtësisht i anshëm politikisht.
     Njëra ndër kompetencat më të rëndësishme të presidentit të shtetit tonë është edhe shpallja e ligjeve të miratuara, si dhe kthimin për rishqyrtim të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Jahjaga këtë fuqi ekzekutive pothuajse kurrë nuk e ka përdorur në ligjet që janë konsideruar nga opinioni i gjerë, si akte që e cenojnë rëndë interesin e përgjithshëm shtetëror. Presidentja Jahjaga nuk i ka kthyer prapa për rishqyrtim ligjet e dëmshme që janë miratuar në Kuvend nga deputetët e koalicionit qeveritar dhe të një pjese të opozitës. Jahjaga vetëm në kohën e fundit ka lejuar që të bëhen të plotëfuqishme ligjet për kategoritë e luftës, Qendrën Historike të Prizrenit dhe ai për Hoçën e Madhe. Edhe pse qytetarët kanë kundërshtuar fuqishëm këto ligje me peticione, greva dhe protesta, presidentja Jahjaga është treguar tepër moskokçarëse.
     Sipas Kushtetutës se vendit tonë, presidentja Jahjaga është udhëheqëse e politikës së jashtme. Shteti jonë ka shumë mangësi dhe defekte në këtë sferë shumë të rëndësishme politike. Presidenca dhe Qeveria nuk kanë shënuar rezultate të mira sa i përket rritjes se njohjeve nga shtetet e ndryshme dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Deri më tani më shumë kemi parë tendenca për personalizim të politikës së jashtme ndërmjet bartësve të kësaj sfere, se sa angazhime dhe koordinime të përbashkëta për ta forcuar subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtare.
     Presidentja Jahjaga është treguar shumë e butë ndaj dhunës dhe diskriminimit sistematik që po iu bëhet shqiptarëve në tokat e tyre autoktone në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në Mal të zi. Përveç kësaj, Jahjaga për këtë problem madhor ka hezituar që ta diskutonte në çdo takim me përfaqësuesit politik ndërkombëtarë. Për më tepër, Jahjaga nuk ka shprehë gatishmëri për t’i vizituar këto treva me shqiptarë, ashtu siç është kërkuar nga ajo. Çdo vizitë e përfaqësuesve politik të Kosovës në vendet fqinje, duhet të ketë për qëllim mbështetjen dhe unifikimin e forcave politike shqiptare. Pikërisht të kundërten e ka bërë Jahjaga vitin e kaluar në vizitën e saj jozyrtare në Tetovë të Maqedonisë. Në këtë vizitë, Jahjaga takoi vetëm përfaqësuesit e BDI-së, duke i injoruar kështu tërësisht partitë opozitare shqiptare në këtë vend. Sigurisht që kjo vizitë nuk ishte për të përkrahur kauzën e shqiptarëve atje, por për t’i dhënë përkrahje BDI-së në fushatën elektorale që po zhvillohej në atë kohë.
     Institucioni i Presidentit të Kosovës, i cili me legjislacionin në fuqi është më shumë se simbolik, ka pesuar një denigrim të theksuar me Jahjagën në krye të tij. Ky institucion unifikues praktikisht është shndërruar në dikaster të Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi në vazhdimësi ia imponon diktatet e tij për çështje të ndryshme Presidentes Jahjaga. Në proceset e rëndësishme politike, Jahjagën e kemi parë tërësisht të përjashtuar nga vendimarrja shtetërore. Atifete Jahjaga nuk po i kryen detyrat kushtetuese, pasi që më shumë po brengoset se ku do të jetë pasi të përfundoj mandatin e saj, se sa që mendon se si po i shërben qytetarëve.
     Kosovës i duhet një president konsensual e unifikues, i cili ka një platformë të qartë politike që reflekton vullnetin politik të qytetarëve, zbatimi i së cilës do t’i garantonte vendit tonë përparim në të gjitha fushat jetësore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

KUMTI PËLLUMBOR…

Nga Rexhep Kasumaj, Fundfror, 2024 KUMTI PËLLUMBOR… (Dhe mbi urdhërin e “Staatsreason”it) 1. Një pëllumb kishte shtrirë krahët…