XHEVAT BISLIMI: PDK’ja e HASHIM THAҪIT – NJË LDK E DYTË NË KOSOVË!

Viti, 31. 08. 2014: Kemi bërë shumë shkrime për rrëshqitjen-ikjen e PDK’së nga programi i saj politik, ekonomik, kombëtar e social… E kemi thënë e shkruar shumë herë se PDK’ja e Hashimit dhe e grupit të tij nën hije (jashtë organeve të Partisë…!!) po bëhet një LDK e dytë në Kosovë… Rrëshqitja-ikja e madhe dhe ldk’izimi u finalizua me “djathtëzimin” e PDK’së me një deklaratë… !!
Shkakun thelbësor pse një parti politike rrëshqet nga ideologjia e saj e ka dhënë dhe e ka shpjeguar më së miri, me pak fjalë, njëri nga studiuesit e njohur të partive politike dhe të demokracisë, Anthony Downs: “Partitë politike, – shkruan ai – zakonisht vazhdojnë t’i ruajnë pozicionet e tyre ideologjike, kur nuk pësojnë humbje drastike. Kur humbasin, ia përshtatin ideologjinë e tyre asaj partie që ua ka shkaktuar humbjen”. (Manfred G. Schmidt, Teoritë e Demokracisë, 2012, f.206). Si shembull për këtë “rrëshqitje”-përshtatje, Downs merr Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë dhe parti tjera.

………………………………………………………..

Sa për ilustrim…

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, Sh.Berisha)

……………………………………………………………………

Në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, shembulli më adekuat i përshtatjes është PDK’ja, e cila, pas humbjes drastike të katër palë zgjedhjeve nga LDK’ja (për fajin e Hashim Thaçit dhe të grupit të tij jolegal), iu përshtatë plotësisht, madje në disa drejtime ia kaloi, LDK’së!! Ndërsa Hashim Thaçi iu përshtatë dhe ia kaloi udhëheqësit politik e shpirtëror të LDK’së, Ibrahim Rugovës, të cilit edhe pas vdekjes shkon dhe i përulet me nderime te varri i tij…!
Rruga e Hashim Thaçit dhe e grupit të tij ka përfunduar te varri i Rugovës, i cili sot më shumë është i PDK’së së kapur nga Hashimi dhe grupi i tij se i LDK’së!
Kjo përshtatje-ldkizim i PDK’së u bë, sepse Hashim Thaçi, edhe pas humbjes së katër palë zgjedhjeve nuk jepte dorëheqjen, nuk hapte krahun dhe nuk i hapte rrugë PDK’së, të cilën, e bëri një LDK të dytë vetëm e vetëm që të qëndronte në krye të saj, qoftë edhe me një ekip të “huazuar” nga LDK’ja dhe titizmi…
Prandaj, edhe tash, që humbi zgjedhjet me një koalicion shumëpartish, nuk po mund të gjejë forcë që të tërhiqet në mënyrë demokratike dhe institucionale nga pushteti… Dhe nuk ka faj: ai dhe grupi i tij nuk humbin vetëm nga një rrogë…
Mirëpo, ldkizimi i PDK’së nuk i ka bërë dhe nuk po i bën mirë demokracisë dhe as Kosovës…! Republika e Kosovës është shumë e vogël për dy LDK. I mjaftonte një…!

____________________
– Autori është magjistër i diplomacisë, ishte anëtar i KP dhe i Kryesisë të LPK-së, anëtar i KQ të Fondit ‘Vendlindja Thërret’, përfaqësues politik i UÇK’së në Francë, deputet i Kuvendit të Kosovës, gazetar, publicist…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura