Fier, 16. 09. 2015: E ndodhur vetëm 35 km larg nga qyteti i Vlorës në Amantia mund të shkosh për 45 minuta pas një udhëtimi me makinë. Pasi i drejtohesh lindjes dhe përshkon një sërë vargjesh kodrinorë përpara të del një kodër e lartë. Pikërisht pranë fshatit të sotëm Ploç, të rrethit të Vlorës në krahun e djathtë të lumit Shushica gjenden rrënojat e qytetit antik të Amantias, një nga qendrat arkeologjike të Shqipërisë. Qysh nga viti 2005 ajo funksionon si Park Kombëtar i hapur për turistët vendas dhe të huaj. Ndërkohë që stadiumi ku dikur zhvilloheshin garat sportive hesht duke pritur së bashku me objektet e tjera rrënoja kazmat e arkeologëve që kanë vite që nuk kanë trokitur aty.
Emri i këtij qyteti ka qenë shumë i lakuar prej autorëve antike. Ndër ta mund të përmendim Skylaksin i cili tek vepra e tij Lundrimi thotë se: Amantia është larg Apolonisë 320 stade. Të tjerë autorë që mund të përmenden janë Plini i cili tek libri i tij: Historia e Natyrës se pranë Nymfeut banojnë barbarët Amantë dhe Bylianë.
Ptolemeu një autor tjetër tek libri i tij: “Gjeografia” na jep edhe koordinatat gjeografike të Amantias prej 44o 56’ pranë grykës së lumit Kelydnos (Shushica). Ndërkohë që tek TABULA PEUNTIGERIANA (itinerar udhëtimi romak) Amantia shënohet me shifrën romake LV, që paraqet numrin e miljeve. Së fundi përmendim Stefan Bizantinin i cili tek vepra e tij e shekullit të VI-të: “Mbi qytetet dhe popujt” thotë se Amantia është krahinë e Ilirëve pranë Orikut dhe Korkyrës. Ndërsa guida e udhëtimeve të Hieroklit në shekullin e VI-të e përmend si një ndër tetë qytetet kryesore të Provincës Bizantine të Epirit të ri.
– Qyteti antik i Amantias –
Amantia u themelua si qytet diku rreth fundit të shekullit të V-të P.K. (M.Korkuti. Vlora në rrjedhojat e kohës fq.34-39). Ajo ishte qendra e një bashkësie ekonomike, shoqërore dhe politike që njihej me termin grek Koinoni (lidhja) Amante, e cila shtrihej përgjatë luginës së Shushicës deri në Borsh në jug. Koinoni përfshinte edhe bregdetin e sotëm të Vlorës nga laguna e Nartës deri në ujin e ftohtë, ku përfshiheshin edhe qytetet e Aulonës (Triporti) dhe Kaninës (Throni). Të tjera qendra që bënin pjesë në këtë formacion ishin edhe Olimpia (Mavrova) Hajdëraj, Dukaj, Matohasanaj, Cerja, Borshi, etj. Si shumë qytete Ilire edhe Amantia kishte legjendën e saj mbi themelimin. Sipas saj të cilën e citon Pausania qyteti u themelua nga Abantët që u larguan nga Troja, pas shkatërrimit të saj.
Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, etj. Në të kryqëzoheshin një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria, dhe tregtimi i lëndës drusore pasi malet përreth ishin të veshur me pyje. Në vitet 260 P.K.-168 P.K. (B.Dautaj, Vlora në rrjedhat e kohës. Tirane 2001. fq.39-43), Amantia nxorri edhe monedhat e saj prej Bronxi me nënshkrimin AMANTION. Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin. Ndërkohë nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Nymfeut (Selenicës) që gjendej në territorin Amantin. Gjatë rrjedhave të kohës Amantia përjetoi edhe pushtime e shtetit Ilir, Epirot, Maqedonas, Romak, Bizantin, etj. Mund të përmendim se gjatë viteve të luftës civile në Romë, midis Çezarit dhe Pompeut, siç e pohon vetë Çezari tek libri i tij “Lufta civile” Amantët mbajtën anën e këtij të fundit në këtë konflikt. Gjatë periudhës së dyndjeve barbare në shekujt III-V Amantia si duket nuk i shpëtoi dot barbarizmave të gotëve. Ndërkohë në librin e tij “Ndërtimet” Prokopi i Çezaresë e përmend Amantian si një nga qytetet që rindërtoi Justiniani në Provincën e Epirit të Ri. Së fundi përmendet si qendër Peshkopale në shekullin e VIII-të, më pas historia hesht për të.
Amantia kishte një sipërfaqe prej 15 ha (B.Dautaj. po aty) dhe shtrihej përgjatë një kodre e rrethuar e gjitha me mure që arrinin gjatësinë 2200 m. Për vetë kushtet e ndërtimit në një terren të tillë qyteti kishte formën e një trapezi gjatësor. Pikërisht në këtë hapësirë gjendeshin ndërtesat, tempujt, stadiumi, akropoli, teatri, etj. (N.Ceka Monumentet X. 1975, N.Ceka, qendrat e fortifikuara të Amantëve fq.47).
Nga monumentet me të ruajtur në Amantia është padyshim stadiumi që padyshim është një nga treguesit e zhvillimit të qytetit. I zbuluar nga arkeologu Skënder Anamali në vitin 1956, ai ka formë katërkëndëshi ka një gjatësi në drejtimin Lindje-Perëndim prej 40.40 m. Kjo anë e tij përbëhet prej 17 shkallaresh të gurta ku uleshin spektatorët. Nga ana Lindore (gjerësia) stadiumi kishte 8 shkallare të tjera. Hyrja në stadium bëhej nga Veriu pjesa e të cilit ishte e hapur.
Në librin e tij Përshkrimi i Greqisë (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë. Tirane 1965.fa.246) shkrimtari grek i shekullit të II-të, Pausania në pjesën e v-të, në kapitullin Elida, përmend qytetin Amant të Thronit, i cili sipas tij ndodhej pranë maleve Keraune (Llogarasë).
Në këtë pasazh Pausania përshkruan edhe një monument që qyteti i Apolonisë e kishte ngritur për nder të fitores që kishte arritur me Thronin. Ky i fundit që mendohet se mund të jetë Kanina e lashtë duhej të shihej nga Polisi i Apolonisë si një kërcënim i rrezikshëm për kontrollin e bregdetit dhe rrugëve detare. Ndoshta konflikti i zhvilluar në mesin e shekullit të III-të P.K.,ndodhi për shkak të synimit të Apolonisë për të nënshtruar Polisin e Orikut (N.Ceka. Ilirët. Fq.84), me qëllim që të kontrollonte guroret e tij që ndodheshin në të dyja anët e Karaburunit. Sot shumica e arkeologëve pranojnë se Throni antik nuk është veçse Kanina e sotme, duke ju larguar hipotezës se ky qytet ndodhej në kepin e Triportit. Nëpërmjet Thronit dhe Aulonës Amantët kryenin komunikimin me detin duke u lidhur me botën Ilire, Italike, Greke dhe Mesdhetare.
Qytet tjetër i Koinonit Amant ishte Olympe, rrënojat e të cilës ndodhen në fshatin e sotëm Mavrovë në anën e djathtë të lumit Shushica (Monumentet X 1975. N.Ceka qendrat e fortifikuara të Amantias).
Olympe shtrihej mbi një kodër me një sipërfaqe prej 13 ha, dhe ishte qytet i paisur edhe me Akropol. Por ndryshe nga Amantia organizimi politik i së cilës ishte sipas Koinonit Grek, Olimpe i kishte organizuar institucionet e saj sipas modelit Epirot. Në krye të qytetit ishte nëpunësi më i lartë ekzekutiv i njohur me emrin Politarkes. Ai ndihmohej nga një kolegj nëpunësish të quajtur Synarkontë si dhe nga Gramateusi (sekretari). Emrin Olympe, qyteti mendohet se e mori nga vajza e Mbretit Pirro, Olimpia. Këtë variant e hodhi për herë të parë arkeologu Hasan Ceka, Olympe u identifikua nga arkeologu Burhan Dautaj, i cili gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitet 1960 gjeti tetë monedha me mbishkrimin OLYMPIASTAN.
Zhvillimin më të madh Olympe e arriti në vitet 229-148 P.K. me nxjerrjen e monedhave, të cilat përdoreshin vetëm brenda ekonomisë së këtij qyteti. Ato kishin simbole të ngjashme me monedhat e Apolonisë, Amantias dhe Bylisit.
Interesant është fakti se autorët antikë heshtin për praninë e këtij qyteti, i cili ndeshet vetëm tek Stefan Bizantini që e përmend tek vepra e ti: “Mbi qytetet dhe popujt”. Cerja dhe Hadëraj ishin dy qyteza-fortesa të cilat kishin funksion strategjik për të kontrolluar lëvizjet që bëheshin përgjatë rrugës së Koinonit Amantin.