GJOKË DABAJ: POZICIONI GJEOGRAFIK I SHESTANIT – RRIPI MIDIS DETIT DHE LIQENIT

Pashtriku.org, 27. 03. 2013 – Midis Detit Adriatik dhe Liqenit të Shkodrës ndodhet një rrip toke, me gjërësi,vijë ajrore, nga rreth 12 deri në 20 km, i cili në hartën e Ballkanit, edhe në pamje të parë, bën përshtypje të veçantë. Deti në njerën anë, në anën tjetër liqeni, në mes tyre, një masiv shkëmbor, në formë kurrizi të çrregullt, të ashpër, plot kreshta, rrëpira, maja, gropa, qafa e hone, dhe me gjithë ato të papritura që mund të sjellë një kombinim gjeotektonik! Por jo vetëm konfiguracioni i reliefit është i mbu-shur me të papritura dhe shpeshherë, sa të çuditshme, aq edhe atraktive. Me të papritura e plot me dukuri të çuditshme është i mbushur ky vend edhe në pikëpamje etnike, në veshje, në folklor, në gjuhë, në fe, në mënyrën se si është lundruar, para modernizimit, në det, e si është lundruar në liqen, si është zënë peshku në det e në liqen, si mbaheshin bagëtitë në mal e në vërri, si punohej toka, si praktikohej bujqësia, kopshtaria, pemëtaria,vreshtaria, ullishtaria, si bëhej tregëtia, cila ishte dhe është shkalla e qytetërimit, gjegjësisht e civilizimit në qytete e në fshatra, si bëhen dasmat, si bëhen varrimet?.. Ndërkaq, historia është edhe më shkëmbore dhe më e ashpër: Pushtime pas pushtimesh, luftëra pas luftërash, të cilat gjithëmonë i kanë shkaktuar të ardhurit e jo vendësit, sëmundje pas sëmundjesh, që gjithashtu s’e kanë pasur kurrë zanafillën këtu, por gjetkë. Më në fund, tërmet pas tërmeti! Ata vinin, befasues e të frikshëm, i shkundnin malet që nga thellësia e dheut, shkatërronin çdo gjë dhe ktheheshin përsëri në dhē, për t`u shfaqur pas ca kohësh prapë po aq befasues e po aq të frikshëm.
Në gjithësej rreth 1 000 km katrorë, në këtë rrip toke ndodhen disa qytete të rëndësishëm, Shkodra, Ulqini, Tivari e Budva dhe disa qyteza, Viri, Suto-morja, Petrovaci. Në dy ekstremet, njeri në cep të liqenit në lindje e tjetri në bregdet në perendim, janë qytetet Shkodra dhe Budva. Shkodra është padyshim qyteti më i rëndësishëm në këto hapësira. Midis Shkodrës dhe Budvës, në hapësirën që po përshkruajmë, shtrihen këto 6 njësi etnokulturore: Kränja e Shkodrës, Shestani, Cërrnica, anës Liqenit, dhe Ana e Malit, Mërrkoti e Pashtroviqi, në anën e detit. Veç këtyre, rreth Tivarit dhe rreth Ulqinit ka disa fshatra e disa grupe fshatrash që nuk përfshihen në asnjerën nga këto 6 treva që përmendëm.

Nga pikëpamja etnike, Kränja, Shestani dhe Ana e Malit, janë treva thjeshtë shqiptare, pa asnjë përzierje me sllavët. Mërrkoti është një fis sllav, i ardhur këtu, siç thonë, nё Mesjetё, Cërrnica është trevë sllave, e krijuar ashtu në rrjedhë të viteve, ca me sllavë të ardhur, ca më shumë me sllavizim të vendësvet. Pashtroviqi, po ashtu aktualisht krahinë sllave, por edhe ata kanë ardhur këtu në kohë relativisht të vona dhe e kanë sllavizuar edhe pjesën vendase. Banorët e fshatravet e të grupevet të fshatravet përreth Ulqinit, si dhe të vetë Ulqinit, janë të thuash tërësisht shqiptarë, me përjashtim të disa kolonëvet të vendosur këtu mbas vitit 1878. Kurse Tivari, edhe vetë qyteti, edhe fshatrat, janë në pikëpamje etnike në këtë gjendje: 1. Një pjesë sllavё të ardhur në dekadat e fundit, 2. Një pjesë shqiptarë vendas apo të zhvendosur nga Shestani, nga Kränja e nga Ana e Malit, disa të tjetërsuar, disa ende jo, 3. Një pjesë fare e vogël kanë qenë sllavё ose popullsi e sllavizuar që në shekujt e mëparshëm.
Të gjitha këto treva, të gjithë këta qytete e këto qyteza, që nga Shkodra, e banuar me shqiptarë, e deri te Budva, aktualisht sllave, janë aq interesante në çdo pikëpamje, sa studimet rreth tyre do t`u ngjanin më shumë libravet me kuriozitete, sesa shkencës së mirëfilltë, që për shumëkënd është e mërzitshme. Pjesët e banuara me shqiptarë, përveç Shkodrës, janë përgjithësissht të pandriçuara prej dijevet. Ndërkaq, pjesët e banuara aktualisht me sllavë, për të cilat janë shkruar mjaft libra, kanë nevojë për rishikime rrënjësorë në të gjithë aspektet: Në histori, në folklor, në gjuhë, në toponimi, në etnografi e deri në antropologji. Nëpërmjet të këtillë rishikimevet do të viheshin dhe duhet të vihen shumë gjëra në vendet e vet.
Le të shpresojmë që shekulli 21 do të sjellë këtu më shumë libra të vendit e më pak armë e politikëra të huaja.
Ku ndodhet Shestani
Në mes të të gjitha këtyre njësive etnokulturore që i përmenda, Shestani zë një vend të veçantë. Unë i kam rrënjët pikërisht në këtë trevë, jam rritur këtu dhe që në moshën më të re kam pasur dëshirё të madhe t`i hedh në letër e t`i bëj publike sëpaku disa nga vlerat që ka ky vend. Ia kam filluar më i ri se 20 vjeç me mbledhjen dhe me botimin e materialeve, por e kam ndërprerë këtë punë, për shkak të rrethanave jo të përshtatshme e mbase edhe për vetë moskonsekuencat e mia.
Më në fund, në e kam thënë tashmë, me nxitjen e një djalit të ri nga Brisku, Dhimitër Pekaj ose shkurtë Mitër Pekaj, patriot dhe njeri me seder, po kështu edhe me miratimin dhe përkrahjen e familjes dhe të afërmvet të mi, i hyra punës për të nxjerrë një libër monografik sa të jetë e mundur më të plotë. I premtova Mitrit se do ta kryeja këtё punë për 3 a 4 muaj, por më mori, me shumë lodhje, më se 7 vjet dhe s`do të dilnin ndoshta as 30 vjet për të thënë çdo gjë që lidhet me Shestanin, me këtë krahinë kaq të vogël buzë iqenit të Shkodrës. Lënda që ofron kjo krahinë, është vërtetë një thesar i pafund. Mjerisht, i mbushur plot me tragjedi.
Shestani ndodhet në ekstremin më perendimor të SHQIPËRISË . Mbas tij, në drejtim të perëndimit, nuk ka më treva shqiptare, e tash, me sa po duket, edhe ky po shuhet. Shtetërisht, d.m.th. administrativisht, gjyqësisht, ushtarakisht, me polici, me sistemin fiskal, me sistemin arsimor etj. Shestani përfshihet brenda kufijvet të Malit të Zi. Ndërkaq, historikisht, gjeografikisht, etnikisht, gjuhësisht, me lidhje farefisnie, me folklor, me toponimi, me veshjen e vet tradicionale, me patronimi dhe me çdo gjë tjetër që përfshihet në definicionin përkatësi kombëtare, Shestani është pjesë e SHQIPËRISË.
Ka në verilindje Liqenin e Shkodrës dhe laget në rreth 9 km. vijë të drejtë prej këtij liqeni. Në lindje ka Kränjën, në jug takohet fare pak me krahinën e Mërrkotit, në jugperendim ka rrethinën e Tivarit, ndërsa në veriperenndim dhe në veri kufizohet me krahinën malazeze të Cërrnicës. Shih hartën regjionale. Këta janë, në vija të trasha, kufizimet gjeografikë.
Në të vërtetë, lidhur me emërtimin e territorit në fjalë, siç ndodh pothuaj me të gjitha njësitë etnokulturore, kur ato merren në studim, nuk është lehtë të jesh i prerë. Por pas shumë, do të thosha, peripecish që i dalin studiuesit, ai më në fund është i detyruar të marrë një vendim. Unë jam mbështetur në këta kritere: Në veshjen e gravet shestanesha, në Vallen tonё karakteristike, e cila është ruajtur deri vonë e ruhet ende here-herë në formën më autentike e që quhet Vallja e Shestanit, si dhe në shtrirjen aktuale në këtë zonё të fesë katolike, ndonëse këtu janë të përfaqësuara prej shekujsh të tria fetë. Mbështetur, pra, në këta kritere, unë kam përfshirë nën emërtimin Shestan territorin nga Bujgri deri në Thtjan. Këtu, pra, nën emërtimin Shestan, unë kam përfshirë dhe i kam bërë objekt studimi, sa kam mundur, këta katunde: Bujgёr, Nёnmăl, Pēcănj, Gjŭrăç, Mărŭçĭq, Dedănj, Lŭkĭq, Bårllânj, Gurrz, Mŭrĭq ĭ Poshtёr, Bĕs, Mŭrĭq ĭ Sipёrm, Rjĕps, Pĭnç, Băbsŭl, Ljarĕ, Dŏbrĕc, Brĭsk ĭ Poshtёr, Brĭsk ĭ Sipёrm dhe Thtjăn.
Megjithёkёtё, nuk duhet të harrojmë që në mjaft autorë, por edhe sipas historisё sё administratavet, qё janё vendosur kёtu nё kohё tё ndryshme, si dhe sipas vazhdimёsisё sё terrenit buzё Liqenit tё Shkodrёs, ose edhe sipas vleravet etnokulturore, Shestani ka qenё pёrfshirё, e ndodh qё pёrfshihet edhe tash, edhe nёn nocionin Kränjё, duke bёrё nё kёtё rast njё ndarje tё pёrafёrt me kёtё qё kam aplikuar unё: Nёn emёrtimin Ana e Sipёrme (e Kränjёs) kuptohet Shestani, dhe nёn emёrtimin Ana e Poshtme ose Kränja e Madhe kuptohet pjesa tjetёr e regjionit tonё, nga Blaca deri nё Zogaj. Por, pёr hollёsira lidhur me kёtё problem mund tё flitet nё kёtё libёr edhe mё vonё sipas rastit që do të na paraqitet. Tash është me rëndësi të dimё që në këtë libër, nën emërtimin Shĕstăn, do të bëhet fjalë për këta 20 katunde, ose vendbanime që i përmenda më lart. Kam mbledhur në këtë trevë afër 2 000 toponime e mikrotoponome dhe do të filloj pikërisht me shqyrtimin e kësaj lënde kaq të rëndësishme në karakterizimin e një vendi.

Emërtimet dhe shifrat
Shestani ka një sipërfaqe, të llogaritur me përafërsi, rreth 100 km katrorë. Bregu i Liqenit të Shkodrës, ajo pjesë që i takon Shestanit, është nja 9 km. Kurse në jugperendim, në kufi me rrethinën e Tivarit, janë nja 13 a 14 km kreshtë karakteristike shkëbore, me forma të thepisura, shpeshherë krejt vertikale dhe që arrijnë thellësi, në krahun e Tivarit, deri në 100 m e më shumë. Midis këtyre dy vijavet, të Liqenit nga njera anë dhe të kreshtave të rrëpirta nga ana tjetër, shtrihen, me gjerësi 6 deri 7 km, male, kodra, brigje e brinja, qafa, gropa, sheshe e fshatra…Dhe ky është Shestani ynë, vendi nga e kanë prejardhjen të gjithë ata që e quajnë veten shestanas dhe që sot jetojnë gjithandej nëpër botë. Kur ecën nëpër këtë terren, i shoqëruar nga ndonjë njeri që është rritur këtu, ke përshtypjen se nuk ka pëllëmbë toke e pëllëmbë guri pa një emër. E kjo duket se është edhe krenaria e shestanasit. Në qoftë se ka vite që është larguar këndej, ai njeri gjithë rrugës do të shkojë duke tё përmendur pikërisht emrat e vendevet. Në këtë mënyrë duket se edhe zgjon kujtimet e shumtë, edhe kërkon të shmallet me vendin që e ka lënë përgjithmonë.
Unë e thash që i kam mbledhur afro 2 000 të tillë emra vendesh, por kam bindjen që, në ato 100 km katrorë, janë lënë pa mbledhur mbase edhe dy herë aq. Duke lexuar këta emra, ata që kanë jetuar atje, do të përjetojnë emocione, ndërsa ata shestanas që nuk kanë qenë asnjëherë në Shestan, do të mund të krijojnë një përfytyrim, se si duket, ç`pamje ka, vendi i tyre dhe vendi i të parëve të tyre.
Në 117 raste do të përdoret fjala majë, me kuptimin majë bregu, majë kodre, majë mali. Kjo do të thotë që në këtë hapësirë ka të paktën 117 brigje, kodra e male. Është një numër vërtet i madh. Na del para syshё një terren gjithë rrudha… Në 104 raste do të përdoret fjala gropё. Gropat janë pjesë të ulura të reliefit, thellina të rrethuara nga të katër anët me forma të ngritura. Është lehtësisht e kuptueshme që këta formacione kanë origjinë akullnajore. Fundet e këtyre gropavet, ose punohen si tokë bujqësore, ose lihen djerr dhe përgjithësisht janë të mbushura me fier. Janë pra 104, që do të thotë, në çdo kilometёr katror ka të paktën një grop ë të atillë. Por lexuesi duhet të jetë i bindur që në Shestan ka trefish më shumë gropa të atilla, emrat e të cilavet unë, fatkeqësisht, siç e thashё, s`kam arritur t`i shënoj. Pjesët e tokës që janë të rrethuara zakonisht nga 3 anë me formacione të ngritur, kurse në njerën anë vazhdimi i tyre është me zbritje, quhen podă. Edhe këta, ose punohen, ose përdoren për kullosa. Janë sheshe zakonisht të vegjël, në pjerrësira të lugëta kodrash apo malesh. Unë i kam shënuar 22 toponime me emrin pǒd. Veç podit, ka edhe emërtime me fjalën lâmë. Fjala lâmë përdoret në dy kuptime: Lamë ku mblidhen dhe shihen të lashtat, gruri dhe thekra, dhe lamё e ngjashme me podin, pra, një fragment tarrace, një shesh në një brinjë, por më i hapur se podi. Me emrin lâmё, në të dy kuptimet, kam shënuar 59 toponime. Eshtë e sigurtë që kanë mbetur pa u shkruar edhe nja 200. Midis pjesëvet të ulura, të thelluara, ka qafa. Qafat ndajnë 2 thellina dhe lidhin 2 kodra ose male. Por mund të thuhet edhe e kundërta: Lidhin 2 terrene të thelluar, dhe zakonisht andej kalojnë rrugët. E unë kam shënuar 29 toponime me fjalën rrugë. Me fjalën qafë kemi 63 toponime. Një thellim midis 2 brinjavet ose midis 2 kurrizevet, quhet lǔg. Këtu kemi 25 emra vendesh me fjalën lǔg. Me fjalën breg kemi 37 raste, me fjalën kodër janë shënuar 9. Një vend i ngritur, por më i vogël se bregu, quhet çŏg. Me këtë emërtim interesant kemi 6 toponime. Brinjë quhet faqja e pjerrët e një mali apo kodre. Me këtë term janë 21 toponime. Në Shestan nuk ka fusha. Megjithëkëtë, një hapësirë e sheshtë, qoftë edhe dy a trehektarëshe, këtu është quajtur fushë. Me këtë fjalë i kemi nja 11 raste. Ndërkaq, hapësira më të vogla, ose pjesë të atyre “fushavet”, që u takojnë personavet të veçantë, quhen, si kudo në Shqipëri, ara. Me emrin arë kam 34 raste, një përqindje kjo shumë e vogël, në krahasim me sa ekzistojnë në terren. Njësi toke më e vogël se ara është kopshti. Me këtë fjalë do të gjejmë këtu nja 11 toponime. Sigurisht, edhe këta janë shumë më pak se sa ekzistojnë në terren. Kalimet më të rëndësishëm, ata midis malevet, atje ku përfundon një ngjitje dhe pastaj vazhdohet ecja në terren pak a shumë të rrafshët, quhen shkallë. Me fjalën shkallë janë nja 5 toponime. Ёshtë e pritshme që në një trevë të këtillë të ketë shumë gurë e të kenë edhe këta emrat e vet. Emra gurësh kam shënuar nja 18. Ndërkaq shkâmi është më i madh se guri, ndonëse as kur flasim për gurë, nuk mendohet për gurë të lëvizshëm, por për gurë që qëndrojnë në vend. Me shkâm kemi 9 emra. Por ka edhe rrasa, d.m.th., shkëbenj ose gurë me sipërfaqe pak a shumë të sheshtë. Të këtillë toponime kemi 28. Gjâmën në Shestan quhet njё lloj strehe shkёmbore. Aty zakonisht mbrohen barinjtë nga shiu. Nganjeherë gjâmnat janё formacione mjaft interesantё dhe mund tё ndodhё që aty tё ketё pasur edhe vendbanime njerëzish të stërlashtë. Fjala gjâmën duket se eshte e së njejtes prejardhje me fjalën jama të sllavishtes. Unё shёnova me këtë emër 7 toponime. Por një formë më e “avancuar” e gjâmnit janё ato që quhen shpella. Shpellat janё zgavrra tё mёdha 6 renda malit ose poshtë njё masivi shkëmbor. Të atilla shpella unë kam gjetur në Shestan nja 40. Disa nga këto kanë pa dyshim interes shkencor e mundet që të ketë edhe të atilla që do të tërhiqnin jo vetëm spelologët, por edhe turistët. Shestani është vend i bukur por i vështirë për të jetuar. Megjithëkëtë gjatë gjithë shekujvet këtu ka pasur banorë dhe ata i kanë lënë gjurmët e veta në ndërtimet, të cilët me plot gojёn mund tё quhen monumente të njё kulture mijёravjeçre. Ata kanë ndërtuar këtu shtëpitë dhe kasollet për vete e për bagëtitë. Me fjalёn ksollë unë kam këtu 48 toponime. Me mure guri, mure të thatë karakteristikë, shestanasit kanë rrethuar edhe pronat e veta, të cilavet u thonë rrathina. Me këtë emer kam shenuar 20 toponime, por duhet të ketë mbi 300. Konfiguracionin e terrenit, më në fund, e trgojnë edhe emërtimet që kanë të bëjnë me Liqenin. Këto janë fjalët goricë dhe vâ. Në Shestan goricё i thonё ishullit. Këtu ka 12 ishuj, pra 12 toponime me fjalën goricё. Kjo fjalë duket si huazim nga sllavishtja, ku gǒrǐcǎ do të thotë sukë, kodër e vogël. Se si ka qenë në arbёrisht kjo fjalë para se të hynte këtu pamja sllave, është vështirë të merret me mend por mund të hamendet një formë mjaft besueshme *Gurëza. Ka edhe 8 raste me fjalën vâ, që nënkupton një gji në breg të liqenit, më të madh apo më të vogël, ku zakonisht afrohen edhe lidhen ose nxirren në rânë mjetet tanë tradicionalë të lundrimit: Lundrat dhe sulat. Me emrin kishë janë shënuar 15 toponime, disa edhe atje ku sot nuk ka kisha, gjë që pa dyshim e tërheq vëmendjen e studiuesvet për të ndriçuar historinë e krishtërimit në këtë trevë të vjetër katolike. Sigurisht që nuk është pa interes që, mbi bazën e toponimevet të mund të gjykohet edhe për hidrosistemin në Shestan. Por, meqë për të gjtha këto do të flas në kapituj më vete, këtu po shënoj vetëm kaq: Ka 148 toponime me emrin ubël, 29 me emrin sarânxhë, 30 me pus, që nënkupton pus guri, 17 me fjalën lerë, 18 me kruo dhe 5 me hurllë. Janë interesantë edhe toponimet me emra drurësh. Me fjalën qarr ka 19 toponime, ndërsa me kshtenjë 10, por nё realitet mund tё jenё mbi 100. Edhe qarri, edhe gëshenja në Shestan janë në mjaft raste drurë monumentalë.
Këto ishin disa shifra, disa të dhëna kalimthi, sa për të krijuar një përfytyrim se ç`pamje gjeofizike ka krahina e Shestanit. Më të qarta do t`i kemi të dhënat kur të shqyrtojmë toponimet sipas fshatravet, një për një. Atëherë këto të dhëna do të jenë tërheqëse sidomos për vetё banorët e fshatravet, sepse ata i dinё emrat e vendevet më mirё se kushdo dhe, me këtë rast, doemos do të bëjnë edhe vërejtjet, të cilat shpresojmë të na ndihmojnë për ta plotësuar e përmirësuar këtë libër në të ardhmen. Toponimet që do të renditen poshtë, do të kenë interes të jashtzakonshëm, jo vetëm për strukturën gjeofizike e për çështje të ndryshme të historisё, por sidomos për gjuhën shqipe, pikërisht sepse këtu ruhen disa forma e mjete gjuhësorë, që kanë të bëjnë me shkallë të ndryshme e të hershme të kësaj gjuhe. Psh. këtu do të mund të studiohen me interes çështja e prapashtesavet zvogëluese – th dhe – zë, çështja e dyzanorëshit uo, prejardhja e disa fjalëve të gjuhës sonë e plot dukuri të tjera.
Për shestanasit duhet të konsiderohet nder i madh dhe meritë e madhe, qoftë edhe vetëm për këtë, që ia kanë ruajtur kulturës së vet kombëtare një mikrotoponimi kaq të pasur.
Legjenda dhe arsyetimi
Në gjuhën sllave shest do të thotë gjashtë dhe stān do të thotë banesë. Me bashkimin e këtyre dy fjalëvet, shest stanova, gjashtë banesa, shestanasvet u është dukur se e kanë gjetur mënyrën se si është krijuar emri i krahinës së tyre. Kanë sajuar edhe legjendën dhe, me kaq, mbase edhe me ndihmën e fshatarëvet fqinjë sllavë, është dukur se do t`ishte i tepërt çdo lloj arsyetimi tjetër.
Legjenda është kjo: Kan arll gjăsht vllazën pĕj Shkrelĭt. Kan dal mæ Vĭdёrjàkŭt llě ĭ kan căktùŏ vènǐn sěcìllǐt: Dedǎ n`Dèdǎnj, Lùkǎ n`Lŭkǐq, Pèrǎ n`Gùrrz, Gjùrǎ n`Gjǔrǎç, Nikǎ n`Kǎrǎnǐkǐq llĕ Lèkǎ n`Lĕkǐq. Kshtǔ kan dal gjǎsht kǎtùnět. (Tregoi Marku i Pers Markut, prej Maruçiqit.)
Mirëpo arsyetimi shkencor hedh mjaft dyshime mbi vërtetësinë (e plotë) të kësaj legjende. Dyshimi i parё bie te fjala stān. Kjo, me kuptimin që ka sot në sllavishtet jugqendrore, nuk duket fjalë aq e vjetër, sa ç`është emri i Shestanit. Shestani përmendet së paku që në fillim të shekullit 15 e ky pa dyshim është edhe më i vjetër. Kurse nocioni stān , i cili në sllavisht ka zëvendësuar fjalën kŭqă, shtëpi, në rrethanat e marrjes me qira të një hapësire banimi, është pa mëdyshje 5 shekuj më i ri. Kështu ka gjasa që edhe legjenda jonë të jetë krijuar ose të jetë modifikuar fare vonë. Po edhe në e paçin përdorur sllavët më heret fjalën stān, kjo fjalë prapë është më e vjetër në gjuhën shqipe. Sipas mendimit tim, kjo fjalë mund të zbërthehet në formantin parashtesor s-në formantin nyjor t(ё) dhe në formantin an, që do të mund të afrohej me foljen end, sajoj (diçka). Veç kësaj, nga togfjalëshi shest stanova, do t`ishte vështirë të eliminohej formanti -ova . Kështuqë toponimi i krijuar nga ai togfjalësh, nuk do të mund të merrte formën Shestani, me mbaresën e shumësit i dhe me a të shkurtuar, por do t`ish disi ndryshe. Ndoshta *shestanovi. Ndërkaq, ndonjë dijetar pjesën she e ka spjeguar me foljen shqipe shoh në vetën e tretë njëjës: (Ai) sheh. Por as ky spjegim nuk ngjan të jetë i besueshëm. Në një rast të tillë fjala stăn do të vihej në rasën kallëzore, sheh stanin, dhe edhe kjo, ashtu si shest stanova, do të nxirte diçka krejt tjetër. Një argument tjetër që legjendën e nxjerr të kundërshtueshme, është edhe emri i katunndit Karanikiq. Ky katund , thuhet në legjendë, e ka marrë emrin prej njerit nga djemtë shaljanë, që thirrej Nikë, duke i vënë turqit përpara nofkën kara, i zi, e sllavët nga prapa prapashtesën –iq. Sigurisht, kjo kështu ka ndodhur, por më vonë, sepse ne e dimё që turqit janë instaluar këtu me pushtet në vitin 1479. Dmth. më se 70 vjet mbasi emri i Shestanit jo vetëm ekzistonte, por ky përdorej edhe si llagap nga ata banorë që shpërnguleshin prej këndej, si Pjetër Shestani apo Bogdan Shestani, nё vitet 1405 dhe 1417.
Përfundimisht, nëse ka ekzistuar në arbërishten parashqipe fjala shesh, me kuptimin rrafsh, se për fjalën stan thuajse nuk dyshohet që është e burimit vendës, atëherë toponimi Shestan s`është tjetër, veçse një kompozitë: Sheshstan, Sheshstani, me kuptimin SHESHI i STANIT, sheshi ku është vendosur, ku është ndërtuar një stan. Sh-ja para s-së ka rënë, për të lehtësuar shqiptimin. Pas kësaj, mund të merret me mend që, rreth një stani të vetëm, të ngritur fillimisht, më vonë mund të jenë ndërtuar edhe kasolle të tjera dhe Shestani të jetë shndërruar gradualisht në katund. Prej tij me kohë ka marrë emrin e gjithë krahina. Gjithë krahina e ka marrë emrin, për shkak se ky katund, në rrethana të caktuara, e unë mendoj së paku në kohën e Balshajvet ose edhe më heret, ky katund ka shërbyer si qendër e qëndrimit të sundimtarit krahinor ose administratorit të kryesundimtarit të vendit. Dihet që, kur është një fshat qendër e një krahine, atëherë ajo krahinë mund të marrë emrin e asaj qendre. Mbetet enigmë vetëm kjo: Ku ka qenë i vendosur një fshat me këtë emër? Pse nuk kemi edhe sot një lokalitet të tillë të ngushtë me emrin Shestan? Edhe këtu, pa dyshim, ka punuar historia. Me prishjet, me shuarjet, me shpërnguljet… Unë për vete jam mjaftësisht i bindur për variantin *sheshi i stanit, Sheshstani e pёrfundimisht Shestani, etimologji që, me mjetet e gjuhës shqipe, besoj e hedh poshtë çdo variant të spjegimit me anë të sllvishtes. Për të mbështetur këtë ide, po sjell këtu edhe një shembull krahasues. Në krahinën e Kuçit, në Malin e ZI të sotmin, është një toponim Shishtan, për mendimin tim, me të njëjtën etimologji: *Shesh stan. Është për t`u vënë në dukje se pikërisht aty ku ndodhet ai Shishtani, ka një mori kasollesh, stane për bagëtitë, dhe në afërsi të atyre kasollevet unë kam parё edhe të paktën nja 5 toponime shqip. (Krs. M. Milanov, v.4, hartë në fund të librit.)
Ndërkaq, nuk ka pse tё përjashtohet mundësia që në këtë trevë të kenë ardhur edhe shaljanë nga Shala, ashtu siç kanë ardhur edhe nga të tjerë vise dhe siç kanë shkuar edhe shestanasit në vise të tjerë. Nuk përjashtohet mundësia që, duke marrë parasysh që një pjesë e legjendës mund të ketë bazë historike, katundin Shestan ta kenë ndёrtuar pikërisht të ardhurit dhe emrin ta ketë marrë krahina po prej gojës së tyre, por jo me pagëzimin shest stanova. Legjenda i ka edhe nja dy pjesë të tjera, por ato s`kanë të bëjnë me emrin Shestan, prandaj edhe nuk po i shënoj këtu. (Kr. Rev. „Buzuku” nr.4, fq. 11)
Shestani si krahinë, në kuptimin e ngushtë të këtij emri, nuk i përfshin as Pinçin, as Rjepsin, as 2 Muriqat dhe as fshatrat e tjerë mbas tyre. Shestani, në kuptimin e ngushtë të këtij emri, ndahet në Shestanin e Sipërm ose Shestanin e Sirm, ose Mimalin, me katundet: Mariçiq ose Rud, Dedanj, Barllanj, Gurrz, Lukiq, dhe në Shestanin e Poshtër ose Nënmalin, me katundet: Bujgër, Nënmal ose Karanikiq, Pecanj dhe Gjuraç. Ky është Shestani i mirëfilltë. Unë, siç kam thënë, kam përfshirë nën emrin Shestan, për shkak të veshjes shestanase, fesë katolike, Valles së Shestanit dhe për mjaft arsye të tjera, edhe fshatrat që shtrihen midis Kränjës, të themi, të mirëfilltë, dhe Shestanit të mirëfilltë: Thtjanin, 2 Briskët, Dobrecin, Ljaren, Besin, 2 Muriqat, Pinçin dhe Rjepsin. Këta shpeshherë kanë pasur si qendër Ljaren. Prandaj në literaturё mund të hasim edhe emërtimin Shestan e Ljare.
Sidoqoftë, edhe nëse unë po e përdor termin Shestan të zgjeruar në këtë mënyrë, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen do të procedohet doemos kështu siç po procedoj unë.
Madje, me sa po duket, tani ndër ne nuk po shuhet vetëm një katund si dikur, por krejt krahina po vdes dhe po mbeten nga pak gjallë vetëm 2 Muriqat, Ljarja dhe Thtjani. Kështu që, më së shumti për faj të vetë ne shestanasvet, ka të ngjarë që edhe emri Shestan, as në kuptimin e ngushtë të tijin, të mos mund të pëdoret më në të ardhmen, veçse si diçka që ka ekzistuar dikur.
Leximi i shkronjavet
ă – A e shkurtër
a – A e mesme
ā – A e gjatë
â – A hundore e shkurtër
ä – A hundore e mesme
ã – A hundore e gjatë
å – A buzore
æ – A dhe E të shkrira
ĕ – E e shkurtër
e – E e mesme
ē – E e gjatë
ë – Ë
ĩ – I e shkurtër
i – I e mesme
ī – I e gjatë
ŏ – O e shkurtër
O – O e mesme
ō – O e gjatë
œ – O dhe E, të shkrir
ŭ – U e shkurtër
u – U e mesme
ū – U e gjatë
Ў – Y e shkurtër
y – Y e mesme
Ῡ – Y e gjatë
ị – Gjysëm zanore (I – J)
ŋ – NG, të shkrira

(Kapitulli I, i shkëputur nga libri “SHESTANI” – Studim filologjik gjithëpërfshirës” i autorit Gjokë Dabaj, faqe 47 – 56)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura