Kumanovë, 18. 12. 2013 – Fëmijët janë jeta, ardhmëria, krenaria dhe brezi vijues i atdheut. – Hysen Sh. Duraku) – Secila brengë e ka rëndësinë e saj. Secili njeri i shtrirë në spital vuan prej ndonjë sëmundje, pavarësisht se dikush mund të jetë në zgrip të vdekjes dhe dikush tjetër buzë lirimit për në shtëpi. Vetëm kur marrim dhe i krahasojmë disa shqetësime me disa të tjera, rëndom njëri shqetësim fillon të venitet krahas tjetrit edhe pse vetitë shqetësuese as njërit dhe as tjetrit nuk i humbin prore. Natyrisht, nëse njeriu ka me bollëk ushqim, ai do të jetë i prirë për cilësi në ushqim. Ndërsa, nëse do t’i mungonte ushqimi, atij nuk do t’i interesonte shija dhe cilësia, por mundësia e gjetjes së ndonjë cope bukë. Jo rastësisht qershia i vendoset tortës në fund dhe mbi tortë. Çka nëse do të mungonte vetë tortja, vallë a do ta përbuznim dhe a do t’i jepnim rol simbolik qershisë? Padyshim se jo! Duhet ditur se në këtë rast qershia për dikë shikohet si ushqim themelor dhe për dikë tjetër si simbol që tregon një luks të veçant. A do të mund që njeriu të brengoset aq shumë për lirinë e shprehjes, nëse barku do t’i fishkëllente prej mungesës së ushqimit themeltar? A do të mund të krenoheshim me përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet institucionale, nëse gjuha jonë do të ishte e përmalluar për shijimin e bukës me kripë dhe për shijimin e ndonjë ëmbëlsire të blerë lirë? Mund t’i rrëfeni dikujt për krenarinë tonë historike, teksa ai të ngujuar në shtëpi i ka tre djemë të diplomuar, por të punësuar asgjëkundi?
Fundja çfarë kuptimi do të kishte mbërthimi i Shkupit këto ditë prej forcave të shumta të njësisë speciale dhe pastaj prej të tërbuarve për të thyer Car Dushanin, derisa po në këtë Shkup të shkallmuar rëndë prej krekosjes së thatë historike, sheh atë që më së paku do ta dëshirosh ta shihje; “Nëna me fëmijë nëntëmuajsh në krahë duke kërkuar lëmoshë për vete dhe për voglushët e saja”. Fatkeqësisht, nënat e pafajshme, me vetëdije dhe prej të keqes gjithëpërfshirëse i keqpërdorin edhe manarët e tyre, ata që edhe gruan më kriminele në botë, do ta bënin të ketë mëshirë ndaj tyre. Këta të vegjël t’i kujtojnë fëmijët tanë, të cilët për më të voglën arsye ia japin vajit, edhe pse rriten nëpër shtretër të butë e pranë gjinjve të ngrohtë me qumësht rrëshirë. Fëmijët e ëmbël edhe pse nuk dinë të flasin, ata dinë thellë të turpërojnë. Shprehur alegorikisht, kata janë armatura e shoqërisë dhe pushtetarët do të duhej të ishin të paktën mjeshtër të zellshëm, që do ta vendosnin me kujdes këtë tufë armaturash në ngrehinën e këtij shteti. Ndërsa ky shtet shihet se ende krenohet me kullën prej rëre! Ndërsa në nenin 10 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë lexojmë se “jeta e njeriut është e pacenueshme”. Po ashtu në nenin 11 lexojmë se “integriteti fizik dhe moral i njeriut janë të pacenueshëm. Ndalohet çdo formë e torturës, sjelljes dhe e dënimit çnjerëzor dhe poshtërues. Ndalohet puna me detyrim”. Përkundër këtij vezullimi kushtetutar, sërish nëpër oborre të Xhamive e nëpër trotuare të ndryshme, praktikisht qytetari sheh seç cenohet jeta e njerit, aq më keq e një të mituri dhe seç vihen në punë fëmijët si vegël për të arkëtuar para më shumë, ngase secili kalimtar sado të jetë zemërgur, natyrisht se do t’i dhimbsen shumë fëmijët, të cilët kërkojnë lëmoshë përmes nënave të tyre dhe anasjelltas. Këto nëna shihet se burri dhe shteti i paskan braktisur, pikërisht ata që duhet përkujdesur me dinjitet për këtë krijesë të përzgjedhur për respekt dhe dashuri prej Krijuesit të botëve!
Ditë e premte. Shkoj si zakonisht për t’u falur në namazin e xhumasë. Mundohem të jem i përpikët në dëgjimin e ligjëratës dhe në namaz. Zoti e di më së miri se sa mbërrij ta dëshmoj këtë pohim! Kryhet hutbja dhe namazi i xhumasë. Dal prej Xhamisë i mbushur me iman e me shpresë për pastrim mëkatesh. Sakaq, kjo brufullimë besimore më shfryhet qysh në oborrin e Xhamisë, kur shoh në këtë acar nëna me fëmijë të mërdhirë, me qurra të ngrirë e me lot të tharë, të cilët mezi i mbajnë në krah prej të ftohtit dhe nga lodhja e bredhjes përgjatë tërë ditës. Dikush thotë se ky karvan është një krim ekonomik me paramendim, ku një tregtar kriminel i merr disa nëna me fëmijët e tyre, i hedh në rrugë e nëpër ato vende ku mëshira gëlon më lehtë dhe në fund të ditës ia jep një mëditje kësaj të gjore, teksa shumën e grumbulluar e merr për vete ai që nuk shihet, mbase ai që ditën shëtit kafeneve me kollare e me kostum të shtrenjtë. Kjo nuk është e vërtetuar, ndaj mendoj se nuk ia vlen të merrem me këtë çështje, mbase mua më intereson si publicistë e si qytetar që prekem shumë prej kësaj panorame, ajo që shihet dhe jo ajo që gjoja qenka e shtrirë në prapavijë. Fundja edhe nëse kjo është e vërtetë, sërish kemi të bëjmë me një veprim tejet shqetësues! Mbase nuk më intereson fare as përkatësia e tyre fetare e kombëtare, këta janë fëmijë, ashtu sikurse fëmijët tanë. Prekem shumë, mbase nevrikosem edhe me hoxhën që të paktën njëherë nuk e pa të arsyeshme ta qëmton konkretisht edhe këtë mjerim të prekshëm e të afërt për nga veprimi dhe ndjenjat. Shoh njerëz duke i ndihmuar me nga 20 e 50 denar, njëkohësisht dëgjoj rrebeshin e lutjeve për mirësi që shqiptohet prej atyre nënave me zëra të ngjira e të sprovuara rëndë. Kjo ndihmë më duket sikurse t’i japësh të eturit ujë vetëm duke e spërkatur për qark gojës dhe në anën tjetër të krenohesh ndaj të eturit për shuarjen e etjes! Shoh edhe njerëz që kanë vende të larta nëpër ministri gjegjëse, të cilët janë fajtor kryesor të kësaj panorame të grisur. Jo rastësisht një dijetar islam thotë se nëse e shihni në një vend të paktën një të varfër duke kërkuar lëmoshë, dijeni se ky lypës është tregues dhe argument për një pushtetar vjedhës e të korruptuar. Një me një pra kësaj pune i thonë dhe ju mund ta përfytyroni se sa njerëz me varfëri të skajshme dhe që kërkojnë lëmoshë gjenden në Maqedoni dhe në anën tjetër sa pushtetar i bie të jenë zhvatës, babëzi dhe të korruptuar? Të buzëqeshur këta dhe të gjithë ne, fatzezësisht ecim lirshëm mespërmes këtyre të ngrirëve, të cilët akullin në qurra dhe në jargë e kanë vërë në shkëmbim të një kafshate goje ose edhe të një manipulimi që nuk shihet. Thuajse mëshira e atyre që posa e falën namazin e xhumasë ia paska mbathur për në eter!
Me të kthyer prej Xhamisë dhe prej asaj panorame që të prekë thellë në shpirt, me vrik ia filloj shfletimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, pastaj ligjeve për familjen, konventave për këtë çështje dhe padyshim meqë nuk jam jurist, këshillohem edhe prej juristëve për punën e të drejtave të fëmijëve. Unë edhe pse nuk i dija përmendsh, unë isha i sigurt se ky shtet, sikurse çdo shtet qoftë edhe ai gjakatar për qytetarët e vet, të paktën në letrën e bardhë nuk e ka lënë këtë kategori jashtë përkujdesjes institucionale. Ja për shembull: “Qytetarët kanë të drejtë në siguri sociale dhe sigurim social të përcaktuara me ligj dhe me marrëveshje kolektive (neni 34)”. “Republika i siguron kujdes dhe mbrojtje të veçantë familjes. Marrëdhëniet juridike në martesë, familje dhe bashkësinë jashtëmartesore rregullohen me ligj. Prindërit kanë të drejtë dhe detyrë që të kujdesen për mbajtjen dhe edukimin e fëmijëve. Fëmijët e kanë për detyrë që të kujdesen për prindërit e moshuar dhe të pamundur. Republika u siguron mbrojtje të veçantë fëmijëve pa prindër dhe fëmijëve pa kujdes prindëror (neni 40)”. “Republika veçanërisht i mbron amësinë, fëmijët dhe personat e mitur. Personi më i ri se 15 vjeç nuk mund të punësohet. Personat e mitur dhe nënat kanë të drejtë në mbrojtje të veçantë gjatë punës. Personat e mitur nuk guxojnë të punësohen në vendet e punës, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe moralin e tyre (neni 42)”. Pastaj lexoj se “deputetët në Kuvendin e Maqedonisë në kuadër të seancës së 121-të e mbështetën ligjin për ratifikim të Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtje të fëmijëve nga eksploatimi dhe keqpërdorimi seksual. Për ratifikim ishin shumica qeveritare dhe opozita”. Ndërsa fjala eksploatim ja se si shpjegohet në fjalorin anglisht të Oksfordit: “The action or fact of treating someone unfairly in order to benefit from their work: the exploitation of migrant workers” (veprim ose të trajtuarit dikë në mënyrë jo të drejtë, në mënyrë që të përfitojnë nga puna ose shërbimi i tyre: eksploatim i punëtorëve migrantë). Madje lexojmë se qeveria paska propozuar ndryshime të Kodit Penal dhe Ligjit për Familjen, ku mes tjerash ministri i Çështjeve Sociale Dime Spasov kështu shprehet: “Për neglizhencën ose ofendimin e fëmijës, shkalla e dënimeve sillet nga 1 deri 10 vjet. Nëse fëmijës i jepen droga, ose substanca psikotropike gjatë veprës penale, dënimi minimal do të jetë 8 vjet”. Ndërsa qeveria njofton se “prindërit që neglizhojnë, nënçmojnë, ose detyrojnë fëmijët e tyre të kërkojnë lëmoshë rrugëve, do të përballen me dënime deri në dhjetë vjet burg”. Kësisoj, lexojmë se sipas shënimeve të Ministrisë së Çështjeve Sociale, më shumë se 1 mijë fëmijë detyrohen të kërkojnë lëmoshë në Maqedoni për çdo ditë. Tani mbështetur në nenet, ligjet, konventat, shpjegimet prej fjalorit dhe paraqitjen e qeverisë rreth kësaj problematike, del të jetë turpi edhe më i madh, ngase të harxhohen aq shumë vite, të flitet, të shkruhet e të konstatohet zyrarisht për praninë e këtij mjerimi, madje edhe të parashihen dënime të rënda ligjore dhe në anën tjetër për çdo ditë edhe në sytë e zyrtareve të gëlon gjithnjë e më shumë ky shqetësim, kjo njëmend flet për një koprraci, përtaci dhe hipokrizi të pashoq që davaritet prej këtij shteti që është i ngulfatur me shumësi ligjesh, nenesh, konventash, rregulloresh e paraqitjesh zyrtare, por të cilat shihen të jenë si trupi pa shpirt, ose si varri pa të vdekur!
Kësodore, mendojmë se brenga për këtë kategori shoqërore shumë të ndjeshme, nuk duhet të përfundojë me një përsiatje publicistike, apo duke i ndihmuar për çdo të premte me nga 20 denar, ngaqë këto ndihma vetëm sa e zvarrisin mjerimin e tyre, derisa me ngulm nuk kërkohet ndonjë përkujdesjeje të pakompromis institucionale. Kjo punë sa ora duhet (mund) të zgjidhet dhe prerazi, duke i siguruar përkujdesje sociale nënave dhe fëmijëve, të paktën të kenë një strehë mbi kokë dhe një bukë për ta ngopur atë bark të thatë, që shpesh i fryhet edhe prej urisë, teksa fëmijët e pushtetarëve dhe e të pasurve këtë fryerje prej tejngopësisë mundohet ta shfryejnë duke e derdhur ushqimin në koshin e plehrave. Qeveria vetëm sikur pak të kishte mend dhe ndërgjegje do ta zgjidhte këtë punë lehtë, ngase tani me paraqitjen e projektit “Shkupi 2014” dhe me disa shpenzime që bëhet në rast gazmendesh u pa se nuk qenka edhe aq i varfër buxheti i shtetit. Vetëm për këtë projekt mësohet të jenë harxhuar 500 milion euro dhe vetëm për mirëmbajtjen e këtij projekti që nuk sjellë asnjë të ardhur që do t’ia vlente të përmendet, qeveria harxhon për çdo vit nga 225 mijë euro dhe jo vetëm të propozohen dhe të miratohen një mal rregullash e denimesh për këtë kategori, ndërsa në anën tjetër të mos veprohet asgjë për këtë kategori të shoqërisë sonë. Me të drejtë do të shprehej edhe Tacidi se “më së shumti ka ligje në shtetin e korruptuar”, ose në një rast tjetër thotë se “sa më i dobët të jetë shteti aq më shumë ligje do të ketë”, madje Sojme thotë se “shteti duhet të kujdeset për të varfërit, të pasurit kujdesen për vetveten”! Derisa në shtetin tonë shohim se pushtetarët dhe jo shteti pasurohen përmes bashkëpunimit me të pasurit, të pasur këta që janë bërë të tillë duke shkelur çdo ligj e çdo parim njerëzor, njëherësh duke mos u dënuar, të paktën derisa të gjendet në pushtet partia bashkëpunëtore në mbushjen e thesit të përbashkët me para.