XHEVAT BISLIMI: BISEDIMET (S)MUND T’I PËRFORCOJNË POZITAT E SERBISË NË KOSOVË

(Viti, 24. 10. 2012) – Në qiellin e Kosovës shqiptare si një re po rrinë pezull dy fjalët më të përdorura e të përfolura pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së dhe kombit shqiptar për Kosovën: dialog, bisedime! Për pjesën më të madhe të politikanëve shqiptarë dhe të mediave të shkruara dhe elektronike kjo re në qiellin e Kosovës është e bardhë, kurse për pjesën tjetër ajo është e zezë dhe e zymtë për Kosovën tonë dhe për të ardhmen e kombit shqiptar në Iliri (Ballkan). “Shumica”, e prodhuar dhe formësuar (korruptuar) në “grazhdin” e përfitimeve të mëdha që sjell “politika” dhe pushteti në vendet dhe shoqëritë si kjo e jona – hallakamë – shtrëngimin e duarve midis Kryeministrit shqiptar, Thaçi, dhe ati serb, Daçiç, e pritën dhe e shoqëruan me ngritje dollish, me fërkim duarsh dhe me gojën vesh më vesh (çorapë). Ndërsa, “pakica”, e prodhuar nga përpjekjet dhe lufta për liri, e “prodhuar” dhe “kalitur” nga dhuna, burgosjet, torturat, terrori, dëbimi – shpërngulja masive dhe gjenocidi serb në tokat e pushtuara të Shqipërisë këtë shtrëngim duarsh e priti dhe përjetoi me dyshimin, dhimbjen dhe bindjen (sipas tyre të bazuar) që Kosovës dhe çështjes shqiptare, akoma të pazgjidhur, po i heqet edhe një dredhë e mirë. Ç’është e vërteta me “shumicën” kanë shkuar (për arsye të ndryshme, kryesisht përfitime) edhe një pjesë e atyre që në kohën e diktaturës, dhunës, terrorit dhe gjenocidit jugosllavo-serb ishin me “pakicën”!

…………………………………………..

Pa koment! Një foto flet sa 10 000 fjalë!

Një ngushëllim për ngazëllyesit’fërkimduarshit dhe dhembje’dëshpruesit e idhujve të tyre Ibrahim Rugova&Hashim Thaçi!

……………………………………………

Pse u ngazëllyen “shumica” me këtë “pajtim”- shtrëngim duarsh?
Pajtimi, bisedimet, marrëveshja, mirëkuptimi, bashkëpunimi, komunikimi… janë në natyrën e njeriut, janë vetë natyra e njeriut, dhe sidomos të njeriut që është më i dobët. Njerëzit, (kudo në botë), përjashto qarqet e ndryshme përfituese dhe shtetet, nuk e duan luftën. Shqiptarët historikisht, të ndodhur nën trysninë e popujve më të mëdhenj në numër, më të fuqishëm dhe nën trysnin e invazionit dhe barbarisë së tyre janë detyruar të bëjnë qëndresë duke u tërhequr vazhdimisht nga hapësira e tyre gjeografike, kulturore dhe historike, duke lëshuar toka, duke shpresuar dhe duke u përpjekur me shpirt ndër dhëmbë të mbijetojnë në një qoshe të Ilirisë (Ballkanit). Ky raport i pafavorshëm (për ne) me armiqtë tanë është edhe sot, edhe për fajin tonë, të klasës politike në Tiranë dhe Prishtinë. Pastaj, trysnia që gjithmonë të fuqishmit bëjnë te pala më e dobët për t’u pajtuar dhe lëshuar pe, frika nga humbja e pasurive, pushtetit dhe privilegjeve të fituara shpeshherë dyshimshëm, etj., etj.
Pse “pakica” dyshon se nga këto bisedime do të përfitoj Serbia?
Tërheqja dhe rrudhja e vazhdueshme e dëshirave, kërkesave dhe pretendimeve shqiptare përballë dhe në marrëdhënie me pushtuesit e tokave tona, në këtë rast me Serbinë, në një masë të madhe u jep të drejtë atyre që dyshojnë dhe besojnë se lëshime (koncesione) të reja do t’i kërkohen Kosovës, lëshime që do të përforcojnë pozitat e Serbisë në Kosovë.
Në fillim të Luftës ushatri i UÇK-së, komandantët dhe drejtuesit e saj politikë betoheshin për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Më vonë ky betim u kufizua (ndoshta pse s’kishim fuqi më shumë) në betim për çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një shteti të dytë shqiptar në Iliri-Ballkan. Bisedimet në Rambuje e vunë në pikëpyetje të madhe edhe shtetin e dytë shqiptar! Klasa e atëherëshme politike-çlirimtare u pajtua për një Kosovë pa formë dhe përmbajtje të qartë, për një Kosovë ashtu-kështu! Menjëherë pas Luftës dhe për disa vite me radhë shqiptarët (politikanët-paria e tyre) bënin be e rrufe se nuk do të bisedonin kurrë më me Serbinë, se me Serbinë mund të bisedohet vetëm për përcaktimin e kufijve, etj., etj.. Por, nuk shkonin më tej, nuk bënin pothuajse asgjë për ta bërë këtë shtet, të paktën në kufijtë e asaj që kishte lënë Jugosllavia e Titos pas copëtimit të tokës së pushtuar shqiptare. Angazhimi kryesor, parësor i klasës politike ishte mundja e njëri-tjetrit, zvarritja pas UNMIK-ut dhe zyrave të huaja, gara për atë se kush do të pëlqehet më shumë nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Kosovë!
Bisedimet ose çështjen e statusit të Kosovës e hapën ngjarjet e pranverës së vitit 2004, jo klasa politike dhe “institucionale”! Dhe çfarë doli, ose çfarë prodhuan bisedimet e Vjenës? Një PLAN të Ahtisarit për një Kosovë të pavarur formalisht, por me ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave të Serbisë në një shkallë bukur kërcënuese dhe sfiduese për organizimin dhe funksionimin e një sistemi politik unik, të vetëm. Shtetit të Kosovës iu vunë kufizime të rënda për të qenë vërtetë i pavarur në marrëdhëniet e tij me Serbinë dhe me shtetet tjera në botë. Serbia deri në një farë shkalle u bë ortake në Kosovë! Megjithatë, entuziazmi i klasës politike dhe i disa mediave të tyre servile dhe hipokrite sa s’ka më ishte i paparë! U shpallë edhe pavarësia e shumëpritur. U miratua kushtetuta e Kosovës (ajo ditë u bë edhe festë shtetërore!). Nisi, po me atë entuziazëm, po me ato garanci edhe zbatimi i planit të Atisarit, por nisi mbrapshtë! Zbatimi i atij plani edhe ashtu i dëmshëm për Kosovën nuk nisi në Veri, aty ku ishte PROBLEMI, por nisi në Anamoravë, nisi në Viti!! Edhe për krijimin e këtyre komunave dhe zonave të mbrojtura “serbe” pati shtrëngim duarsh, ngritje dollish dhe ngazëllim!!
Nuk mungoi as entuziazmi dhe garancitë e miqve tanë për zbatimin e plotë të këtij plani! Çfarë ndodhi e pamë tanë! Ky plan nuk u zbatua në Veri, atje ku duhej! Iku edhe mbikëqyrja ndërkombëtare. Iku, nuk e hoqëm ne! Gëzim i madh midis pushtetarëve dhe “opozitës”! Shtrëngim duarsh, puthje e përqafime (gati të nxehta) dhe ngritje dollish në darkën ku nuk munguan as fjalimet patetike (fëminore) dhe garancitë tashmë me inflacion të lartë! MBIKËQYRJA iku, por na e la pataten e nxehtë në dorë (kopilin te dera), na e la Veriun! Kjo është çështje e juaja, thanë ata duke ikur! Madje edhe ata që mbetën – “ndërkombëtarët” (sipas marrëveshjeve) po thonë se Veriu është çështje politike!! Prishtina (kështu thonë ata zakonisht) nuk mund ta shtrij autoritetin e saj në Veri pa vullnetin dhe “pëlqimin” e serbëve lokalë!! Për të njëjtën çështje “ndërkombëtarët” po matin me dy kute! Shqiptarët e Kosovës Lindore bënë edhe luftë të armatosur për të demonstruar vullnetin e tyre për çlirim nga Serbia dhe për liritë dhe të drejtat e tyre, por askush nuk po i përmend!! Sapo i ulën armët u harruan! Se si do të sillej Serbia shoviniste me shqiptarët tanë po të mbushnin dhe mbyllnin rrugët me barrikada e dimë të gjithë.
Mund të radhiten shumë argumenta që u japin të drejtë atyre që dyshojnë dhe “frikësohen” nga ky shtrëngim duarsh dhe nga këto bisedime. Shto këtu edhe faktin-frikën që në Tiranë shtetin shqiptar e “sundon” Berisha!
Sot edhe në media pash që ishte “shpërdoruar” me mbështetjen “unanime” që Kryesia i paska dhënë Thaçit! E vërteta është se anëtarët e Kryesisë ishin pa përjashtim për bisedime, dialog … me cilindo vend dhe posaçërisht me Serbinë, me të cilën kemi shumë hesape të pa zgjidhura. Por, një pjesë e anëtarëve të Kryesisë e bënë të qartë se bisedime po, por pa lëshuar asnjë milimetër pe në çështjet e brendshme të Kosovës, sepse, pas “pranimit” të planit të Ahtisarit nuk mund të lëshohet më. Plani i Ahtisarit nuk ishte vetëm kompromis i dhimbshëm. Ishte më shumë se kaq. Çdo lëshim i ri, qoftë edhe më i vogli (një milimetër) e deshtetëzon dhe desovranizon Kosovën dhe mund të prodhoj pasoja dhe konflikte afatgjata. Personalisht besoj se nuk ka anëtarë (përjashto prurjet) i PDK-së që do të pranonte dhe miratonte lëshime të reja (janë bërë me bollëk deri tash) për Serbinë. Garancitë e fundit se nuk ka ndarje, nuk ka autonomi (status special)… do të ishin të besueshme vetëm po të ishin mbajtur fjalët, qoftë edhe njëherë, pas Lufte.
Prandaj, bisedime po, por me një qëllim të vetëm: t’i bëhet me dije miqve tanë euro-amerikanë (në radhë të parë) dhe Serbisë se koha e lëshimeve ka përfunduar. Kosova dhe shqiptarët pa dallim po angazhohen dhe do të angazhohen shumë më shumë dhe më vendosmërisht se sot për ta ndërtuar, fuqizuar dhe bërë të paprekshëm këtë copë shtet dhe sistemin e tij shtetëror, politik, juridik… Mbi të gjitha, duhet t’u bëhet e qartë miqve tanë dhe posaçërisht Serbisë se luftën nuk e duamë, por se këtë tokë jemi kurdoherë të gatshëm ta mbrojmë edhe me LUFTË dhe kjo nuk duhet të mbetet vetëm fjalë goje, por Kosova duhet të përgatitet, t’i bëj punët për ta mbrojtur këtë vend me të gjitha mjetet. Se a do të mund ta bëjë këtë kjo klasë politike, e cila është në një shkallë bukur të madhe e “kapur” do të shihet shpejt… Deri sot nuk e ka bërë. Personalisht lutem dhe uroj që ta bëjë, sepse kështu ia zbardhë fytyrën vetit dhe kombit që i përket. Tek e fundit e ka DETYRIM kombëtar dhe historik…
– Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së.

………………………………………

Pa koment! Një foto flet sa 10 000 fjalë!

RRUDHJA E VAZHDUESHME E TOKAVE DHE DËSHIRAVE TË SHQIPTARËVE!

—————————————–

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura