ILJASA SALIHU: KUR LOTI NDËRRON SHTRATIN!

(17 Shkurt 2012) – Me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës – Sot e shpallim shtetin e Kosovës të pavarur…, – ishte fjali që s’mundte assesi të dëgjohej prej shumëkujt deri në fund, madje edhe gjatë fillimit të atij fjalimi në Kuvendin e Kosovës nga kryeministri i saj, të paktë ishin ata që e dëgjuan kthjellët, ngase teksa kryeministri fliste, për të ardhur kështu deri tek ajka e fjalimit, shumica ishin përhumbur në vegim, mbase nostalgjia e kishte marrë në dorë timonin e kujtimeve në ato çaste, përmes të cilit lundronte në detin përplot dallgë, thuajse bregdeti ishte bërë aq i largët, sa që, lundruesi kishte filluar të mos besojë se në këtë botë ekzistojnë bregdetet. Kurse pranë tij, po fliste kryeministri i Kosovës, pritej artikulimi i fjalës PAVARËSI, por Shpati prapë kishte rrëshqitur në sfondin e kujtimeve të dhimbshme, habitej i gjori, ku gjeti që mu në këto momente të fanitej i tëri në kthetrat e atyre kujtimeve, të cilat ia rrëqethin trupin, por çfarë të bësh, kur i gjori pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte informuar se kishte lindur në një shpat të dendur me shkurre dhe lisa të gjata, ku edhe rrezet e diellit mezi depërtonin, për t’i dhënë kështu pak shpresë asaj nëne krenare, e cila pavarësisht kushteve mizore, kishte vendosur që turmën e njerëzve që gjendeshin të ngujuar me ditë të tëra, t’i gëzojë me një rreze shprese prej brenda.
Shpati dhe shumë shok të tij, këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës, ashtu sikur momentin e shpalljes së pavarësisë së shumë pritur të Kosovës, kishin vendosur ta presin, duke ia dhënë fjalën Kujtimit, i cili që nga lindja e tij, ishte strukur në një skaj të trurit, dhe ishte bërë një zëdhënës shumë besnik, mbase edhe në momente gëzimi, sikur mëton të përzihet, por askush atij s’guxon t’i përzihet, ngase përmes praktikave të tij, tregoi dhe dëshmoi se është i pushtetshëm mbi organizmin e njeriut. Mes tjerash Shpati përmes Kujtimit të strukur trimërisht në një skaj të trurit të tij, informohet për rrugëtimin tejet të vështirë, rrugëtim që kishte si synimin përfundimtarë çlirimin e vendit nga kthetrat serbo barbare. Porse sot, ai kishte vendosur t’i rrëfejë për bëmat e një fshati jashtë Kosovës, i cili s’kishte lënë gjënë më të vogël që s’e kishte vënë në dispozicion të vëllezërve të tyre. Bëhet fjalë për fshatin Llojan, me këtë nuk dëshiron që t’i shmanget mirënjohjes së fshatrave dhe qyteteve tjera jashtë Kosovës, porse këtë radhë kështu kishte vendosur i pushtetshmi – Kujtimi.
Llojani është një fshat shqiptar që shtrihet në pjesën veriore të Kumanovës, në zonën kufitare me fshatin Miratoc të Preshevës. Për dallim prej fshatrave tjerë që natyrshëm kufizohen me fshatra apo shtete tjera, ky fshat kufizohet me vetveten apo me vëllezërit e tij, që padrejtësish iu aneksua pushtuesit sllav, andej e këndej gardhit. Në të kaluarën fshati ka qenë i vendosur në zonën kodrinore të shpatit të quajtur Kulishte, mbase me rritjen dhe zgjerimin e tij, tani ky fshat ka një pozitë rrëzë malore dhe fushore që e bën të afërt vetëm një kilometër largësi me fshatin Miratoc, pozitë e cila dëshiron të na thotë: “ç’të vyen afërsia kur në mes qëndron ushtria, ushtarë me dylbia dhe të gatshëm për kolorit barbaria”.
Ky fshat përjetoi sprova të ndryshme kombëtare, por sprova e marsit të vitit 1999 qartë tregoi se proverba, kurrë ore vëlla për vëllain mos thuaj mbarova, dukej se u jetësua burrërisht në këtë fshat. Banorët e këtij fshati ishin me të vërtet në një sprovë tejet të rëndë, ngase vëllezërit e tyre për ditë dhe me net të tëra po mbaheshin peng prej forcave maqedonase. Të dëbuarit ishin mbledhur në një skutë të një lugine, pranë së cilës sikur mburojë përmbi qëndronte faqja e pjerrët e malit të atij fshati, ku me ditë të tëra nuk kishin ngrënë bukë, si dhe të qarat e fëmijëve ta rrëqethnin lëku¬rën. Mbase edhe përskaj kushteve që, edhe kafshët e egra do t’i refuzonin, proceset natyrore patjetër duheshin të rridhnin, ku s’kishte vonuar shumë, kur një grua shtatzëne që ndodhej në shpat të atij mali përplot vuajtje, e gjora e rrethuar prej përbindëshave, duke qenë larg të gjitha kushteve elementare mjekësore, e lindi një djalë, ku s’vonoi shumë, në bashkëpunim me disa udhëheqës të fshatit, djalit ia vunë emrin Shpat, duke ia pllakosur kështu një kujtim, që tërë jetën do ta brengoste, porse edhe tërë jetën do të ishte krenar dhe përgjërues për peripecitë e nënës së tij.
Atë izolim të panevojshëm, pavarësisht se çfarë ndodhte me të izoluarit, e çfarë pasoja mund t’i ndodhnin atyre, nuk e kishte bërë shteti fqinj, jo për diçka tjetër, por vetë ai në mënyrë barbare i kishte dëbuar prej vatrave stërgjyshore të tyre, thuajse ishin lodhur duke vrarë e masakruar shqiptarë, mbase edhe gjaku i tyre sikur kishte filluar t’i vinte te hunda, për t’i shporrë kështu gjithandej, duke shpresuar se kjo farë më nuk do të mund të pllenojë nëpër vatrat e tyre, porse do ta marrin botën në sy, duke i dhënë kështu shkas syrit të botës që t’i bëjë për vete. Të dëbuarit me dhunë ishin në zonën neutrale, që prej forcave të ushtrisë dhe policisë maqedonase mbaheshin peng me dhunë, duke e shfrytëzuar këtë rast edhe kjo fundërrinë e Titos, që shqiptarëve praktikisht t’ia tregoi muskujt e silikonit, porse ato nuk e dinin se kishin muskuj të tillë, fajin për këtë duhej kërkuar tek varri i Titos, i cili brenda natës në Jajcë të Bosnjës e kishte improvizuar këtë komb (të ashtuquajturin, komb maqedonas), duke i hapur kështu telashe shekullore, përfundimi i të cilave do të ishte shuarja e kësaj ngrehine pa legjitimitet të popullit të këtushëm.
Ata nuk i lejonin fshatarët të afrohen dhe të komunikojnë me vëllezërit e tyre. Porse shumë shpejtë rezultoi se gjithçka ishte e kotë, sepse ata harruan se shqiptarin mund ta vrasësh me plumb, por assesi përmes urisë, duke mëtuar këta përbindësha që përmes urisë ta nënshtrojnë sa më mirë një popull të tërë. Me gardhin që e kishin krijuar forcat maqedonase, që të krijonin përshtypjen se ruheshin prej luanëve, të cilët priteshin në çdo moment t’i sulmojë ndokush, treguan se janë frikacak, por që ëndërronin që një ditë të bëheshin trima. Ky gardh artificial dhe i paguar prej tatimpaguesve të përbashkët, hasi në rezistencë serioze të një gardhi të çeliktë e vullnetarë. Pothuajse i gjithë fshati u zgjua në këmbë, prefekti i Komunës dhe shumë vëllezër të fshatrave tjetër, që ky gardh i poshtër të thyhet e të zhbëhet, madje shumë shpejtë edhe u thye, bashkë me të edhe krenaria e atyre që njerëzit i dukeshin si luana, duke e marrë kështu gjithsecili të paktën nga një familje nëpër shtëpitë e veta.
Askush nuk bëri llogaritje financiare në atë kohë, mbase mbetën të habitur edhe të ardhurit – vëllezërit nga Kosova për ato gjeste tejet sublime. Në atë kohë nuk kishte mysafir, nuk kishte sende të ndara në pronësues apo përdorues, të gjithë ndjeheshin dhe trajtoheshin të barabartë. Madje, edhe nëpër shkolla nxënësit e trevave tjera u trajtoheshin të barabartë me nxënësit vendas, mbase të gjithë nxënësit ishin vendas, kështu mund ta shihje në bazë të trajtimit. Të gjithë ishin vendosur nëpër shtëpi të vëllezërve të vetë, besa kishte shumë familje që asnjëherë nuk ishin njohur ndërmjet veti, por mjaftonte që çështja e luftës ishte e njohur dhe e pranuar prej të gjithëve.
Në lidhje me atë katrahurë, e cila për dekada të tëra nuk do ta lënë rehat Shpatin dhe të shkërmoqurit e tjerë, në pika të shkurtra do të rrëfejë edhe Qerim Isufi, i cili qe njëri prej atyre aktivistëve të asaj katrahure të llahtarshme, njëherësh teolog dhe profesor i gjuhës angleze. “Disa herë kam tentuar që ta shlyej atë qelizë ku më është fiksuar ai rast, por më kot. Sikur qiejt e dinin se në vendin e quajtur ‘shpat’, mes-zonë kufitare, kishte të ikur nga egërsirat serbe, të ikur, të cilët mbi kokë kishin vetëm drunjtë pa gjethe, të rrethuar me forca maqedonase, ndaj ishte hapur qielli, i cili derdhte shi pa hesap, thuajse ishte produkt vetëm i tij, duke ia shmangur mirënjohjes së tokës, e cila përmes avullimit, mëtonte prapë t’i ujisë kopshtet e thata dhe gjallërimin e shpresës për të dëbuarit. Një mbrëmje në vendin e quajtur ‘mejtep’ gjarpëroi një grua e cila nuk thoshte gjë tjetër përveçse ‘djali im, djali im’. Nënë kjo e cila ishte nisur nga vendlindja së bashku më foshnjën e saj, por rrugës ku as ajo vetë nuk e dinte se ku dhe si e kishte humbur foshnjën e saj”.
Atëkohë Llojani ishte i mobilizuar për ndihmesë, me harxhimin e kohës së shkurtë, fëmija u gjet tek një familje e strehuar në mes-zonë. Por, ajo që ishte edhe më tragjike, ishte se si ajo loke s’kishte mundur ta shohë foshnjën e vet, ngaqë forcat policore lejonin për të hyrë në atë kamp vetëm llojanasit të cilët u dërgonin ushqim. Ushqimi u dërgonte vetëm nga gjinia mashkullore, ndërsa nënat dhe gratë 24 orë pa ndërprerë përgatitnin ushqimin. Të nesërmen për herë të parë do të dërgojë ushqim mes burrave edhe një grua, grua e cila ishte veshur me rrobe të fshatit, për të mos dyshuar. Në hyrje të kampit gjatë kontrollit policor, ajo bie në sy, dhe një prej tyre interesohet se kush është kjo grua për herë të parë, përgjigja ishte se kjo është një grua e fshatit e cila shkon për t’i ndihmuar motrave, vajzave, nënave, lokeve të cilat janë aty brenda në problemet e tyre, gjë që nuk është punë e gjinisë mashkullore. Ajo ishte një gënjeshtër e bardhë. Me të hyrë në kamp gruaja takoi fëmijën e saj, mendoj se nuk ka shkronja për të përshkruar atë rast, por shkronjat do të zëvendësohen me rrëqethje dhe me lot mallëngjimi e gëzimi.
Më pas ajo nënë duhej të kthehej, të dilte nga kampi, por në njëfarë mënyre sikur rezistoi duke thënë, – Unë dua të qëndroj afër foshnjës sime, gjë që ishte e pamundur, ngaqë ai numër i cili dërgonte ushqimin, i njëjti numër duhej të dilte prej atij pellgu të tmerrshëm.
U pajtua, gjatë tërë kohës që ata qëndronin në atë vend, nëna e fëmijës qëndronte në fshat, duke iu falënderuar ligjit, ligj ky i cili nuk lejonte të bashkohet nëna më foshnjën e vet. Pas disa ditësh ata të cilët qëndronin në mes-zonë i lejuan për të hyrë në Maqedoni, me të hyrë nëna e mori fëmijën e saj.
Ky ishte një rast ndër rastet e shumta. Që nga shpërbërja e Jugosllavisë Llojani ishte gjithnjë mikpritës ndaj rasteve të këtillë, ndoshta nuk kishim çfarë t’i ofronim të ikurve më shumë, por në mos më shumë i kemi ofruar bukë e krip e ujë vrelle. Këta njerëz nuk e kishin zgjedhur një fat të tillë, jo rastësisht shkrimtari anglez Ezra Paund gjatë qëndrimit të tij në burg deklaron: “I did not enter into silence, silence captured me” – Unë nuk hyra në qetësi, por qetësia më zuri mua”. E pra, kjo ishte vetëm njëra prej njëmijë e një vuajtjeve tjera që rrodhi nëpër këto vatra të ngjyrosura me gjak, kështu që, udhëheqësit e këtij vendi përpara se t’i cakërrojnë gotat me verë, t’i japin edhe ata hapësirë nostalgjisë, ndoshta do të dehen pa përdorur fare alkool, veprime që do të dëshmonin se akoma ka vend për mallëngjim

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura