ILJASA SALIHU: PËRPLASJA E TRANSISTORIT PËR LISI

(Shkup, 20. 02. 2013) – Një pjesëmarrës në luftën e Kosovës kështu një ditë më rrëfeu. Pas sfilitjeve të shumta në luftë, ushtria jonë shqiptare ia doli mban. Fituam luftën, jo me paqe, por me armë, ngase kështu zgjidhen çështjet me ata që stërgjyshërit i mësuan t’ia merrnin tjetrit të drejtat dhe territoret përmes pushkës. Rugova ftonte për paqe, ngase ai që moti kishte bërë paqe me bishat, edhe pse dihet se njeriu është vështirë të lidhë ndonjë marrëveshje me kafshët, ndaj lihet edhe hapësira për t’u dyshuar rreth mundësisë së përkatësisë së tij njerëzore.
Prej lartë na u tha se edhe pak do të mbyllet kapitulli i luftës. Ishim edhe të gëzuar teksa shihnim NATO-n me aeroplan duke flladitur të molepsurit me granata të “ngrohta”. Thamë se më në fund na doli në ndihmë edhe dikush i fortë. Këtë ndihmë asnjëherë nuk e morëm si vlerësim të barabartë të pjesëmarrjes sonë në luftë, ngase ne përmes sokëllimave të armëve tona i ftuam këta që frikësoheshin të mos përsëritej një Srebrenicë e dytë në zemër të Europës.

“Guximi dhe forca grushtuese e Ibrahim Rugovës”!

Të bërë tog në një pllajë të bukur, rreth së cilës kishte trungje të gjata dhe të trasha, sodisnim në heshtje atë natyrë që të jepte gjallëri dhe shpresë. Atë heshtje e theu njëri prej neve. Një bashkëluftëtar imi, lëshoi transistorin e vetëm që e kishim, për t’u njoftuar kështu me ngjarjet politike dhe ushtarake të asaj kohe. Të gjithë me gojë të hapur dhe si të ngrirë prej acarit të Siberisë, dëgjonim lajmet. Sa kaq, dëgjuam të flet Ibrahim Rugova. Edhe pse e urrenim të gjithë, menduam se ia vlen të dëgjohet. Menduam se mos vallë tani që është në lirim e sipër, do të thoshte diçka që të paktën si një puhizë e lehtë të na vinte në këtë zheg prej luftimeve. Falënderojmë Amerikën, NATO-n, Papa Gjon Palin, Bill Klintonin dhe të gjithë miqtë tanë ndërkombëtar, të cilët nuk kursyen asgjë për këtë liri, – përfundoi paraqitja e Rugovës. Aaaaaaa, jehoi mali prej britmave të ushtarëve dhe komandantit. Ata na paskan liruar a? O i poshtër je. Kjo nuk është as politikë as diplomaci, por kjo është poshtërsi e thellë, – flisnin të uniformuarit shqiptar. Me brof njëri u ngrit në këmbë dhe ia dha vrapit drejt lisave të gjatë. Të gjithë si të mpirë vetëm e shikonim. Nuk e dinim se çfarë e kishte ndërmend të bënte. Ai kishte marrë transistorin në dorë dhe me vrull e përplasi atë për lisi dhe e kështu e bëri copë e gri transistorin e vetëm, – përfundoi bashkëbiseduesi im, pjesëmarrës i luftës në Kosovë. Qëmtimi i këtij rrëfimi më lindi dje. Disa analistë, politikanë dhe diplomatë servil, të cilët çlirimin e Kosovës e panë përtej ujit të njelmtë të detit dhe tani fare pa fytyrë përsërisin refrenin e njohur të atij që bëri edhe transistori i vetëm ta përjetonte dhunimin!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura