ILJASA SALIHU: SHQIPJA E DHUNUAR!

Kumanovë, 14. 01. 2016: Ka shkrimtarë, profesorë e akademikë, të cilët shkruajnë me një gjuhë të përçudnuar, të varfër, të gjymtuar, huazojnë panevojshëm fjalë të huaja dhe kryesisht i mungon estetika në shkrimet a kumtesat e tyre, duke e bërë kështu shkrimin vështirë të lexueshëm, për më tepër prore të pakuptueshëm. Prej kohësh nuk jam duke ia lexuar punimet e tyre vetëm për shkak të llojit të përdorimit të gjuhës, sepse përdorimi i dhunës përgjatë të shkruarit më dhunon edhe mua mendërisht. Po ashtu ka hoxhallarë që prej ligjërimeve të tyre kam hequr dorë. Arsyeja është e njëjtë; ata fare nuk brengosen për mjetin e përçimit – gjuhën, njëherësh duke i privuar dëgjuesit prej një lartësimi intelektual, prandaj jo rastësisht edhe pas 20 vjetësh ligjërata të rregullta në xhami (jo nëpër të gjitha xhamitë), shkalla intelektuale e xhematit është e njëjtë. S’do mend se në këtë rast nuk është vetëm faji i përdorimit të gjuhës së varfër, por njohja dhe përdorimi si duhet i gjuhës ka rëndësi të jashtëzakonshme. Këta sikur harruan thënien e Hoxhë Hasan Tahsinit: “Arma më e fuqishme e përparimit dhe e diturisë së një populli është gjuha”! Lloji i kësaj shpure (shkrimtarë, profesorë, hoxhallarë, priftërinj, gazetarë) duhet ta kuptojnë se njohja e gjuhës nuk i përket vetëm gjuhëtarëve, por gjithsecilit, kurse gjuhëtarët janë ata që i prijnë kësaj detyre madhështore, janë mësuesit tanë të përjetshëm në këtë botë të përkohshme.
Ashtu që, nuk mund t’i shprehim idetë madhështore apo ta përçojmë ndonjë porosi të lartë, nëse nuk e njohim shkëlqyeshëm gjuhën me të cilën i drejtohemi dëgjuesve apo lexuesve. Po ashtu, nuk mund ta njohim shkëlqyeshëm një gjuhë të caktuar nëse nuk lexojmë libra të atilla që mes tjerash i kushtohet rëndësi edhe përdorimit të gjuhës. Kjo vlen edhe për ata që dëgjohen. Duhet patjetër ta përdorin gjuhën e njësuar dhe shumësinë e fjalëve që tashmë gjenden në fjalor, por për fat jo të mirë, jo të gjitha fjalët përdoren.

Mjaft më me përshtatje. Le t’i përshtaten njerëzit një standardi të caktuar dhe jo standardi dëshirave të njerëzve, përndryshe mosrespektimi i standardit të shpie në kaos. Të mos shkruajmë a flasim me një gjuhë të varfër dhe të gjymtuar, gjoja se të pranishmit nuk e kuptuakan si duhet këtë gjuhë. Le të mësohen me këtë gjuhë. Në fillim do t’i duket vështirë, por me kalimin e kohës do të mësohen dhe pa dyshim se do të lartësohen në piramidën e diturisë.
Rrjedhimisht, ideja do të del e mangët nëse përdorim një gjuhë të varfër dhe të gjymtuar. Kësisoj, nëse duam ta lartësojmë shkallën e njohurive, duhet të mundohemi e të djersitemi nëse është nevoja dhe pa dyshim se do t’ia dalim. Në të kundërtën, nëse shkojmë me mendësinë e përshtatjes, ndoshta sot do të kuptohemi si duhet, por nesër do të jemi sikurse që ishim dje, pra fare nuk do të lartësohemi, pse jo me kalimin e kohës do të amortizohemi.
Me pak fjalë, gjuha e njësuar shqipe duhet të përdoret kudo: në shkollë; zyre, familje, kafene, xhami, sallë sporti, kishë, spital, libra, mediume, universitete, shtabe partiake, letra dashurie. Kjo nuk do të thotë se gjuha standarde është e përkryer dhe se nuk ka nevojë të pasurohet me fjalë të reja apo të pasurohet me prurje të reja që kanë një themel të gjuhës shqipe!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura