FATMIR BRAJSHORI: HASHIM, HIQNI DORË NGA KANDIDIMI PËR PRESIDENT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS!

Zürich, 24. 02. 2016: – (Letër e hapur Kandidatit për Kryetar të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi) – Secili njeri e di, që për lëvdatë është udhëheqësi, që e mban fjalën, e jeton me nderë, e jo me dinakëri. Por përvoja e gjerë tanishme na mëson, që pak udhëheqës kemi pasur, e të cilët punuan me nderë dhe jo me dinakëri… Me këtë letër timen, të hapur, nuk pretendoj të mbaj ligjeratë mbi Metodën, për themelimin e mendimit të ri në shoqëri dhe as për mendsinë e re politike, ngaqë edhe teza dhe antiteza janë gjykime. E unë nuk po pretendoj të gjykoj por të sugjeroj…
I nderuari kandidat për kryetar të Kosovës,
Të njoha në rrethana, që sipas kohës ishin rrethana të ndershme, lavdie e qe besa edhe trimërie. Ilegalja e kohës sonë, si vazhdimësi e ilegales së pas Luftës, kishte vetëm një synim; çlirimin e viseve të banuara me shqiptarë, nën okupimin serbo-malazezo-maqedonomadh: me një fjalë nga robëria Jugosllave…
Ishim të rinjë dhe idealist!
Lirinë e donim më shumë se jetën, sepse jeta s’kishte kuptim pa lirinë! Në këtë rrugën tonë, ndanim s’bashku, në ilegale, me shokë; Bukën e kripën; ujin dhe ajrin; hënën dhe dielllin. E në shumicën e rastëve pinim një cigare tre e katër veta.
Thonim: “O vetëm ta fitojmë lirinë, se natë e ditë, pa pirë e pa ngrënë do jetojmë, në natyrë që vetëm populli ynë të ketë lirinë që s’e kishte kurrë; të ketë miserniken, për çdo ditë me bollëk që s’e pati asnjëherë, e të mos ketë kurrë të burgosur politik, në këto troje, e të cilët flasin gjuhën e Naim Frashërit…

Por, në këtë rrugëtim tonin, siç duket nuk ishim të gjithë të sinçertë! Ca lakuan rrugë ngaqë koha tregoi që në ilegale ishin kyqur jo si idealist por si materialist.
Në Programin e Lëvizjes Popullore të Kosovës shkruan: “Luftuam,,, kundër perandorive të shumta të kohës (romake, bizantine, sllave) lufta e Skënderbeut kundër Osmanëve, kryengritja e Pjetër Bogdanit, Lidhja e Prizrenit, Shpallja e pavarësisë, Lëvizja Kaçake, LNÇ-ja, Konferenca e Bujanit, Kryengritja Antipushtuese e Drenicës e vitit 1945, demonstratat popullore të vitit 1968, ato të viteve 1981-1990 dëshmojnë që populli shqiptarë kurrë s’e ka ndalë luftën për liri…
Ti zoti kandidat për Kryetar të Republikës së Kosovës, nuk ishe në udhëheqje të këtyre zhvillimeve (1981-1990) ngaqë ishe i ri dhe në formim e sipër…
Ne shokët e ilegalës, gëzoheshim sa herë që dikush nga shokët, thoshte që: “ka takuar ca çuna t’mirë dhe t’fortë” dhe propozonte që t’i angazhonim si pjesë të ilegalës…
Kështu edhe kur S.V. angazhoj djalin e axhës së tij në ilegale K.V. dhe ai të angazhoj ty zoti kandidat për Kryetar të Republikës së Kosovës, u gëzuam dhe fërkuam duart ngaqë „do t’kemi një celul t’fortë mbrenda Universitetit”…
Me ndihmën tonë, me ndihmën e strukturave të LPK-ës, të ndihmuam që të zgjedhesh në kryesinë e Unionit të Pavarur të Studentëve, ku për kryetar kishe shokun tëndë të studimeve F.C. Pra, nuk ishte ti në ball të Unionit por ishte një student tjetër.
Ne gjatë ilegales, të gjithë militantët jetonim për t’u vetflijuar dhe për t’u sakrifikuar, për t’mirën e kombit… Kishim për shembull shokët si: Kadri Zeka, Bardhë dhe Jusuf Gërvalla, Zija Shemsiu, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, e sidomos Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu…
Baca Ahmet Haxhiu na donte shumë; na nderonte, sugjeronte dhe ndihmonte që të kryejmë aksione e të mos dëmtoheshim.. Ti zoti kandidat për Kryetar të Republikës së Kosovës, kur ishe vetëm një djalosh i ndrojtur, i heshtur dhe i turpshëm në komunikim, pate mbështetjen e plotë të Ahmet Haxhiut… Hëngre edhe bukën e shtëpisë së tij; me pak krypë, e djathë e zemër të bardhë. Kështu ishte plaku!
E hëngre edhe bukën e shtëpisë sime kur, me guxim t’madh e trimëri të paparë, vendosëm që të mbajmë Mbledhjen e katërt të Përgjithshme të LPK-ës (korrik 1993), e ku e themeluam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës… Gjatë punimeve të Mbledhjes, pate nderin, që për dy orë të ishe jashtë shtëpisë, për t’u bërë roje delegatëve.
Edhe në Mbledhjen Konsultative të Prillit 1993 të mori me vete, Ahmet Haxhiu, ty edhe “dajen”. E, kur e kryem mbledhjen, nuk të la por sërish të mori ngaqë, siç ishte i kujdeshëm nuk dëshironte të na gjente ndonjë e keqe. I rrishe afër, si një qengj që i lëpihet nënës dele për qumështin.
Plaku dha gjithçka për ilegalen!
Shtëpinë e tij e kishte shndërruar në një bazë të fortë! Ai rrezikonte edhe familjen e tij mbarë!
Por siç duket rreziku i familjes së Bacë Ahmetit, po i vjen më shumë i trishtueshëm dhe më i rrezikshëm sot, kur ti ai çunaku i drojtur fshiheshe pas sjetullave të tija, se që rrezikohej në kohën e Udb’ës famëkeqe…
UDBA asokohe godiste dhe burgoste Ahmet Haxhiun, por nuk ja rrihte familjarët!
Sot edhe po i burgosin dhe po ja rrahin familjarët pa dallim!
Ani, nasht se baca edhe nga varri do të dinte të falte kur është në pyetje Kosova!
Por që ai të të falë duhet të bësh një punë:
„Të heqësh dorë nga kandidimi për president të Republikës!”
Klima politike nuk është e favorshme! Nëse heq dorë SOT nuk do t’thotë se nuk do të zgjedhesh NESËR!
Zoti kandidat për Kryetar të Republikës së Kosovës!
Me këtë letër nuk mendoj që po godas dhjetëshen!
Por ekziston një mendim gënjeshtar që vepron si virus në mendjen e njerëzve dhe ky është”mendimi politik” që jeni kandidati më i mirë i mundshëm… Njeriu është një qenje komplekse zoti kandidat për kryetar Republike. Ai, edhe pse e di, që nuk di të vërtetën, i pëlqen më shumë se të vërtetën ta dëgjoj të pavërtetën.
E pavërtetë është që ti për momentin, je politikani më i preferuar; e pavërtetë është që ti për momentin paraqet unifikimin. Ka shumë të pavërteta…
Unë gjithmonë për këto 15 vite kam menduar që rreth vetes zoti kandidat për Kryetar shteti, ke njerëz dhe këshilltarë të dobët; sahanlëpirës dhe matrapaz, e të cilët të rrahin shpinën vetëm e vetëm që ata ta kenë mirë; me kusht që edhe të të dërgojnë në theqafje…
E di se çfarë bëri De Goli kur ia kërkuan dorëheqjen kundershtarët politikë?
“Ejani, – u tha- “merreni pushtetin por jam i bindur që pas gjashtë muajsh do t’vini vet e do t’ma sillni në pjatë po atë pushtet”.
Ashtu, u tha dhe ashtu ndodhi!
Por, ai ishte Sharl de Gol njeri me vizion global dhe jo me mendje provinciale! Po ta dorëzoje pushtetin kur u bë VLANI, jam i bindur që sot, po këta do t’vinin dhe do t’kërkonin që të merrni frenat e shtetit në dorë ngaqë s’do mund të ecnin gjatë me atë formacion.
Por jo, ti ishe i verbuar me madhështinë e pushtetit ose të verbuan këshilltarët e tu politik me madhështinë e pushtetit.
Por e kam edhe një merak!
Unë të kam fal për atë episoden e Tironës dhe punën e «dhëndërrit»… Kur erdhe në CH më kërkove që të ta lëshoj një vërtetim me shkrim për organet e azilit, me të cilën vërtetoja që ti ke qenë pjesëmarrës në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK’së.
Mendova aso kohe me llogjikën e Krishtit: »Nëse të godet njeri në njërën faqe, tregoja edhe tjetrën»… Kisha besim të plotë që së bashku si LPK do t’ja dalim dhe do t’i realizojmë synimet tona!
Pata të drejtë!
Ia dolëm!
E realizuam ëndërrën tonë për liri!
Por nuk ishte ëndërra e të gjithëve e njejtë!
Jo!
JOOO!
Nuk ishte!
Që të mos e zgjasë shumë,… lidhur me atë se çfarë ndodhi pas luftës me këtë rast po e parafrazoj një thënie të një ushtari të tri luftërave të fundit e të lavdishme të shqiptarëve.
Ai një ditë tha:
„Për atë se çfarë kanë bërë gjatë luftës ua heq kapelën! Për atë se çfarë kanë bërë pas luftës ZOTI pa i vrarë mos i lashtë”..
Ishte gjëmë e madhe! Nëmë e madhe!
Në ndërkohë kemi krijuar familje dhe fëmijët na janë bërë në moshën, kur, Ne bënim revolucionin!
Po na pyesin:
– „A janë këta shokët tuaj? A keni luftuar që në liri të ketë akoma të burgosur politik?”
Dhe ne po heshtim! Heshtim! S’kemi përgjjigje!
I nderuari kandidat për Kryetar të Republikës së Kosovës,
Këto ditë lexova shumë shkrime Pro dhe kundër kandidaturës tënde për Kryetar Republike; lexova edhe përkrahjen e disa shokëve të ilegalës, përkrahje të cilat s’i pëlqeva… Nuk i pëlqeva ngaqë secili mik i sinçertë, i urtë, i ndershëm, në këto çaste do t’kishte kërkuar nga ti, që të heqësh dorë nga kandidatura, vetëm një mik i sinçertë do ta kërkonte një gjë të tillë…
E, unë do ta kërkoj këtë gjë nga ti, që për momentin të heqësh dorë nga kandidimi dhe atë;
– Në emër të gjakut të derdhur rrugëve të Kosovës,
– Në emër të heronjëve të kombit,
– Në emër të mijëra plagëve, në emër të mijëra invalidëve të luftës,
– Në emër të qindra dëshmorëve…
– Në emër të atyre nënave që dikur nga një regjim diktatorial privoheshin nga e drejta për lindje,
– Në emër të mijëra fëmijëve që shovenistët i helmuan me helme kimike; në emër të foshnjeve të vrara,
– Në emër të femrave të dhunuara,
– Në emër të familjeve që s’kanë bukë
– Në emër të të uriturve që po shtohen çdo ditë,
– Në emër të së djeshmes e që ishte e lavdishme për Ty,
– Në emër të shumë emrave
Ju kërkoj dhe ju lutem:
ZOTI KANDIDAT PËR KRYETAR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS HASHIM THAҪI, hiqni dorë për momentin për të parin e vendit!
Po e bëtë këtë gjë Aureola e lavdisë do të bie mbi Ty!
***
Autori është:
Pjesmarrës i të gjitha vendimeve të rëndësishme që ka marrë ilegalja e kohës. Pjesmarrës i Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme (1993) që u organizua në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe autor i disa librave letrare…/Zürich, 24 shkurt 2016/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura