ING.AHMET ҪOLLAKU: KUR QEVERITË NUK KANË DY GISHT LETËR PËRKUJTESË PËR GJEOLOGËT?!

Tiranë, 03. 09. 2015: Kortezhi i naftëtarëve përbëhet nga punëtorë, pompistë, sondistë, roje, brigadierë, shoferë, mekanikë, kuzhinierë, pastruese, normistë, gjeologë, përpunues, dispeçerë, disa nga qyteti disa nga fshati, shumica pa shtëpi. A kujtohet dikush për këtë detashment!? Naftëtarët, shokët dhe kolegët tanë të cilët nuk jetojnë më, nuk donin kurora me lule dhe as dekorata, ata donin që naftën ta gëzojmë ne shqiptarët, sepse jetuan dhe punuan për këtë vend që quhet Shqipëri. Gazetat e shumta shqiptare, mbushen me pornografi, por nuk kanë vend dhe bojë të kujtojnë këta heronj të heshtur që kundërmojnë erë nafte në këtë botë dhe në botën tjetër. Shtypi dhe media e një vendi, është hija e mirë apo e keqe e një qeverie.
Miqtë e mi, vini re: Qeveritarët tanë, mes tavolinave rrethuar me miq dhe rënduar nga kolesteroli, nëpërmjet shtypit përcjellin “sensacione” martesash apo ditëlindjesh, por bëhen qorra dhe memecë kur është fjala për vdekje naftëtarësh, punimet dhe studimet e të cilëve mbushin raftet e fondeve të gjeologjisë shqiptare. Bota jashtë nuk njeh qeveritarë shqiptarë, por specialistë shqiptarë. Gjeologët dhe populli janë pronarët e vetëm të pasurive natyrore.
Ka shumë naftëtarë të thjeshtë, apo specialistë, që çregjistrohen gati çdo ditë nga armata prej 34 mijë vetësh. Përjetësisht, diku çregjistrohet një emër naftëtari. Rrëzohet një pus nafte. Nuk dëgjohet të bjerë asnjë këmbanë. Këto lajme të dhimbshme përcillen vetëm nga shokët tanë, jo nga departamentet qeveritare të cilët e kanë obligim moral numër një.
Janë rralluar shokët, kolegët. Disa kanë ikur përgjithmonë në rrugën pa kthim, pa pretendime për medalje, pa urdhra pune, kanë ikur me xhepat bosh. Vërtet qenë të varfër por nuk i ngelën borxh asnjërit. Kujtoni Prof. Zuberin, Ing. Toptanin… Të gjithë i vrau struktura dhe tekstura diktatoriale. Po çfarë emri t’u vëmë këtyre qeverive shqiptare që nuk gjejnë dy gisht letër për ca përkujtesa të shkurtra, të shkruajnë dy fjalë për naftën dhe për heronjtë e saj? Nëse kjo Shqipëri, merr akoma edhe pak frymë, dijeni mirë se këtë e ka nga nafta jonë shqiptare zbuluar nga ata që nuk janë dhe nga këta që janë akoma gjallë.

Shokë dhe kolegë, edhe ne ishim të rinj, të bukur, gjithë nur. Sistemi monist na dehu me ëndrra, me plane pesë vjeçare, me plane prodhimi… Çuditërisht, në ditën e parë të demokracisë, të gjithë u gdhimë të plakur, pa një dyshe në xhep. Ndërkohë, menjëherë pas viteve 90, disa pehlivanë të Armatës Naftëtare, u bënë njësh me qeveritarët tanë hajdutë, ata shkatërruan gjithçka duke kërcyer polkën dhe mazurkën, vodhën fonde, ndërmarrje, ministri, gjeologji, gurë, ndërruan mbathjet, ngjyrosën flokët, nxorën nga dhjetë pasaporta… Tranzicioni i gjatë shqiptar do të mbahet mend më keq se koha e Tanzimatit… Tani ndonjë qeveritar na thotë, doni të jetoni, mbillni hashash, se hashash mbjell gjithë bota. Ndërsa unë do t’u thosha të gjithë shqiptarëve kudo, mos merrni rrugën për jashtë, sepse kemi naftë. Albert Marrin thotë: Prosperiteti i një kombi, madje edhe mbijetesa e tij, varet nga furnizimi i sigurtë dhe i bollshëm me naftë…
Në fillim, pas viteve „60 të shekullit që shkoi, në Ndërmarrjen Sizmike të Fierit, atëhere kur kishte pak specialistë, punoi fizikanti Nikolin Leka. I pashëm, i ndershëm, i zgjuar, gjithë energji dhe i talentuar si asnjë tjetër. Ecte apo fluturonte? Bënte shumë humor me të ndjerin Enriko Veizi. Më emocionojnë shumë këta emra! Në fondin e Ndërmarrjes Sizmike të Fierit do të gjeni shumë punime dhe studime të tij, të cilat u qëndrojnë kohëve. Ai punoi disa vite, më pas u shpërngul në Shkodrën e tij, ku edhe vdiq. Vallë u kujtua ndonjë drejtori, dikaster apo seksion nafte, të shkruajë dy fjalë për këtë shenjtor?!
Para dy vitesh vdiq një nga gjeologët e parë shqiptarë. Ai ishte i madh sa një shkëmb. Po ja që u shëmb! Për rënien e tij nuk u ndie asnjë celular qeveritar. Tani Ai është nën tokë. Ai nuk proteston, na pret ne të protestojmë. Këtë lajm ma përcolli një naftëtar, edhe ai i burgosur si i ndjeri Beqir Alia. Beqir Alia, ishte drejtues aktiv në naftë. Monizmi e ngriti lartë të ndjerin, po më pas e çoi në burg, ndërsa kjo kodosh demokraci, e la të lirë e nuk i kushtoi asnjë vëmendje. Ai shkoi në Moskë për të gjetur rrënjët e familjes së tij, por atje nuk e gjeti rininë e hershme, ndaj rrudhat i krisën më shumë. Kështu, pas disa udhëtimesh Shqipëri-Rusi, u lodh dhe vdiq në heshtje, këtu në Shqipëri… Pastaj, u varros pa bujë, një radhë e shkurtër. Në atë varrim, nuk shkoi asnjë qeveritar. Ka kohë që kanë ndryshuar edhe skemat e kortezheve, tani ka kortezhe hermetike. Tranzicion në sistemin 4D. Ёshtë i madh numri i naftëtarëve që kanë vdekur jo nga puna e rëndë në naftë në kohën moniste, por nga tranzicioni dhe asistenca poshtëruese e kësaj demokracie që rrezaton vdekje shqiptarësh.
Të mos harrojmë gratë tona! Ato ishin arkivat tona ҫngjyrosur prej lotëve, ato që kurdisnin orët per punë, për në ekspeditë, për në pus, për mbledhje. Gratë tona na paketonin bukën ndërsa ne nuk patëm kohë tu puthnim duartë dhe faqet. Të mos i harrojmë sepse ato derdhën më shumë lotë, ato fletën më pak se ne, ato që me shumë sakrifica rritën fëmijtë tanë… Gratë tona derdhën më shumë lotë në kortezhe, ato janë autore të biografive tona. Armata e Naftëtarëve kishte shumë gra dhe vajza. Ato nuk kujtohen, për to nuk shkruhet sado që u plakën më shpejtë se ne. Të magjishmëve tona tu ҫojmë lule në varreza dhe ti vadim me lotët tonë…
Tani, në Moskë kalon pleqërinë gjeologu hokatar Thanas Nasto. E qeshura e tij që ka ngrirë në veshët e mi, nuk lë suvanë e mureve të bjerë përtokë… Ai punoi disa vite në rilevim dhe në Institutin e Naftës në Fier, po më pas kaloi një dramë se kishte gruan ruse, dhe se humori tij ishte humor… revizionist. Akoma ai është një fond i gjallë por që askush nuk është kurioz të dijë çfarë mendime ka për gjeologjinë dhe naftën shqiptare… Një shpikës që kemi akoma gjallë, por që administrata jonë, nuk e ka në asnjë listë…
Në qytetin e Shkodrës, jeton shënjtori i naftës, Prof. Dr. Ramadan Perhati. Ramadani ka plot plane për naftën shqiptare, prandaj nuk është i qetë. Ai ëndërron t‟i shikojë përsëri ato vendburime nafte, vetëm sa t’i shkelë me këmbë. Atë nuk e rëndon diabeti, por gremisja e naftës… Ndërkohë, gjeologu Kadri Rama, vjen rrotull për të gjetur investitorë për realizimin e projekteve të tij, sikurse edhe mjaft gjeologë të tjerë që jetojnë në Amerikë, rrëfyer në disa intervista… po qeveritarët tanë bëhen shurdhë…
Qeveritë nuk kanë dy gisht letër përkujtesë për gjeologët Petraq Xhaçka, Viron Skela, për gjeofizikantët Hasan Topçiu, Piro Xhamaj, Teki Biçoku, për topografin Petro Lena, për kolegët Themistokli Pulija, Jani Skrami, Gogo Gjivogli, dhe shumë e shumë të tjerë… Ka shumë naftëtarë të tjerë, punëtorë të thjeshtë që nuk jetojnë më. A nuk do të ishte në moralin e kësaj qeverie që të printonte një fletushkë, të botonte kujtime për ata të cilët jetuan dhe punuan në sektorin e minuar të naftës, sepse në sajë të punës së tyre, mbahet akoma kjo copë Shqipëri.
Kohë më parë, vdiq profesori i gjeologjisë së naftës, Ziver Meko. Delikat, i ndjeshëm dhe i ndershëm deri në kockë. Si një manushaqe! Ai kishte dy pasaportizime, një në Tiranë dhe tjetrën në prodhim. Çdo ditë merrte trenin Tiranë-Fier. Godina e Institutit të Naftës në Fier ruan të qeshurën e tij fëminore. Profesori projektoi në Mollas, në Cakran, në Tiranë, në Durrës e gjetkë. Emrin e tij e gjejmë dendur në proces-verbalet e Këshillit Shkencor të Institutit të Naftës në Fier. Pa hile dhe i ndershëm, ai u përdor nga rrufjanët si gur peshoreje për të balancuar raportet burokratike moniste. Para se të shuhej, ju luta për një intervistë. Ai nuk më refuzoi, por më tha se tani për tani ishte i pamundur (i sëmurë), dhe më pas… qeshi. Rast i rrallë, kur e qeshura u bë çift me vdekjen. E përcollën miqtë, shokët, ish studentët, por në atë arratisje, nuk u duk asnjë qeveritar.
Nuk mbaron këtu kalvari i naftëtarëve, ky kortezhi i gjatë hidrokarburesh të gjallë. Kortezhi i naftëtarëve përbëhet nga punëtorë, pompistë, sondistë, roje, brigadierë, shoferë, mekanikë, kuzhinierë, pastruese, normistë, gjeologë, përpunues, dispeçerë, disa nga qyteti disa nga fshati, shumica pa shtëpi. A kujtohet dikush për këtë detashment!? Naftëtarët, shokët dhe kolegët tanë të cilët nuk jetojnë më, nuk donin kurora me lule dhe as dekorata, ata donin që naftën ta gëzojmë ne shqiptarët, sepse jetuan dhe punuan për këtë vend që quhet Shqipëri. Gazetat e shumta shqiptare, mbushen me pornografi, por nuk kanë vend dhe bojë të kujtojnë këta heronj të heshtur që kundërmojnë erë nafte në këtë botë dhe në botën tjetër. Shtypi dhe media e një vendi, është hija e mirë apo e keqe e një qeverie.

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura