IRIDA XHENETI(*) : ‘LARGPAMËSIA’ E TEORIVE TË MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE PAS LUFTËS SË FTOHTË

Pashtriku.org, 28. 03. 2013 – Paaftësia për t’i paraprirë ngjarjeve të ndodhura ka ndikuar kërkimet teorike në fund të luftës së ftohtë. Siguria në stabilitetin e bipolarizmit, prezente në të gjithë teorinë e Waltz, dëshmon vështirësitë e këndvështrimit teorik. Bashkimi i dy Gjermanive, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe përfundimi i bipolarizmit nuk mund të mos ndikonin në procesin kërkimor shkencor në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Mungesa e një mekanizmi zëvendësues të Fuqisë që mund të identifikohej përmes përballjes me fenomenet e mëparshme i bashkangjitej vështirësisë të një komuniteti që ndodhej përballë humbjes së elementëve më të qëndrueshëm të kulturës së tij. Megjithatë, do të ishte e padrejtë të dënohej tërësia e veprave teorike, “fajtore” për mosparashikimin e “të paparashikueshmes”. Teoria shpjegon ligjet që udhëheqin fushën, të cilës ajo i përket, por nuk i krijon ajo këto ligje. Teoria thjesht përfaqëson organizimin e sektorit të studiuar, por nuk ka pushtet mbi këtë organizim. Mund të përshkruajë mënyrën e funksionimit/shpjegojë shkaqet e një kolapsi, por nuk mund ta paraprijë, fakt për të cilin do të përgjigjet vetëm përpara pasardhësve.
Merita kryesore e pyetjeve mbi natyrën e sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë konsiston në imponimin e një reflektimi të thellë mbi ndryshimin dhe kolapsin. Konceptimi i ndryshimit, megjithëse në qendër të mendimit politik, mbetet çelësi i teorisë në tërësi. Me përjashtim të Marksizmit që kishte integruar Revolucionin në vizionin e tij të zotërimit të botës, pa shpjeguar mekanizimin e brendshëm të të tilla transformimeve. Këndvështrimet teorike të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë privilegjuar një prezantim statik të sistemit ndërkombëtar. Kjo dukuri bazohej në pamundësinë për të përshkruar elementin turbullues që cënonte stabilitetin e domosdoshëm për vlefshmërinë e teorisë. Të dënuara për të mbetur të limituara në konfirmimin/vërtetësinë e fakteve, Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare ndahen tashmë mbi bazën e ndryshimeve në proçes. Kjo linjë ndarjeje diferencon mbështetësit e një ndryshimi të sistemit-kalimi nga bota westfeliane te bota postwestfeliane, e cila i konsideron ndryshimet aktuale një ndryshim të thjeshtë të konfigurimit të sistemit ndërkombëtar.

Problematikat e fundit të Luftës së Ftohtë
Supriza e krijuar nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, dhuna që shoqëroi zhdukjen e instrumenteve të ligjit, të përdorura gjatë Luftës së Ftohtë dhe pamundësia për të vendosur rendin e ri ndërkombëtar, të premtuar ngjallën optimizëm dhe pesimizëm të madh. Këto tema u përhapën në një shkallë tejet të gjerë, duke kaluar qarkun e ngushtë të opinioneve të ekspertëve. Këto problematika, të shfrytëzuara nga tregu editorial, i dhanë jetë komenteve sa të papërgjegjshëm, aq edhe kategorikë. Dhe, nëse ky interes nga njëra anë lejoi rritjen e numrit të kufizuar të të pasionantëve pas Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nga ana tjetër u ezaurua edhe më shpejt se ngjarjet nuk u paraprinë nga parashikime të bazuara mbi intuitën e mbështetur në punën rigoroze e serioze.
Fundi i historisë
Fundi i bipolarizmit u kthye në një stimul për imagjinatën. Përpara rënies së Murit të Berlinit, Francis Fukuyama publikoi në verë të 1989 në revistën amerikane “National Interest” artikullin që do ta bënte të famshëm. Tre vite më vonë, ky artikull do të pasohej nga publikimi i “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”. Duke parashikuar dështimin e modelit sovjetik, evoluimit të modelit komunist drejt “socializmit të tregut” (Ngjarjet e “Tien An Men” ndodhën në qershor 1989) dhe fundit të një numri të madh regjimesh diktatoriale, Fukuyama mendonte se demokracia siç servirej nga Hegel ose Marks përbënte pikën finale të evoluimit ideologjik të Njerëzimit dhe formën finale të qeverisjes. Ky zhvillim lejon shpresën se bota nuk ishte më nën ndikimin e dhunës, derisa përhapja e demokracisë deligjitimonte përdorimin e saj. Kjo teori i la vendin kritikave të panumërta, ndaj të cilave autori u përgjigj në një numër të ri të “National Interest”. Tre ishin pikat e marra në konsideratë nga Fukuyama. Ai nuk mendonte se, historia do të mbyllej me rënien e murit të Berlinit dhe që demokracia do të vendosej si forma e vetme e qeverisjes. Në një mënyrë shumë të paqartë, teoria e tij përfshihej në skemën klasike evolucioniste të regjimeve politike, ku demokracia ishte forma moderne e qeverisjes pas formave primitive, të avancuara dhe tradicionale. Sipas teorive të shumë autorëve, duke nisur nga gjysma e viteve 70’ mendonin se përballë avancimit të totalitarizmit sovjetik, demokracia ishte e dënuar (Revel, Huntington, etj), teza e Fukujamës prezantohej me rehabilitimin e kësaj mënyre të qeverisuri. Saktësimi i dytë i kësaj teorie kishte të bënte me përmasën botërore të kësaj fitoreje. Gjithmonë, duke iu referuar Hegelit, Fukuyama refuzonte të konsideronte suksesin e demokracisë si imediat dhe në gjendje për të trasformuar botën reale. Sipas tij, demokracia, pasi të konstatonte mungesën e perfeksionit dhe iracionalitetit të formave të tjera të qeverisjes, do të triumfonte mbi të gjitha në ndërgjegjet dhe në “botën ideale”, duke u rikthyer vetëm në një ideal i mundshëm, ashtu si dhe universal, por në asnjë mënyrë duhej të konsiderohej si një model universal qeverisjeje. Paqja nuk mund të ishte pasoja e menjëhershme e këtij evolucioni virtual. Kolapsi i Bashkimit Sovjetik nënkuptonte fundin e përplasjes midis dy ideologjive me karakter universal. Fundi i luftës së ftohtë, e karakterizuar nga suksesi i demokracisë së tregut forconte “shpirtin e tregut të përbashkët” në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, forcim që reduktonte thjesht mundësinë e një konflikti të një shkalle të gjerë midis shteteve, por nuk nënkuptonte fillimin e një ere paqeje të qëndrueshme.

Përplasja e qytetërimeve.
Si për temën e fundit të historisë, përplasja e qytetërimeve i dha jetë një artikulli të Samuel Huntington, i publikuar në revistën “Foreign Affairs” në vitin 1993, më pas të transformuar në librin “Përplasja e qytetërimeve dhe rendi i ri botëror”. Artikulli prezantohej në formën e një pyetjeje: periudha pas luftës së ftohtë do të ishte teatri i një përplasjeje midis qytetërimeve? Libri eleminoi pikëpyetjen nga titulli dhe zhvilloi tezën e autorit përballë shumë kritikave që kishte marrë.
Teza qëndrore që prezantohet përmes shumë këndvështrimesh, ndër të cilat edhe ideja e Fukujamës, i kundërvihet idesë së një universalizimi të demokracisë nëpërmjet okupimit nga stili perëndimor. Huntington refuzon idenë që modernizimi ekuivalentohet me oksidentalizimin dhe që bota është në rrugën e homogjenizimit.
Mesjeta e re
Shpjegimi i tretë më në modë në atë periudhë ishte neo-liberalizmi. Në vitin 1993, Alain Minc e bëri popullor/të njohur në Francë, duke publikuar Mesjetën e re, që përcaktoi si mungesën e sistemit të organizuar, zhdukjen e çdo qendre, shfaqjen e solidaritetit fluid. Ideja nuk ishte e re. Hefley Bull kishte folur për këtë në vitin 1977 si një hipotezë e mundshme e evolucionit të modelit bipolar.
Rikthimi i parlajmëruar i obskurantizmit të Mesjetës shërben shpesh si mbështetje apokaliptike dhe një kompleks i parezistueshëm për të rikonfiguruar epokën e vagullt, që do të karakterizonte botën e re. Ashtu si fillim i shek. XV karakterizohej shkatërrimet e Murtajës dhe frikës së shkaktuar nga ekspansionizmi turk në apogjeun e tij, kështu periudha e pas-luftës të ftohtë dukej i kërcënuar nga dobësimi i arsyes. Kthimi i tensioneve nacionaliste, reminishencat e solidaritetit të trefishtë, apologjia e kryqëzimeve, gangrena e mafias, emigracioni në masë ishin gjithashtu fenomene të grumbulluara në mënyrë të padukshme në një “kazan” populizmash. Siç shprehej Pierre Hassner, që refuzonte t’i nënshtrohej këtij pesimizmi, shpesh të theksuar për motive editoriale, Mesjeta e re evokonte mbi të gjitha “kujtimin e inkuizicionit”, gjuetisë së shtrigave, bandave të hajdutëve, kavaljerëve endacakë dhe piratëve. Pranimi i një tabloje transizioni të përhershëm, në të cilin bashkëjetojnë, disa herë në mënyrë harmonioze, herë në mënyrë kaotike nivele nacionale, rajonalë dhe globalë, do t’i shtonte liberalizmit të një epoke në çmenduri të plotë kaotizmin e një konteksti analitik të papërshtatshëm: Etika dhe ligji, politika dhe ekonomia, faktori humanitar dhe ushtarak mund të diferencoheshin në aspektin analitik, por do të ishin në praktikë të pandashëm, siç do të ishin elementi politik dhe ai privat, ai i brendshmi dhe ai i jashtmi, kombëtari dhe ndërkombëtari. Kjo temë ka kontribuar në kompleksitetin e botës të pas luftës të ftohtë, e cila karakteristika e të cilës sipas James Rosenau, ishte stimulimi i institucionalizimit të tensioneve në vend të limitizimit me ardhjen e krizës të modelit të organizimit, të bazuar në shtet.
Teoritë e ndryshimit të sistemit
Tema e ndryshimit të sistemit përfshihet në radhën e teorive botërore dhe transnacionaletë viteve 60’ dhe 70’. Nga këto teori rivjen në vëmendje argumenti kryesor i kundërshtimit të shtetit, që do të humbte rolin e tij të aktorit kryesor të jetës ndërkombëtare për shkak të intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore si dhe të emancipimit të autorëve jo shtetërorë.Rendi i trashëguar nga Traktatet e Westfalia, që në vitin 1648 kishte organizuar marrëdhëniet ndërkombëtare rreth shteteve (bota westfeliane), do të zëvendësohej nga një sistem i ri ndërkombëtar (bota post-westfeliane). Në ndryshim nga teoritë botërore që kundërshtonin realizmin dominues, qëndrimet e reja të ndryshimit sistematik që mbajnë parasysh qëndrueshmërinë e institucioneve ndërkombëtare, të organizuara mbi baza shtetërore. Karakteristika e parë e botës post-ëestfeliane do të ishte paqëndrushmëria në thelb, paqëndrueshmëria e provokuar nga bashkëjetesa midis bashkësisë së shteteve dhe autorëve transnacionalë që kërkojnë të imponojnë autonominë e tyre përmes kundërshtimit të prerogativave shtetërore.Transformimet e jetës ndërkombëtare, të monitoruara nga mbështetësit e ndryshimit të sistemeve kanë orgjinë bashkëjetesën e sforcuar të dy niveleve të analizës, që nuk ishin vendosur ende në të njëjtin kontekst. Megjithëse, shumë më pak radikal në krahasim me pozicionet e mondialistëve të viteve 60’, ky vizion i botës gjithashtu është kontestuar nga mbështetësit e një këndvështrimi më realist. Ashtu si Rosenau dhe Waltz, edhe këta të fundit konfirmojnë bashkëjetetsën e këtyre dy niveleve të analizës. Kjo marrëveshje mbi parametrat tregon dobësimin e këndvështrimit shtetëroro-centrik. Megjithatë, shteti megjithëse me pushtet të zbehur mbetet për trashëgimtarët e realizimit aktori kryesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Çështja konsiston në përcaktimin se në çfarë niveli ky shtet i dobësuar dhe subjekt i konkurrencës arri të ruajë kontrollin e ambientit të tij.

Konkluzione…
Nga këndvështrimi epistemologjik sforcot për të ndërtuar një Teori duket se orientuan drejt një rrugice pa dalje. Vepra e Kenneth Waltz nuk i rezistoi provës së fakteve edhe për shkak të ambicieve të këtij autori, shkatërrimi i çdo shprese për të krijuar një ditë një model teorik.Edhe realizmi strukturor që prezantohet si trashgimtari i neorealizmit, duhet të konsiderohet si një program kërkimor relativisht i vagët me referenca shkencore dhe jo në harmoni me shkencat e tjera shoqërore.Megjithatë, sot nuk mund të konfirmohet që Marrëdhëniet Ndërkombëtare përbëjnë një disiplinë të re, duke shfrytëzuar këtë fakt për të shpjeguar boshllëqet e kësaj teorie.Konkluzionet e Raymond Aron, që shprehej kundër mundësisë së një teorie të tillë, kanë marrë më të mirën mbi pohimet e Kenneth Ëaltz. Marrëdhëniet Ndërkombëtare duken kaq të dënuara për të qënë një sociologji e thjeshtë, sa që duke nisur nga historia lejon interpretimin e aktualitetit, duke nxjerrë në pah disa dinamika të caktuara, të konsideruara vendimtare (epërsia e shtetit, impakti i flukseve transnacionale etj.). Pamundësia për të arritur në një Marrëveshje mbi hierarkinë e këtyre dinamikave të ndryshme imponon për të konsideruar teoritë e ndryshme të Marrëdhënieve Ndërkombëtare si “thjeshtimet që thjeshtësojnë kuptimin e realitetit” (Pierre de Senarclens). Megjithatë, sforcot për të konceptuar këto modele teorike nuk janë tërësisht të pabaza. Kërkimi intelektual, që të detyron të orientohesh në një aktualitet shumë të pasur me stimuj dhe të propozosh skema të të kuptuarit origjinale, lejon përballimin e realitetit ndërkombëtar me instrumente më pak empirikë se në të kaluarën. Në këtë kuptim, braktisja e çdo pike referimi ndaj një sovraniteti absolut nga ana e mbështetësve të modelit të shtetit qendror, ashtu si perceptimi i shtetit në këndvështrimin transnacionalist testojnë progreset e disiplinës. Njëkohësisht, bashkëjetesa e teorive të ndryshme imponon domosdoshmërinë e relativizimit të aplikimit të seicilës prej tyre, duke favorizuar në të njëjtën kohë ndikimin e ndërsjelltë. Çdo teori e marrëdhënieve ndërkombëtare prezantohet si një skemë e thjeshtë leximi. Duke u bërë e ndërlikuar, teoria për të rimarrë formulën e Kenneth Waltz është vetëm një instrument spekulativ, më pak emipirik se të tjerët dhe i destinuar për të siguruar një interpretim të përkohshëm të ligjeve të jetës ndërkombëtare. Është një teori që propozon tashmë vetëm programe të thjeshtë kërkimorë, konkurrues që përbëjnë disiplinën. Nga një këndvështrim ontologjik, konstatohet se dualizmi i ekonomisë politike, për një kohë të gjatë pikë referimi i internacionalistëve është sot i pranuar në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në fakt, as keinesianizmi, as monetarizmi i kanë rezistuar provës së fakteve dhe nuk kanë qënë në gjendje të sigurojnë përpigje të përshtatshme për kompleksitetin në rritje të mekanizmave ekonomikë. Asnjë nuk e vendos në dyshim shfrytëzueshmërinë e këtyre teorive, qëllimi i të cilave nuk janë zgjidhjet konkrete, sesa ofrimi i një skeme interpretative që organizon mendimin e ekonomistëve.

Megjithëse, atje ose teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk muund të pretendojnë të arrijnë të njëjtin nivel formalizimi të ekonomisë politike, ekzistojnë tashmë dy shkolla të njohura dhe të vendosura në një nivel pariteti, që i lejojnë atij që i zgjedh të ndajnë një program kërkimor të përbashkët. Nga njëra anë kemi tendencën shtet-qendër, pavarësisht nga emërtimi (realiste, ndërqeveritare, neoinstitucionaliste), që bazohet mbi 3 elementë:
1. Epërsia e politikës në një ambient të karakterizuar nga përballja midis marrëdhëineve ndërshtetërore dhe shumëllojshmëria e flukseve transnacionale;
2. Anarkia natyrale nga jeta ndërkombëtare që është gjithsesi e zbutur nga bashkëpunimet ndërkombëtare dhe përhapja e normave dhe vlerave që shtetet e kanë gjithnjë e më të vështirë të rezfuzojnë;
3. Ekzistenca e një strukture që kushtëzon lirinë e veprimit të elementëve që përbëjnë sistemin ndërkombëtar.
Në kundërshtim me këtë tendencë kemi transnacionalizmin, që tashmë ka përfituar një pozicion autonom. Bëhet fjalë për një etiketë tejet të përgjithshme që përmbledh tre elementë thelbësorë, ku bien dalord mbështetësit e këtij këndvështrimi, të cilët logjikojnë jo më në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por në planin e ‘politikës botërore’.
1. Përballja e përhershme dhe e pazgjidhur ndërmjet një rendi shtetëror dhe flukseve ndërkombëtare që i shpëtojnë kontrollit të shteteve;
2. Një tendencë për globalizimin që provokon reagime rikonfigurimi të identiteve jashtë kornizës së prapambetjes;
3. Shfaqja e rrjeteve karakteristike të zhvillimit botëror të aktiviteteve që organizohen jashtë logjikës territoriale të shteteve;
Plotësuese, por konkurrente, këto dy shkolla janë të dënuara për të përcaktuar kushtet e një bashkëjetese paqësore që nuk mund të mos konsiderohet një përballje sterile idesh. Por, siç thekson Marie-Claude Smouts, karakteristika e disiplinës të Marrëdhënieve Ndërkombëtare që nuk ka qënë asnjëherë e aftë për të bërë të heshtë asnjë nga debatet e brendshme të lindura. Ekziston rreziku për të parë këto shkolla të ndryshme të refuzojnë pajtimin e domosdoshëm të paradigmave dhe riprodhimin me intervale pak a shumë të rregullt këto kushdërshti. Kundërshti, që nëpërmjet konflikteve personale që provokojnë duken se konfirmojnë idenë e hedhur nga Philippe Braillard në fillim të viteve 90’: Sot, studimi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare reflekton më shumë imazhin e një kampi të destrukturuar, në të cilin përballen modele shpjeguese dhe teorike jo lehtësisht të pajtueshëm, në krahasim me modelet e një sektori, ku elementët infiltrohen në një të tërë koherente, rezultat i një strategjie grumbulluese.
* ) Irida Xheneti, Master në Universitetin e Moskës ‘MGIMO’ për Marrëdhënie Ndërkombëtare; Master në Universitetin ‘La Sapienza’- Romë, për Gjeopolitikë dhe Siguri Globale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura