ISA MULAJ: SI E KRIJOJ MEHMET AKIFI KULTIN KUNDËRTHËNËS TË ‘MIHANES’ NË MUZIKËN SHQIPTARE?!

Prishtinë, 09. 01. 2015 – Mihane është emër personal i femrave tek shqiptarët e Kosovës, mjaft i përhapur për ato që kanë lindur deri në vitet 1970-ta. Emri rrjedh nga persishtja Mejhane me domethënien pijetore (mej-verë dhe hane-shtëpi). Për nga domethënia nuk paska një kuptim aq të mirë. Mirëpo, më ka bërë përshtypje një këngë hit popullor për të, me titullin “Jalla moj Mihane, o me dy mindila; e ku na i more moj zemër, o kta dy kopila!” Autorin ose krijuesin e këtij hiti, nuk e gjeta, ose nuk e di. Më kujtohet se një variant të kësaj kënge e kishte kënduar herët Sinan Vllasaliu. Pse pikërisht emri Mihane është zgjedhur për ta pasqyruar simbolin e femrës së përdalë, tradhtare dhe të pamoralshme, edhe pse, siç do të shohim më vonë në këtë shkrim, kënga “Mihane”, në formë të përkthyer ose origjinale, paraqitet edhe në kuptimin pozitiv?
Poetët dhe muzika janë një
Muzikën popullore në përgjithësi, sidomos tekstin e këngëve, e kanë shpikur dhe zhvilluar poetët. Ju pa hamendje do të thuani: Po valla; këngët me të njohura të Shkurte Fejzës, Gëzim Nikës, Ilir Shaqirit, Nikollë Nikëprelajt janë prej poezive të Naim Frashërit (Bagëti e Bujqësi, Shqipëri o nëna ime/Oj Kosovë nana ime, Fjalët e qiririt), Fan Nolit (Nënë moj mbaj zinë për vllanë – Luigj Gurakuqin), Gjergj Fishtës (Gegë e Toskë), e tjera. “Besa edhe Rexhep Qosja si akademik ka shkruar një libër për Ilir Shaqirin dhe këngët e tij; s’di a ke dëgjuar?” Normal që kam dëgjuar. Poetët dhe shkrimtarët jo vetëm që e duan muzikën, por shpesh edhe vetë janë muzikantë. Himni kombëtar i një shteti është këngë. Himni duhet të ketë edhe muzikën, e muzika është ajo që luhet më së shpeshti në rastet kur shtetet përfaqësohen nëpëmjet himnit. Për Republikën e Shqipërisë, himnin e flamurit e shkroj (kopjoj) një shkrimtar vlleh me emrin Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni). Muzika e himnit “kombëtar” është huazim i një marshi rumun të kompozuar nga Ciprian Porumbescu më 1859.

Autori i himnit të Republikës së Turqisë, është Poeti Kombëtar i Turqisë, gjeniu më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Mehmet Akifi. Shumica e shqiptarëve e mbajnë mend Mehmet Akifin vetëm si autor i Himnit të Turqisë “Marshi i Pavarësisë”, edhe pse nuk e dijnë të vërtetën e atij himni, i cili paraqet një pikë ujë në deti në jetën dhe veprimtarinë e tij. Sa i përket himnit, M. Akifi ka shkruar disa himne për shqiptarët, në mesin e të cilëve më i njohuri është ai me titullin “Unë jam shqiptar”, i shkruar fiks tetë vite para himnit të Turqisë. Himni i flamurit tek shqiptarët, nuk është as himn i shqiptarëve, e as i flamurit të shqiptarëve. Të dyjat janë të vjedhura. Po himni i M. Akifit “Unë jam shqiptar” dyfish më i madh se himni i Turqisë, a ka gjasa teorike të jetë i tjerave komberve? Kurrsesi. Shumica e shqiptarëve nuk e dinë se M. Akifi përpos poet, shkrimtar, deputet, akademik, poet kombëtar, ishte edhe sportist i dalluar dhe muzikant. Çfarë sportisti? Ai gjithmonë dilte i pari në vrapimet e gjata dhe të shkurta. Ishte kalorës i mirë, mundës i pamposhtur, hedhës i gjyles, dhe notues i fortë. Ai shkonte nëpër fshatrat e Stambollit për t’u gaxhumitur me fshatarët e fortë dhe i bënte fuzë, sepse ata të qytetit i dukeshin të lodht. Edhe në hedhjen e gjyles (me gjujt gurapesh) u shkonte të gjithëve. Ngushticën e Bosforit të cilën ne sot mund ta kalojmë me anije dhe barka, dhe vetura mbi ura, ai e kalonte andej e këndej me not, pra notonte nga Evropa në Azi dhe anasjelltas brenda ditës. Jo vetëm që e donte muzikën, por ishte mjeshtër i fyellit.
Ju do të mendoni se këtu pretendohet për ndonjë ndërlidhje ndërmjet himnit të Turqisë dhe muzikës së tij, por me këtë rast do të shpalosim një poemë të gjatë të Mehmet Akifit nga e cila shqiptarët e Kosovës, sigurisht pa vetëdije por me ndonjë frymëzim nga dikush, e kanë adaptuar në simbolikë. Poema e M. Akifit quhet “Mejhanja”, me mbi 100 vargje, e shkruar para 100 viteve. Përkthimi në shqip nga Mit’hat Hoxha është i dobët (sikurse edhe i shumë poezive tjera të M. Akifit), por shpresojmë se jemi në gjendje ta kuptojmë përmbajtjen dhe porosinë që e transmeton, nëse i shënojmë disa strofa dhe vargje që na duken interesante dhe me domëthënie:
Fryn erë e ultësisë nga anët e saj e nga thellësitë,
Ikën frymë e lartësisë nga mjedisi i saj intim, nga fshehtësitë;
Mijëra rënkime pesimizmi dalin nga toka që lëndon,
Zbresin mijëra errësira varri nga hapësira që netët i reshon!
Dinjiteti i klientëve të saj, i rënë poshtë si verë e derdhur, e tepruar,
Shpresat, si një gotë vere e thyer në kosh të plehrave e lëshuar…
Është mbytur shpirti njerëzor mes dallgëve të verës,
Kurse ma;;kimi lexohet në surratin e sakiut të shëmtuar.
Shihe këtë pijanec, as për të shkuarën, as për të ardhmen di…
Me helmin djegës që ka zënë me duart e pafuqi,
Pret t’i soset jeta mu në moshë të re!
Mbrëmë, i mërzitur sokak me sokak shëtita,
Më në fund qëllova në një vend që s’e dita.
Një radhë shtëpish ngjitur, pastaj dhe një gërmadhë,
Një mejhane me pamjen e një hani me doli përballë.
Me tavan të ulët, në errësirë, një dyqan i mjerë;
Brenda njp tavolinë ose një gjë prej dërrasa tabutesh bërë;
Pranë një shtrat i vjetër me skeletin të dalë jashtë.
Ndërkaq pashë të ngulet mu në derë të hapur
Një burrë me fenerë në dorë, pranë një grua;
Pasi u menduan pesë a dhjetë minuta,
Edhe gruaja në atë errësirë-këngë të pështirë.
E mjera unë, laj rroba, laj dërrasa, kjo punë për ditë,
Prapseprapë para s’kemi, rrimë me duar në gji!
S’punove vetë, vite me ardhë më vure mua në punë,
Fëmijët na i mësove zhveshur, të mjerë…
Mëhalla e di se, ku më more mua,
Im atë të pati mbushur e stolisur shtëpinë!
Ku është tani gjithë ajo plaçkë? I shite e në kumar i le!
Po, po, në kumar, në Bregun Përballë atje!
Vajza t’u rrit, s’e merr kush; e si ta marrë?
Pyesin njerëzit: “Mos është bijë e sarhoshit kjo Iffet?
Lëre, aman! E drejtë, thonë gratë, dhe heqin dorë.
Eh, sikur ta dish sa e prek kjo vajzën e gjorë!
Moj engjëllushja ime, si s’paske fare fat:
Jot ëmë s’di nga t’ia mbajë, sarhosh – yt atë!
Edhe Nexhipi erdhi nga shkolla me stolin nën sqetull…
“Më përzunë nënë!” – thotë e qan i mjeri djalë!
Ç’t’i bëjë nëna, s’di ku të mbështetet, kujt t’i thotë!
Djali të paktën të bëhej njeri, të mos quhej injorant!
Çdo mëngjes e këndonte mësimin me zell e ditë për ditë,
Me libër në dorë djali, s’ia hiqte librit sytë!
Ke tri netë që s’vjen në shtëpi. Nexhipi pyet:
“Ku është babai? Dua babanë!” Shish se ç’hall tani!
Ujërat u nxinë, a shëtit rrugëve gruaja në këtë orë?
Dhe i thashë djalit: “Ai ësht sarhosh, o bir,
Sokak më sokak duhet kërkuar, a e gjen dot, i vogli im?”
Më mirë të mos kish lindur nëna fëmijë si unë,
Po djali nuk qetësohej. E pashë se duhej dalë
Më mirë t’i kisha mbyllur sytë pa i parë këto ditë!´

***

Dëgjoni në origjinal poemën “Meyhane” të Mehmet Akif’it:

Mejhanja këtu nënkupton pijetoren (kafiqin) për pije, bixhoz, të mbushur me pijanecë, dhe një femër për shërbim.. “Bregu Përballë” është (ishte) vend me lokale të njohura për pije e dëfrim në zonat Gallata dhe Bejogllu të bregut evropian të Stambollit. Shërbimi kryesor i femrës është pastrimi i lokalit. Nga pjesët tjera të poezisë dhe punët që bëheshin në ato lokale, kuptohet se ajo kryente edhe zeje tjera, si atë të prostitucionit. Nuk është vetëm krevati në pijetore që u bënë të dyshoni, por përmbajtja e mëtjeme e poezisë kur femra i drejtohet burrit të vet “Mëhalla e di se, ku më more mua – Im atë të kishte mbushur e stolisur shtëpinë”. Ajo kishte ardhur nga një familje e ndershme e cila i kishte ndihmuar dhëndrrit me gjëra meteriale. Dhëndrri i kishte shpenzuar të mirat e shtëpisë në pije dhe bixhoz. Gruan e kishte punësuar në një pijetore si kamariere dhe pastruese. Ajo kishte pasur një vajzë, të cilën e quan të pafat, që s’e merr kush për shkak të nënës. Ndërkaq, djalin me emrin Nexhip, nuk dihet se nga e ka marrë; nga shërbimi në pijetore, apo nga shtëpia. Djali në fillim ishte i përkushtuar në mësim, por më vonë e përjashtojnë nga shkolla shkaku se nuk kishte përkujdesje të babait. Ai nuk e dinte se kë e kishte baba dhe e pyeste nënën për të. Nëna i thotë se ajo vetë s’ka nga t’ia mbajë, kurse babai i tij (që nuk do të thotë se mund ishte babai i vërtetë i tij) ishte sarhosh. Sarhosh ishin edhe të tjerët ose klientët e mejhanes ku punonte ajo. Këtë e vërteton edhe nëna e djalit e cila i thotë atij ta kërkoj sokak me sokak babain, dhe nuk e gjënë dot.
Si u trasformua kjo te kënga për Mihanen në shqip?
Jo vetëm për kah etimologjia, por edhe shumica e fjalëve dhe përmbatja e këngës për Mihanen në shqip janë të gjuhës turke, arabe dhe perse. Kjo e shton dyshimin se një këngë e tillë nuk është shpikje origjinale e shqiptarëve, dhe si e tillë, ose është kopjuar, ose frymëzimi për të ka ardhur duke u bazuar në ndonjë traditë gojore të dikujt. Sidoqoftë, të shohim sa përputhen ndërmjet vete teksti i këngës për Mihanen në shqip me poezinë e Mehmet Akifit me të njëjtin titull (Mejhanja):
Jalla moj Mihane moj zemër,
O me dy mindila,
E ku na i more moj zemër,
O kta dy kopila!
Ee dy kopila moj zemër,
O në Ramazan e
O ia ngjes emrin njanit
Hajde Ramadan e.
E Ramadani i vogël
Nuk po din me folë
O ia blen baca moj zemër,
O ni mikrofon e.
E Ramadani i vogël,
Nuk po din me ecë e
O ia blen baca moj zemër,
O ni bicikletë e.

Së pari, vërehen emrat e gjuhës arabe, perse, dhe turke: Jalla (Allah), Mihane, Ramazan, Ramadan, kopil. Dy kopila janë sinonim i dy fëmijëve të asaj femrës në poezinë e Mehmet Akifit që punonte (ose hynte) në pijetore (Mejhane). Dallimi mund të jetë se poezia tregon për dy “kopila” ku njëri është vajzë e tjetri djalë (Nexhipi), por ngjashmëria është se kënga kur përmend dy kopila, e emërton vetëm njërin prej tyre ose atë të gjinisë mashkullore (Ramadanin) sikurse edhe poezia që ia thotë emrin vetëm njërit (Nexhipit). Si të poezia, ashtu edhe te kënga, babai i fëmijës nuk dihet kush është. Te poezia ai është “sarhosh” (pijanec), kurse te kënga “baca” i cili e quan Mihanen “zemër” (e jo bashkëshorte). Përjashtimi nga shkolla i Nexhipit dhe mbetja e tij injorant, është analog me injorancën e Ramadanit që nuk di të flasë. Për të zotërohet të përkujdeset “baca”, e jo “babai” ose i zoti i shtëpisë. Edhe këtu kemi një koincidencë me një pjesë të poezisë së M. Akifit, kur gruaja i drejtohet për ndihmë fqinjit të saj me emrin Hysen Aga:
Dhe mora komshiun Hysen Aganë
Dhe në kohë jatsie po e shëtis dynjanë!
O njeri, shihma hallin e ki pak mëshirë,
Hiq dotë nga ai helm, maft sa ke pirë!
Zotërinjë, jepini edhe ju një këshillë, ndoshta
Keni edhe ju fëmijë…
Gruaja është si këpuca: përdoret ca kohë
E pastaj ndërrohet.
Gruaja këto fjallë s’i dëgjonte, veç qahej e ankonte,
Kurse i shoqi, sikur të ish gur varri, vetëm e dëgjonte!
Më në fund, iu hap goja që të mos i hapej më mirë
Dhe iu derdhën prej goje këto fjalë të mallkuara:
– Në djall të vesh, dosë o rrospim qërohu, të kam ndarë!
S’e di ç’u bë me burrin, por gruas i ra të fikët e u rrëzua!

Edhe këto vargje përputhen me kontekstin negativ që i është dhënë këngës së Mihanes në shqip. Vetëm se, M. Akifi me emrin Mejhane e paraqet kafenenë, çka bëhej në të dhe pasojat, ndërsa shqiptarët e kanë përdorur si emër personal në këngë. Tek shqiptarët, përpos emrit pesonal, ka edhe mbiemra Mehanja, i cili ka rrjedhë nga njerëzit që kanë punuar ose zotëruar ndonjë lokal të tillë. Në këtë kuptim është krijuar edhe kënga tjetër për Mihanen në shqip, e cila paraqitet në rolin e tradhtares (Oo, Mihane, bre, oj dado oj, oh ku ma le besën, o!). Emri personal Mihane nuk ka të bëjë me një gjë të tillë. Duke qenë një emër mjaft i përhapur, këngët për Mihanen kanë filluar gradualisht të marrin kontekste pozitive, si për shembull: Mihane, u tranova për ty (kopjim nga kënga në gjuhën angleze “Susana, I’m crazy loving you”), jalla moj Mihane, o me dy mindila, e ku na i more moj zemër, qato trëndafila, etj.

……………………………………………

Dëgjoni deformimin e poemës “Mihane” në shqip!
Leta – Mihane, TURBO TALLAVA (Official Video)

=====================================
Ylber Idrizi – Mihane (Album i ri 2013 Live)

……………………………………………………………………………..

( Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, Sh.Berisha )

—————————————–

SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

Në vazhdim lexoni poemën e Mehmet Akif’it “Unë jam shqiptar” të shkruar më 21 shkurt 1913:

MEHMET AKIF: UNË JAM SHQIPTAR

Tre milionë (shqiptarë) po vuajnë nga tri koka (bajraktarë shqiptarë) pa tru,
shiko, si po masakrohet babai! Ngrihu nga varri baba, ngrihu!
të gjallët nuk u erdhën në ndihmë, të paktën ti eja,
Shqipëria po digjet, kësaj here (djegiet) janë shumë të mëdha.
Kështu një llavë e vjellur ferri
llava përcëlluese i përfshiu të gjitha viset e vendit
ai është zjarri që nuk la pa shkatërruar asnjë oxhak
ajo është stuhia që nuk la pa djegur e rrënuar asnjë konak.
Nëse e ç’prushë hirin, nga përfundi jam i bindur,
do të dalin dy-tri eshtra të kallura
baba, nëna jote më e dashur (Kosova), mëmëdheu i vërtetë
a të bëhet viktimë e tre hajdutëve horra?
Toka, të cilën e lëvroi gjyshi, ku edhe shpirtin e la, shkoi…
Ashtu shkoi që, tashmë nuk kthehet, i huaji e pushtoi
Nëse do të ngrihesh e këtë ta shohësh çfarë do të kishe bërë, vallë?
baba mbi varrin tënd kryqi (serb) a do të kishte qëndruar, vallë?
Kudo që ndodhem para syve më del një fushë e përgjakur…
a je ti, apo përfytyrimi yt: Kosovë e papërkrahur!
ku qëndron shkaku me mijëra herë i pushtimit tënd?
ku është qëllimi i kalimit të rrugës shkatërruese e rrufesë mbi varrin tënd?
Ku është ushtria? Dëshmori që flen në zemër të saj, ku është?
ah, kurbani triumfues ku është? Ai ku është?
kështu, varreza të dëshmorëve, duke puthur tokën po bëj lutje
ah sikur të kishte dy-tre pika gjak dëshmori…
Ah varreza të dëshmorëve, çfarë janë ato? Trualli yt është bërë pijetore
nuk e shoh kandilin dot, ç’është…, gotë pije?
kush janë ata që flejnë në shtëpinë tënde me kasketa (kapela)?
ndoshta jam gabim… (por) kjo është e vërteta… e vërteta.
A të prishi në gjoks shkelja e opingës së serbit?
a u prishën trojet ku pushojnë me mijëra dëshmorë?
kush do ta shporrë çizmen e ushtarit të poshtër?
Gjaku i vrullshëm i heronjve veteranë a do të tjetërsohet?
Ja dinjiteti kombëtar u shua, u shkatërrua.
Je në gjumë… Nëse do të zgjohesh, kanë për të zhdukur
truallin, mos e mbyt përnjëherë, horizonti i mëngjesit të përgjakur
malazezi hajdut, bullgari gjarpër, serbi gomar
pastaj greku qen, atdheun rreth e përqark e kanë rrethuar.
O popull, tani i vdekur, zgjohu, agoi dita!
Ty të erdhën pa ezane (të krishterët), thuaj a të tingëllon kjo kambanë?
Qytetërimi (Europa) ju konsideron si të huaj
njëherë për t’ju copëtuar, pastaj për t’ju gëlltitur dëshiron
shqiptarët po çuditen me ju (bajraktarë-politikanë) tani
çfarë është kjo politikë e përzier, kjo e prishur padi?
Shumica prej jush (politikanë) u mor vesh, rrugën e gabuar s’po e shihni…
hajninë, që tani ju shërben si këshilltar, dëbojeni,
dëgjoni këtë prej meje, vërtet, jam shqiptar…
gjë tjetër s’mund të them… Ja, atdheu im është rrënuar!

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura