DR.JAKUP KRASNIQI: CILIT VETON T’I BESOJMË?

Prishtinë, 28. 08. 2014: …cilit Veton Surroi t’i besojmë? Atij të koleksionit të “Kohës ditore”, të periudhës nga dalja në skenë e UÇK-së, 28 nëntor 1997, e gjithë deri në largimin e forcave serbosllave 21-22 qershor 1999, njëkohësisht edhe nga shkrimet e zgjedhura nga monografia “Koha ditore – 10 vjetët e parë” (Koha, Prishtinë, 31 mars 2007, me gjithsej 232 faqe formati 24,5 x 29 cm), apo të këtij të sotmit të “Këmbëve të gjarprit”?
1. Shkrim absurd që mohon UÇK’në

Të merresh me një çështje fondamentale, siç është ekzistenca apo “mosekzistenca” e UÇK-së, duhet një shkas. Fillimisht, nuk pajtohem assesi me “vlerësimin” absurd se UÇK-ja nuk paska ekzistuar (sic!), konstatim ky që del nga shënimet enkas për libër të kudondodhshmit e gjithëdijshmit Veton Surroi, që përpiqet të mohon krijesën më sublime të popullit shqiptar të Kosovës, e cila kurorëzoi luftën shekullore për liri e pavarësi të Kosovës – UÇK-në! UÇK-ja si askush tjetër para saj, i shkriu akujt që të tjerët i kishin vendosur padrejtësisht në trupin e Shqipërisë e të shqiptarëve (në kufijtë shqiptaro – shqiptar). Kjo vlerë e vepër kombëtare nuk mund të mohohet nga askush, madje as nga armiqtë më të mëdhenj politik të shqiptarëve. Prandaj edhe nuk kemi një përpjekje të tillë deri më tani. Nuk pajtohem assesi as edhe me veprimet e disa veteranëve të UÇK-së, të indinjuar me kuturisjet e Veton Surroit, duke djegur publikisht ekzemplarë të librit “Këmbët e gjarprit”, botuar në prag të zgjedhjeve kombëtare të 8 qershorit 2014 nga kompania “Koha” e Prishtinës. Mbase ky veprim veteranësh të nxituar shesheve të Ferizajt e Malishevës bëri që librit t’i shtohet nami, duke u botuar e ribotuar deri tani më se shtatë herë, me një tirazh që kalon numrin 10 mijë kopje, që për Kosovën paraqet një bestseller të vërtetë. Natyrisht, kjo nuk është vështirë të arrihet, për një botues që ka botuar edhe libra shumë të mirë për UÇK-në dhe një medie e fuqishme me gazetë të përditshme, televizion kombëtar dhe shtypshkronjë, pavarësisht ndihmesës së veteranëve.

Së këndejmi, duhet pranuar një fakt se jo të gjitha librat që janë shkruar nga autorë shqiptarë e të huaj, kanë shkruar mirë për UÇK-në, por e veçanta e librit të Veton Surroit është se ky i pari e merr “guximin” të mohon ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që s’e ka bërë askush tjetër para e pas tij, madje këtë nuk e ka bërë, sa di unë, askush as në Serbi. Por, ky fakt nuk i jep të drejtë askujt që ta djegë një libër, si lajtmotiv se nuk pajtohet me konstatimet e autorit. Përgjigjja më e mirë ndaj një libri cinik, i cili nuk merr parasysh asnjë argument a fakt të qëndrueshëm, është kundërvënia me libra dhe debate me fakte të qëndrueshme dhe të argumentuara mirë. Nuk është punë e veteranëve të djegin libra dhe as t’i vlerësojnë ato. Ata e kanë kryer dinjitetshëm punën e tyre me çlirimin e Kosovës dhe për këtë duhet të jenë krenarë. Është detyrim i instituteve shkencore ta mbrojnë Lëvizjen Kombëtare për Çlirim nga sulmet joparimore e mohuese ngado që ato vijnë e katapultohen në mendësinë tonë akoma të brishtë. Janë shkruesit e historisë, shkrimtarët e poetet, njerëzit e artit e të kulturës ata që duhet brezave t’ua ndriçojnë rrugëtimin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Errësimin e kësaj rruge, mjaftë e kanë bërë armiqtë e kombit tonë, ne duhet ta ndriçojmë. Në anën tjetër, libri i Surroit, Lëvizjen Kombëtare për Çlirim, përfshirë edhe UÇK-në e vesh me epitetet më të pështira, me epitetet të cilat do të duhej t’iu drejtoheshin në radhë të parë atyre që kjo lëvizje gjithëkombëtare i kishte luftuar pa kompromis e me të drejtën divine (hyjnore). Biblike ishte sakrifica e popullit shqiptar në përgjithësi, e veçanërisht flijimi i Jasharëve të Prekazit, në krye me Komandantin Legjendar – Adem Jasharin. Kushdo që e mohon UÇK-në për inat të këtij apo atij privatizuesi e përvetësuesi të saj apo të cilitdo abuzuesi të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim pas luftës, është shpirtngushtë e pak njeri, pavarësisht çfarë mendon e si e vlerëson ai veten e tij. Thënë shkurt, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mban asnjë përgjegjësi për cilindo qeveritar, të djeshëm a të sotshëm që abuzon më të gjitha pushtetet edhe kur thirret në emrin dhe lavdinë e saj. Për të tillë abuzues, sigurisht që ka pasur mundësi e fakte të tjera të shumta demaskimi, por, me gjasë autori duhet të ketë kërkuar më shumë se kaq.

Për t’iu kundërvënë librit “Këmbët e gjarprit”, konkretisht aty ku (më) dhemb më së shumti, aty ku mohohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vepra e saj – Pavarësia e Republikës së Kosovës, unë do të ndalem në dy rrafshe.  I pari ka të bëjë drejtpërdrejt me Veton Surroin, me pyetjen e thjeshtë se cilit Veton Surroi t’i besojmë? Atij të koleksionit të “Kohës ditore”, të periudhës nga dalja në skenë e UÇK-së, 28 nëntor 1997, e gjithë deri në largimin e forcave serbosllave 21-22 qershor 1999, njëkohësisht edhe nga shkrimet e zgjedhura nga monografia “Koha ditore – 10 vjetët e parë” (Koha, Prishtinë, 31 mars 2007, me gjithsej 232 faqe formati 24,5 x 29 cm), apo të këtij të sotmit të “Këmbëve të gjarprit”? Në politikën shqiptare gjarpërinjtë nuk kanë munguar as edhe një herë, as në kohën e sundimtarëve të Gjakovës për të cilët autori ka mendim krejt pozitiv. Madje Ilirët, të parët e shqiptarëve për koincidencë gjarprin e kishin simbol të respektuar, shqiptarët e ruanin me kujdes gjarprin e shtëpisë dhe e konsideronin mbrojtës të saj. Tek e fundit, a mundet Vetoni ta mohoj prezencën e “këmbëve të gjarprit” në kompaninë e tij “Koha”? Pastaj mos është edhe vet libri një farë gjarpri më këmbë të fshehura?! Kushdo që e rishfleton koleksionin e “Kohës Ditore” të periudhës së luftës çlirimtare, me të gjitha ato lajme, kronika, komunikata, intervista, raporte nga terreni të gazetarëve të guximshëm e objektivë, rezulton një tjetër Veton, jo ky i sotmi i “Këmbëve të gjarprit”.
Megjithatë, numërimi apo rinumërimi i kundër argumentimit në ekzistencën e UÇK-së nga vetë Surroi i dikurshëm do të kërkonte vend e hapësirë që nuk është qëllim i këtij shkrimi, por do evidentoja disa opinione të mia të shprehura me një rast disi identik me këtë të Surroit të sotëm, lidhur me një botim, çuditërisht edhe ky botim i Kohës, O.J. Schmitt: “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore Ballkanike”. Libri im “Një histori e kontestuar – kritikë librit të Oliver J. Schmitit: “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore Ballkanike” ishte refleks imediat ndaj minimizimit (jo mohimit!) të rolit të UÇK-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndaj po risjell disa konstatime, në vëmendje të Veton Surroit, në mesin e tyre edhe konstatime historianësh, juristësh, ushtarakësh e burrash shtetesh, që flasin për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit, pa të cilin nuk do të kishte çlirim e as shtetndërtim. Ndonëse shumë nga ato konstatime nuk mund të jenë të pa njohura për Veton Suroin, pasi disa nga ato libra janë botuar edhe nën përkujdesjen e tij në shtëpinë botuese “Koha”. Megjithatë po ia rikujtoj për t’ia rifreskuar kujtesën.
2. Të huajt për UÇK’në
– Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)” shkruan: “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanjacioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët.” (Misha Glenny: Historia e Ballkanit 1804-1999 – nacionalizmi, lufta dhe fuqitë e mëdha, Toena, Tiranë 2007, f. 653). Më pas autori vazhdon: “Mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja, që Millosheviçi thuajse me siguri i kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj. Së dyti, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizimi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni.”(Po aty, f. 655).

– Një konstatim mjaft interesant e gjejmë te libri i Raymond Detrez “Kosova – lufta e shtyrë”, ku thuhet: “Ndoshta edhe UÇK-ja vetë nuk besonte të ishte në gjendje të ‘çlironte’ Kosovën, përfshirë qytetet e mëdha dhe thjesht provonte atë taktikë që në Ballkan ishte provuar me dhjetëra herë – disa herë me sukses: organizimi i një kryengritjeje të armatosur, kur dihet se kundërshtari do të kundërveprojë me dhunë të jashtëzakonshme, duke synuar kështu ndërhyrje nga jashtë, që sjell zgjidhjen e pritur politike.” (Raymond Detrez, “Kosova – lufta e shtyrë”, Skanderbeg books, Tiranë 2004, f. 153).

– Për rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, ndoshta vlerësimin më të saktë e jep Serge Metais në librin “Historia e shqiptarëve-nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Ai shkruan: “Sigurisht, opinioni publik perëndimor ishte i ndjeshëm ndaj padrejtësisë që po u bëhej shqiptarëve, mirëpo për të ky nuk ishte veçse një nga rastet e panumërta të padrejtësive në këtë botë. Dhe, për sa kohë që nuk kishte përleshje të përgjakshme, Kosova nuk kishte as sesi të zinte faqet e para të gazetave, as sesi të mallëngjente me të vërtetë ndokënd. U deshtë të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi (dhe pamjet e saj të përhapura përmes televizionit), në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998.” (Serge Metais: “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Botimet 55, Tiranë 2006, f. 394).

– Ndërsa për Noel Malcolm-in, si për shumë autorë të tjerë, “meritat” për formimin e UÇK-së i përkisnin politikës shtypëse të Sllobodan Millosheviçit. Ai në parathënien e librit të cituar “Kosova – një histori e shkurtër” (botimi i dytë), shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, përpjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e së cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme.” (Noel Malcolm, “Kosova – një histori e shkur¬tër”, “Koha”, Prishtinë 2001, f. xxiii).
– Në këtë rrafsh, ndoshta më i qarti është John G. Stoessinnger, i cili në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së.” (John G. Stoessinnger: “Përse kombet shkojnë në luftë”, ISN, Tiranë, 2007, f. 153).

Nëse kështu flasin shumë autorë që kanë bërë emër në fushat e dijes dhe vlerësimet e tyre janë shumë të përafërta, atëherë cila është mundësia e baraspeshimit të dhunës e krimeve të qeveritarëve të Beogradit me atë të shqiptarëve të Kosovës?! Dhe shumica prej tyre i konfirmojnë meritat dhe sukseset që natyrshëm i shkojnë, kujt tjetër veçse Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politikës së saj të vendosur, liridashëse dhe largpamëse. Dhe po të ishte ashtu siç thotë O.J. Schmitt, respektivisht tani Veton Surroi me “shënimet heretike” – librin “Këmbët e gjarprit”, kam bindjen se vendet përbërëse të NATO-s, në krye me SHBA-të, nuk do ta mbështesnin aq fuqishëm luftën e drejtë të popullit shqiptar të Kosovës.
Veprimet individualiste kriminale, qofshin ato të pjesëtarëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të rremë, të pas Luftës Çlirimtare, nuk i japin askujt të drejtë t’i përdhosë apo nëpërkëmbë idealet e dëshmorëve e as idealet e kombit shqiptar për liri, pavarësi e demokraci. Historia na ka mësuar se megjithatë edhe shkencëtarët e nobelistët e mëdhenj kanë gabuar. Jo më kot thuhet “kush punon gabon”. Por çfarë e shtyn Veton Surroin mbase koha (ç’koinçidencë, Koha!) do ta tregojë.
3. Shtetndërtimi
Për rrugën e shtetndërtimit të Kosovës është marrë edhe Marc Weller-i, profesor dhe studiues i të Drejtës ndërkombëtare, këshilltar juridik i delegacioneve të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën dhe në bisedimet e Vjenës. Pra, kemi të bëjmë me një njohës të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe angazhimit ndërkombëtar për Kosovën. Ai, në librin e tij “Shtetësia e kontestuar: administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”, shkruan: “Përmbyllja e Marrëveshjes së Daytonit pa u përmendur Kosova në të, në thelb e minoi besueshmërinë e qeverisë Rugova. Haptazi rezistenca pasive kishte dështuar […] Në këtë klimë dekurajuese, ata që kishin insistuar për zgjidhje ushtarake menjëherë u bënë me ndikim.” (Marc Weller: “Shtetësia e kontestuar: administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi” Koha, Prishtinë, 2009, f. 144). Autori për drejtuesit e UÇK-së, të cilëve jo pak herë, kundërshtarët politikë dhe armiqtë e lirisë së Kosovës ua vishnin petkun ideologjik, thotë se “qasja e tyre ishte më pak ideologjike e më shumë pragmatike”. Sipas autorit të sapopërmendur, “jo të gjitha mjetet që po mblidhte diaspora shqiptare po shkonin për të financuar fushatën e armatosur të UÇK-së”. Përveç kësaj, Weller thotë: “Shqipëria iu nënshtrua një trysnie të madhe që ta kufizonte kontrabandën e armëve për në Kosovë dhe që t’i mbyllte bazat e trajnimit dhe të furnizimit të UÇK-së në territorin e saj.” (Po aty, f. 145). “Me gjithë presionin e madh ndërkombëtar, qeveria shqiptare nuk u dakordua që komuniteti ndërkombëtar ta monitoronte kufirin e Shqipërisë me Kosovën.” (Po aty, f. 147). […] “Ndoshta përvoja e kishte mësuar për të avancuar kauzën e shqiptarëve të Kosovës.” (Po aty, f. 149). Janë shumë interesante disa konstatime të Mark Weller-it për luftimet e pranverës së vitit 1998, e sidomos ofensivën e verës së atij viti, “…Duke e zhvendosur UÇK-në nga disa zona për të cilat thoshte se i kontrollonte. Thuhej se ky veprim nuk ishte kundërshtuar ndërkombëtarisht, sepse qëllimi ishte të evitohej që UÇK-ja të kishte një rol dominues në negociatat që po vinin.” (Po aty, f. 158). Dhe qëllimi i asaj strategjie, gjithnjë sipas këtij autori, konsistonte “që UÇK-ja të mos ishte në pozitë për ta penguar marrëveshjen të paraparë nga bashkësia ndërkombëtare.” (Po aty, f. 159).
Ngjashëm me këtë, shkruan edhe James Pettifer në librin e tij “Ekspres Kosova”: “Në Perëndim komentatorë, si Carl Bildt-i, gjithnjë kishin kërkuar një forcë kontrollimi të kufirit për ta vënë nën fre dhe për ta mbyllur hesapin me UÇK-në.” (James Pettifer: Expres Kosova; Edicioni Liria, Prishtinë, 2004, f. 263). Ja pse shqiptarët dhe UÇK-ja nuk patën mundësi ta çlironin vetë vendin e tyre të pushtuar pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Por riorganizimi i shpejtë i UÇK-së në vjeshtën e vitit 1998 dhe kthimi i territoreve të humbura gjatë ofensivës së verës, bëri, siç edhe konstaton autori, që: “UÇK-ja dhe palët që e përkrahnin, tash haptazi po e sfidonin legjitimitetin e qeverisë së Rugovës (Bukoshit – J.K.), duke thënë se ajo, në të vërtetë, kurrë nuk ka ekzistuar.” (M. Weller: Vepër e cituar, f. 159). Kjo dëshmi e konteston fuqishëm thënien e mëhershme si të Schmitt-it (botuar e servirur nga “Koha”) si dhe tani në unison nga Surroi, se UÇK-ja nuk ekzistonte pas ofensivës serbe.
Situata e krijuar në terren, sulmet e policisë e të ushtrisë serbe mbi popullsinë civile, kriza humanitare që po dukej në horizont kishin bërë që Këshilli i Sigurimit ta miratonte Rezolutën 1199. Një ditë më vonë, “më 24 shtator 1998, Këshilli Veriatlantik miratoi ACTVVARN-in – vendimin për një operacion ajror të kufizuar dhe një fushatë ajrore të përshkallëzuar në Kosovë, duke e shpënë NATO-n në një nivel më të lartë të gatishmërisë ushtarake.” (Po aty, f. 173). Askush deri më sot nuk e ka kontestuar gatishmërinë e pjesëtarëve të UÇK-së, e cila, siç thotë James Pettifer: “UÇK-ja është popullsia e Kosovës, as më shumë e as më pak. Ajo përbëhej prej idealistësh, cinikësh, burrash, grash, pleqsh, të rinjsh, të dëshpëruarish dhe shpresë-mëdhenjsh.Të tilla janë të gjitha lëvizjet e rezistencës […] Shekspiri na tregon se hakmarrja disa herë mund të jetë e vetmja formë e drejtësisë.” (J. Pettifer: Vepër e cituar, f. 281). Ndërsa, konkretisht, për gatishmërinë e njerëzve të UÇK-së shkruan: “Gatishmëria e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e njerëzve që punonin me ta për të dhënë jetën kishte arritur brenda dy vjetësh më tepër sesa Lidhja Demokratike në dhjetë vjet.” (Po aty, f. 303). Nga të gjitha këto që na i thonë autorët e ndryshëm, bëjnë një dëshmi e pakontestuar, se ishin bërë jo pak përpjekje ndërkombëtare për të penguar ngritjen dhe forcimin e UÇK-së me qëllimin e vetëm për t’i ofruar popullit shqiptar të Kosovës një zgjidhje autonomiste dhe pengesë kryesore për këtë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Këtë e konfirmon, madje edhe mbështetësja më e madhe e shqiptarëve të Kosovës, ish-Sekretarja e SHBA-ve, zonja Albricht në librin e saj “Zonja Sekretare”, e cila thotë: “Ne kërkonim të bindnim shqiptarët e moderuar, duke nxitur dialogun me Beogradin, që kishte për qëllim rivendosjen e autonomisë së Kosovës, dhe nuk donim që UÇK-ja të gjente mbështetje në botë. Gjithashtu kërkonim rrugë të reja për të ndihmuar forcat që ishin për demokracinë në Jugosllavi sepse besonim se problemet e Kosovës dhe të rajonit nuk do të zgjidheshin përpara se Millosheviçi të largohej nga pushteti.” (Madeleine Albright: Zonja Sekretare: Dudaj, Tiranë, 2004, f. 443).
Mjaft ngjashëm për këtë çështje flet edhe Presidenti Bill Clinton në librin e tij “Jeta ime”, kur thotë: “Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije, ishte një njeri fjalëbutë, që kishte zakonin të vinte një shall rreth qafës. Isha i bindur se mund të arrinim një marrëveshje paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për fraksionin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.” (Bill Clinton: Jeta ime; Dudaj, Tiranë, 2005, f. 713). Kur njeriu i ka parasysh të gjitha këto që u thanë, s’ka si të mos e krijojë bindjen se sido që ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me të mirat e të metat e saj, ishte faktori kryesor që Kosovës dhe popullit të saj ua hapi perspektivën e lirisë e të pavarësisë. S’ka gjë më të ligë, se pohimet që pretendojnë t’i ngatërrojnë e njësojnë idealet çlirimtare të pjesëtarëve të UÇK-së, me veprimet kriminale e babëziste të individëve në vitet e pas luftës çlirimtare. Janë këto gjëra kaq kundërthënëse dhe është më shumë se absurditet çdo tentim për t’i bashkuar gjërat që nuk mund të bashkohen dot. Dhe me këtë të vërtetë të pakontestueshme historike, në asnjë mënyrë nuk mohohet roli i Aleancës Veriatlantike për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke nënvizuar faktin se edhe mbi 2000 pjesëtarë të UÇK-së janë flijuar vetëdijshëm për lirinë, për emancipimin, për arsimin kombëtar, për shtetin ligjor dhe demokratik.
4. Përfundim
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte, është dhe do të mbetet një realitet i pamohueshëm, përkundër përpjekjeve tekanjoze, përçmuese e përtallëse të Veton Surroit në librit “Këmbët e gjarprit”. Nëpërkëmbjet joserioze dhe tallëse ndaj vlerave fundamentale i ka sanksionuar qysh para njëzet e tre shekujsh gjeniu Aristotel, për të kulmuar tani lehtësisht gjykimi i të vërtetës, në shekullin dhe mileniumin e arritjeve dixhitale. Mjafton një urdhër në motorin e kërkimit Google “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” apo “Kosovo Liberation Army” dhe të del para një realitet i pakontestueshëm, që bie ndesh me pandehmat e Veton Surroit, i cili dje lartësonte pikërisht këtë UÇK, falë së cilës ishte në tryezat vendimmarrëse në Rambuje, Paris, Vjenë e gjetiu, ndërsa tani, blasfemon arritjen më të madhe të popullit liridashës të Kosovës. Në përmbyllje do doja të parafrazoj një pjesë fare të shkurtër nga libri i James Pettifer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit, 1948-2001” (Onufri, Tiranë, 2013, f. 23. Libri ka 412 faqe): “… ky libër shqyrton periudhën e kohës së luftës nga një perspektivë më e gjatë dhe më e gjerë nga ç’e kisha parashikuar në fillim. Pa dyshim, lind pyetja nëse kjo është koha e duhur për një përpjekje për të paraqitur historinë e luftës së Kosovës. E kuptoj këndvështrimin e atyre që e mendojnë se është ende herët dhe se duhet të kalojë një periudhë më e gjatë. Ka boshllëqe të dukshme në burimet e shkruara, të cilat nuk do të mbushen derisa të hapen arkivat në Beograd, Uashington, Romë, Moskë dhe gjetkë, gjë që ka të ngjarë se do të duhen vite të ndodhë (në mos asnjëherë në disa raste), por ka edhe një element të gjykimit politik dhe ideologjik të përfshirë në këtë pikëpamje. Në shumicën e rasteve, ata që debatojnë në favor të vonesës në shkrimin e historisë, në Kosovë dhe Serbi, janë ata që nuk morën pjesë në konflikt dhe në disa raste kanë interesa politike bashkëkohore, që përfitojnë nga fshirja e luftës nga kujtesa popullore.” Fshirja dhe mohimi i UÇK-së nga kujtesa popullore, por edhe historike e shkencore nuk i duhet askujt, aq më pak Veton Surroit i cili pas luftës çlirimtare e ka shumëfishuar pasurinë e tij familjare (të deklaruar njëherë deri në 40 milion euro), ndërsa shumë veteranë janë vetëvrarë për shkak kushteve të renda të jetës.

Nëse hallet e përditshmërisë sonë politike, kombëtare dhe ekonomike, edhe pesëmbëdhjetë vjet pas luftës çlirimtare nuk na kanë kthyer respektin për të gjallët e luftës, qofshin ata edhe veteranët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, së paku le të kemi respekt për Dëshmorët e Kombit dhe gati për 13.000 martirët (burra, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm), për gjakun e tyre të derdhur për liri, pavarësi e demokraci. Është obligim njerëzor respekti për mundin, djersën, gjakun dhe flijimet njerëzorë të njerëzve tanë nëpër kohë për Liri dhe Atdhe!
– Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura