Prishtinë, 29.11.2015: E nderuara zonja Lunacek, zëvendëspresidente e BE’së – Fillimisht dëshiroj që t’ju falënderoj, për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kohës sa isha Kryetar i Kuvendit të Kosovës (2008 – 2014) dhe mbi të gjitha Ju falënderoj për angazhimet e sinqerta që në kontinuitet keni pasur për Kosovën dhe qytetarët e saj. E vlerësoj lartë edhe qasjen parimore që keni shfaqur në emisionin “INFO BOX” të RTV Dukagjini, ku keni kërkuar që marrëveshja e 25 gushtit për Bashkësinë (Zajednicen) e komunave serbe dhe demarkacioni, të cilat janë kontestuar nga opozita duhet të shkojnë në Kuvend. Reagimi fillestar i opozitës ka qenë për shkakun se Kryeministri (Qeveria) me marrëveshjen e 25 gushtit e ka anashkaluar Kuvendin si institucionin që e ka të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare a ndërshtetërore.
Të falënderoj për emisionin e cekur, ku në mes të tjerave thatë: “Të dyja (marrëveshjet – nën. im) duhet të shkojnë në parlament dhe nëse nuk do të miratoheshin atëherë do të zhbëheshin. Kështu funksionon demokracia, në të kundërtën marrëveshjet duhet të jenë valide. Unë kam pasur kritikat dhe dilemat e mija për dialogun me Serbinë, dhe që nga fillimi kam kërkuar që ndërmjetësit evropian të jenë të hapur me publikun. Nëse ju kujtohet këtë ia pata kërkuar lehtësuesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, por të njëjtën e kam bërë edhe me ish-ndërmjetësuesen e dialogut, Cathrine Ashton, sepse publiku ka nevojë të di se çka po negociohet dhe po merren vesh palët. Përkundër këtyre dilemave, nëse marrëveshja shkon në parlament dhe miratohet, atëherë nuk kemi se si të mos e respektojmë marrëveshjen”. Cili njeri me përgjegjësi nuk do të pajtohej me ketë qasje?
E nderuara zëvendëspresidente e PE-së,
kjo kërkesë e juaja në një vend normal, me demokraci të avancuar do të ishte e pa nevojshme që të bëhej, pasi secili institucion do ti kryente detyrat e tij, konform ligjeve dhe Kushtetutës. Tek ne, sundimi i ligjeve dhe i Kushtetutës është në nivel tepër të ultë dhe duke qenë në këtë nivel, është prodhuar kjo krizë politike.
Në këtë krizë politike e parlamentare, të shkaktuar nga koalicioni qeverisës, edhe po të kthehej marrëveshja e 25 gushtit në Kuvend, opozita është e bindur se në Kuvendin e Kosovës nuk do të kishte një zgjidhje valide për shkak te presionit që zhvillohet mbi deputetet nga shefat e partive te koalicionit. Ketë më se miri e ilustron fakti kur është votuar Gjykata Speciale, ku brenda pak dite deputetët kanë ndërruar mendim, nën një presion të frikshëm. Ndërsa qeveria po punon që friken ta shtrij edhe të opozita në Kuvendi dhe jashtë tij.
Ndërkaq, dërgimi i marrëveshjeve për votim në ketë përbërje të Kuvendit, për opozitën është e papranueshme për shkak te presionit që ushtrohet mbi deputetët. Në rastin tonë, zgjidhja e vetme do të ishte Referendumi qytetar ose shkuarja në zgjedhje të parakohshme ku secili subjekt politik do t’i nënshtrohej verifikimit qytetarë dhe pastaj ratifikimi i marrëveshjeve të bëhej në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e reja, ashtu siç keni propozuar Ju. Kjo është zgjidhja pa dhimbje që i duhet Kosovës. Vetëm atëherë do të pushonin të gjitha arsyet e opozitës për kundërshtim.
E nderuara zëvendëspresidente,
pranoni konsideratat e mija më të larta për korrektësinë dhe urtinë e treguar para opinionit publik të Kosovës!
Nga ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës,Jakup Krasniqi
Prishtinë, më 29.10.2015