ISMAIL ARSLLANI: GJYKIMI I KATËR INTELEKTUALËVE TË TETOVËS MË 1968

Tetovë, 2 shkurt 2018: Gjashtë muaj pas demonstratave të 22-23 dhjetorit të vitit 1968 në Tetovë, në Gjykatën e Qarkut të Shkupit mbahet një proces i montuar politik gjyqësor, në të cilin akuzohet i ashtuquajturi “grupi i intelektualëve”, që cilësohej si një nga organizatorët dhe udhëheqësit e demonstratave të Tetovës. Në këtë grup organizatorësh të demonstratave, ishin të akuzuarit dr. Mahmut Bajraktari, dr. Harun Jakupi, arsimtarët Salahudin Hyseini dhe Abdulla Kalishta, të gjithë nga Tetova, të cilët ngarkoheshin për vepër penale “propagandë armiqësore” nga neni famëkeq 118, alineja 1 e Ligjit penal të RSM-së. Lënda e gjykimit ishte zhvilluar me numrin 1223/68, që kishte datën 18.04.1969, ndërsa dënimet shpallen më 30 qershor 1969. Këta katër të akuzuar ishin arrestuar nga organet e sigurimit maqedonas më 24 e 26 dhjetor 1968. Të dy arsimtarët e akuzuar punonin në shkollën fillore “Liria” të Tetovës, ndërsa të dy mjekët e përmendur punonin në Spitalin e Tetovës. Në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Gjykatës së Qarkut në Shkup, këta katër të akuzuar fajësohen për veprat në vijim.
Konstruksionet politike të një gjykate
Në aktakuzën e montuar politike të Prokurorisë Publike të Gjykatës së Qarkut në Shkup, pos të tjerash, shkruan: “Më 22 dhjetor 1968, në mbrëmje, si dhe më 23 dhjetor, gjatë ditës, të akuzuarit dr. Mahmut Bajraktari, dr. Harun Jakupi, arsimtarët Salahudin Hyseini dhe Abdulla Kalishta, me paramendim kanë ushtruar propagandë armiqësore, duke thirrur për dhunë, për veprim kundër-kushtetues, përmbysjen e shoqërisë dhe rregullimit shtetëror të RSM-së dhe RSFJ-së, si dhe për rrënimin e vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, duke qenë se më 22 dhjetor 1968 kanë organizuar demonstrata të kombësisë shqiptare, me karakter armiqësor, pasi që ishin mbledhur në sheshin e qytetit, ku kanë përhapur lajmin se fotografi Sreçko Janevski nga Tetova ka grisur flamurin shqiptar, i vendosur para dyqanit të rrobaqepësisë të Ismail Xhaferit nga Tetova”.

Dr.Mahmut Bajraktari, Salahudin Hyseini dhe Abdulla Kalishta nga Tetova.

“Pasi janë mbledhur në një grup më të madh, ata kanë nxehur atmosferën, duke thënë se me atë që e ka bërë Janevski ka ofenduar ndjenjat e mbarë popullit shqiptar, se ashtu më nuk mund të durohet, se duhet të ndërmerret diçka dhe nëse duhet do të derdhet edhe gjaku për flamurin shqiptar. Të katër të akuzuarit, kanë udhëhequr grupin e demonstruesve deri te shtëpia e kryetarit të Konferencës komunale të LK të Tetovës, Xhemail Vejseli, si dhe deri te objekti i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Tetovës, ndërsa më pastaj vazhdojnë drejt sheshit të qytetit, ku të akuzuarit Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari kanë mbajtur fjalim, me çka edhe më shumë i kanë nxehur njerëzit e tubuar, ndërsa me ftesën e Jakupit, Hyseinit dhe Bajraktarit, grupi ka hedhur gurë dhe kanë thyer vitrinat e hotelit “Maqedonia”, pastaj nën udhëheqjen e tyre grupi është drejtuar nga dyqani i Sreçko Janevskit, të cilin e kanë demoluar. Gjatë gjithë kohës së lëvizjes së grupit, janë brohoritur parullat me përmbajtje armiqësore dhe separatiste “Rroftë Shqipëria e madhe”, “Ua, milicia fashiste” etj. Para përfundimit të demonstratave, i akuzuari Jakupi i ka njoftuar të pranishmit që të nesërmen duhet përsëri të mblidhen dhe të vazhdojnë me demonstratat. Më 23 dhjetor 1968, kur demonstratat në Tetovë kishin vazhduar, i akuzuari Salahudin Hyseini, merr pjesë aktive në to dhe ka udhëhequr një grup nxënësish nga Tetova, të cilët i ka organizuar që të brohorisin parulla armiqësore që u përmendën më lartë. Me veprimet e lartpërmendura, të katër të akuzuarit: Harun Jakupi, Salahudin Hyseini, Mahmut Bajraktari dhe Abdulla Kalishta, kanë bërë vepër penale – propagandë armiqësore, sipas nenit 118, alineja 1 nga Ligji penal”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Gjykatës së Qarkut të Shkupit.
Pas marrjes në pyetje të të akuzuarve, të dëshmitarëve dhe nxjerrjes së provave materiale gjatë procesit të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Shkup, ka shpallur vendimet për dënimin e të akuzuarve, me burg të rëndë. Gjykata e Qarkut e Shkupit dënon: Të akuzuarin Harun Jakupi, me burg në kohëzgjatje prej 5 vjetësh; të akuzuarin Salahudin Hyseini, 4 vjet; të akuzuarin Mahmut Bajraktari, 4 vjet; të akuzuarin Abdulla Kalishta, me 18 muaj. Të gjithë të akuzuarve të dënuar u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa të pandehurit obligohen që të paguajnë në mënyrë solidare shpenzimet e procedurës penale.
Versioni i prokurorit publik për demonstratat
Në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut në Shkup, përsëriten të dhënat për “veprat armiqësore dhe kundërkushtetuese” që i kanë bërë të pandehurit gjatë demonstratave në dhjetor të vitit 1968 në Tetovë, si dhe përshkruan në hollësi rrjedhën e këtyre demonstratave.
“Prokuroria Publike e Gjykatës së Qarkut në Shkup, me paraqitjen e aktakuzës të datës 18.IV.1969, i ka akuzuar të pandehurit: Harun Jakupi, Salahudin Hyseini, Mahmut Bajraktari dhe Abdulla Kalishta se kanë bërë vepër penale propagandë armiqësore, sipas nenit 448, alineja 1 nga Ligji Penal dhe vepër penale nxitje të mosdurimit nacional, urrejtje dhe përçarje, sipas nenit 119, alineja 1 nga LP dhe kërkoi që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Kjo gjykatë, pas mbajtjes së shqyrtimit dhe parashtrimit të dëshmive /dëshmitë i japin 29 persona, në mesin e të cilëve shumica ishin shqiptarë, duke i vlerësuar ato në përgjithësi dhe në veçanti, sipas bindjes së lirë të gjykatësit, vërtetohet kjo gjendje faktike:
“Më 22.XII.1968, të akuzuarit Harun Jakupi dhe Salahudin Hyseini, pasi që kanë dalë nga banesa e të parit, kanë shkuar në sheshin e qytetit. Gjatë rrugës e kanë takuar të akuzuarin Abdulla Kalishta dhe, që të tre, kanë shkuar në sheshin e qytetit, te “fontana”, ku ka ardhur edhe i akuzuari Mahmut Bajraktari, me disa persona të tjerë. Kur janë mbledhur, të katër të akuzuarit kanë përhapur lajmin se Sreçko Janevski nga Tetova e ka hequr flamurin shqiptar nga dyqani i rrobaqepësisë Ismail Xhaferi, edhe pse atë gjë nuk e kanë parë dhe as që kanë qenë të sigurt se flamuri është hequr. Pastaj, ata kanë filluar me zë të lartë të komentojnë dhe të bërtasin se atë që e ka bërë Sreçko Janevski, ofendon kombësinë shqiptare dhe se kjo më nuk mund të tolerohet, se diçka duhet të ndërmerret dhe nëse duhet edhe gjaku do të derdhet për flamurin shqiptar. Ata, duke vërejtur se gjithnjë më shumë po mblidhen njerëz të kombësisë shqiptare, e me qëllim që të bëjnë propagandë armiqësore për përmbysjen e dhunshme dhe kundërkushtetuese të rregullimit shoqëror të RSM dhe RSFJ, si dhe për rrënimin e vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, me fjalë gjithnjë më shumë e kanë ndezur grupin e pranishëm”.
“Ata, këtë nxitje, në fillim e kanë orientuar nga fotografi Sreçko Janevski, duke vërtetuar se ai ka grisur flamurin te dyqani i Ismail Xhaferit dhe meqë fotografi kishte një antipati te shqiptarët, do të shfrytëzonin këtë për të shkaktuar një revolt më të madh. Pasi që në këtë mënyrë kishin pasur sukses në ndezjen e atmosferës te pjesëtarët e pranishëm të kombësisë shqiptare, janë marrë vesh që të bëjnë demonstrata. Ata kanë konsideruar se efekti më i madh do të ishte, nëse shkojnë te shtëpia e kryetarit të Konferencës komunale të LK të Tetovës, Xhemail Vejseli, duke llogaritur se do të tërheqin më shumë njerëz në demonstrata. Pastaj, kanë dalë në krye të këtij grupi dhe janë nisur kah shtëpia e Xhemail Veselit. Gjatë rrugës, përsëri, më zë të lartë, të akuzuarit kanë brohoritur të njëjtat parulla që u përmendën më lart, por tash edhe pjesëmarrësit e tjerë kanë brohoritur, ashtu që tërë grupi ka brohoritur me zë të lartë parulla në gjuhën shqipe”, thuhet në arsyetimin e vendimit për dënimin e të akuzuarve.
Demonstruesit protestuan para Policisë së Tetovës
Në vazhdim të këtij arsyetimi të Gjykatës së Qarkut në Shkup, thuhet: “Një grup i tillë, i formuar nga të akuzuarit, në numër 40-50 veta, kanë arritur te shtëpia e Xhemail Vejselit. Aty, të akuzuarit Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, si organizatorë të kësaj pune, kanë hyrë në shtëpinë e Xhemail Vejselit, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë kanë mbetur jashtë, që ta mbajnë të ndezur atmosferën e krijuar te demonstruesit. Kur kanë dalë jashtë, të akuzuarit Harun dhe Mahmut rrejshëm kanë prezantuar të pranishmëve se Xhemail Vejseli u ka thënë që të shkojnë në SPB të Tetovës, me qëllim që të paraqesin rastin, edhe pse kjo s’ka qenë e vërtetë, sepse ai ka thënë se ata duhet të dalin dhe t’i qetësojnë të pranishmit për t’u shpërndarë. Por, të akuzuarit, në vend që të veprojnë sipas udhëzimit të kryetarit Xhemail Vejseli, ata i kanë bindur demonstruesit se duhet të shkojnë dhe të demonstrojnë para ndërtesës së SPB-së. Kur kanë arritur atje, para dyerve e kanë takuar kryeshefin e SPB-së, Burhanedin Nebiu”.
“Dëshmitari u është drejtuar të akuzuarve dhe i ka pyetur se ku qëndron puna, kurse ata kanë filluar të bërtasin se Sreçko Janevski e ka hequr flamurin nga dyqani i Ismail Xhaferit dhe se protestojnë kundër veprimit të SPB-së, ngase gjoja ka toleruar Sreçko Janevskin. Kryeshefi ka sqaruar se do të ndërmerren masa dhe se do të vërtetohet nëse Sreçko e ka hequr flamurin ose dikush tjetër, prandaj duhet të shpërndahen. Pastaj, ata kanë tentuar ta bindin atë se Sreçko Janevski edhe më parë kishte grisur flamurin shqiptar, kurse ky ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, sepse atë e ka bërë një person tjetër, i cili është dënuar nga gjykatësi për kundërvajtje. Gjatë kësaj bisede, nga grupi janë dëgjuar bërtitje të ndryshme në gjuhën shqipe, se flamuri shqiptar është grisur dhe se atë e kanë shkelur. Në një moment, i akuzuari Harun, pa ndonjë shkas i ka thënë Burhanedin Nebiut: ”Ne s’kemi ç’të bëjmë, se ti je këtu, mos të ishe ti, ne ndryshe do të vepronim”, shkruan në arsyetimin e Prokurorit Publik.
“Në ato momente, kur milicët, të udhëzuar nga kryeshefi i tyre, është dashur të shkojnë në qendër të qytetit për kujdestari, duke kaluar pranë të akuzuarve Mahmut dhe Harun, këta të dy kanë filluar të bërtasin: “Për gjysmë ore ta gjeni flamurin, nëse nuk e gjeni, do të lehni si qen!”. Pastaj, grupi në krye me të akuzuarit, në vend që të shpërndahet, ashtu si u ka thënë kryeshefi i SPB, është drejtuar kah dyqani i Ismail Xhaferit, ku i akuzuari Harun me një ton të lartë në gjuhën shqipe ka folur para masës së tubuar dhe, atëherë, është dëgjuar brohoritja e fuqishme e parullës: “Rroftë Shqipëria e madhe!”.
“Pas një kohe, aty te dyqani është sjellë flamuri shqiptar, që të ngrihet në vendin ku ishte hequr. Ky flamur është gjetur me kërkesë të të akuzuarit Mahmut, sepse të akuzuarit kanë parë se masa është ndezur dhe se mund të ndërmarrin aksione konkrete. Është shkaktuar një problem, se kush do të hip që ta vendos flamurin. Të pranishmit kanë qenë në dilemë, sepse ky ishte një aksion konkret, që do të vërehet, por i akuzuari Abdulla i ka nxitur disa nga të pranishmit. Kur flamuri është ngritur, grupi që ishte rritur shumë, ishte drejtuar nga sheshi, ku pritnin qytetarë të tjerë. Në atë vend, të akuzuarit Harun dhe Mahmut kanë mbajtur fjalim në gjuhën shqipe dhe fuqishëm kanë bërtitur, duke ndezur në këtë mënyrë të pranishmit. Gjatë këtij fjalimi, nga grupi janë dëgjuar parullat: “Rroftë Shqipëria e madhe”, si dhe “Tito, parti – bandë!”.
“Të akuzuarit Harun, Salahudin dhe Mahmut, përderisa Abdullai nuk ka qenë aty, kanë shfrytëzuar kalimin e Sreçko Janevskit nëpër sheshin e qytetit, që të ndezin edhe më shumë demonstruesit dhe kanë filluar bashkërisht të bërtasin: “Ua Sreçko, shovinist!”, ndërsa në fjalën e të akuzuarit Harun – “përpara!”, tërë grupi në krye me të akuzuarit është drejtuar kah restoranti “Makedonia”, ku fotografi kishte hyrë që të strehohet. Aty demonstruesit hedhin me gurë dhe thyejnë xhamat e restorantit. I akuzuari Mahmut është thirrur nga një milic që të ndihmojë dhe të ndikojë te demonstruesit që të mos e thyejnë pronën shoqërore, ndërsa ai ka thënë se nuk dëshiron të bëjë një gjë të tillë, por atë le të bëjë ai i cili u ka shkaktuar ofendime këtyre njerëzve. Pastaj, grupi i udhëhequr nga të akuzuarit: Harun, Salahudin dhe Mahmut ka shkuar në drejtim të dyqanit të Sreçko Janevskit, duke brohoritur rrugës parullat: “Rroftë Shqipëria!”, “Poshtë partia!”. Kur kanë ardhur te dyqani i Sreçkos, e kanë demoluar atë, edhe pse organet e rendit kanë tentuar që të pengojnë këtë dhe të vendosin rend. Aty, pos asaj, janë brohoritur parullat: “Rroftë Enver Hoxha!”, “Rroftë Shqipëria!”, “Ua milicia fashiste!”, “Tito, parti-bandë!”.
“Meqë aty ka pasur një grup njerëzish të kombësisë shqiptare, të cilët në mënyrë pasive kanë shikuar se si po rrjedh ngjarja, i akuzuari Salahudin ka shkuar tek ata dhe i ka nxitur që edhe ata të marrin pjesë. Më vonë, kur ka ardhur një grup më i madh i milicëve dhe kur kanë ardhur Xhemail Vejseli, Xheladin Palloshi dhe Kostadin Mihajllovski, të gjithë funksionarë përgjegjës të komunës së Tetovës, pasi janë bindur që të shpërndahen, demonstruesit pak nga pak janë larguar. Edhe tre të akuzuarit: Haruni, Salahudini dhe Mahmuti kanë shkuar, por, paraprakisht, i akuzuari Harun u ka thënë demonstruesve se duhet të mblidhen edhe të nesërmen në orën 13 dhe, nëse në komunë nuk mbahet ndonjë mbledhje, të vazhdojnë me demonstratat”.
“Ditën tjetër, më 23.XII.1968 kanë vazhduar demonstratat në Tetovë, të organizuara dhe të filluara një ditë më parë nga të akuzuarit, ndërsa në këto demonstrata është vërejtur Salahudin Hyseini, si udhëheqës i një grupi të nxënësve që kanë brohoritur parulla të ndryshme armiqësore, që u përmendën më lart. Si rezultat i një veprimi të këtillë nga të katër të akuzuarit, në Tetovë më 22 e 23. XII. 1968 janë shkaktuar çrregullime të mëdha, për shkak të demonstratave armiqësore dhe është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm material, por ka pasur edhe disa të lënduar”, nënvizohet në arsyetimin e vendimit për shqiptimin e dënimit nga Gjykata e Qarkut në Shkup, që mban datën 30 qershor të vitit 1969.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura