ISMAIL ARSLLANI: ORË POLICORE PËR PRISHJEN E XHAMISË SË ÇARSHISË NË TETOVË

Tetovë, 25 Qershor 2019: Edhe pak ditë mbushen plot 54 vjet nga prishja e xhamisë unikale, që me shekuj ngrinte shtat në vetë sheshin e Tetovës, e njohur ndryshe edhe si Xhamia e Tupanit, me një pamje perfekte arkitekturale, e ndërtuar nga mjeshtrit e rryer të kohës, e cila hijeshonte dhe simbolizonte këtë qytet të bukur rrëzë Sharrit. Mjerisht, ky kult i fesë islame, me vlera të larta arkitektonike, kulturore-historike e islame, ishte “halë në sy” të pushtetarëve komunistë të kohës, të cilët u rehatuan vetëm atëherë kur e panë të rrënuar deri në themel. Prishja e kësaj xhamie për disa dekada ka qenë temë-tabu dhe enigmë për tetovarët e vjetër, të cilët kishin frikën ta përmendin edhe në oda të burrave. Në funksion të zbardhjes së disa “sekreteve” rreth rrënimit të kësaj xhamie, po e sjelli në vijim artikullin, të cilin e kam shkruar më 2005, pas një bisede me Myftiun e atëhershëm të Myftinisë së BFI-së në Tetovë.
Në Myftininë e BFI-së në Tetovë nuk ka asnjë dokument për atë se cili do qoftë udhëheqës i kësaj bashkësie, në cilën do kohë, të ketë nënshkruar për prishjen e objektit monumental të Xhamisë së Çarshisë në sheshin e qytetit, e cila ka qenë e njohur edhe si Xhamia e Tupanit, që është rrënuar me vendim të Kuvendit të Komunës së Tetovës, në qershor të vitit 1965. Për prishjen e kësaj xhamie, kanë qarkulluar shumë spekulime se gjoja kjo është bërë me nënshkrimin e disa personaliteteve të shquara shqiptare të asaj kohe në Tetovë, të cilët kanë lejuar një gjë të këtillë, për çka janë anatemuar “për tradhti fetare dhe kombëtare” nga tetovarët.
“Të gjitha informatat e këtilla janë të gabuara”, ishte kategorik ish-myftiu i Tetovës, Alifekri ef. Esati, duke shtuar se janë dezinformata disa publikime të plasuara se myftiu i dikurshëm i Tetovës, Aqif Efendiu, në vitin 1965 ka nënshkruar vendimin për prishjen e xhamisë, që absolutisht nuk përkon me realitetin.
Sipas Alifekri ef. Esatit, argumentet e dokumentuara flasin se në atë kohë drejtuesit e BFI-së, në krye me të ndjerin ish-Reis ul Ulema, Haxhi Bedri Efendiu, kanë qenë në Sarajevë, për t’u takuar me Ul Ulemanë e ish-Jugosllavisë, Sulejman ef. Kemura, për të intervenuar kundër prishjes së kësaj xhamie, por, mjerisht, një përpjekje e këtillë nuk ka mund të shpëtojë nga rrënimi. Kundër prishjes së xhamisë ka bërë tre udhëtime edhe ish-Reis ul Ulemaja, Sulejman ef. Kemura, i cili nga Sarajeva ka ardhur në Tetovë dhe Shkup, madje ka shkuar edhe në Beograd, bashkë me Haxhi ef. Bedriun, që ta pengojnë prishjen.
Numri një i Myftinisë së atëhershme të Tetovës (2005) dëshmon për një keqpërdorim që ka bërë pushteti i atëhershëm, që ka pasur reperkusione shumë të dëmshme për tetovarët, me qëllim që të etiketohen dhe të devalvohet autoriteti i disa personaliteteve të shquara shqiptare të asaj kohe. Ai zbulon për herë të parë për opinionin publik, se njerëzit më përgjegjës të fesë islame të Tetovës, para se të prishej xhamia, kishin bërë një peticion me nënshkrime kundër këtij akti barbar të pushtetit maqedonas, mirëpo pushteti në mënyrë djallëzore e kishte transformuar titullarin e këtij peticioni, se gjoja të nënshkruarit e tij janë “pajtuar” për prishjen e xhamisë. Ky dokument i “transformuar” nga organet e pushtetit, më vonë ka dalë nga Arkivi i qytetit të Tetovës dhe ka rënë në duar privatë, gjë që ka rezultuar që njerëzit pa kurrfarë faji janë marrë në gojë dhe janë etiketuar, pikërisht ata të cilët me çdo kusht janë munduar dhe kanë qenë kundër prishjes së xhamisë.
Krerët komunalë, në veçanti kryetari Kostadin Mihajllovski, disa herë e kanë thirrur ish-myftiun, Aqif Efendiu, për t’i kumtuar se xhamia duhet prishur medoemos. Myftiu i atëhershëm ka kundërshtuar këtë vendim, por ka marrë përgjigje se “ky është një projekt që rrënjët i ka nga viti 1912”, me qëllim të hapjes së rrugës së ashtuquajtur të Gostivarit (“Ilindenit”), në drejtim të xhamisë. Myftiu i ka thënë kreut të komunës se “ky veprim, kurdo qoftë, do t’u kushtojë shumë shtrenjtë!”.
Ditën kur është prishur Xhamia e Çarshisë nga organet e pushtetit është shpallur orë policore, kështu që askush nuk ka mundur të dalë jashtë e lëre më ta pengojë prishjen. Është interesant se deri në momentin e prishjes së xhamisë, përgjegjësit e saj në asnjë mënyrë nuk i kanë dorëzuar çelësat për të penguar hyrjen në xhami, andaj dhe autorët e prishjes janë detyruar që t’i urdhërojnë punëtorët që të fillojnë prishjen nga kulmi, pa hyrë brenda fare.
Në prishjen e objektit të xhamisë kanë qenë të angazhuar të burgosurit, por nuk dihet me saktësi nëse kishin ardhur nga Shkupi apo ndonjë qyteti tjetër. Në Myftini nuk dinë se ku ka shkuar materiali shumë i vlefshëm i xhamisë, ndërsa Sektori për Urbanizëm i Komunës së Tetovës, me të punësuar kryesisht joshqiptarë, ka ndarë një kompensim simbolik për xhaminë. Paratë janë ruajtur më shumë vite në arkë, kështu që ato dukshëm janë devalvuar, derisa një ditë janë shfrytëzuar për zgjerimin e Xhamisë Eski. Në vendin ku ishte Xhamia e Çarshisë, më vonë u ndërtua Pallati i Kulturës, i cili ishte “bekuar” nga kryetari i atëhershëm i Komunës së Tetovës, Koço Tuleski, për çka ishte “sekret publik” se kishte urdhëruar që shqiptarët të mbahen “në distancë” nga shfrytëzimi i tij. Kështu edhe kishte ndodhur, për dy dekada me radhë, përderisa shqiptarët nuk depërtuan me ngulmë dhe aktivitete në ambientet e tij.

Prishja e xhamisë nga kulmi, qershor 1965. Këtë moment e ka shkrepur me aparatin e tij, Sulejman Murtezani – Gega

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura