SHERADIN BERISHA: KRYENGRITJA SHQIPTARE E VJESHTËS 1913 (NË KRAHINËN E DIBRËS, LUMËS DHE NË MALËSI TË GJAKOVES) Pjesa e dytë

Pashtriku.org, 20. 12. 2014 – Në një raport zyrtar me titull ”Barbarizmat serbe kundër shqiptarëve” përshkruhet tragjedia e madhe shqiptare në disa fshatra të Dibrës, por sigurisht me përmasa të zvogëluara për shkak të mungesës së informacionit. Në raport thuhet: Në Borovjan u dogjën dy shtëpi dhe u vra Rustem Muharremi, u rrëmbyen 27 dhen, 119 dhi e 5 kuaj. Në Rashnapojë një pjesë e shtëpive u dogj, kurse të tjerat u plaçkitën. Nga paria e fshtit u vranë 6 vetë dhe u rrëmbyen 20 qe. Në Cerjan u dogjën të gjitha shtëpitë, u vranë 3 burra dhe 1 grua dhe u grabitën 14 kuaj dhe 60 deshë. Në Pilafe u dogjën të gjitha shtëpitë dhe një pjesë prej tyre që mbetën pa u djegur u plaçkitën. Në një mëhallë të këtij fshati u therën me bajonetë dy burra, një fëmijë 6 vjeç dhe u hodhën të gjallë në flakët e zjarrit dy fëmijë të tjerë, njëri 4 e tjetri 5 vjeç. U grabitën 100 qe, 15 lopë, 300 deshë dhe 8 kuaj. Në Blliçe u dogjën tri shtëpi, u vranë tre burra dhe një grua, u grabitën 250 dhen dhe 30 kuaj. Më pastaj u plaçkitën edhe të gjitha shtëpitë e fshatit. Në Limjan u plaçkit tërë fshati dhe u therën me bajonetë: Hasan Shahini, Sejfulla Ibrahimi, Abdurrahman Fetahu, Qerim Sadiku etj., dhe u grabitën 200 deshë, 20 lopë dhe 10 kuaj.34
Më 22 nëntor 1913 majori Laffert, delegati i Gjermanisë në Komisionin e kufirit verior të Shqipërisë, informonte: ”Dibra, e cila pak përpara (kryengritjes-sh.b) ishte një qytet me më tepër se 30 mijë banorë, sot është krejt e pabanueshme. Shtëpitë jo vetëm janë rrënuar, por janë zhveshur nga të gjitha. Serbët përfituan shumë nga kjo kryengritje e shqiptarëve, duke i deklaruar të gjithë shqiptarët pa përjashtim si kryengritës dhe duke vrarë çdo njeri me armë e pa armë. U shkaktua një panik aq i madh saqë për një kohë të shkurtër u shtërnguan të lënë trojet e veta 100 mijë veta… Në Dibër gati çdo katund është i djegur e i shkrumbuar. Banorët e ndonjë katundi sllav, që gjendet këtej, punojnë pa pushim e mbledhin të korrat e shqiptarëve të ikur.”35 Kështu, soldateska serbe i ra kryq e tërthorë të gjitha vendbanimeve shqiptare, nga Struga e Ohri e deri në Tetovë dhe kudo që shkeli këmba e saj bëri vrasje, masakrime e shkatërrime të paimagjinueshme.
MASAKRAT SERBE NË LUMË
Plojat serbe ndaj fshtrave shqiptare do të vazhdojnë edhe në Krahinën e Lumës, Malësisë së Gjakovës, të Opojës e të Vërrinit. (Për masakrimet dhe vrasjet mizore në Opojë e Vërri do të bëjmë fjalë në një kapitull të veçantë).
Pas goditjeve të njëpasnjëshme të forcave kryengritëse shqiptare në Opojë e Vërri, repartet serbe u tërhoqën në Prizren. Dhe pa humbur kohë më 6 tetor 1913, njësitë e përforcuara serbe ndërmarrin një kundërgoditje nga ana e Prizrenit në drejtim të forcave shqiptare, që ishin të pozicionuara në fshatrat e Vërrinit. Ndërkohë njësi të shumta ushtarake serbe kishin nisur një operacion edhe nga jugu për ta sulmuar Lumën. Sipas ditarit të kolonelit serb Milivoje Stojanoviç, komandant i kompanisë XII të këmbësorisë ”Car Llazar”, më 5 tetor (1913), njësia e tij u nis nga Vasijet për në Bicaj, ndërsa luftëtarët lumjanë kishin nisur të tërhiqen nga Koretniku drejt kullës së Lumës e Kalas së Dodës. Një ditë më pas (6 tetor), kalorësia e njësisë së kolonelit Stojanoviç zbriti në fshatin Brut, ndërkohë që edhe reparti që komandonte nënkolonel Vladimir Tucoviq (vëllai i Dimitrije Tucoviqit – sh.b) marshonte nga ana e Prizrenit në krahun e djatht të lumit ”Luma”.36 Kështu, forcat ushtarake serbe shuan kryengritjen shqiptare dhe ripushtuan territoret shqiptare që Konferenca e Londrës ia kishte njohur shtetit shqiptar. Fshatrat e Lumës tashmë edhe njëherë do ta përjetojnë zjarrin e artilerisë, plumbave e bajonetave të ushtrisë pushtuese serbe.

Leon Freundlich – Albaniens Golgotha 1913 (Golgota Shqiptare 1913)

Ushtria serbe pasi shpërndau kryengritësit, zuri pozicione përgjatë bregut të majtë të Drinit të Zi, sidomos mbante nën kontroll Urën e Vezirit, Vaun e Spasit e pika të tjera mbi lumë. Ajo zuri Qafën e Kumbullës mbi Malësinë e Fanit, qafat rreth Oroshit, Lurën e Malin e Shenjtë e në disa pika tjera strategjike duke u mbrojtur me “tabe, llogore, shtona…” dhe përqëndroi rreth 15 mijë ushtarë.37 Kolonat e ushtrisë serbe që kaluan nëpër luginën e Drinit të Zi që nga Dibra, Peshkopia e së fundi në Lumë…, kryen barbarizmat më ç´njerëzore që mund të jenë parë deri atëkohë.
Gjatë muajve tetor-nëntor 1913 kjo ushtri barbare, me një histerizëm shfarosës e mllef hijenash, nisin të masakronin, të vrisnin, të thernin, të hidhnin të gjallë në zjarre, burra, gra, pleq e fëmijë… të përdhosnin vendet e kultit mysliman: xhamitë, tyrbet, teqet. Në këtë periudhë kohore barbarët e karpateve dogjën 27 fshatra me mbi 700 shtëpi e kulla, therën e shkrumuan mbi 1800 banorë, grabitën rreth 7000 krerë bagëti të imta e të trasha…38
Për këto akte të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, asokohe kanë njoftuar shumë burime të huaja, por edhe ato serbe. Në librin ”Golgota shqiptare”të autorit Leo Freundlich, ndër të tjera thuhet: ”Në rajonin e Lumës u shkatërruan krejtësisht 27 fshatra dhe banorët, duke përfshirë edhe fëmijtë që u vranë. Në këtë zonë janë parë skenat më të frikshme të krimeve mizore kundër popullit shqiptar gjatë luftës me gjenocid. Gra dhe fëmijë, pa ekzagjerimin më të vogël, janë zhytur në kashtë dhe janë djegur të gjallë përpara syve të baballarëve e bashkëshortëve të lidhur këmbë e duar. Gra shtatzëna janë shpërthyer në mes në mënyrën më të llahtarshme dhe fëmijët e palinduar janë ngritur përpjetë me bajoneta. Ai që më ka treguar, një xhentelmen, një zotni burrë, me përgjegjësi dhe me potencë të madhe, në fund të këtij kallzimi, më tha: ”E tëra kjo duket e pabesueshme, por është gjithçka e vërtet”.39
Gazeta”Daily Telegraph” shkruan: ”Historia nuk njeh persekutime më të fëlliqura se sa pasojën e llahtarës së duarve dhe shpirtit të trupave (reparteve) të gjeneral Jankoviqit”.
Për shpirtin shoven të reparteve serbe të vdekjes, kanë shkruar edhe vet xhelatët serb. Në gazetën serbe ”Radniçke Novine” Nr. 212, Beograd, 9 tetor 19123, një ushtarak serb, në një letër të publikuar, për masakrat serbe në Lumë ndër të tjera shkruan: ”…Mund të them se këtu ndodhin gjëra të lemeritshme. Unë rrënqethem nga e gjithë kjo dhe gjithnji e pyes vetveten, vallë është e mundur që njeriu të jetë kaq barbar dhe të bëjë kështu? Kjo është e tmerrshme e llahtarshme… Nuk guxoj dhe s´kam kohë të të shkruaj gjerësisht. Mund të them se Luma nuk ekziston më. Gjithçka është shndërruar në kufoma, hi e pluhur. Kishte fshatra me nga 100-150-200 shtëpi, në të cilat nuk ngeli apsolutisht askush gjallë, askush gjallë… I mblidhnim tubë, 40 deri 50 njerëz, dhe ashtu si ishin, grumbull i thernin të gjithë me thika. Plaçkitja ordinere u bë kudo. Oficerët plaçkitën kope të tëra bagëtish dhe i shitën përmes ushtarëve në Prizren…” 40
Po në gazetën ”Radniçke novine” Beograd-Tetor 1913, socialdemokrati Dimitrije Tucoviç, për masakrat e ushtrisë serbe, ndër të tjera shkruan: ”…Kur trupat serbe shkatërruan fshatin Topojan (fshat i Lumës – Sh.B) aty s´kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhëra ta djegin fshatin dhe të thernin me thika, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët ”të gjithë a?” Të gjithë ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit. Për dy orë u vranë 500 shpirtëra… Shqiptarët e “egjër” ushtarët tanë të zënë rob i çarmatosnin dhe i lëshonin, kurse ushtria jonë e ”kulturuar” e shekullit XX po i vretë edhe fëmijtë e tyre….” 41
Ndërsa një ushtarë i quajtur Vuksanoviq për masakrat e kryera, rrëfen si vijon: ”Shqiptarët në fillim i vritnim me pushkë dhe patllake, por së shpejti erdh urdhëri se nuk kishte levërdi të shpenzohet municioni, prandaj shqiptarët do të therren me thika. Dhe kështu ndaheshin në grupe grupe…, rreshtoheshin në rreshta me fytyra të kthyera kahë njëri tjetri dhe atëherë oficerët dhe nënoficerët i thernin shqiptarët një nga një në qafë. Këta njerëz fatkëqinjë as që luanin nga vendi, as nuk bërtisnin, as nuk mbroheshin, thuajse nuk ishin qenje njerëzore të vetëdijshme, por shikonin të qetë si i therrej shoku pranë dhe thika po ia shpërthente fytin e tij. Nuk mund ta merrja me mend një gjakftohtësi dhe qëndrueshmëri të këtillë njerëzore, të cilët e shikonin vdekjen me sy të hapur. Është kjo njëra nga skenat më të llahtarshme që e përjetova gjatë luftrave. Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohen ato, çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre.”. 42
***
Për përmasat e masakrave serbe ka shkruar shtypi shqiptar dhe i huaj, ndërsa Leon Freundlich i ka përmbledhur në një libër me titull Albaniens Golgotha 1913 „Golgota Shqiptare 1913“. Një vit pas informacioneve të tmerrshme të përpiluara nga Leo Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i botuar në dhjetor 1913, shpalos detalisht masakrat serbe të kryera në Dibër dhe në Lumë, edhe pas „amnistisë“ së proklamuar nga Beogradi. Ky raport, ëshët botuar edhe në gazetën e përditshme “Corriere delle Puglie”, Bari, XXVI, 354, të datës 21 dhjetor 1913. Të njejtat dëshmi nën titullin „Barbarizmat serbe“ janë publikuar edhe nga atdhetari Sotir Koleja, të cilat më pastaj janë botuar edhe në gazetat shqiptare: „Kalendari Kombiar, Sofje 1914 faqe 73-91, dhe „Lirija e Shqipnisë“ Nr. 94, datë 8-21 maj 1914 faqe 4 dhe Nr.95 datë 9-22 qershor 1914 faqe 4.
Në raportin zyrtar të paraqitur Fuqive të Mëdha, thuhet :“ Ne jemi të parët që po paraqesim listën e plotë të vrasjeve të bëra nga armata serbe në Krahinën e Dibrës, Dibrës së Ulët dhe Lumës, që shtrihen në Shqipërinë veriore, pas amnistisë së tetorit të kaluar të akorduar nga qeveria e Beogradit, masakra të bëra pas revoltës së malësorëve shqiptarë. Ky është një dokument i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe tashmë është dërguar te qeveria e njërës nga Fuqitë e Mëdha nga përfaqësuesi i saj i plotfuqishëm, që e ka përpiluar përsonalisht me shënime dhe emra të vendeve të vrasjeve dhe terrorit. Ja versioni i plotë i raportit zyrtar.“ (Sheradin Berisha: Barbarizmat serbe ndaj shqiptarëve në vjeshtën e vitit 1913)

Në materialin e titulluar „Barbarizmat serbe“ më 23 dimenuer (dhjetor) 1913, Sotir Koleja shkruan: ”Gjakësijat dhe ligësijat të panumërta që punoj ushtrj’ e Serbisë në rrethet’ të Dibrës, të Dibrës së poshtme dhe të Lumës në Shqipërinë e veriut, pasi u shua lëvizja e malësorëve në vjeshtën e parë 1913 dhe pasi lëçiti (publikoj) amnestijen guverna e Serbisë. Nga këto që u panë dhe u shenuan, thotë z.Koleja – mendja e njeriut mund të kuptojë mërirat dhe tmerret që as u panë dhe as u dëgjuan, as s´i mban goja për me i tregue“.
1. Në Shullan: ushtria serbe plaçkiti tërë fshatin, dogji 5 shtëpi dhe shkoi në bajonetë gjithë gjindjen. Shpëtuan vetëm 3 njerëz, sepse u ndodhën jashtë fshatit, kur therej gjindja…
2. Në Dode:Plaçkitën fshatin dh dogjën një shtëpi.
3. Në Ploshtan: Nuk dogjën shtëpira, por bënë rrëmujë tërë gjanë…
4. Në Topojan: Fshatin e dogjën fund e krye dhe gjindjen, si ja 500 vetë, burra, e gra të çdo moshe i vranë me bajonetë.
5. Në Ceren: Plaçkitën gjithë çka gjetën, rrëmbyen gjithë gjënë e gjallë.
6. Në Bushtricë: Dogjën tre shtëpi, morën 50 kuaj…
7. Në Palush: Dogjën fshatin fund e krye dhe vranë e hodhën në zjarre më tepër se 100 vetë, gra, burra dhe kalamaj.
8. Në Gjegje: Plaçkitën fshatin dhe rrëmbyen 27 lopë e 130 bagëti .
9. Në Matranxh: Bënë rrëmujë gjithë katundin dhe rrëmbyen 4 kuaj, 17 qe e 400 dhen.
10. Në Vasije: Përveç të plaçkiturit e shtëpive, morën 230 krerë bagëti, 32 lopë, 15 kuaj dhe 2 mushka.
11. Në Barruc: Morën gjithëçka kishte fshati si dhe 13 lopë, 14 dele dhe 6 kuaj.
12. Në Gjabër: Bënë plaçkë fshatin dhe morën 3 gomerë, 25 dhen e dhi, 4 kuaj dhe 40 lira turke.
13. Në Draç: Përveç katandisë dhe ushqimeve, sidomos 500-600 okë fasule, morën 2 kuaj dhe 250 berre.
14. Në Gjin: Plaçkitën fshatin dhe morën 400 berre, 5 lopë e 1 kalë.
15. Në Kalis: Bënë rrëmujë gjithë gjënë, dogjën 40 shtëpi dhe vranë 67 vetë: gra, burra e kalamaj dhe rrëmbyen 500 krerë bagëti, 50 lopë, 10 kuaj, 10 gomerë,4 mushka.
16. Në Lusën: Dogjën 25 shtëpi, therën 52 vetë (76 vetë-Sh.B) rrëmbyen 1000 bagëti, 100 lopë, 6 mushka, 10 gomerë, 25 kuaj.
17. Në Vilë: Plaçkitën e dogjën 6 shtëpi…
18. Në Ujmisht: Plaçkitën e dogjën 21 shtëpi dhe vranë 15 vetë si dhe rrëmbyenberra, 50 lopë dhe 30 kuaj.
19. Në Xhafere: Këtë fshat prej 25 shtëpiash e dogjën fund e krye dhe gjithë gratë e burrat i vranë me bajoneta, dy veta që s´u ndodhën në fshat, shpëtuan.
20. Në Brekijë: Edhe këtë fshat prej mëse 150 shtëpiash e bënë hi dhe njerëzit, sa u ndodhën aty…
21. Në Lojme: dogjën 60 shtëpi dhe therën gjithë meshkujt, gra e çiliminj.
22. Në Nimçë: Katundin e bënë hi nga njerëzit shpëtuan vetëm 5 vetë, të tjerët, burra, gra e foshnje i shkuan në bajonetë.
23. Në Përbreg: Fshatin e tërë e dogjën dhe e bënë hi dhe gjithë njerëzinë, 375 veta burra, i shkuan në bajonetë.
24. Në Surroj: Dogjën 130 shtëpi dhe vranë 55 burra e 2 gra, të cilat i zunë besë amnestijes…
25. Në Novosej: i vunë zjarrë tërë fshatit. Dhe i hodhën të gjallë në zjarrë 9 fëmijë dhe një grua dhe rrëmbyen 40 kuaj, 280 lopë, 1300 dhen e dhi.
26. Në Bardhoc: Dogjën tërë gjanë e Haxhiut të Bardhocit.
27. Në Sulaj (Sumaj): Dogjën 24 shtëpi vranë një fshatar dhe rrëmbyen 500 dhen, 10 dhi,10 kuaj.
28. Arrëzë (Arën): Dogjën 10 shtëpi dhe vranë 10 fshatar të këtij fshati.43

MASAKRAT SERBE NË FSHATRAT E MALËSISË SË GJAKOVËS
Edhe në Malësinë e Gjakovës, pas 12 ditë përleshjesh të përgjakshme, më 8 tetor 1913, 12 mijë trupa serbe të mbështetur nga artileria e rëndë sulmuan këtë rajonë dhe në këto ekspedita shfarosëse mbi 2 mijë shtëpi u bënë shkrumb e hi, u dëmtuan e u plaçkitën pasuritë e ndryshme, bagëtia e të korrat, si dhe bënë masakrat më çnjerëzore, duke vrarë e djegë në zjarr deri edhe fëmijët e gratë shtatëzëna.44
Në luftimet e tetorit 1913 në rrethinat e Gjakovës, kryengritja shqiptare u dëmtua edhe nga grupi i kryengritësve në krye me Riza bej Kryeziun, i cili ato ditë nuk qe aktiv në mbrojtjen e pozicioneve dhe e kishte tradhëtuar udhëheqësin e kryengritjes Bajram Curri, duke u futur në bisedime me majorin serb, Tankosiq. Dhe, kjo ushtri barbare meqë kishte epërsi në numër të ushtarëve dhe të teknikës luftarake karshi forcave shqiptare, arriti të depërtoi në Gash, Krasniqe e deri në Nikaj e Mertur.45 Në këtë ekspeditë ushtarake u prekën edhe banorët shqiptarë të Plavës e të Gucisë dhe dëshmitarët e kohës japin hollësi për terrorizimin dhe masakrimin në këto anë. Forcat serbo’malazeze në këtë rajon pushkatuan 720 burra, nga këta vetëm në Qafë të Previsë 550 vetë, në Brezovicë 150 vetë dhe 11 vetë në qytetin e Plavës.46
Pas kësaj ekspedite ushtarake, kryetari i qeverisë serbe, Nikolla Pashiqi, në gjysmën e tetorit 1913 përpiqej që përmes Esat pashë Toptanit të relaksoi gjendjen tepër të rëndë në Shqipëri, me qëllim që t´i bind Fuqitë e Mëdha se këtu mbretëron qetësia dhe rendi!!
Mirëpo e vërteta për ngjarjet në Shqipëri nuk mund të fshihej, dhe këtë të vërtet e demaskonte pikërisht gazeta serbe ”Radniçke Novine”. Dimitrije Tucoviqi në një nga numrat e saj theksonte: ”Shkoni prej Gjakovës nëpër Qafë të Prushit për në Spas të Drinit, ose prej Prizrenit luginës së Drinit për në Lumë e më tutje për në Petkë, Mihanë e Pukë, ose në të majtë për në Bicaj, Basjat, Kalesh, Lurë për Orosh, apo prej Dibrës nëpër Zhirovnicë e Peshkopi, apo prej Ohrit për Elbasan nëpër luginën e Shkumbinit, gjithkund do të gjeni varre e skeletet njërin pran tjetrit.”47
Ndërkaq gazeta e Zagrebit ”Hrvatska Novosti” për këtë situatë shkruan: ”Çudi e madhe?! Serbët jo vetëm në kohën e luftimeve, që bënë aq çudira mbi shqiptarët e Kosovës sa gjithë bota u neverit, por edhe sot pas vendimeve të Konferencës së Londrës, kudo që kanë shkelur, vrasin, presin, vjedhin, burgosin, dhunojnë e plaçkisin popullsinë e pafajshme vetëm pse janë shqiptarë.”48
Shtypi shqiptar i kohës përveç që shkroi dhe dënoi brutalitetin e forcave serbe ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, ngriti edhe zërin e protestës, duke akuzuar kështu Fuqitë e Mëdha, sidomos Rusinë, Francën… për ndihmën logjistike dhe diplomatike që i kishin dhënë Serbisë. Gazeta ”Përlindja e Shqipnisë” për këtë çështje shkruan: ”Historia ka për ta dënuar një ditë Evropën, e cila është shkaktarja e të derdhurit të këtij gjaku pa faj. Zërat e britmat e atyre dëshmorëve që vriten, arritën deri në qiell. Megjithë këto, Evropa qëndron e shurdhër!”49
Pavarësisht nga kjo, kryeministri serb Pashiq ndjehej i sigurt, sepse kishte përkrahjen e Rusisë… Kështu ambasadori rus në Beograd z.N.Hartvig ato ditë në takimet me homologët e tij disa herë do të përsëriste se ”qëndrimi serb në çështjen shqiptare është fare korrekt”, ndërsa ”detyra e Fuqive të Mëdha do të ishte që të kujdeseshin që territori kufitar serb të mos shkelej më, prej bandave gjakatare të shqiptarëve!!!”50
PËRFUNDIM
Pas terrorit që ushtroi ushtria serbe në trevat e ripushtuara shqiptare, më 15 tetor 1913 Ministri i jashtëm austrohungarez z.Berhtold, urdhëroi ambasadorin e vet në Beograd Storckun, që t´ia paraqes Pashiqit kushtin se a ishte Serbia e gatshme që brenda një afati të caktuar t´i tërheq trupat e saj nga Shqipëria londineze, dhe këtë presion Austro-hungaria e bënte jo se donte ta mbronte Shipërinë dhe popullin e saj, por e bënte për shkak të interesave të veta strategjike që kishte atje. Meqë Pashiqi nuk dha një përgjigje të kënaqshme, më 18 tetor Austro-Hungaria i dërgoi qeverisë serbe një notë verbale në formë ultimatumi, ku kërkohej që brenda tetë ditësh ushtria serbe të lëshonte territorin shqiptar. Për këtë qëllim qeveria e Vjenës mori pëlqimin e Gjermanisë dhe të Italisë, ndërsa qeveria serbe pasi u këshillua me miqtë e vet: Rusinë dhe Francën një ditë përpara afatit të përcaktuar nga Vjena (më 25 tetor 1913), u detyrua t´i tërheq trupat ushtarake, në vijën kufitare të caktuar, padrejtësisht në Londër më 22 mars 1913.50 Edhe pse kryengritja e vjeshtës së vitit 1913 u shua me gjak, qëndresa shqiptare nuk do të shuhet dot kurrë, ajo do të vazhdojë edhe gjatë viteve 1914-1915…
————————
Literatuar e shfrytëzuar:
1 Dr.Xh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990, fq.149; / Instituti i historisë: Isa Boletini dhe koha e tij, Prishtinë 1998, fq.135 /136. /A.Puto: Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Tiranë 1978, fq.412.
2 Dr.Xh.Shala: vepra e cituar, fq.150. /I.Qemaili: (Përmbledhje dokumentesh), Tiranë 1982, fq.311. / Instituti i historisë: Isa Boletini dhe koha e tij, Prishtinë 1998, fq.117.
3 D.Tucoviq: Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë 1975, fq.92 ./S.Martinoviq-Qëndrimi i ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve… në vitet 1912-1913, Gjurmime albanologjike VII-1977, Prishtinë 1978, fq.277/278.
4 Xh.Martini:Elez Isufi, Tiranë 1994, fq.39 /Sh.Hoxha: Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.231 /citat i marrë nga gazeta: “Përlindja e Shqipnisë“, 14 gusht 1913/.
5 Dr.Xh.Shala: vepra ecituar, fq.151.
6 Sh.Hoxha: vepra e cituar, fq.230.
7 M.Rizvanolli: Elez Isufi-prijës i qëndresës antiserbe në Dibër 1912-1913, nga libri: “Elez Isufi kreshnik i Dibrës“, fq.47 /Sh.Hoxha:vepra e cituar, fq.232.
8 Raporti i naçallnikut të Dibrës N.Çirkoviq lidhur me luftën shqiptare kundër Dibrës(shtator 1913) 8 tetor 1913, Mbretëria e Serbisë sekret nr.75, DASIP.PO.F.VIII.d.I.p /6-VII 8 tetor 1913 Beograd. (cit.i marrë nga libri i Prof.dr.Hakif Bajramit: Si e okupoi Serbia Kosovën, më 1912 (I), Prishtinë 2003, fq.151-153).
9Dr.Xh.Shala: vepra e cituar, fq.155. /Xh.Martini:Elez Isufi, Tiranë 1994, fq.44/45; /Citime nga gazetat-„Obzor“, 14.X.1913-Zasgreb; “Radniçke Novine“ 24.IX.1913 Beograd; “Përlindja e Shqipnisë“ 1.X.1913, Vlorë).
10 Raporti i naçallnikut të Dibrës N.Çirkoviq…(i cituar nga libri i Prof.Dr.H.Bajrami: vepër e cituar, fq.163.)
11 Sh.Hoxha: vepra e cituar, fq.231.
12 Sh.Hoxha:Luma në luftrat për liri,Tiranë 2002,fq.233.
13 Sh.Hoxha: Portrete e syzime atdhetarësh(I), Tiranë 2002, fq.188 /Dr.V.Kasapi: Mrekulli e natyrës kështjellë e historisë (Monografi për Lumë-Kukësin), Tiranë 1998, fq.84.
14 Q.Mataj: Hoxhë Mehmeti 1867-1927, Kukës 2002, fq.122-123 /Dr.V.Kasapi:vepra e cituar, fq.84
15 Dr.M.Pirraku: Biri i malësisë së Gorës, revista”Sharri” – Opojë, mars 1998, fq.12.
16 N.Mani: Jehona e Topojanit, Kukës 2002, fq.80.
17Q.Mataj:Hoxhë Mehmeti1867-1927…,fq.123.
18 Sh.Hoxha: Portrete e syzime… , fq .188
19 A.Lushaj: Shipshani i Malësisë së Gjakovës, Tiranë 1999, fq.147 dhe 160
20 Po aty, fq.148, 151 e 157.
21Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912(I), Prishtinë 2003, fq.157, (cit.nga raporti i naçallnikut të Dibrës N.Çirkoviq lidhur me luftën shqiptare kundër Serbisë (shtator 1913, 8 tetor 1913 dërguar Mbretërisë serbe në Beograd. /DASIP. PO. F. VIII.d.I.p /6-VII/
22Prof.Dr.V.Xhemaili: Kryengritja e vitit 1913 në Dibër.
23 Dr.Xh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918 Prishtinë 1990, fq.160-161 /R.Fiçorri: Ushtritë e huaja në Shqipëri 1912-1922, Tiranë 2002, fq.131-132.
24 Xh.Martini:Elez Isufi, Tiranë 1994- fq.46.
25 Telegram i datës 10 tetor 1913 dërguar konsullit austro-hungarez- Vj.23-17-1740.
26 Dr.Xh.Shala: Vepra e cituar, fq.163. /Radniçke Novine, 27.XII.1913, Beograd.
/Obzor, 1.XI.1913, Zagreb.
27 Gazeta ”Politika”Beograd, shtator 1913/Vj.Telegram shifër nr. 4073, datë 23 shtator 1913.
(I cit.në librin : Elez Isufi të autorit Xhafer Martini, fq.47.
28 Haki Stërmilli: Dibra në prag të historisë”, fq.80.
29 Prof.dr.V. Xhemaili : Kryengritja e shtatorit 1913 në Dibër
30 Barbarizmat e ushtrisë serbe gjatë shtatorit-tetorit 1913, pas Kryengritjes së Dibrës, jepen në gazetën ”Përlindja e Shqipnisë” Nr.35 datë 25 dhjetor 1913, si dhe në gazetën ”Liria e Shqipnisë” Nr.94 datë 21 maj 1914. Aty janë të shenuara të gjithë emrat e viktimave, të vrarë e të masakruar në format më mizore.
31 Gazeta ”Lirija e Shqipnisë”, nr.30 vjeshtë II, 1913 //AQSH i RPSSH, f.252, 1921, dos.80, fq.15-23. /A.A.Bytyqi: Terrori shtetëror dhe gjenocidi serbo-malazias në Kosovë 1878-1991, Prishtinë 2001, fq.56-57. /F.Shabani: ”Gjenocidi serbomadh ndaj shqiptarëve në Maqedoni 1912-1913, Bujku 19-21.09.1994. /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Gjakovë 1991, fq.203-204-
32Prof.Dr.V.Xhemaili: shkrimi i cituar më lartë, /F.Shabani: Artikull i cituar.
33 Gazeta ”Përlindja e Shqipnisë”, nr.35 dt.25/27 dhjetor 1913 ; nr.1 dt.1/14 janar 1914 dhe nr.2.dt.4/17 janar 1914.
Sh.Braha: vepra e cituar, fq.206-207.
34 Xh.Martini: vepra e cituar, fq.46-47 (citur: raporti zyrtar i datës 8/21 kallnor 1914 me titull: ”Barbarizmat e mizorinat serbe kundër shqiptarëve”.
35 Alfred Rapaport: ”Rrjedhat e punëve në Shqipëri”1928, fq.55 /R..Façorri: Ushtritë e huaja në Shqipëri 1912-1922, Tiranë 2002, fq.135-136.
36 Sh.Hoxha: Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.234-235. /Sh.Hoxha: Luma në kryengritjen antiserbe të shtator-tetorit 1913, Gazeta ”Rilindja” 31.12.1998, fq.16. /Jehona, Shkup, Nr.61993, fq.101.
37 R.Fiçorri: Ushtritë e huaja në Shqipëri 1912-1922, Tiranë 2002, fq.132.
38 Q.Mataj: Ramadan Zaskoci, fq.159. /Sh.Hoxha: Vepra e cituar, fq.238.
39 Albaniens Golgotha, Anklageakten gegen die Vernichter des Albanervolkes – Gesammelt und herausgegeben – Leo Freundlich, Wien 1913 ./Sh.Hoxha: Vepra e cituar, fq.248.
40 Gazeta: Radniçke Novine ”Nr.212, Beograd 9 tetor 19123
41 Revista “Rruga jonë“ Francë 1997, nr.28, fq.13
42 Gazeta ”Radniçke novine”, Beograd -22 teor 1913 /A.A.Bytyqi: vepra e cituar, fq.59.
43Sotir Koleja: Barbarizmat Serbe….! 23 Dimëruer(Dhjetor)1913 (Ky material gjindet në Muzeumin e Rrethit të Kukësit). Gazeta”Liria e Shqipnisë”, nr.94, nr.95, maj-qershor 1914. /N.Manaj:Jehona e Topojanit, Kukës 2003, fq.115-116 /Sh.Hoxha:vepra e cituar, fq.238-239 ./R.Façorri: Vepra e cituar. Fq. 142.
44 A.Lushaj: Shipshani i Malësisë së Gjakovës, Tiranë 1999, fq.159-160.
45 Xh.Shala: vepra e cituar, fq.161
46Sh.Braha:Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1848-1990, Gjakovë 1991, fq.209.
47 D.Tucoviq: Zgjedhje punimesh II, Prishtinë 1983, fq.229. /Xh.Shala: Vepra e cituar. fq.162 /A.A.Bytyqi: vepra e cituar, fq.58.
48 R.Feçorri: vepra e cituar, fq. 135.
49 Gazeta ”Përlindja e Shqipnisë”, Vlorë 27.IX.1913, /Xh.Shala:vepra e cituar, fq.165.
50A.Rappaporti: Rrjedha e punvet në Shqipni, Tiranë 1928,fq.59 /Sh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990, fq.165.
50 Xh.Shala: vepra e cituar, fq.165-166. /AS-MID-PO 1913, F. XVI I- D.I – br. 6764; 6719; 6704.
– FUND-

……………………………………………….

PJESA E PARË
SHERADIN BERISHA: KRYENGRITJA SHQIPTARE E VJESHTËS 1913 (NË KRAHINËN E DIBRËS, LUMËS DHE NË MALËSI TË GJAKOVES) Pjesa e parë
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3436

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura