ISMAIL QEMALI, NJË BURRËSHTETAS I AFTË DHE SHUMË POPULLOR NË SHQIPËRI, I PËRNDJEKUR NGA REGJIMI I ABDUL HAMIDIT (PRO ARMENIA – MAJ 1901)

Francë, 6 Tetor 2017: Kryeredaktori i gazetës “Pro Armenia”, Pierre Quillard, ka botuar, me 10 maj 1901, në faqen n°95, një shkrim për Ismail Qemalin, i cili, pas arratisjes të një viti më parë nga Turqia (maj 1900), nëpërmjet luftanijes angleze “Salamander”, ndiqej tashmë penalisht nga regjimi i sulltan Abdul Hamidit. Z. Quillard ka shprehur asokohe mendimin e tij për patriotin shqiptar si dhe ka sjellë për lexuesit e “Pro Armenia” urdhër arrestin në fjalë të lëshuar kundër Ismail Qemalit.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Deri tani, Abdul Hamidi kishte vendosur ta injoronte arratisjen e Ismail Qemal Beut në Evropë, i cili u largua nëpërmjet “Salamanderit”, në vend se të shkonte në postin e tij të guvernatorit të përgjithshëm në Tripoli, ku pa dyshim atje do ta kishin vrarë. Ismail Qemal Beu ndiqet penalisht; por gazetat turke janë të kujdesshme që të mos japin detaje të hollësishme për të; ato shkruajnë qëllimisht me terma të paqarta:
“Një urdhër arresti është lëshuar kundër Ismail Qemalit, me prejardhje nga Vlora. Ismail Qemali akuzohet për arratisjen jashtë vendit dhe për botimet subversive që ka bërë në Athinë, Egjipt, etj., kundra qeverisë perandorake. Mandati i arrestit në fjalë urdhëron autoritetet kompetente të arrestojnë Ismail Qemalin, në çdo vend që ai gjendet dhe ta dërgojnë atë para gjykatës kriminale.”
Kështu, një prej burrështetasve më të aftë për të shpëtuar vendin, po të ishte dëgjuar, është shtyrë nga vetë “Bisha” që të marrë një qëndrim jo të zakonshëm dhe të largohet prej gjykimeve të një sovrani që e trajton atë si një rebel. Mos vallë Hamidi ka harruar se Ismail Qemali është shumë popullor në Shqipëri?

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

———————————————————————

*) Nga Aurenc Bebja, Francë – Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania.

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura