SAIME ISUFI: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 – VEPËR E ORGANIZUAR E ILEGALES, SI NË KOSOVË ASHTU EDHE NË MËRGIM

Pashtriku.org, 20. 03. 2013 – Kanë kaluar 30 vjet nga Pranvera e Madhe e Vitit 1981 dhe sot e kësaj dite demonstratave gjithëpopullore të asaj pranvere u janë dhënë vlerësime të ndryshme; secili sipas mënyrës dhe formës së vet: dikush i quajti të hershme; dikush të nxitura nga Serbia për të shkaktuar gjakderdhje në Kosovë; dikush tjetër të nxitura nga Shqipëria e cila sikur kishte pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë e dikush të organizuara nga „nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar“; e shumë dikusha të tjerë u dhanë vlerësime nga më të ndryshmet këtyre ngjarjeve të mëdha, të cilat trandën themelet e Jugosllavisë së atëhershme, por edhe bënë kthesë të paparë në ndërgjegjen e popullit tonë por edhe në ngjarjet e mëvonshme. Çfarë nuk u tha e nuk u kurdis pas këtyre ngajrjeve, dhe e gjithë kjo me një qëllim të vetëm: që kjo vepër madhore e popullit tonë, e paparë ndonjëherë në historinë tonë, të zbehej, të zvogëlohej e të minimizohej; deri aty sa një ditë edhe të harrohej. Por, ndodhi dhe po ndodhë e kundërta: as atëherë dhe as sot këto demonstrata nuk u harruan, nuk u zbehën e zvogëluan, por rëndësia dhe roli i tyre doli dhe po del në dritë; dhe sa më shumë vite po kalojnë ato po gjejnë vendin e vet të merituar në historinë tonë të lavdishme; ato demonstrata tundën e shkundën themelet e kalbëzuara të Jugosllavisë së atëhershme dhe bën një kthesë të jashtëzakonshme dhe të paparë në ngjarjet e rëndësishme e të lavdishme të popullit tonë që do të pasonin më vonë.
Udhëheqja jugosllave e asaj kohe
dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë deshën t’i fshihnin shkaqet e vërteta që e shtyn popullin shqiptar të ngritet në demonstrata. Ata e dinin mirë se shkaqet ishin pozita e vështirë dhe e pabarabartë e Kosovës dhe e popullit të saj, nën shtypjen e shfrytëzimin e egër dhe të shumëfishtë që ushtrohej mbi masat punonjëse, në mungesën e një sërë të drejtash dhe lirish kombëtare e demokratike, në pakënaqësinë e madhe që mbretëronte kudo dhe që shtohej çdo ditë, por i fshihnin ato, sepse pikërisht ata dhe politika e tyre ishin shkaktarë të një gjendjeje të tillë dhe rrjedhimisht edhe të shpërthimit të demonstratave që u bënë në Kosovë.

Pranvera 1981…

*  *  *

Të pakënaqur ishin punëtorët, të pakënaqur fshatarët, i pakënaqur dhe i revoltuar i gjithë populli; me një fjalë: i gjithë populli ishte mbështetur për muri, andaj mjaftonte një shkëndijë dhe e tërë Kosova të merrte flakë. Dhe kjo shkëndijë kaherë e pritur u ndez më 11 mars nga studentët trima të Prishtinës. Ishin pikërisht ata studentë që në një formë a tjetër ishin përgatitur të shpërthenin një ditë. Dhe dita erdhi. Duke kujtuar shpërthimin e revoltës më 11 mars në mensën e studentëve i jam referuar deklaratës së studentes të asaj kohe, ajo që hodhi pjatën më 11 mars në mensën e studentëve, Bahrije Kastrati e cila në Konferencën e Gruas, mbajtur më 2 e 3 prill 2010 në Prishtinë, ndër të tjera theksoi: „ …e gjitha ishte një skenar i përgatitur nga studentët që vepronin ilegalisht për çështjen kombëtare siç ishin: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Agim Paçarizi, Teuta Hadri, Bahrije Kastrati, Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Kadri kryeziu, Ramadan Gashi, Jonuz Jonuzaj, Ajete Lloluni, Shemsi Syla e shumë të tjerë. Skenari ishte përgatitur më herët që ta bëjmë aktin konkret të shpërthimit të revoltës në mënyrë demonstrative dhe të drejtpërdrejtë, ashtu që të fillojë protesta për të cilën ishim të bindur se do të gjejë përkrahje tek të gjithë studentët dhe tek i gjithë populli. Për këtë akt kemi diskutuar për një kohë të gjatë me Xhevën, Agimin dhe Babën Dyl (babai i Xhevë Krasniqit), për formën e fillimit të protestës, mënyrën, momentin dhe kohën e përshtatshme që ky demonstrim të jetë sa më i fuqishëm dhe i suksesshëm për arritjen e qëllimit tonë, i cili fillimisht do të shpalosej si protestë për përmirësimin e kushteve të studentëve në universitet dhe në mensë…“
Demonstrata e filluar në mensë në formë proteste për kushte më të mira shpërtheu në revoltë e demonstratë nëpër rrugët e Prishtinës. Edhepse kërkesat e parullat e demonstratës së parë ishin me karakter social dhe ekonomik, ato u cilësuan si armiqësore dhe jo vetëm që nuk u përfillën fare kërkesat e studentëve, jo vetëm që nuk u mor asnjë masë për përmirësimin e gjendjes së tyre, por ndaj demonstruesve u përdor dhuna policore. Kjo dhe arrestimet që u bënë në mesin e studentëve e shtuan edhe më shumë pakënaqësinë dhe revoltën e tyre, e cila shpërtheu më me forcë e vendosmëri edhe në demonstratën e 26 marsit. Studentëve në këtë demonstratë iu bashkuan edhe një numër jo i vogël i punëtorëve, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë. Përveç parullave të mëparshme, në përgjithësi ekonomike e sociale, kësaj here u ngritën edhe kërkesa dhe parulla politike. Demonstrata e 26 marsit ishte më popullore dhe mori edhe më shumë karakter politik. Në këtë demonstratë u brohoritën këto parulla: „Kushte për studentët!“, „Kushte për punëtorët!“, „Çmimeve stop!“, „Poshtë robëria, rroftë liria!“, „Trepça është jona!“, „Kosova Republikë!“ etj.
Krerët tradhtarë , duke u hequr se gjoja po bisedojnë dhe po merren vesh me studentët, arritën t’i mashtrojnë ata dhe të fitojnë kohë për t’u përgatitur më mirë. Gjatë kësaj kohe u mobilizuan jo vetëm forcat e policisë dhe të sigurimit por edhe ato të ushtrisë e të forcave speciale të Beogradit të cilat u hodhën si bisha mbi studentët e pambrojtur në konviktet e tyre duke i rrahur e gjymtuar barbarisht si dhe duke u hedhur gaz lotsjellës. Dhuna dhe terrori i egër fashist jo vetëm nuk i frikësoi rininë tonë të zjarrtë dhe popullin tonë trim, por përkundrazi e shtuan më shumë urrejtjen dhe pezmin e tyre ndaj armiqve dhe tradhtarëve. Benzina që iu hodh zjarrit që kishte shpërthyer, sigurisht që nuk do ta shuante atë, por do ta shtonte edhe më tepër. Dhe kështu ndodhi.
Kupa e pakënaqësisë dhe revoltës ishte mbushur edhe më parë, por tani nuk zinte më. Në këmbë u ngrit i gjithë populli. Dhjetëra, mijëra, punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës, zejtarë e intelektualë u bashkuan si një trup i vetëm në një bllok të fuqishëm e të paparë. Në ballë të popullit dhe në mesin e tyre si gjithnjë veprimtarët e organizatave ilegale për t’i dhënë drejtim kërkesave popullore. Për opinionin tashmë është i njohur veprimtari Hydajet Hyseni, i cili që nga viti 1978 jetonte dhe vepronte në ilegalitet, para hundëve të xhandarëve e policëve serbë, herë në Kosovë e herë në Zvicër, gjithnjë sipas nevojës. Ai para masës u paraqit si „punëtor i Ramiz Sadikut“, me fjalimin e tij të zjarrtë e të paharruar. Në ditët e 1 e 2 prillit, nga të gjitha anët e Prishtinës, lumenj të mëdhenj demonstruesish, duke çarë përmes reve të gazit lotsjellës, plumbave dhe bajonetave u derdhën në qendër të qytetit, u bashkuan dhe formuan aty një det të paparë. Grushti i fuqishëm i popullit dhe kërkesat e tij të drejta u kallën tmerrin armiqve dhe tradhtarëve, të cilët pa asnjë paralajmërim, pa asnjë përpjekje për t’u marrë vesh me popullin që kërkonte të drejtat e veta por që kërkonte edhe llogari e përgjigje për ato që kishin ndodhur më parë, iu përgjigjën popullit me një sulm tjetër më brutal e më çnjerëzor se ato të mëparshmet. Dhe tani jo vetëm me gaz lotsjellës e kërbaç, por edhe me armë zjarri, duke vrarë e plagosur kështu të rinjtë tanë, ndër ta edhe anëtarët e OMLK që ishin vazhdimisht në ballë të demonstruesve si: Naser Hajrizin, Asllan Pirevën e Riza Matoshin.
Me qëndrimin e tyre frikacak, kapitullues dhe krejtësisht antipopullor e antishqiptar, shërbëtorët shqiptarë dhe sahanlëpirësit e Beogradit, jo vetëm që nuk përkrahën luftën e drejtë të popullit, por morën anën e armiqve dhe në deklaratat e tyre si autoparlantë të regjimit, nuk lanë gjë pa thënë kundër rinisë e popullit tonë, e sidomos duhet veçuar qëndrimin e tyre ndaj rinisë, të cilën e quajtën si „damkllosëse e popullit shqiptar“, „prishëse e vëllazërim-bashkimit“, „thyese izllogash për të vjedhë mallin“, „pleh i Kosovës“… etj., etj. Në këtë mënyrë, udhëheqja jugosllave dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, u përpoqën të fshehin shkaqet e vërteta të revoltës popullore. Ata e dinin mirë se shkaqet e vërteta ishin gjendja e pabarabartë e popullit të Kosovës, nën shtypjen e shfrytëzimin e egër, në mungesën e një sërë të drejtash dhe lirive kombëtare e demokratike, në pakënaqësinë e madhe që mbretëronte kudo dhe që ushtrohej çdo ditë. Në çdo fjalim rreth demonstratave thuhej se: „masat u mashtruan nga parullat demagogjike që u hodhën“, por nuk thuhej pse ato parulla ishin demagogjike dhe, deri sa ishin të tilla, si qenka e mundur t’u shkojë populli prapa. Por edhe një gjë ishte atëherë e çuditshme, krerët jugosllavë dhe ata shqiptarë nuk i zinin në gojë parullat e demonstruesve si: „Duam punë!“, „Ktheni kurbetçinjtë!“, „Çmimeve stop!“, „Lironi shokët!“, „Të burgosurit Kosovarë ktheni në Kosovë!“ etj.
VEPRIMTARËT NË MËRGIM NË BALLË TË DEMONSTRATAVE TË BASHKATDHETARËVE TANË
Bashkërendimi i veprimtarisë në mes të anëtarëve të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë, me veprimtarët e tyre në mërgim, çoi në organizimin e mobilizimin e mërgimtarëve për organizimin e demonstratave edhe me bashkatdhetarët. Siç dihet ndër bashkatdhetarët, Kadri Zeka ishte i vendosur të dilte pa humbur kohë në përkrahje të kërkesave të shtruara nga rinia dhe populli i Kosovës dhe kështu organizoi bashkë me veprimtarët e tjerë që tanimë ishin të organizuar në OMLK, demonstratën e parë, më 11 prill 1981 në kryeqytetin e Zvicrës. Ata ishin si: Hasan Malaj, Zijah Shemsiu, Kadri Avdullahu në bashkëpunim të ngushtë edhe me miqtë zviceranë, pa të cilët ishte e vështirë e ndoshta e pamundur të organizoheshin demonstrata të tilla të fuqishme dhe të suksesshme, por edhe të papara ndonjëherë në Perëndim si: Beat Schaffer, Kathrin Asal, Mischel e Sara Gretler etj. Kësaj demonstrate iu bashkangjitën edhe Jusuf Gërvalla e Ibrahim Kelmendi, me vepritmarët në Gjermani si pjesëtarë të organizatave ilegale, LNÇKVSHJ dhe Fronti i Kuq Popullor. Këto demonstrata, u organizuan dhe udhëhoqën nga prijësit e njohur të asaj kohe ndër mërgimtarët: Kadri Zeka, vëllezërit Gërvalla e Ibrahim Kelmendi.

Cyrih 1980: Kadri Zeka me Hydajet Hysenin.

*  *  *

Ato u organizuan në kryeqendrat më të mëdha perëndimore si në: Bernë, në Gjenevë, në Cyrih, në Shtutgart, në Bon, në Frankfurt, në Bruksel, në Vjenë, në Dyseldorf etj. Vetëm gjatë vitit 1981 u organizuan nëntë demonstrata në perëndim. Në këto demonstrata mërgimtarët tanë dolën në përkrahje të kërkesave të popullit të Kosovës të shtruara në Pranverën e Madhe të atij viti historik. Ata me trakte, parulla e peticione njoftuan opinionin ndërkombëtar për padrejtësitë që i bëheshin popullit në Kosovë; për demonstratat popullore; për kërkesat e popullit të Kosovës të shtruara në këto demonstrata; për burgosjen e vrasjen e bijave e bijve më të mirë të popullit; për të drejtën e shqiptarëve për liri e barazi me gjithë popujt tjerë në ish-Jugosllavi; për drejtësinë e statusit të Republikës për Kosovën, të kërkuar nga populli në këto demonstrata; për rrethimin e hekurt që kishte bërë udhëheqja e Beogradit në Kosovë dhe se opinioni botëror nuk dinte se ç’po ndodhte atje, derisa nuk lejohej të futej asnjë gazetar i huaj për t’u njohur me realitetin.
Kur në Kosovë e vërteta fshihej, mbytej e nuk dihej ç’po ndodhte dhe shtypi legal ishte tërësisht i cenzuruar; kur Kosova ishte izoluar nga bota dhe informacioni i vërtetë në shtyp nuk ekzistonte, rreze drite përhapeshin në adresën e gazetës ilegale „Liria“ dhe e fondit „Ndihma për Kosovën“ në Badhausstrasse në Biel të Zvicrës. Adresa ishte hapur në vitin 1980 në librarinë e çiftit Beat Schaffer e Kathrin Asal më 1980 nga Kadri Zeka e Hydajet Hyseni. Kjo adresë shërbeu gjithnjë si bazë orientuese por edhe informative për mërgimtarët anë e kënd botës. Me qindra e mijëra gazeta, broshura, letra e korrespondenca erdhën e dolën nga kjo adresë. Në këtë librari në kuadër të bibliotekës „Liria“, u botuan edhe vepra shumë të rëndësishme politike, informative e patriotike si: „Shpërngulja e shqiptarëve“ e Vaso Çubrilloviqit, përmbledhja me poezi në dy vëllime: „Këngët e lirisë“, vepra „Gjarpinjtë e gjakut“ e Adem Demaçit, „Vepra“ e Kadri Zekës,vepra e Jusuf Gërvallës, „Qëndresa“ e Rexhep Malajt, „Pranverë e luleve të kuqe“ e Nuhi Berishës; për vite me radhë u botua „Zëri i Kosovës“; vepra e botime të tjera, të cilat është vështirë të përfshihen në një shkrim të tillë. Ndërkaq në Gjermani Ibrahim Kelmendi nxirrte gazetën „Bashimi“ e Jusuf Gërvalla gazetën „Lajmëtari i lirisë“.

Çerrja e maskës para opinionit ndërkombëtar që i bënin veprimtarët e mërgimtarët shqiptarë me protestat e demonstratat e tyre si dhe zbehja e imazhit pozitiv që gëzonte atëbotë Jugosllavia në opinionin ndërkombëtar, ishte goditje e papranueshme dhe e padurueshme e shtetit të atëhershëm jugosllav, andaj UDB-a kriminale përgatiti dhe likuidoi në tokën gjermane tre prijësit e mërgimtarëve tanë: Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën, duke e goditur kështu mu në kokë lëvizjen në mërgim. Rënia e këtyre tre udhëheqësve në krye të detyrës për bashkimin e forcave që vepronin bashkërisht, por vetëm formalisht mbanin emra të ndryshëm në organizatata, ngriti në këmbë dhe mobilizoi me mijëra forca të tjera, duke vazhduar edhe më me hov veprimtarinë dhe dhënë kështu kontributin në forma të ndryshme deri në çlirimin e Kosovës.
Pra, demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981 në Kosovë, të mbështetura menjëherë edhe nga bashkatdhetarët në mërgim ishin dhe mbetën ngjarje që i dhanë hov dhe e çuan përpara çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve. Ato edhe pas 30 vjetësh, por edhe pas qindra vitesh nuk do të zbehen, por se do të ndriçohen edhe më dhe do të dalin ashtu siç ishin në të vërtetë: PRANVERË E LULEVE TË KUQE!; sepse u lanë me gjakun e rinisë së Kosovës, siç do të shkruante në ditarin e tij pjesëmarrësi aktiv në këto ngjarje, sot dëshmor i Kosovës, Nuhi Berisha. VITI `81 BËRI KTHESË NË HISTORINË MË TË RE TË KOSOVËS DHE ÇOI RROTËN E HISTORISË PËRPARA. Ndërkaq pararoja e popullit në demonstrata ishte dhe mbetet rinia e organizuar në grupe të ndryshme ilegale të Kosovës. Ndër këta të rinj vlen të përmenden anëtarët e OMLK-së. OMLK ishte ndër organizatat ilegale me një veprimtari të bujshme dhe më jetëgjata në Kosovë. Kjo organizatë ka anëtarët e saj që nga demonstrata e parë, më 11 mars e deri tek ato të fillimit të muajit prill 1981, si në Kosovë, ashtu edhe në mërgim, pa përmendur këtu edhe ata që vazhduan më tutje në Lëvizjen në mërgatë; në luftën e lavdishme të UÇK-së e edhe të atyre që sot janë në funksione të larta shtetërore të Kosovës.

– Kjo kumtesë u lexua në Konferencën shkencore “Demonstratat e vitit 1981 – kthesë e madhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura