JAHIR BEJTA: PRIVIMI I VIKTIMAVE NGA QASJA NË DREJTËSI

Pashtriku.org, 17. 09. 2014: Të nderuar qytetar të Republikës se Kosovës! Duke parë ngjarjet e fundit rreth privimit të shqiptarëve nga qasja në drejtësi, duke bllokuar proceduralisht lëndët nga ana e organeve gjyqësore të Serbisë me rastin e gjykimit të krimeve të luftës, rezulton, se OJQB “Ngritja e Zërit” me Seli në Skenderaj ka patur të drejt me rastin e tërheqjes së vërejtjes qytetareve të Republikës së Kosovës për të mos i besuar “Fondit për të Drejtën Humanitare të Republikës së Serbisë”, subjekt ky i cili vepron edhe në Kosovë, kinse për tu ofruar ndihmë juridike shqiptarëve në realizimin e procedurave gjyqësore nga ana e organeve të drejtësisë në Serbi, qoftë të natyrës penale, qoftë të natyrës civile në kontekstin e zhdëmtimit të dëmeve të luftës.
Se kjo është plotësisht e vërtetë, ja tani binduni nga rasti i vendimit të gjykatëses Mirjana Iliq nga Departamenti për Krime Lufte në Beograd, sipas publikimit në gazetën e përditshme “Tribuna” të datës 11.08.2013 në faqen nr.3, në të cilin qartë flitet për bllokimin e lëndës kundër oficerëve Rajko Kozlina dhe Pavle Gavriloviç, lidhur me përgjegjësin individuale të kriminelëve për shkak të vrasjes dhe masakrimit të 27 pleqve, grave dhe fëmijëve në fshatin Tërnj të Suharekës në vitin 1999, nën arsyetimin se avokatët nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk janë anëtarë të Odës së Avokatëve të Republikës së Serbisë.

Së kendejmi, edhe sikur të shqyrtohen kërkesëpaditë e viktimave të nacionalitetit shqiptar nga ana e organeve të Serbisë të cilës do natyre qofshin ato, madje edhe sikur të merren vendimet përkatëse gjyqësore, prapë se prapë ato vendime do të ishin jo efektive, jo reale, jo të drejta, jo të ligjshme si dhe të ndikuara politikisht nga strukturat ushtarake të cilat kanë kryer krime në Kosovë, dhe derivat nga konflikti i interesit.
Prandaj, qytetarë të nderuar brenda dhe jashtë vendit, Shoqata Profesionale për Dëme të Luftës “OJQB Ngritja e Zërit” me seli në Skenderaj ju informon se, kërkesëpaditë duhet të inicohen mu pranë organeve të drejtësisë të Republikës së Kosovës, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën e RK dhe e rregulluar paraprakisht me dispozitat e ligjeve të aplikueshme vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë. Ndaj, meqë në rastin konkret krimi është kryer në Kosovë, provat ndodhen në vendin e krimit dhe se një numër i dëshmitarëve me stres dhe të traumatizuar nuk e kanë guximin të shkojnë në Serbi dhe t’i shohin policët e uniformuar, madje madje ata nuk guxojnë t’i shohin as policët shqiptar me uniformë blu të shtetit tonë, pasi që aty për aty ju rikthehet momenti i skenës së krimit të kryer.
E drejta e shqyrtimit të kërkesëpadive në organet e drejtësisë së Kosovës është paraparë edhe me disa konventa ndërkombëtare, më saktësisht në mënyrë të detajuar e përcakton Konventa Ndërkombëtare mbi Gjenocidin, e cila thekson se, kryesit e veprimeve gjenocidiale mund ti gjykojnë gjykatat e shtetit në të cilin janë kryer krimet, nga se gjenocidi është kryer në Kosovë, organet e drejtësisë kosovare duhet gjykuar kriminelët mu në këtë vend.
Së këndejmi, organet e drejtësisë Kosovare edhe më tutje thirren në jo kompetencë, duke i hedhur apo duke pezulluar shqyrtimin e kërkesëpadive për kohë të pacaktuar, ndërsa organet e drejtësisë në Serbi e bllokojnë procesin e shqyrtimit të lëndëve për privimin e qasjes së qytetarëve të Kosovës në drejtësi, pra konsiderojmë se, përgjegjësia bie drejtpërdrejtë mbi institucionet e Republikës së Kosovës.


Publikimi në gazetën “Tribuna” i dt. 11.08.2014, faqe nr. 3.

Si përfundim,
i informojmë viktimat dhe familjarët e më të dashurëve të fshatit Tërnje të Komunës së Suharekës, si dhe të gjithë qytetarët e RK-së, se në Kosovë ekziston shoqata profesionale për dëme të luftës ”Ngritja e Zërit” me seli në Skenderaj, e cila deri me tani ka hartuar mbi 900 kërkesëpadi individuale pa kompensim në sajë të kauzës kombëtare, për qytetarët nga 12 komuna të Kosovës, lëndë këto të cilat gjenden në shkallë të ndryshme të procedimit deri tek Gjykata Supreme.
Me konstatim se në mungesë të vullnetit politik dhe në mungesë fondi për stafin, shoqata nuk po mundet të dislokohet në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë dhe as të shtrihet në të gjitha komunat, edhe përkundër kontaktit formal disa herë radhazi që nga fillimi i vitit 2009 me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave. Ndryshe, sikurse të ishim përkrahur financiarisht nga institucionet e RK-së, me përgjegjësi të plotë morale theksojmë se, deri më tani do të hartoheshin nga stafi profesional i shoqatës tonë mbi 100.000 kërkesëpadi individuale apo më mirë thënë me qindra mijëra të tilla.

Në emër të stafit të Shoqatës : Jahir Bejta
Skenderaj, më 12. 08. 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura