SHERADIN BERISHA: KOSOVA – FUSHË E MASAKRAVE TË PANDËSHKUAR!!

Pashtriku.org, 12. 04. 2014 – Tashmë dihet mirëfilli, se, gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare. Gjithashtu, mësohet për rrëmbimin e mbi 3 mijë shqiptarëve, ku pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.800 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur (të pagjetur). Sipas një përllogaritjeje të publikuar në raportin e KMDLNJ’së (1999), numri i objekteve të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara – i shtëpive dhe i banesave, i lokaleve afariste dhe i fabrikave, i shkollave dhe i objekteve të tjera arsimore, kulturore e shkencore, i objekteve fetare, i monumenteve kulturore e historike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme është tejet i madh. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (mars 1998 – qershor 1999) janë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1100 vendbanime shqiptare; janë plaçkitur, djegur e shkatërruar (pjesërisht a tërësisht) mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore – historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

……………………..

Masakra në Studime të Vushtrrisë 1999!

 ***
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, që nga data 28 shkurt 1998 deri më 22 maj 1999, forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë kanë bërë 274 vrasje në masë, në të cilat janë vrarë 3721 civilë të paarmatosur dhe këto vrasje dhe masakra kanë pasur shtrirje në tërë territorin e Kosovës. Në këtë periudhë kohore, sipas KMDLNJ’së, janë identifikuar dhe hapur 142 varreza masive në Kosovë, nga të cilat janë zhvarrosur 2031 persona të ekzekutuar. Janë identifikuar edhe disa varreza masive në Serbi, si në Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3 etj., në të cilat janë gjetur mbetjet mortore të afër 1000 shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë luftës 1998 – 1999 në Kosovë. Në raportet e KMDLNJ’së rezulton se vrasjet dhe masakrat në masë të shqiptarëve, më së shumti janë bërë në komunën e Gjakovës, gjithsejt 40 raste me 693 persona, pastaj në komunën e Pejës janë regjistruar 39 raste të vrasjeve në masë me 451 të vrarë dhe të masakruar. Komuna e Klinës ka 144 të vrarë në 23 raste të vrasjeve në masë. Në komunën e Rahovecit janë evidentuar 22 raste të vrasjeve në masë me 391 të vrarë etj.etj. (KMDLNJ – Krimet e luftës në Kosovë 1998 – 1999 (Monografi 1) fq. 46 – 48).
***
Pas përfundimit të luftës, edhe pse emrat e kriminelëve që kryen këto masakra, u identifikuan nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e drejtësisë në Kosovë, as prokuroria e EULEX’it, as ajo Kosovës, madje as institucionet tjera ndërkombëtare, por as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i arrestuar e gjykuar këta kriminelë. Ndërkohë që këto ditë të fuqishmit e Botës, po finalizojnë themelimin e TRIBUNALIT PËR KOSOVËN!!!
***
Cili Tribunal do t’i gjykojë qindra kriminelë që vranë e masakruan familje të tëra në shtator 1998 në malet e Vraniqit (shikoni këto foto të prezentuar këtu) dhe mijëra fëmijë, gra, pleq e plaka shqiptare që u ekzekutuan gjatë viteve 1998 – 1999?!

………………………………………………….

Pamje të tmerrshme nga Masakra e shqiptarëve të Vraniqit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura