JASHAR ALIA: QËNDRIMI I UDHËHEQËSVE SHQIPTARË TË KOSOVËS PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981

(Pashtriku.org, 21. 04. 2012 – Në 30 vjetorin e demonstratave të mars-prillit 1981*) Në pranverën e vitit 1981, në Kosovën e pushtuar nën sundim të Serbisë, ndodhën ngjarje të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Protestat e 11 marsit të vitit 1981, të organizuara nga rinia studentore në mensën e studentëve, ishin fillimi i demonstratave që do të pasonin në ditët dhe muajt e asaj pranvere. Më 26 mars, në ditën që pritej të vinte në Prishtinë stafeta e Josip Brozit, studentët organizuan një demonstratë edhe më të fuqishme nga ajo e 11 marsit. Forcat policore ushtruan dhunë mbi studentët. I rrahën brutalisht, i arrestuan dhe i torturuan një numër të konsiderushëm.
     Më 1, 2 e 3 prill, shpërthyen demonstratat në Prishtinë dhe disa prej qyteteve të tjera të Kosovës. Në këto demonstrata morën pjesë pleq e të rinj, burra e gra, të rinj e të reja, qytetarë të të gjitha shtresave të shoqërisë. Ishin demonstrata gjithëpopullore, ishte një kryengritje paqësore. Nxënësit, studentët, punëtorët, fshatarët, pothuajse i gjithë populli ishte në rrugë. Edhe pse demonstratat ishin paqësore, regjimi i Beogradit ato i shtypi në gjak. Zbarkuan forca të mëdha policore e ushtarake të armatosura me tanke e autoblinda, qielli uturinte nga zhyrma e avionëve ushtarakë. 

Neuenhof, 6 mars 2011: Jashar Alia, duke lexuar kumtesën…

_______________________________

     Me 2 Prill ranë në ballë të demonstratave dëshmorët e parë: në Prishtinë, Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë dhe militantë të Lëvizjes së organizuar Kombëtare. Pas tyre u vranë edhe Xhelal Maliqi e Salih Abazi. Kurse më 3 Prill, në Vushtrri ranë Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni, ndërsa në Ferizaj, Rizah Matoshi e Sherif Frangu.
     Në Kosovë ndodhi shprehja e hapur plebishitare e vullnetit politik të shqiptarëve, ku përballë kryengritjes paqësore u demonstrua forca shtypëse e shovenizmit të egër serb. Serbia hapi frontin e një lufte të gjatë me një popull duarthatë.
     Demonstratat e vitit ’81 kishin karakter kombëtar e demokratik. Ato çështjen e Kosovës e ndërkombëtarizuan dhe vunë në lëvizje jo vetëm botën shqiptare, por edhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi.
     Në kohën kur Serbia po përgatitej që, pas vdekjes së Titos, statusin e Kosovës ta kthejë në nivelin që kishte me kushtetutën e vitit 1963, ngjarjet e ‘81 po ia prishnin planet asaj. Duke vërejtur vendosmërinë e popullit shqiptar për çlirim, Lëvizjen Ilegale Kombëtare të organizuar mirë dhe efektin e demonstratave në sy të botës, Serbia e kapur nga paniku se Kosova mund t’i dilte nga dora, përdori të gjitha mekanizmat për shtypjen e tyre. Edhe pse raportet e udhëheqësve sllovenë e kroatë me ato të Serbisë nuk ishin aq të mira, Serbia ia doli ta shfrytëzojë mbështetjen e udhëheqjes federative për të vepruar në Kosovë në emër të RSFJ për t‘i realizuar planet e saja. Përveç policisë dhe ushtrisë së uniformuar që zbarkuan në Kosovë, nga të gjitha republikat e Jugosllavisë dhe krahina e Vojvodinës, atje u dërguan edhe pjesëtarë të sigurimit shtetëror të të gjitha kombeve e kombësive.
     Politika zyrtare jugosllave dhe ajo e Kosovës, demonstratat i shpalli “Kunderrevolucion”,1 me arsyetimin se shqiptarët me statusin e Republikës së Kosovës do të fitonin të drejtën e vetëvendosjes dhe pastaj do të bashkoheshin me Shqiperinë. Duke u mbështetur në këtë qëllim të nënkuptuar normal për secilin popull të ndarë, pushtuesi serb i cilësoi demonstratat e shqiptarëve si cenim të integritetit territorial të Jugosllavisë, si provokim të luftës qytetare, si dhe synim për ndryshimin e kufijve shtetërorë e përmbysje të rendit shoqëror të vendit
     Dobrica Qosiq, ideologu i nacionalshovinizmit serb, më 26 prill 1981 shkruante: “Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare. Ndryshe, do të hyjmë në luftë të përhershme me shqiptarët, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët.“2 ….

______________________________________

     Menjëherë pas shpërthimit të demonstratave të Marsit e Prillit, Beogradi bëri zëvendësimin e të parit të partisë për Kosovën, Mahmut Bakallin, me Ali Shukriun, bashkëpunëtorin dhe njeriun e verifikuar në luftimin e të drejtave të shqiptarëve, njeriu i cili pas Luftës së Dytë Botërore i kishte bërë shumë të zeza popullit të Kosovës. Kjo vegël qorre e Serbisë, pa ndjenja kombëtare e njerëzore, i ndihmuar nga kolegët e tij, Sinan Hasani, Kolë Shiroka, Veli Deva, Fadil Hoxha, Azem Vllasi, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina, Remzi Kolgeci e të tjerë, bënë që, përveç punëtorëve të sigurimit, në luftë kundër Lëvizjes Kombëtare, kundër përpjekjes së popullit shqiptar të Kosovës për çlirim, të angazhohen edhe personalitete të tjera të politikës, të shkencës e arsimit. Në një nga mbledhjet e kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës fill pas demonstratave, krimineli Ali Shukrija, thoshte: “Nga ajo se çfarë është karakteri i sistemit tonë shoqëror, kush e ka ndërtuar, të mos them nga lufta çlirimtare deri tani dhe në çfarë platforme është bërë aksioni kundër atij sistemi politik, kundër atyre marrëdhënieve shoqërore, mendoj se tërë kjo në vete përmban, në plot kuptimin e fjalës edhe karakter kundërrevolucionar”.3
     Gjatë demonstratave të pranverës 1981 dhe pas tyre përfaqësues të skenës politike jugosllave dhe asaj të Kosovës, të shqetësuar tej mase, mbanin mbledhje të pareshtura në kërkim të formulave të kualifikimit të ngjarjeve dhe të ndërtimit të strategjive të veprimit kundër Kosovës dhe Lëvizjes së saj Kombëtare. Disa nga diskutimet e udhëheqjes së Kosovës, u botuan te gazeta “Kosova sot” në Prishtinë.
     Në Mbledhjen e 87 të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 13 prill 1981, Veli Deva thoshte: “Unë jam i bindur thellësisht se pa i qëruar hesapet me organizatorët në plan të gjerë, nuk mund të përmirësohen gjërat. Bëhet fjalë për reaksionarë të egër, nuk ka shaka me ta, nuk janë këta fëmijë të vegjël, etj., këta janë elementë të pjekur armiqësorë. Shokë, këta janë profesorë!”4
     Por në Mbledhjen e 89 të kësaj Kryesie, më 27 prill 1981, Mahmut Bakalli deklaronte: “…teza për gjendje kundërrevolucionare dhe për kryengritje të popullit, sado që duket e motivuar me njëfarë revolucionarizmi dhe për qëllime të mobilizimit, në fund të fundit, përputhet me vlerësimet e ‘Zërit të Popullit’, se kjo ka qenë kryengritje popullore dhe se kundër këtij populli kanë luftuar vetëm tanket, policia serbe dhe natyrisht ne, tradhtarët e popullit shqiptar, si dhe disa aktivistë”.5
     Ndërkaq, në Mbledhjen e 90 të radhës, më 1 maj 1981, Ali Shukrija vlerësonte: “Unë ndiej nevojën të them se këto ngjarje në Kosovë janë më të rëndat në ndërtimin tonë të pasluftës, më të rëndat sipas dimensionit të tyre dhe përnga ashpërsia e paraqitjes si dhe ajo për çka kemi dhënë vlerësim dhe që do ta bëjmë në të ardhmen. Më është kujtuar edhe viti 1944, kur i kishim çliruar disa qytete dhe kur kemi përjetuar që kundërrevolucioni ka bërë sulme në ato qytete, kemi qenë të detyruar të luftojmë përsëri, por atëherë ishte ende revolucioni dhe lufta e armatosur dhe e dinim se kjo duhej spastruar dhe kështu edhe bënim. E kemi pasur edhe vitin 1968, këtu në Prishtinë, por atëherë ajo ishte vetëm në Prishtinë, por është një gjendje mjaft kërcenuese se forcat kundërrevolucionare nuk pushojnë kurrë, sidomos këto të karakterit nacionalist dhe irredentist. Tani këto ngjarje janë mjaft të mëdha, me dimensione të gjera ashtu siç i shohim, duhet të them se duhet të jemi të gatshëm për një kohë të gjatë për luftë që bëhet jo vetëm në planin ideor, por edhe në futjen e të gjithë asaj që dëshirojmë tash të bëjmë dhe që e bëjmë, në një mënyrë mjaft intensive dhe, në bazë të mundësive të tashme, mjaft efikase”.6
     Mbledhje të tilla diskutimi dhe diferencimi mbaheshin jo vetëm në nivel qendror, por edhe lokal. Siç dëshmonte Veli Deva më 13 prill 1981, 7 deri atëherë për demonstratat “Janë mbajtur shumë mbledhje, dikush thotë se në njërën komunë janë mbajtur rreth 350 mbledhje”, kurse Predrag Cuckiq thoshte“… në Deçan, nga 11 marsi e deri më 11 prill janë mbajtur 343 mbledhje. Kam frikë se ne po kufizohemi vetëm në mbledhje, sepse gjatë kësaj kohe nuk ka ndryshuar asgjë”.8
     Por pas demonstratave, veprimet praktike kundër popullit dhe Lëvizjes Kombëtare, regjimi i ndërmerrte në shumë fronte dhe në shumë forma.
     Azem Vllasi në Mbledhjen e 17 të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, mbajtur me 5 maj 1981 në Prishtinë kërkonte “… të vlerësohen hollësisht shkaqet, rrethanat dhe pasojat e veprimtarisë armiqësore dhe kundërrevolucionare që u shfaqen në disa vende të Krahines sonë”. “… Si qe e mundur që 36 vjet pas revolucionit socialist dhe pas 36 vjet lufte për ndërtimin e socializmit vetëqeverisës, të ngrenë kokë dhe të veprojnë në mënyrë brutale dhe shkatërruese fuqitë që deshën ta shkatërrojnë vëllazërimin, bashkimin, sistemin socialist vetëqeverisës dhe integritetin territorial të vendit tonë? Si qe e mundur që në gjirin e kësaj shoqërie, në gjirin e fuqive tona të organizuara socialiste, një numër i të rinjve të indoktrinohet me ideologji nacionaliste gati deri në fanatizëm?”… Nacionalizmi në institucionet arsimore dhe në disa fusha të krijimtarisë i ka lëshuar rrënjët mjaft thellë… Propaganda armiqësore sistematikisht është futur atje ku ne me aktivitetin politik nuk kemi qenë të pranishëm… Armiku doli me parullat, qëllimet, me planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste… Procesi i diferencimit duhet të jetë i tërësishëm”.9

Pamje nga demonstratat e pranverës 1981.

_________________________________________

     Pas kësaj fjalie në përfundim, fillon procesi famëkëq i diferencimit që i kushtoi shumë shtrenjtë Kosovës.
     Gazeta „Liria“, organ i OMLK-së, ato ditë shkruante për udhëheqjen tradhtare të Kosovës:
     Garda politike e Kosovës, me ndonjë përjashtim, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti, etj. iu ngjitën epitete ndër më të ndryshmet veprimtarëve të çështjes kombëtare, si armiq të popullit, nacionalistë, kundërrevolucionarë, të shitur të reaksionit perëndimor, “agjentë të të tjerëve”, separatistë, irredentistë, stalinistë, barbarë, vandalistë, terroristë, kanibalë, dhi të zhugavta, rrugaçë, studentë të dështuar, hajna, thyes të “izllogave”, reaksionarë, pleh, etj.
     “Ata jo vetëm nuk e ngritën zërin kundër të gjitha tragjedive që u luajtën në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, por morën pjesë aktive në të gjitha masat antishqiptare që ndërmori regjimi.”10
     Mahmut Bakalli pas shumë vitesh deklaronte: “Vërtet kanë ekzistuar dhe kanë vepruar ilegalisht në Kosovë, në shumë mjedise, grupet ‘marksiste-leniniste’ ose me emra të tjerë, por në esencë me ide të njëjta, të përbëra nga disa të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga idetë dhe veprat e Enver Hoxhës, nga praktika e atëhershme e Shqipërisë. Ato grupe të rinjve kosovarë nuk ishin staliniane në kuptimin proruse, bile as leniniste në kuptimin e plotë të fjalës, por në aspektin ideologjik mbështeteshin tek Enver Hoxha dhe modeli i socializmit shqiptar për aq sa atyre u duhej kjo mbështetje…, por mbi të gjitha veprimtarinë e tyre e kishin fokusuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kosovë dhe përgjithësisht të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Prandaj, me të drejtë, një pjesë e atyre të rinjve edhe sot thonë, dhe unë ju besoj plotësisht, se në grupet ‘marksiste-leniniste’ ishin të inspiruar me idetë kombëtare, sidomos disa nga ata që ishin të talentuar, vitalë dhe vërtet patriotë për nga bindja…Edhe ne në Kosovë kemi bërë gabimin trashanik ndaj këtyre të rinjve dhe gjithnjë më bren ndërgjegjja…”11
     Edhe në këtë intervistë Bakalli tregon hipokrizinë e tij. Ai përpiqet të japë shënja pendimi për ato çka kishte bërë, por kurrë nuk u sqarua përse ai kishte shpifur në vitin 1981 gjëja se demonstratat ishin të organizuara prej shërbimeve të huaja sekrete.
     Sinteza e diskutimeve dhe veprimeve që u bënë gjashtë muajt e parë pas demonstratave në nivel federativ, republikan e krahinor, u paraqit në dokumentin me titull: “Platforma Politike për aksionin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë”. Ky dokument u aprovua në Mbledhjen XXII të KQ të LKJ-së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i zbatimit të politikës antishqiptare ….12 Në përcaktim të shkaqeve të ngjarjeve, dokumenti identifikon dhe fajëson edhe strukturat udhëheqëse të Kosovës: “Politika e strukturave të ngushta udhëheqëse në Kosovë ishte veçanërisht e gabueshme në faktin se nuk i qëroi hesapet me konsekuencë dhe fuqimisht me nacionalizmin (f. 27)….” Dokumenti në vijim bën kualifikimin politik e juridik të ngjarjeve dhe në fakt përcakton masën e dënimit për popullin e Kosovës dhe Lëvizjen e tij Kombëtare.
     Me paraqitjen e Platformës Politike për aksionin e LKJ, udhëheqja shqiptare e Kosovës, edhe pse me kohë ishte rreshtuar në anën e politikës shoviniste të Beogradit, akuzohej se nuk i qëroi hesapet me nacionalizmin. Tani, tradhtarët shqiptarë, nga frika se do të kërkohej përgjegjësi penale për ta, u angazhuan edhe më shumë në luftë kundër popullit të tyre. Filluan me diferencime, kërcënime, shantazhe e presione. Arritën që policinë, drejtorët e burgjeve, gardianë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë, kryetarë të komunave e të tjerë (ata që nuk ishin më kohë të shitur) t’i rreshtojnë në anën e armikut. Grupit të tradhtarëve të Hajredin Hoxhës e Syrja Pupovcit iu bashkuan edhe disa të tjerë nga Universiteti. Këta tradhtarë të popullit arritën t’i bëjnë të heshtin kandidat potencialë nga radhët e inteligjencisë për të reaguar kundër gjenocidit që bëhej, kurse ata që heshtnin dhe indiferentët, i rreshtuan në anën e pushtuesit dhe me ndihmën e tyre bënë krime mbi popullin liridashës. I mbushën burgjet me të mitur e me të rritur, me të rinj e me të reja, me burra e gra.
     “Vetëm katër vitet e para pas demonstratave, sipas shënimeve zyrtare, u dënuan penalisht katër mijë veta. Gjatë periudhës 1981-1990 u vranë 183 qytetarë civilë dhe 63 ushtarë shqiptarë në armatën jugosllave, kurse u dënuan 1346 ushtarë dhe për kundërvajtje politike 10.000 qytetarë shqiptarë. Me dënim mesatar 7,1 vjet, vuajtën në burgje 3500 vetë. Çdo i treti shqiptar u trajtua në polici gjatë kësaj periudhe, kurse më 1990 mbi 7000 nxënës e studentë u helmuan me helme lufte.”13
     Për këto dhe të tjera të këqia që iu bënë popullit shqiptar, bashkëfajtor dhe hisetarë të pushtetit gjakatar e shovenist të Beogradit janë edhe udhëheqja e Kosovës e viteve ‘80-ta e shekullit 20..
     Udhëheqja e Kosovës e viteve të 2000-ta, e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme, beri rehabilitimin e disa prej armiqve të popullit, duke i varrosur me nderimet më të larta ushtarake, duke i zgjedhur deputetë, duke i emëruar këshilltarë të kryeministrave, duke i avancuar në krye të gjykatave dhe në të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, shtet që u bë me gjakun e sakrificat e bijve e bijave të këtij populli. Kjo ishte dhe vazhdon të jetë fyerje për dëshmorët dhe familjet e tyre, fyerje përj Lëvizjen Kombëtare të Rezistencës, fyerje për gjithë brezat e sakrifikuar në përpjekjet titanike për avancimin e zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe fyerje për gjithë popullin shqiptar. Një fyerje e tillë u bë edhe ditët e fundit me emërimin e një figure krejtësisht të komprometuar moralisht e kombëtarisht, siç është Pacolli, president të Kosovës.
     * Kjo kumtesë u lexua në Akademinë përkujtimore, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës 1981 në Zvicër / Neuenhof, më 6 Mars 2011.
________________
Referencat
1. Mahmut Bakalli në nje interviste në “Zeri” te dates 8 maj 2006, f. 4, deshmon: “autor i vleresimit politik ‘kunderrevolucion’ ishte maqedonasi Llazar Mojsov, kurse artikulues i atij vleresimi maqedonasi tjeter Llazar Kolishevski”.
2. Dobrica Qosiq: “Kosovo”, Novosti, Beograd 2004, faqe, 30-31
3. Gazeta “Kosova Sot”, Prishtine, 28 dhjetor 2006, f. 8
4. Gazeta “Kosova Sot”, Prishtine, 28 nentor 2006, f. 8
5. Gazeta “Kosova Sot” Prishtine, 16 dhjetor 2006, f. 8
6. Gazeta “Kosova Sot”, Prishtine, 29 janar 2007, f. 8
7. Gazeta “Kosova Sot”, Prishtinë, 27 nëntor 2006, f. 8
8. Gazeta “Kosova Sot”, Prishtinë, 29 nëntor 2006, f. 10
9. Gazeta “Epoka e Re”, 5-6 maj 2006, f. 9-10
10. “Tradhtaret shqiptare mbrojne interesat e pushtuesve”, Liria, nr. 3, maj 1981
11. Mahmut Bakalli, Interviste te “Zëri”, 5 maj 2006, f. 6
12. Platforma politike per aksionin e Lidhjes se Komunisteve te Jugosllavise ne zhvillimin e veteqeverisjes socialiste, te vellazerim-bashkimit dhe te bashkejeteses ne Kosove, Rilindja, 1981, f. 4
13. Mehmet Hajrizi – intervistë, “Epoka e re”, 2006

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura