JASHAR ALIA: SHOQATA ‘GURRAT E BARDHA’ NË SHËRBIM TË ARSIMIT TË KOSOVËS (DOKUMENTE ARKIVORE)

Pashtriku.org, 28. 04. 2015 – Mërgimtarët nga Komuna e Burimit (ish-Istogut), ashtu si mërgimtarët tjerë shqiptarë, me vëmendje e ndiqnin zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, sidomos pas suprimimit të autonomisë së saj, në mars të vitit 1989. Punëtorët e arsimit, në ato rrethana të vështira ekonomike e financiare për gjithë Kosovën, e kishin më se vështiri, sepse regjimi e kishte ndërprerë financimin e arsimit, kurse arsimtarët po vazhdonin procesin mësimor pa pagesë dhe pa mundësi të ushtronin çfarëdo veprimtarie ekonomike për ekzistencë. Për këtë arsye, punëtorët nga Burimi, të punësuar në Zvicër, vendosen t‘u dalin në ndihmë edukatorëve, të cilët me stoicizëm po qëndronin dhe po edukonin gjenerata të rinjsh, nga të cilët varej e ardhmja e Kosovës.
Ata ishin të vetëdijshëm se nuk mund t’i mbulonin nevojat e 430 punëtorëve të arsimit, sa ishin në Komunën e Burimit (1), por ishin të gatshëm t‘u ofronin përkrahje morale dhe financiare brenda mundësive që kishin. Ishte e rëndësishme të gjendej mënyra e grumbullimit të mjeteve financiare, institucionalizimi nëpërmjet të një subjekti mirë të organizuar e përgjegjës si dhe qëndrueshmëria afatgjate e veprimtarisë, mbasi në horizont nuk po dukej ndonjë zgjidhje e shpejtë për Kosovën as për arsimin e saj. Nga bisedat paraprake që po zhvilloheshin me një numër të caktuar mërgimtarësh, dominoi ideja për formimin e një shoqate humanitare. Në Zvicër vepronin subjekte politike, klube, shoqata kulturore dhe humanitare por, punëtorët nga Komuna e Burimit po pretendonin që shoqata e tyre të jetë paksa ndryshe nga të tjerat.

– Veprimtari Jashar Alia –

Më 10 mars 1991, në Chur-kantoni i Graubindenit, u ftuan në takim një numër mërgimtarësh nga Burimi që punonin në Zvicër, në të cilin u vendos për themelimin e Shoqatës dhe u zgjodh Këshilli Nismëtar, i cili kishte për obligim përgatitjen e Kuvendit zgjedhor. Në këtë takim u caktua data e mbajtjes së Kuvendit zgjedhor. Këshilli Nismëtar mori për obligim përpilimin e Statutit dhe përkthimin në gjuhën gjermane, pasi që ishte kusht për regjistrimin e Shoqatës të organet zvicerane dhe hapjen e llogarisë bankare, përmes së cilës do të bëhej grumbullimi i mjeteve financiare.
Kuvendi Zgjedhor u mbajt në Ëetingen, më 07.04.1991. Në Kuvend morën pjesë një numër i konsiderueshëm punëtorësh të Burimit nga shumë kantone të Zvicrës. U vendos që Shoqata të quhet “Gurrat e Bardha“ dhe kuota të jetë 20 franga zvicerane në muaj. Me vota të fshehta u zgjodhën edhe organet udhëheqëse të Shoqatës: Kryesia, në të cilën përfaqësoheshin mërgimtarët istogas të kantoneve të Zvicrës, kryetari, nënkryetari, sekretari, Këshilli Mbikëqyrës dhe të autorizuarit (pesë veta) për bankë.
Pa vonesë u bë regjistrimi i Shoqatës, u hap gjirollogaria bankare dhe i deponuan nënshkrimet personat e autorizuar, u bë shtypja e fletëpagesave-çeqeve dhe iu shpërndanë punëtorëve të Burimit në Zvicër.
Në Statutin e shoqatës „Gurrat e Bardha“ shkruhej se mjetet e grumbulluara nga anëtarësia do përdoren ekskluzivisht për arsimin e Komunës së Istogut. Kryesia mori vendim që, ndryshe nga subjektet politike, klubet dhe shoqatat tjera shqiptare që vepronin në Zvicër, shpenzimet për veprimtarinë e Shoqatës të mos mbulohen nga kuota, por nga Kryesia, Këshilli mbikëqyrës dhe vullnetarisht nga ndonjë anëtar i Shoqatës. Shpenzimet ishin të ndryshme, si blerja e fotokopjuesit (2.000 franga), letrës, ngjyrës, pullave postare, pagesa e sallave ku mbaheshin takimet e Shoqatës, transferi i mjeteve për në vendlindje, takimet e Kryesisë me bashkatdhetarët në kantone të Zvicrës etj.
Shoqata „Gurrat e Bardha“ u themelua para institucionit ‘Këshilli Qendror për Financim i Kosovës’ dhe ‘Këshillit Komunal të Istogut’. Ky i fundit u themelua në shkurt të vitit 1992, fill pas themelimit të Këshillit Qendror për Financim. (2) Para themelimit të Këshillit Komunal të Burimit, Shoqata „Gurrat e Bardha“, mjetet financiare të grumbulluara për punëtorët e arsimit ia dorëzonte Komisionit të Solidaritetit të Sindikatave të Arsimit, kurse pas formimit të Këshillit Komunal të Financimit në Burim, mjetet dërgoheshin aty.
Falë rregullit dhe procedurës që zbatonte Shoqata, nga tërheqja e mjeteve prej banke e deri të dorëzimi i tyre, evitohej çdo mundësi e abuzimit. Tërheqjen e parave e bënin së paku tre të autorizuar pranë banke, gjithnjë me dëshmi të firmosur ia dorëzonin Kryesisë. Kryesia merrte vendim për dërgimin e mjeteve për arsim dhe obligonte një anëtar të saj për procedurën e dërgimit e të dorëzimit, e cila dëshmohej me shkrim të vulosur e të nënshkruar nga Këshilli Komunal i Financimit. Policia serbe i plaçkiste kudo qytetarët shqiptarë, në dyqane, në treg, në rrugë etj. Kjo po u ndodhte shpesh edhe mërgimtarëve gjatë rrugës për në vendlindje. Shoqata ishte në dijeni për këtë rrezik, prandaj me kujdes i barte mjetet deri në Burim. Asnjëherë nuk iu konfiskuan mjetet financiare duke i transferuar në Kosovë.
Kontributi i Shoqatës me mjete financiare për arsimin, deri në mars të vitit 1999 ishte si më poshtë:
– Në vitin 1991 u dërguan 32.000 franga zvicerane, në vitet vijuese nga 30.000 marka gjermane. Në librin e cituar më lart thuhet: “… Vlen të përmendet që Këshillin Komunal të Financimit e ka ndihmuar vazhdimisht Shoqata e bashkatdhetarëve istogas në Zvicër “Gurrat e Bardha“, nga e cila për çdo vit është ndihmuar në shumë 30.000 DM.” (3) Në mars të vitit 1999, Këshillit të Emergjencës në Istog (Burim), Shoqata i ka dërguar 40.000 franga zvicerane. Dy vitet e fundit, 2000 dhe 2001, kur Kosova ishte çliruar, intensiteti i veprimtarisë së Shoqatës kishte rënë.
Kontributi i Shoqatës “Gurrat e Bardha” nuk përfundon me shifrat e lartshënuara të mjeteve financiare për punëtorët e arsimit. Anëtarët e vyeshëm e solidarë të Shoqatës,
– dhanë 2.000 franga zvicerane dhe 600 DM për Shkollën Fillore “Tre dëshmorët e shkollës shqipe” në Uçë, për rrjetin e ujit;
– 500 franga për RTV të Zagrebit, emisioni në gjuhën shqipe;
– 4.000 franga zvicerane për ushtarët shqiptarë që braktisnin Armatën jugosllave;
– 5.000 franga zvicerane për ndërtimin e shtëpisë së një familjeje në nevojë;
– 1.000 franga zvicerane një familjeje me rast vdekjeje etj.
Në vitin 1991 ishte shpallur Aksioni “Nga 1000 franga për Fondin Gjithëkombëtar”. Thuhej se këto mjete do të përdoren për armatim. Anëtarët e Shoqatës këtij aksioni iu përgjigjën pa hezitim. Vetëm në Kantonin e Graubindenit, në Llanz, brenda një mbrëmje anëtarët e Shoqatës dhuruan 55.000 franga zvicerane. Kështu vepruan edhe anëtarët tjerë të Shoqatës në kantonet tjera të Zvicrës.
Tubimi i mërgimtarëve istogas rreth Shoqatës “Gurrat e Bardha” dha rezultate të mëdha. Ata u bënë më të ndërgjegjshëm, më solidarë, më aktivë dhe jetonin me hallet e bashkëkombësve të tyre. Ky vetëdijesim i privonte nga “jeta komode”, por i nxiste në përmbushjen e obligimeve, shlyerjen e borxhit ndaj Atdheut, për aq sa ishte e mundur. Anëtarët e Shoqatës aderonin njëkohësisht në subjektet politike që vepronin në Zvicër dhe i kryenin obligimet që kishin ndaj tyre. Po ashtu ishin të rregullt në Fondin e Qeverisë, me 3% dhe në atë “Vendlindja Thërret”, varësisht kush ku militonte.
Shoqata ishte aktive në jetën politike. Ajo në mënyrë të organizuar merrte pjesë në tubime, protesta e demonstrata që organizoheshin në Perëndim, duke siguruar transportin anëtarësisë së vet për pjesëmarrje në to. Shoqata ishte anëtare e Këshillit Organizativ, që ishte formuar nga subjektet politike, klubet dhe shoqatat që vepronin në Zvicër. Nga Shoqata pati edhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në Luftën e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtarë e Kosovës.
Me punën e saj, Shoqata u bë e njohur te mërgata shqiptare në Zvicër. Bashkëpunonte me shoqatat:
– “Minatori” nga Mitrovica,
– “Kadri Zeka”, “Hogoshti” nga Dardana,
– “Drenica”etj.
Shoqata “Gurrat e Bardha” mori mirënjohje, falënderime, kërkesa për ndihmë dhe lëvdata nga Këshilli Komunal i Financimit në Burim, nga shoqata dhe individë. Të gjitha këto shkresa janë në arkivin e Shoqatës.
Informimi i anëtarëve të Shoqatës për pagesat e tyre, dërgimin e parave në vendlindje etj., bëhej edhe përmes postës, me dokumente nga banka.
(Kumtesë e mbajtur në Tryezën për Këshillin Qendror të Financimit, Prishtinë – shkurt 2015)
_______________
Referencat:
1. Mehmet Hajrizi, Ismail Kastrati, Bajram Shatri “Këshilli Qendror për Financim i Kosovës”, “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2007, f. 79.
2. Po aty f. 159
3. Po aty, f. 159

***

Faksimile të disa dokumenteve të Shoqatës “Gurrat e Bardha”:


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura