Tiranë, 27 qershor 2017: Unë votova të dielën, edhe pse mund t’i gjeja vetes 1001 arsye për të mos shkuar në votime, siç i gjetën vetes 54.45% e qytetarëve që nuk shkuan të votojnë. Në pamje të parë, pa u thelluar fare, do thoja që kjo shumicë ka preferuar të shijojë fundjavën e zgjatur me një ditë plus për t’u freskuar pranë ujrave të ëmbla e të kripura që ofron mrekullisht vendi. Ose t’i jetë gëzuar totalisht festës së shumëpritur pas muajit të sakrificës që la pas, pa e ngatërruar dlirësinë e hyjit me pisllëqet e rëndomta të politikës. Por përsëri, brenda kësaj shumice mbeten shumë që nuk e gjejnë veten tek këto shkaqe bojkoti.
Sipas meje, vendimi për të votuar apo mosvotuar si çdo vendimmarrje është i ndikuar nga procese të të menduarit, nga emocionet si dhe nga paragjykime. Njeriu mendon, e njëkohësisht përjeton emocione të caktuara dhe ndërkohë paragjykon, edhe kur është në kafene e lexon titrat në ekranet e televizioneve që raportojnë listat e kandidatëve apo veshjet e veçanta të liderit socialist. Njeriu mendon, ndjen dhe vepron. Nuk është e thënë të ulet në karrike apo të shtrihet në divan e të thellohet në mendime. Jo, të menduarit ndodh dhe kaq…dhe bashkë me të merren vendime racionale ose emocionale, ose të dyja së bashku.
Por në rastin e vendimeve për të mos votuar, unë lexoj pakënaqësinë e njerëzve nga politikanët, nga sjelljet dhe qëndrimet e tyre politike. Vërej mungesën e shpresës për të ardhmen. Qytetarët nuk kanë votuar pasi nuk kanë patur besim te vlera e votës së tyre. Ata kanë dëgjuar për blerje e shitje votash. Ata kanë dëgjuar për vjedhje votash. Ata kanë kuptuar që vota e tyre nuk shkon për më shumë mirëqenie për ta, por për më shumë luks për politikanët. Në këtë mosvotim, në këtë tërheqje apo izolim unë lexoj vetëdijësim nga njëra anë por edhe dëshpërimin e thellë dhe gjendjen depresive të shoqërisë, e cila e kruspullosur në një qoshe nuk di ç’të bëjë më tej.
Nëse ende nuk ju bindin këto shkaqe, ju sjell në vëmëndje se e drejta për të votuar, është një shprehje e vetes, ajo plotëson konceptin për veten. Më thjesht shprehet kështu: “Nëse jam shqiptar dhe shqiptarët sot votojnë, atëherë duke votuar unë shpreh përkatësinë time”.
Por fakti që më tepër se gjysma nuk kanë votuar, a mos vallë është tregues se shumica e shqiptarëve në moshë votuesish, nuk po ndihen të përfaqësuar në atdheun e tyre?
Ata, të cilët nuk po ndihen të përfaqësuar politikisht po shtohen çdo ditë e më tepër edhe pse partitë e reja u ofrohen si alternativë, duke trumbetuar prurjen e të resë dhe idealizmave, ndërkohë që boja u del shpejt përmes figurinave që përdorin në rradhën e parë. Ose nëse janë lëkundur në preferencë për këto partiçka të sapo krijuara, kanë besuar se votën do ta çonin dëm po t’ia jepnin, duke mos besuar se një votë do ti bënte dëm rezultatit të partisë.
Ashtu të papërfaqësuar tashmë, këta mosvotues kujtojnë se në zgjedhjet e kaluara, votuan, por vota e tyre nuk shkoi për fituesit e zgjedhjeve. Kjo do të thotë që sjellja e tyre votuese u ndëshkua. Tamam si një kushtëzim veprues i sjelljes. Për këtë arsye, predispozita e tyre për të hedhur një votë të humbur në kuti, të dielën e 25 qershorit ka qenë e ulët. Sipas këtij shpjegimi, i bie që një pjesë e mirë e mospjesëmarrësve duhet të kenë qenë të krahut të djathtë.
Dhe meqenëse jemi tek të djathtët…
Përjashtimi nga listat e kandidatëve të emrave me influencë në Partinë Demokratike dhe përfshirja e njerëzve anonim pa kontribute në parti apo shoqëri, ndoshta ka ndikuar në mospjesëmarrjen në votim të ndjekësve të tyre të flaktë. Nga ana tjetër, marrëveshja mes PD dhe PS, ndikoi në retorikën politike gjatë muajit të fushatës. U vu re mungesa e negativizmit dhe nxitjeve të emocioneve. Militantët demokratë të njohur për shkallën e lartë të ekspresivitetit nuk patën asnjë rekord ditën e votimit, duke krijuar një habi dhe precedent të ri në historinë e tyre politike. Krijimi dhe përhapja e një klime miqësore PD-PS duket se shuajti motivimin e demokratëve për pjesëmarrje duke instaluar besimin e një bashkëqeverisjeje mes tyre dhe si rrjedhojë shuarjen e riskut për të qenë humbës të mëdhenj. Duke qenë se një nga shkaqet që çojnë njerëzit drejt kutive të votimit është mbizotërimi dhe përhapja e ndjenjës së frikës për rreziqet që i kanosen vendit, dy partitë e mëdha nuk e përdorën këtë taktikë kundër njëri-tjetrit. Rreziku “Sali”, befas u zhduk nga arena për t’u zëvendësuar me rrezikun LSI. Nisur nga kjo gjendje, kryesisht demokratët nuk e prishën terezinë duke i lënë socialistët e dy partive të hahen mes tyre.
Në këto kushte, parlamenti i ardhshëm është votuar vetëm nga militantët që votojnë gjithmonë, nga punonjësit që direkt ose indirekt janë urdhëruar të votojnë, nga qytetarët që ende besojnë se ky vend do bëhet.
Parlamenti i ardhshëm nuk është votuar nga shumica e zgjedhësve si dhe nga qytetarët që edhe pse nuk besojnë se ky vend do bëhet me këta politikanë të listave ose jo, e kanë bërë me dije këtë gjë përmes vendosjes së kryqit të pavlefshmërisë në fletën e votimit.
Nga sa më lart, a do të ketë moral në ligjshmërinë e tij një parlament i zgjedhur nga pakica ?