JOSEPH NYE: POLITIKANËT GËNJESHTARË!

Pashtriku.org, 14. 07. 2016: Ky sezon zgjedhor u shënua nga akuzat e shpeshta për mungesë sinqeriteti. Gjatë debatit “Brexit” të Britanisë, secila palë akuzoi tjetrën për shtrembërim të së vërtetës, ndërsa shpejtësia me të cilën kampi “Të largohemi” mohoi premtimet e fushatës dhe pretendimet e kampit “Të qëndrojmë” janë bërë realitet, sugjeron se cili po thoshte të vërtetën. Në fushatën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kandidati për të nominuarin Republikan, rrallë iu referua konkurrentit të tij më të ngushtë në fazën e parë pa e quajtur “Gënjeshtari Ted Cruz”.
Ngjashmërisht, Trump rrallë e humbet mundësinë për t’iu referuar Hillary Clinton, kandidates demokrate, pa i bashkangjitur prefiksin “E pandershme”. Kur ajo së fundmi mbajti një fjalim të kujdesshëm mbi politikën e jashtme, Trump iu përgjigj duke e quajtur “gënjeshtare të klasit botëror”. Por, sipas PolitiFact, një organizate fituese e çmimit Pulitzer që kontrollon vërtetësinë e deklaratave politike, 60 për qind e pretendimeve të Trump, të hetuara që nga fillimi i fushatës së tij janë cilësuar si të gënjeshtërta, përkundrejt 12 për qind të pretendimeve të Clinton.
Disa cinikë i shohin këto diskutime mes kandidatëve si sjelljen tipike të politikanëve. Por kjo është shumë e cekët, sepse shpërfill pyetjet e rënda që lidhen me ndershmërinë që duam te liderët politikë dhe vërtetësinë e diskursit tonë politik.

Në fakt, ne mund të mos duam që liderët politikë të na thonë të vërtetën lakuriqe gjatë gjithë kohës. Në kohë lufte ose gjatë operacioneve kundër terrorizëm, mashtrimi mund të jetë një kush i nevojshëm për fitore ose sukses – që është qartazi në interesin tonë.
Rastet e tjera janë më pak dramatike, por jo më pak të rëndësishme. Ndonjëherë, liderët politikë kanë objektiva të ndryshme nga ato të pjesës më të madhe të mbështetësve të tyre; në vend që të zbulojnë ndryshimet, ata i mashtrojnë mbështetësit. Kur veprime të tilla janë për t’i shërbyer më mirë vetes, si në rastet e korrupsionit apo kënaqjes së egos personale, censura morale është e lehtë dhe e përshtatshme. Përkundrazi, liderë të tjerë me objektiva të ndryshëm nga mbështetësit e tyre investojnë shumë në edukimin e atyre që do t’i kundërshtonin ata për të parë një pikëpamje krejt tjetër.
Në disa raste, liderët e shohin të pamundur të edukojnë në kohë mbështetësit e tyre ose këta të fundit janë shumë të përçarë për të arritur një konsensus që do të sjellë veprimin kolektiv. Në rrethana të tilla, disa liderë mund të ndërmarrin një pikëpamje paternaliste dhe të vendosin t’i mashtrojnë mbështetësit e tyre për atë që ata e shohin si të mirën më të madhe.
Për shembull, në këtë mënyrë lideri i Senatit, Lyndon B. Johnson mashtroi mbështetësit e tij jugorë në mënyrë që të kalohej akti i të drejtave civile në 1957. Charles de Gaulle nuk e zbuloi strategjinë e tij për pavarësinë algjeriane kur erdhi në pushtet në 1958 sepse ai e dinte se nëse e bënte këtë do ta çonte në dështim. John F. Kennedy e gënjeu publikun rreth tërheqjes së armëve bërthamore amerikane nga Turqia në marrëveshjen që i dha fund paqësisht Krizës Kubaneze të Predhave në 1962.
Për më tepër, Franklin D. Roosevelt e gënjeu publikun amerikan rreth një sulmi gjerman mbi një luftanije amerikane, në përpjekje për të kapërcyer rezistencën izolacioniste për t’i ardhur në ndihmë Britanisë përpara Luftës së Dytë Botërore. Dhe Winston Churchill dikur tha se e vërteta mund të jetë “aq e çmuar saqë duhet shoqëruar gjithnjë me një truprojë gënjeshtrash”.
Fakti që ndonjëherë qëllimi i liderëve mund të justifikojë shkeljen e normave rreth ndershmërisë nuk nënkupton se të gjitha gënjeshtrat janë të barabarta ose që ne duhet ta ndërpresim gjykimin tonë moral në raste të tilla. Mashtrimi Makiavelian është shpesh pjesë e një strategjie, për shembull, në nxitjen e një grupi që të pranojë objektiva të rinj. Por qëllimet kanë rëndësi. Mashtrimi që është krejtësisht për përfitime vetjake kthehet nga një strategji që mund t’i sjellë përfitime të tjerëve në një manipulim egoist.
Edhe nëse pranojmë se mashtrimi ndonjëherë është i nevojshëm, ne ende mund të ngremë pyetje rreth rëndësisë së objektivit, ekzistencës së mjeteve alternative për ta arritur atë, nëse mashtrimi mund të kthehet në precedent ose shembull, dëmit që i bëhet viktimave dhe llogaridhënies së mashtruesve (nëse sjellja e tyre mund të zbulohet dhe shpjegohet më vonë). Në librin e tij Kur Presidentët Gënjejnë, historiani Eric Alterman arrin në përfundimin se gënjeshtrat presidenciale “në mënyrë të pashmangshme kthehen në mostra që mbysin krijuesit e tyre”.
Dhe presidentët mund të kenë krijuar precedentë të këqij. Kur Roosevelt gënjeu rreth sulmit gjerman mbi luftanijen Greer në 1941, ai e uli pengesën për mashtrimin e Johnson për një sulm të Vietnamit Verior mbi flotën amerikane, që çoi në Rezolutën e Gjirit Tonkin në 1964.
Është shumë e lehtë që liderët të bindin veten se po thonë një gënjeshtër të bardhë për të mirën e mbështetësve të tyre, kur në fakt po gënjejnë thjesht për voli politike dhe personale. Kjo e bën akoma më të rëndësishme në një demokraci që të jemi të kujdesshëm në ekzaminimin e natyrës së lëshimeve mes synimeve dhe mjeteve që liderët përdorin. Mund të ketë raste të caktuara në të cilat ne mund të pranojmë gënjeshtra nga liderët tanë politikë, por raste të tilla duhet të mbeten të rralla dhe subjekt i analizimit me kujdes. Përndryshe, ne pengojmë bazën e demokracisë sonë dhe ulim cilësinë e diskursit tonë politik.
– Autori është ish-zëvendës sekretar shteti, akademik amerikan.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura