JOSIF PAPAGJONI: MOIKOM ZEQO, DETI I PASIONIT DHE I DIJES

Tiranë, 22 dhjetor 2018: (Rreth librit “Grishja e Florimontit” të Moikom Zeqos.) Sikundër më ka ndodhur edhe më parë me librat e fundmë të Moikom Zeqos, edhe me faqet e librit “Grishja e Florimontit” hyra brenda tyre, u harrova, pësova gati një magjepsje, një lloj mistifikimi që vjen nga plotëria e dijes dhe dyshimet e shumta përmbi to. Një dialektikë elegante, shaluar mbi kuaj: mprehtësisë dhe mençurisë. Shqipëria bëhej Botë dhe e papërsëritshmja bëhej gjithëkohore. Më dukej vetja si në një tel ekuilibri: lart qielli, poshtë gremina.
Ose si në një karuzel çmendurak: herë kokëposhtë e hëre vrik përpjetë, ku qiell e tokë puqen, koha dhe hapësira humbasin matësit, bëhen shtjellë e pandalur ndodhish, emrash, idesh, vegimesh, marramendjesh, një kaos.
Gjithë libri është një përrua plot zhurmë midis gurësh, që shkërmoqet në mijra stërkala, që shkumëzon e thyhet skërkave, që nuk ke kohë ta kundrosh sepse ai të rrëmbën… dhe të rrëmben… Vallë është vetëm stili “xhoisian” i përroit të ndërgjegjes që s’njeh caqe e rregulla, i alternuar me paradokset e tipit të Borhesit ku logjikja dhe e qëndrtueshmja bëhen alogjike dhe relative? Apo është diçka më shumë? Po, shumë më shumë se sa pikasja e një stili, e një mbrese. Për mua është kultura e gjerë, lumnaja e dijes, e informacionit, pafundësia e fakteve, një bibliotekë librash, autorësh, sentencash, argumentesh, teorish, që sikur të merr frymën, bien si breshër në trurin tënd dhe ti i bën pyetje vetes: “A mund të shkruaj edhe unë kështu?”
Është tejet e vështirë, sepse kërkon një “server”, ku të skedohen mijra emra, që sekush përfaqson diçka të rëndësishme (jo të cituar kot): një teori, një metodë, një qëndrim, një lavdi, një gjedhe kulturore dhe kështu më radhë. Ndoshta e tëra e këtij libri është begatia kulturoredhe autorin unë do ta quaja kulturologun e spikatur shqiptar, i rrallë ndër shokët, mbase i papërsëritshëm. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër, që unë, si lexues, por edhe si studjues, nuk e njoh, kurse Moikomi dijen e tij e ka hedhur dhe e ka sërenditur në libra.
Për mua ky është i katërti libër, në mos i pesti, tek i cili ai mëton seriozisht të imponohet e të bëhet në letrat shqipe një emër prijës. Lumi i harresës, kur vdekëtari shkon drejt Hadit, e ka shumë të vështirë t’i sfidojë këta tipa punëtorësh, sepse ata rrinë përsipri ujrave të tij. M. Zeqo po ngre një korpus kulturologjik të tijin, nisur me “Mona Lizën”, “Midis Laokoontit dhe Krishtit- Onufri II”, “Syri i tretë” (një qasje tejet e mëvetshme për Naim Frashërin), “Fjalëkryqet e Babilonisë” dhe, më në fund, “Grishja e Florimontit”.
Alibia e të shkruarit
“Unë po shkruaj kinse një libër për një libër. Thonë se librat pjellin njëri-tjetrin, por më e saktë është të thuhet, që hanë njëri-tjetrin. Është një kacafytje makabre, por edhe estetike” (f. 268)
“Ti kinse po shkruan një libër për heroin përrallor dhe fatkeq, kërkimtar dhe të dëshpëruar me emrin Florimont. Nuk e ke qëllimin, as kuriozitetin për të bërë Florimontin e tesktit. Për ty teksti është një lloj alibie, për të kapërcyer tek një Florimont si një hero virtual, nuk mund të shkëputesh dot nga ky ves stilistikor, profan dhe i shenjtë për ty.” (f. 292)
Është tamam kështu. Romani mesjetar “Florimonti” është një alibi ose, sikurse e titullon vetë M. Zeqo, një grishje. Grishje për të thënë diçka lidhur, krahas, tutje atij.
Florimont është heroi i një romani të hershëm në vargje me po këtë titull i një poeti francez, Aimon De Varannesi, roman i tipit kalorsiak, me aventura gjithfarëshe, dyzime kohrash, begati peripecish, një hapësirë kontinentale që zapton krahina, vende, shtete, që nga Durrësi, Epiri, Greqia, e gjer në Kartagjenë dhe Egjipt. Ai është një pararoman, nga ata zanafillorët, me një frengjishte të vjetër, një identikit romanesk kalorsiak kur u poqen epet evropjane, këngët e zulmshme të heronjëve të tipit të Rolandit, Sidit, Atilës, Sigridit, apo Uilenshpingelit. Florimonti ishte biri legjitim i dukës së Durrësit, u martua me vajzën e Filipit, Ramadanoptan, dhe nga martesa e tyre lindi Filipi i II i Maqedonisë. Dhe pra ai ishte gjyshi i Aleksandrit të Madh. Emri i tij është mirëfilli shqip, emër i përbërë nga Lule dhe Mal, përndryshe Lulja e malit.
Dihet se Shqipëria mesjetare del së pari në librat e kronistëve bizantinë si Mihail Ataliati dhe, veçanërisht, te Ana Komnena në shekullin e XI-XII në formën Alvanoi, Alvania. Romai në vargje Florimont na çon shumë më përpara. Studjuesi gjerman Alfons Hilke e ka studjuar me seriozitet shkencor romanin “Florimont” duke mbërritur në konkluzionin se Florimonti ishte pikërisht gjyshi i njëmendttë i Aleksandrit të Madh, i cili, sikundër dihet, edhe nënë e vet, Olimbinë, e kishte nga dera iliro-epirote e Mollosëve.
Në syrin e Moikom Zeqos, Florimonti ishte më tepër një Mesi i shpresës, luftëtar i së Mirës, sepse e Keqja nuk zhduket dhe buron papushim nga humnera, nga gjirizet e ujrave të zeza, nga katastrofa mendore dhe ekologjike. (f. 22) Florimonti ishte një lloj Kamadeve, një Vishna prej nga lindte Brahma, brumi ngjizës, ai më paraku i artikulimit të modelit kulturor të shqiptarëve qysh në fillet e njohjes nga të tjerët; ishte një lloj modeli i profanizuar për të formësuar më tutje racën dhe fisin tonë. (f. 104)

Ylli i mëngjesit
Thashë: Zeqo është, mbase, kulturologu më i shprehur përmes botimeve në letrat shqipe këto vite. Një prodhimtar i madh, me rreth 74 libra të botuar a ribotuar. Vullnethekurt. Dijetar. Me kujtesë të jashtëzakonëshme. Por dhe humanist. Edhe shoqëror. Edhe modest. Me një dlirësi në caqet e naivitetit. Me një fantazi në caqet e fëmijës. Dashuria e madhe për dijen e mban gjallë. Por është një dashuri mbi dashuritë: Shqipëria. O zot, sa fjalë “patriotike” janë konsumuar për Shqipërinë, sa klithma politikanësh nëpër fushata elektorale a podjume, sa retorikë shurdhuese?! Përkundrazi, fjalët e Moikomit s’janë aspak slogane të vdekura, kufoma fjalish që dergjen e kalbëzohen nëpër vetëdije shurdhanësh a belbacësh; s’janë aspak avuj narkotikësh prej përjetimeve nacionaliste, folklorike, provinciale, alikimia e të cilave ushqen teori, ideologji e parti kinse atdhetare (mëmëdhetare). Fjalët e Moikomit nuk i ngjajnë kafshimit të hijenave ksenofobe, shoviniste, ashtu sikundër as atyre kozmopolite, globaliste, kombe-shuarse (popujve të zhdukur nga gëlltitja e dinosaurve kulturorë, që Kadareja i quan “kra-kra”). Fjalët e tij janë bash një psalm lehtësonjës për vlerat historike të kombit shqiptar, një lloj ëndërre a projekt ambicioz i tipit himnizues të shën Gjonit, kur përfytyronte, si në delir, hierarkinë e ndritur të qiejve me Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Akti i punës së këtij studjuesi spartan, me librat e fundit i ngjan misionit të arkeologut që i nxjerr antikat nga terri dhe harresa në dritë dhe kujtesë. I gjithë libri është një homazh për lavditë e hershme të shqiptarëve. Qofshin ato që vijnë nga mitet, baladat, rrëfenjat dhe folklori, qofshin ato që vijnë nga librat, arkivat dhe bibliotekat, ai rreket t’u fryjë e t’ua heqë pluhurin, t’u japë dritë e vezullim. Doemos që në shpjegimet e Zeqos ka shumë dritësim që vjen prej ndezjes së pasionit vetiak, ka shumë zulmë, jo rrallë edhe lavde e mburrje prej shqiptari të thekur, por ka edhe pandehma të guximshme për të bërë qasje me të dyshimtën apo me thuajse të pamundurën historikisht. Ndjenja tretet në dialektikën e mendimit. Veç kësaj, më duhet të them se pasioni dhe dashuria e tij nuk janë mangësi, por meritë. Shqipëria është Mëma dhe Ati. Shqipëria është ylli i sabahut, që përnxit, grish, sërendit dhe tubon krejt lëndën kulturologjike duke u bërë makrotema e librit, megaideja, metasubjekti i tij.
Pas Shqipërisë ka një tjetër fokus, një qytet që quhet Durrës, qyteti i lindjes së Zeqos, qyteti i mbrothshëm e zulmëmadh i ilirëve, i arbërve, i shqiptarëve, qyteti ku ai nyjëton skedarin e të dhënave kryesore, ku gjen copra të hapërdara të historisë dhe, me ngulmin prej kërkuesi, i grish që të zgjohen nga përgjumja dhe mungesa e vëmendjes falë njohjes dhe kompetencës shkencore. Durrësi është gjithkund, një lloj Brahme a Meke e përhershme e M. Zeqos, djepi dhe varri i tij.
“Sa shumë ke shkruar për Durrësin, s’ma merr mendja të ketë shkruar tjetër kush për këtë qytet ashtu si ke shkruar ti. Ke shkruar si arkeolog pafundësisht, por faktet shkencore për ty Moikom janë si shkallët që të çojnë tek panteoni mitologjik i shpirtërores. Durrësi është qyteti shpirtëror për ty!” – i thotë Dritëro Agolli në një nga bisedat e librit. (f. 354)
Zeqo, si në sitet e internetit, hedh njëpasnjë dhjetra bëma e gjëma, dukuri e fakte, emra dhe çudira, mite e legjenda, të besueshme dhe të pabesueshme, të vërteta dhe përralla. Ai mëton t’i shpjegojë ato gjithsesi, t’u jap një kuptim, një kohë, një hapësirë, një kufi, një identitet, t’i qas me historinë, të bëj përimtime dhe, në rastet kur dyshon dhe s’është i sigurt, rreket t’i ngarkojë mbi shpinë dhe t’i futë në magazet e trashëgimisë sonë të përkorë, jo rrallë herë edhe duke i “përvetësuar” ato. Dhe këtë e bën me ngulm e zjarr, shpesh me kokëfortësi, duke gjetur afëri apo paralele për autencitetin e tyre iliro-shqiptar, gjer edhe pre-ilir. Atëbotë e pashpjegueshmja bëhet e shpjegueshme. Kjo falë karakterit mbushamendës të argumenteve të sjella. Unë nuk jam në gjendje të dalloj të vërtetën nga jo e vërteta – një dijetar i mirëfilltë, i skajëzuar në lëmin e tij, ndoshta mund ta bëj. Veçse, ama, unë ndjej kënaqësi të thellë kur shoh visare që zbulohen papritur dhe e gjitha kjo më bën të ndjehem krenar për kulturën kombëtare. Vetëm një dijetar që e ka flakur tutje zhgunin e kompleksit të inferioritetit mund ta bëjë me kaq pasion një akt të tillë shëlbimi e përhirimi kulturor për vendin e vet. Dhe kjo bëhet kur di, jo kur fantazon. Doemos që ka një trill diku-diku, por ky më shumë e dritëson argumentin e Zeqos, sesa e errëson. Dhe për këtë shkak të japin një ndjenjë kënaqësie qasjet mes emrave mitologjikë grekë Kastorit dhe Poluskit (vëllezërve Dioskurë) dhe sivëllezërve të tyre, Amfionit dhe Zetit, nga mitologjia iliro-shqiptare, që, sipas Aleksandra Komnenës (bijës së Aleksit I Komnen, perandorit shqiptar të Bizantit), ishin themeluesit e Epidamusit të hershëm, Durrësit të vonshëm; ose shpjegimi i nënshtresës pellazgjiko-ilire të mitit të Melusinës, gjysëm vashë e gjysëm gjarpër, që ka shtegëtuar prej trojeve ilire nëpër dherat e Francës e Anglisë; dhe me rradhë miti i famshëm i Medeas që coptoi trupin e të vëllait, Apsysit, për hir të dashurisë ndaj Jazonit, dhe që vdiq e u varros afër Butrintit.
“Odiesea” e hulumtimit
Nuk qenka aspak e lehtë të bëhen libra kësilloji si “Grishja e Florimontit”. Në sy të parë duken si të lehtë: një tubim faktesh të lira rrëmbyer nga leximet, një orientim bibliotekar i drejtë, ca pandehma e polemika me të tjerë dhe “hopla” libri u bë. Por jo. Koha është mundimi më i madh i tyre. Koha si nocion historik, filozofik dhe letrar, me peshën e parabolës së gurit të Sizifit mbi.
Nepsi gati i marrëzishëm për të gjetur fille lidhëse me pellazgët, pre-ilirët, ilirët, shqiptarët dhe Shqipërinë, kudo ku krijohet një gjasë, një dyshim, një hamendje, – kjo duket haptazi. Ky popullim tej e tej globit me mite, legjenda, histori, emra dhe bujë prej shqiptarësh të hershëm sikur shndërrohet në një ankth për studjuesit, diçka si për të gjetur Alantidën e historisë së zulmshme të bashkëkombasve, fundosur në oqeanin e invazioneve dhe rrënimeve midis dy epokave, a ndoshta dy apokalipseve: atij romak dhe atij otoman. Ai qëmton pafundësisht fakte nga gërmadhat e Ilirisë së djegur, nga kongjijtë e shpërndarë tej e tej hapësirës bizantine si, bie fjala, festat pagane të Brumallit, që shëmbëllenin Dioniset e kahmoçme greke, me rrënjë tek popullsia baritore shqiptare. Ai ngjall nga varri lavdinë e Aleksandrit të Madh, “Zot i botës, prej ku lind dhe perëndon Dielli”, që, sikundër ai vetëshprehet në aktin testamental në vitin 325 para Krishtit, është “pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë, Liburnisë…”. Edhe emrin e mësuesit të Florimontit, Flokartit, e lidh me dyfjalëshin shqip: Flokë-artë. Edhe mitin romak të gurit të çmuar që përfaqëson lakminë e syrit njerëzor (në gjallje nuk e ngop dot, kurse i vdekur dhe i mbuluar me dhe nuk ka më vlerë), Zeqo e gjen tek një motërzim mirëfilli shqiptar, i quajtur miti i gjethes, që e gjelbër nuk matej me asnjë peshë floriri e gurësh të çmuar, por e mbuluar me pluhur ajo e humbte vlerën dhe peshën. Pra, vetëm pluhuri i vdekjes e kthen në hiç pangopësinë e syrit njerëzor. Diku-diku mëson se 5 oficerë ilirë të Aleksandrit të Madh formuan një fis pranë një lumi në Pakistan me emrin Hunza. Banorët e këtij vendi arkaik sot, në lartësinë 3000 metra, quhen hundëzakë (nga shqipja “hundë”), dhe çuditërisht janë bjondë, shtatlartë, jetëgjatë dhe sykaltër.
Dhe kështu vrapi përkah gjasave a vllamërive të çdo gjëje të huaj që lidhet me shqiptarët dhe Shqipërinë e tejkalon pasionin dhe dashurinë. Ai shndërrohet në një prijës metodologjik mbi studimet e krahasuara.
Të panumërt janë shëmbujt e sjellë nga fatosat shqiptarë me famë në histori për kontributet e tyre gjatë mesjetës dhe Bizantit. Ndër ta ishte edhe gjenerali legjendar David Araniti, që shpartalloi ushtrinë bullgare në Ohër, pranë brigjeve të Devollit, duke ndalur, më në fund, sllavizimin e mëtejshëm të trojeve ilire në shekullin e XII. Njohës i thellë i mitologjisë së trojeve iliro-shqiptare si dhe asaj të popujve ballkanas e më tutje në Egjypt, Persi, gjer në Indinë e largët, Zeqo shfaq një neps të pashtershëm për të bërë sa më shumë qasje, për të gjetur sa më shumë bulëza fillore, që vinin prej dheut të lashtë të shqiptarëve. Kujtoj: në legjendën e malit Gargan në Itali ai gjen ftillëzimin e mitit të përbindëshit Gargan, i cili të risjell tek Shkëmbi i Kavajës apo i quajtur motmotit i Durrësit. Tek miti hetit i Kumarbiut, që nga martesa me një shkëmb lindi djalin e pamëshirshëm Ulikum, ai gjen bulëzën e mitit shqiptar të shkëmbit të Rozafës. Tek tumat pre-ilire shpjegon procesionin e varrosjes së Patroklit prej Akilit në poemën homerike “Iliada”, duke sjellë argumente mbi tezën e lashtësisë së pre-ilirëve si dhe bashkëjetesën e tyre me grekët në trevat e Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore. Pikat e takimit midis këngës franceze “Kalorësi Vivien” janë të përmbysura me “Këngën e Rozafës”, edhe pse ajo çka ndërtohet ditën prishet natën nga forcat ezoterike, djallësore, okulte. Ose te rituali i shkuljes së flokëve nga Karli i Madh pas vdekjes së Rolandit te francezët ai dallon shkuljen e flokëve të Lekë Dukagjinit pas vdekjes së Skënderbeut te shqiptarët. Rrënja e këtij rituali përthellohet tek motshmëria ilire. Ose autenciteti i vargut të Eposit të kreshnikëve shpreh hershmërinë e oralit të trashëguar shqiptar, ndoshta parashkrimor.
Vuajtja e krijimit si çlirim dhe përhirim
Ashtu si parabola e shën Denisit 200 vjeçar që deshte të vdiste por s’vdiste dot, pasi lënda e kurmit e mundonte kurse shpirti mbetej rob në pragamshim, edhe Zeqo përshfaqet tek ky libër si një kontradiktë e gjallë: midis krenarisë që “bën” diçka dhe absurdit “pse” e bën (sepse askush s’ia di), midis asaj që duket dhe ia rrëmben syrin dhe asaj që fshihet paqësisht nëpër labirinthin e trashedentales e që kurrë s’e kap dot. “Ndoshta një ekuacion trashedental më kishte parapërcaktuar për Florimontin, – thotë ai. – Duhej që kalorësi Florimont të shfaqej para meje jo në një formë, por në mijra forma njerëzore. Duke shkruar për Florimontin në të gjitha kuptimet unë më në fund po vdisja dhe kjo gjë do të ishte shpëtimi im i ëndërruar. Amen!” (f. 40)
Pikërisht qenia e studjuesit, vetëdija dhe dija e tij, ndoshta krejt librat dhe çfarë ai ka shkruar, ka qëmtuar e ka botuar, sikur rrumbullakësohen tek faqet e këtij megalibri duke krijuar, sakaq, një strukturë jo piramidale, as hierarkike, por rrethore dhe ciklike, ku gjasat dhe referencat gërshetohen, plotësojnë njëra-tjetrën, krijojnë tërësinë. Florimonti është thjesht një alibi, një lloj “grepi” për të hutuar “peshqit” e thellë të mendimit dhe ideve në fundoret e oqeaneve të historisë plot terr të shqiptarëve, humbur mes zgafellash, rrënimesh, harresës, vetzhgënjimit, tretjes nga acidet e shekujve dhe alkimitë tinzare të kombeve rivale.
Shpërndrimet dhe riciklimet e historive, e bëmave, e emrave, e karaktereve, e arketipeve, e meditimeve, e kundërthënieve janë një nga parapëlqimet e mënyrës së të shkruarit (apo argumentuarit) të autorit. Thelbet ideore e filozofike, të artikuluara herëpasherë nga M. Zeqo, njëmendësohen e marrin një trajtë ndonjëherë profane në shumësinë dhe kureshtjen që shkaktojnë shembujt. Kjo, nga ana tjetër, nuk e errëson kahjen e zgjedhur të mendimit të tij se bota dhe historia e saj është një ripërtëritje e vazhdueshme, si kositja e barit çdo fillim vere, si cikli gjigant natyror kozmik i gjallesave, si shpërndrimet e elementeve kimike në kompozita të tjera molekulare, si vetë kozmosi dhe lënda. Ai i ngjan lëvizjes së mendimit nëpër qarqe hegeliane nga ku baza dhe struktura e vjetër sjell një ridimensionim të bazës dhe strukturës së re, falë mohimit të mohimit dhe pohimit të pohimit. Për këtë arsye idetë, gjendjet apo metaforat e shprehura nga kalendari i historisë, i artit dhe i i dijes shkapërcehen tek njëri-tjetri duke rindërtuar së toku një shtjellë, ku gjësendet janë njëherësh të reja dhe të vjetra, të ndryshueshme dhe të pandryshueshme, historike dhe bashkëkohore.
Arketipi i metamorfozës, kur duke humbur identitetin e lartë shfaqesh me identitetin tënd të ulët, sikurse ngjet përherë në udhëtimet medituese të Moikomit, i jep besueshmëri fakteve të sjella prej tij, sadoqë lëkundur mes dyshimesh. Nga ana tjetër, kjo lloj metode arsyetimi krijon një lloj performance të vet mendimit. Sikundër Florimonti në roman shndërrohet në të ultin Povre Perdu, po ashtu kalohet edhe në shëmbëlltyrat plot pasion dhe heroikë të shën Françeskut të Asizit (si paradigma reformatore e kishës dhe e vet konceptimit të figurës së Krishtit) apo tek paradoksali, grotesku dhe tragjiku Don Kishot i Mançës, i mbiquajtur përunjësisht “Caballero de la Tristisima Figura” (Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur). Ky arketip pra i shndërrimit në shëmbëlltyra, ide dhe gjësende kalon edhe në sesin negativ, psh tek një figurë intriguese dhe e çartur, sikundë qe Sabat Zevi, – ky rebel paranojak me identitet të dyfishtë, që theu dogmat e ngurta të Talmudit të ebrejve dhe u vetshpall Mesi duke predikuar ekumenizmin, një frymë tejet panteiste, gjithpoaq me elemente të budizmit. Zevi pat qënë bujtës edhe në Shqipëri, në Ulqin dhe (thuhet) ka vdekur në Berat, që ka madje një tyrbe në Ulqin.
Mendime të mprehta
“Vdekja s’është veçse një zhgënjim optik” (f. 17).
“Nuk ka ide të reja, idetë janë po ato, që kanë qënë, ndryshon vetëm dinamika e ndeshjeve, e përplasjeve, e paradokseve. Ne mund të jetojmë edhe realitetin, edhe ëndrrën vetëm si qenie hibride, me sa duket qeniet puriste nuk ekzistojnë dhe s’do të ekzistojnë kurrë”. (f. 21)
“Metrika ka lindur në një epokë kaq të muzgët, ku nuk kishte fare dallim midis poezisë, fesë, muzikës dhe magjisë, ku gjithçka ekzekutohej me një gjuhë rituale dhe të shenjtë, të dallueshme nga gjuha e përditshme, me anë të formës së saj metrike të mrekullueshme. Metrika është gjithashtu një teknologji parashkrimore, një mënyrë për ta bërë gjuhën, që të mbahet mend përpara shpikjes së shkrimit.” (f. 262).
“Historiciteti modelohet si mit dhe miti paraqitet si teologji letrare.” (f. 301)
“Motivet homerike mbijetojnë në folklorin shqiptar deri më sot” (f. 316)
“Shqipëria mbetet kështu në amëshim gjeneza e miteve nismëtare, zanafillore e qytetërimit modern europjan” (f. 317)
“Shpjegimi është jashtëletrar. Shpjegimi lidhet me ideologjitë, botëkuptimet, krahasueshmërinë. Shpjegimi është interpretimi i tekstit në 100 pika shikimi. Kështu substanca letrare mund të dyzohet. Por ajo që mund të thuhet për substancën letrare nuk është asnjëherë identike me substancën letrare.” (f. 360) “Metodat letrare janë konvencionale, por janë më tepër një mundësi e pakufishme interpretimi dhe nuk janë një realitet i mirëfilltë letrar. Shkrimtarët e ndryshëm në kohëra të ndryshme mund t’i lexosh dhe t’i përjetosh në çdo çast. Ata janë gjithnjë si tërësi dhe sintezë dhe jo veç e veç.“ (f. 361)
“Kompozimet e Jan Kukuzelit, sistemi i tij i bazuar në tingujt dorianë, frigjianë, didianë, miksolidianë, hipodorikë, hipolidianë, hipofrigjianë, hipomiksolidianë. Pra janë moduse muzikorë të një polifonie gati të pakonceptueshme” (f. 189)
Struktura e “destrukturuar”
Libri ka një strukturë të ndërthurur, komplekse: sa monologjike, po aq dialogjike, ku argumentet në formë mendimesh të lira e si në ankth të autorit rihidhen në trajtë polemike, falë thurimave të tipit dialogjik të dramës apo konferencës së shtypit. Sikurse ka ngjarë edhe me librat e tjerë të tij, Zeqo i thyen klishetë e skematizuara e të mirënjohura të shestimit “akademik” të lëndës, ku rëndom në mjaft libra kësilloji peshon një skolastikë ende frenuese, ashtu si stërpesha e dinosaurve epokave të harruara. Përkundrazi, M. Zeqo mbetet” rob” i vetevetes, i drejtpërdrejtë, i atypëratyshëm, duke respektuar mendimin që shkrep befas e lëshon dritë të fortë, gati verbuese. Pas dritës ai sikur bie vrik, teza tërhiqet, muzgu gëlltit silutetin e idesë së mbetur në kujtesë, por ja, diku gjetkë shkrep sërish një tjetër ide. Pra nuk kemi një shtjellim didaktik, por një ese, një mendim që hidhet, merret, rimerret, tejkalohet, lidhet me të tjera mendime, krijojnë së toku veriga, një mur të gjatë, por jo një mur betoni. Është një mur i lirë, një “kseroledh”, me shumë të çara midis, dhe shumë ajër, ku syri shquan papritur përmbi filozofinë, arkeologjinë, historinë, muzeologjisë, estetikën apo eksponatet e rralla të artit, copra qiejsh nga mitologjia dhe trillet, paradokse nga hamendjet dhe afëritë e guximshme.
Në gojën e kipcit të tij, personazhit të Makabe Zaharisë, Moikomi ndjen nevojën të vetërrëfehet: “Ti mendon se heroi Florimont është një nga njëmijë metamorfozat e Odisesë, apo e paraardhësve të tij shumë më përpara përmbytjes së Noes… Deri diku ti ke një lloj kundërshtimi heraklitian, madje mosbesimi ndaj meje, kjo të shtyn të bësh të pamundurën, skajëzohesh në hollësira, duke mbartur thelbin e gjërave tinëzisht me anë të metaforave dinake dhe të inteligjencës së tërthortë dhe të ndërsjelltë.” (f. 298) “Ti lëviz në pikat e hapësirës, kurse në të vërtetë në çdo pikë do të ishte më mirë të hapje puset e thellë dhe të pamatshëm të kohës… Vërtitesh më shumë seç duhet, më krijon idenë e një shtjellë të lodhshme, por herë-herë dhe të frikshme.” (299) “Ti guxon ta shpërfillësh dhe ta sfidosh modernitetin, ide kjo, ende e papërcaktuar, e pambërthyeshme dot nga formulat. Duket se të intereson një Apokalips letrar dhe artistik, në fakt një shpërbërje e madhe universale, për t’u përqëndruar jo më tek vetvetja, por te një kozmologji dinake, inteligjente dhe përherë e shndërrueshme në pafundësi. Në zgrip të neverisë sime jam i pafuqishëm të gjejë argumente përjashtuese, çka do të thotë që libri yt duhet të botohet, jo për nostalgji të kujtesave të humbura…” (f. 399)
E vutë re! U tha “apokalips letrar dhe artistik”, “kozmologji dinake, inteligjente dhe përherë e shndërrueshme në pafundësi”. E pra në sy të parë libri “Grishja e Florimontit” është një kaos. Mirëpo kur e këqyr me kujdes vëren se “kaosi” ka brenda ngjizjen fillimtare të kozmosit. Kaosi është shumësia e fakteve të sjella në njësi volumore të ngushta. Ka kaq shumë informacion, dituri, kulturë, njohje, sa hutohesh, zilepsesh, mrekullohesh, madje edhe frikësohesh: “]‘është vallë kjo “enciklopedi” pa indeks?” Por kaosi rresht dhe argumenti na rithotë: Të bëhet kozmosi! Dhe Kozmosi është, para së gjithash, Shqipëria dhe historia e shqiptarëve, me kërthizë Durrësin dhe reliktet e tij të pasura, që zënë fill nga historia antike e gjer tek biri, nxënësi, krenari dhe dijetari i këtij qyteti, Moikom Zeqo.
A është letërsi apo shkencë libri “Grishja e Florimontit”? A është një ese apo një monografi? A është kritikë apo studim, qasje teorike apo mitologji, histori apo filozofi? S’është asnjëra nga këto dhe është çdonjëra nga këto. Është së bashku duke qënë e përveçme. Është Moikomi dhe Zaharia Makabe. Janë dialogët e tij me Konicën, Agollin, Shuflajin, Hamondin, Theofan Popën, Arnisën (vajzën e tij). Të gjitha krijojnë nyje më vehte, si pjesë e strukturës dialogjike dhe e polemikës. Mua prej kohe as më shqetëson forma që aplikon ai në librat e fundit. Përcaktimet, edhe ato, janë konvencionale. Ndoshta libri i ngjan zanafillave të dijes, kur ajo shprehej mes vargjeve, nganjëherë mes imazheve, posaçërisht mes miteve. Noshta është një letërsi e tipit të Lukianit, Senekës, Virgjilit, Xhoisit, Borhesit të marrë së bashku. Ndoshta një histori e tipit të Plutarkut dhe Gombrixhit, një filozofi e tipit të Platonit dhe Sartrit, një estetikë e tipit të Didëroit, Ipolit Tenit dhe Niçes, një kritikë e tipit të Kroçes, Martin Eslesë dhe Plehanovit. Dhe rishtazi them: E ç‘rëndësi ka klisheja a nocioni se ku do ta futim strukturën e librit. ]dokush ka një këpucë xhami prej Hirusheje. Martesa me mendimin është personale, andaj edhe “kallëpi” i këpucës ku e si futet ky mendim është gjithpo aq personal. Moikom Zeqo shkruan kështu dhe pikë! Tërthorazi vetë autori, duke komplimentuar librat e albanologut të shquar Milan Shuflajit për shqiptarët, pohon pak a shumë edhe mëtimin e tij në shkrimtari:
“Historia dhe letërsia nuk janë humnershëm të ndryshme, janë të njëjta attribute të intelektit njerëzor… Ti shkruan në mënyrë epigrafike, në një lakonizëm të pabesueshëm… Teza dhe hamendje gati të befasishme, të ndritshme si kometat, hyjnë, dalin dhe zhduken në arsyetimet e tua, ku shkenca e historisë është njëkohësisht estetikë e kujtesës. Ti je ndër të vetmit që ndërlidh magjishëm lashtësinë e ilirëve me Mesjetën e shqiptarëve” (f. 235) A nuk ngjet pak a shumë kështu edhe me librin “Grishja e Florimontit?
Tjetër veçori që më bie në sy në librat e Moikomit, edhe tek ky që po flasim, është laryshia e stileve të rrëfimit, të argumentimit apo të përjetimit. Herë fjala është e urtë, e shtruar, zhytet në mendime të thella e përsiatje, herë nervozohet, shkarapetet, bërtet, bëhet patetike; më tutje, p.sh. përzihet stili romantic me atë filozofik, e thjeshta me të lartën. Edhe titujt e kapitujve janë të “ndërthurur”, seriozë dhe paradoksalë. Libri sikur digjet nga fjalët plot pasion, klithma dëshpëruese, apogje që të kujtojnë poemat kalorsiake: shumë lirikë, shumë dashuri, shumë dhimbje dhe shumë sinqeritet. Herë-herë ndiqet stili i prozës poetike, po ku mpliksen ide dhe mendime të thella, që shfaqen edhe si filozofi, edhe si vlerësime historike të bëmave dhe njerëzve të shquar, edhe si panegjerikë e ardhur nga shqetësimi i brendshëm dhe mungesa e paqes.
Kritikë e kritikës
Në përcjelljen kritike që i bëhet librave të M. Zeqos nga Leka Ndoja, të bien në sy përcaktimet e zgjuara, kultura, moderniteti i mendimit si dhe cilësi të tjera të një mendjeje të mprehtë. Do të veçoja vlerësime të tilla si:
“Kronologjik jo, por pluritematika është një nga karakteristikat e prozës së Moikom Zeqos… Mjet tjetër i rrëfimit të Zeqos është ai i fluksit apo “rrjedhës psikologjike” e njohur (vagull tek ne) si teknikë e James Joyce-it dhe Proust-it” (f. 384)
“Shkrimi i tij endet mes efektit letrar dhe atij studimor duke ruajtur një ekuilibër të kënaqshëm” (f. 385)
“Brenda historisë së artit autori jep dhe një histori filozofie, një gërshetim kriticist që paraqitet në formë kaosi ose e kërkon këtë efekt tek lexuesi i pakultivuar, kërkon që ta marramend atë dhe ta largojë shpejt.” (f. 386)
Ai vë në dukje edhe metodën e shkrimit mesjetar “Baobab”, me digresione e largime të tmerrshme nga subjekti, çka e bën modusin e rrëfimit (jo vetë rrëfimin) më trivial apo fundja barrok, lidhur me gjininë e monografisë klasike. (f. 384) Ose aplikimi i Blobit a vodevilit historik e burlesk.
Nuk do të isha dakort me mendimin e mëposhtëm:
“Tabuja e kombëtares si xhepi i historisë, nuk parapëlqehet nga Moikom Zeqoja” (f. 385)
Ky konstatim në dukje është i drejtë, pasi ka gjithë elementet e alibisë kritike, mirëpo, për mua, nuk qëndron në vetë ankthin që ka Zeqo për të afirmuar gjithçka shqiptare, që rrënjëzohet pikërisht si histori dhe kulturë kombëtare.
Dyshoj edhe tek përkufizimi se “ndjekja e etimologjisë së mendimit aplikohet si metodë, por renditja në kohë e hapësirë e ideve nuk qartëson metodën.” (f. 387) Them se janë të dyja, edhe etimologjia e mendimit, edhe renditja në kohë e hapësirë, duke u shprehur si metodë alternuese. Madje ka dhe mënyra të tjera të shprehjes së ideve. Është, pra, sikundër thotë vetë Moikomi: 100 pika vështrimi.
Përhirim
Nganjëherë më duket se Zeqo është Mohikan i fundit i Durrësit. Një Nazaretas i pakuptuar prej tij? Ai ka qënë notar. Është pagëzuar nga deti Adriatik, jo nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan. Ka ky njeri një mburrje, por edhe një dëshpërim. Unë, brenda qarkut tim kulturor, do të shtoja: Moikom Zeqo me kohë e ka kapërcyer identitetin e fortë të Durrësit si kërthizë e Shqipërisë. Ai është gjithëshqiptar, nga të rrallët diturakë të sotëm, që më vështirësi ka mundur t’i lindë ky komb mes kohësh të trazuara dhe aspak miqësore. Është një personalitet i padyshimtë, me një shpërthim të papërmbajtur në dhjetëvjetëshin e fundit. Duhet një distancë, gjithsesi.
E nesërmja do të shkruaj, shpresoj, më shumë dhe më bukur për të, Moikomin..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura