MEHMET HALIMI: TAIB SYLEJMANI – PISHTAR I ARSIMIT KOMBETAR

Pashtriku.org, 28. 08. 2014: Vepra monografike, „Më shumë se mësues“, e autorit Agim Sylejmani, është një urim e manifestim familjar me vlerë e përmasa kombëtare. Vepër kjo, e nisur, e ideuar dhe e përvijuar si një urim e manifestim familjar dhe e një rrethi të ngushtë miqësor, por i shtrirë pastaj dhe i zgjeruar në një rreth të gjerë shoqëror, siç është ky, me të cilin fëmijët e familja po shënojnë, po përurojnë e manifestojnë 80-vjetorin e lindjes së babait t tyre, Taib Sylejmanit, prindit e mësuesit, veprimtarit e atdhetarit, edukatorit e humanistit, studiuesit e zbuluesit të fshehtësive të shpirtit të matematikës, sepse siç thotë ai: “Matematika është shpirti i jetës së njeriut. Pa matematikë nuk ka asgjë.

Çelsi i të gjitha lëndëve është gjuha, sepse po nuk e njohe gjuhën, nuk di asgjë. (Ai që zotëron gjuhën e vet, vlenë më tepër se ai që pushton një qytet). Ndërsa mbretëresha e të gjitha lëndëve është matematika. Sepse nuk ka vend, ku nuk aplikohet ajo, si në ekonomi, medicinë,etj.” (fq.209), që ky manifestim të kurorëzohet me përurimin më të mirë e më të bukur, më të mrekullueshëm e më të qëndrueshëm me një vepër monografike e biografike, fëmijët e tij, që mësuesi ynë i respektuar i ka dhuratë të perëndisë, e konkretisht biri i tij, autori i veprës në fjalë, Agim Sylejmani, me këtë libër me titull: “Më shumë se mësues”, i ngrenë babait të tyre një përmendore të përjetshme. Sepse libri është përmendore e përmendoreve. Ndaj ky gjest është sa prindor aq edhe njerëzor, sa fisnik edhe emocional e nostalgjik, sa i rrallë e përrnall, sa i veçantë si “vek pa yrrnek”, sa me ndjesi fisnike e po aq e hartuar me vlerë artistike, duke ja uruar 80 – vjetorin babait të tij të dashur, të shenjtë e të shtrenjtë, ka mbrumuar, ka lumnuar e hijeshuar me mjeshtri lidhninë e tij familjare, ka rrëfyer e shpjeguar raportet e tij me fëmijë, ka shprehur gëzimet e hidhërimet, shqetësimet e preokupimet e ndërsjella prindore me vepër e ideal që ndërlidhnin ngusht babën me djalë, nga njëra anë, por të shtrira e të zgjeruara në çdo situatë e rrethanë, në çdo rast e çast edhe në rrafshin kombëtar, nga ana tjetër. Eshtë kjo një vepër monografike, jo vetëm për një prind 80 vjeçar, por edhe për një mësues e arsimtar, për një intelektual të mirëfilltë e kreator të dalluar, novator e autor i “Numëratores Rrethi numerik” dhe i “Respondit TS”, të cilët gjetën zbatim në shkollën ku punoi e më gjerë, siç thekson z. Latif Nallbani.

“Mësues i gjithanshëm, i palodhshëm, i pakursyer e modest, fjalëmbël, plot buzëqeshje e optimizëm. Edhe përkundër plagëve të shumta të jetës, mësuesi Taib vazhdon të rrezatojë edhe sot optimizëm, njerëzillëk, përparim e paravajtje të gjithanshme” (pohon Hydajet Hyseni). Ndaj, mësuesi Taib është udhërrëfyes edukativo-arsimor, jo vetëm për fëmijët e familjen e vet, por edhe për mbarë një popull. Sepse ai gëzon autoritet popullor gjithandej nëpër fshatra e qytete ku punoi, e ku si dorë e mbarë hodhi farën e dijes në arën e arsimit e të edukimit kombëtar 40 vjet me ditar në dorë, me kontributin e vet të madh të le mbresë e të jep shpresë për një të ardhme të ndritshme të popullit tonë. Gjithkah sillet ai sheh nxënësit e tij, që kanë arritur suksese të lakmueshme, të cilët e përshëndesin me buzagaz, e mësuesit Taib i shndrit shtegu i ballit dhe zemra i bëhet mal.
Këtë mësuesi Taib e dëshmon edhe me ngritjen e një familjeje të shëndosh, të edukuar e të arsimuar në frymë kombëtare që ashtu si babai i tyre, aftësitë e tyre fizike e mendore po i shkrijnë, po i drejtojnë e përvijojnë në rrugë të mbarë e të drejtë në ndërtimin e shoqërisë e shtetit shqiptar, të cilët sot që i dhurojnë veprën më të vlefshme, dhuratën më të çmueshme e përurimin më të mrekullueshëm, fëmijët e tij, me shokë, me miq e dashamirë, publikisht po ia festojnë me respekt e dinjtitet prindor e shoqëror, në këtë ambient madhështor, tempull i dijes dhe kulturës sonë kombëtare.
Mësuesit Taib i urojmë 80-vjetorin e frytshëm të lindjes, i urojmë shëndet, jetë të gjatë e të lumtur personale e familjare. Ndërkaq, fëmijëve të Taibit, e veçanërisht autorit të veprës monografike “Më shumë se mësues”, Agim Sylejmanit, i urojmë sukses për këtë vepër të suksesshme, origjinale e unikale, që si “vek pa yrrnek”, u bëftë yrrnek e model edhe për fëmijë e bijë të tjerë, duke dëshmuar me punë e vepër se si duhet nderuar e respektuar, se si duhet përgëzuar, uruar e festuar përvjetorët e prindërve të merituar të tyre, të cilët me plis e fis, me rrënjë e gëdhenj, tradicionalisht, me kazmë e parmendë, me libër e pendë në dorë, punuan për popull e atdhe, pa kursyer mundin e djersën dhe gjakun e jetën e tyre.
Mësuesi Taib, të urojmë të ruajsh kthjelltësinë mendore dhe dashurinë prindore e shoqërore për veprën jetësore deri në fund. E paç jetën sa e ke shneten!
Të lumtë mësuesi Taib për veprën tënde madhore në funksion e në dobi të popullit e atdheut tënd të shenjtë e të shtrenjtë, në shërbim të të cilit vure veten dhe tërë familjen tënde!
Prishtinë, më 24 qershor 2014
– Mehmet Halimi është anëtar korrespondent i Akadamisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura