JUSUF GËRVALLA: LUFTA JONË ËSHTË E DREJTË

Pashtriku, 13 mars 2021: Sulmi i UDB’së dhe kundërsulmi i Jusuf Gërvallës në shtypin e kohës
Dihet mirëfilli, se në nëntor – dhjetor të vitit 1979 në Kosovë dhe në viset tjera Shqiptare në ish’Jugosllavi, regjimi titist përmes UDB’ës famëkqe ndërmori një fushatë të egër kundër Lëvizjes sonë Kombëtare, me ç’rast burgosi dhjetra veprimtarë të kësaj Lëvizjeje. Në këto zhvillime të rënda për popullin shqiptar, ishte zbuluar edhe aktiviteti i Jusuf Gërvallës. Më 14 dhjetor 1979, Jusuf Gërvalla, për t’i shpëtuar burgosjes nga UDB’a jugosllave, (pas konsultimit me shokët e Lëvizjes) – largohet nga Kosova dhe emigron në Gjermani. Jusufi largimin e tij nga Kosova për në Gjermani e përshkruan detalisht në ditarin e tij prej tetë faqesh në dorëshkrim.

Jusuf Gërvalla, me të arritur në Gjermani, në janar 1980 nis aktivitetin e tij, për ta njohur opinionin e huaj lidhur me situatën e rëndë që po kalon populli shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera etnike në ish’Jugosllavi. Jusufi me ndihmën e Bardhit (vëllaut të tij), fillimisht i shkruajti një letër organizatës ”Amnesty Intenacional” ku e njoftoi për burgosjet masive të shqiptarëve në Kosovë dhe pastaj me porosinë e revistës gjermane ”Der Spiegel” përgatiti një material prej 13 faqesh, në të cilin shpërfaqi historin e popullit shqiptar dhe hodhi në dritë burgosjet e fundvitit 1979 që kishin ndodhur në Kosovë.
Shtypi i kohës – ku ka shkruar Jusuf Gërvalla
Ato ditë janari, Jusuf Gërvalla (pasi ishte njohur edhe me disa veprimtarë që vepronin në Gjermani), shkruan disa artikuj që do të botohen në muajin shkurt në gazetën “Bashkimi”, (që e nxirrte Ibrahim Kelmendi) dhe në numrin vijues në prill 1980. Ai do të shkruaj edhe për gazetën “LIRIA” që e nxirrte Kadri Zeka në Zvicër. Siç vihet në pah, Jusuf Gërvalla ia fillon punës duke i ndihmuar të tjerët në aktivitete të shumta që i kishin nisur prej kohësh, i bindur se ajo punë ishte me interes kombëtar. Në këtë kohë, UDB’ja kishte shtuar aktivitetin e saj në Evropë dhe i survejonte veprimtarët shqiptar në ato përmasa siç i ndiqte veprimtarët në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare.
Në pranverë të këtij viti, në kohën kur lufta shantazhuese kundër Jusufit në Shtutgart intensifikohet përmes provokatorëve të UDB’së, të cilët kurdisnin edhe atentate e kërcënime të ndryshme, duke shpresuar se Jusufi do të izolohet, më 4 qershor 1980, Gjykata e Qarkut në Prishtinë (në bazë të aktakuzës PP.nr.180/79 datë 9 maj 1980) në ”emër të popullit” i dënoi tetë anëtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ). Pikërisht në këtë ditë, (më 4 qershor 1980) Jusuf Gërvalla kishte nisur përgatitjet për botimin e ”Lajmëtarit të lirisë”, një revistë Kombëtare që solli, shpresë, guxim e vetëbesim tek shqiptarët në mërgim dhe në gjithë etnikumin kombëtar në ish’Jugosllavi.
Qysh në numrin e parë të ”Lajmëtarit të lirisë” (gusht 1980), Jusuf Gërvalla u vu në mbrojtje të bashkëveprimtarëve të tij të burgosur nga UDB’ja famëkeqe, duke sipërfaqësuar njëkohësisht, gjithanshëm edhe kauzën tonë kombëtare.
Me këtë rat për pashtriku.org po shkëpusim këtë fragment:
“Duke u nisur nga lufta jonë e drejtë, sepse ndryshe s’ka si cilësohet lufta për mbrojtjen e tokave të tua dhe të interesave jetike të popullit tënd; si dhe nga pjesëmarrja aktive e përhershme e shqiptarëve të Kosovës në vlimet e përgjithshme të historisë së Shqipërisë për ruajtjen e tokave dhe të popullit nga copëtimet e ndryshme barbare; pastaj, me vetëdije të lartë se qeveria titiste e Beogradit, mashë e imperializmit dhe e revizionizmit botëror meriton tek e fundit edhe urrejtjen e popujve jugosllavë, që lëngojnë si mos më keq nën këmbën e shovinizmit serb, është e natyrshme që ne, revolucionarët kosovarë të ndahemi diametralisht me mendime nga kjo qeveri dhe nga ky shtet. Ç’ka quan Jugosllavia mik, për ne do të jetë (dhe ka qenë) armik. Dhe anasjelltas, kur ajo quan armiq djalërinë më përparimtare shqiptare, që s’i ka lënë vend harresës kombëtare dhe që s’e ka hequr mendjeje rrezikun nga zhdukja prej dorës jugosllave as dashurinë dhe respektin ndaj detyrave dhe nderit historik e kombëtar, atëherë ne atë djalëri do ta quajmë djalëri e vërtetë shqiptare. Në të tillë kontekst e shohim edhe aktivitetin revolucionar të të pesëdhjetë organizatave tona patriotike e revolucionare, që UDB-ja jugosllave i ka terrorizuar dhe i ka masakruar që nga Lufta II Botërore e deri më sot. Në të tillë kontekst do ta shohim patjetër edhe aktivitetin e patriotëve shqiptarë, që para disa muajsh i mbushën ding të gjitha burgjet dhe bodrumet e policisë jugosllave në Kosovë.
Nëse gjyqi, shtypi, radioja dhe televizioni jugosllav e shohin të arsyeshme t’i dënojnë “Për vepër penale të propagandës dhe të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore kundër popullit dhe shtetit” patriotët dhe revolucionarët Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Avdi Kelmendi, Abdyl Lahu, Isa Demaj, Sylejman Quqalla, Skënder Jashari, Hysen Gërvalla, Ibrahim Shala, Asllan Loshi, Ruzhdi Saramati dhe gjithë kusurin që tepron nga dy mijë e më shumë të burgosur politikë shqiptarë brenda disa muajsh (që mund të supozojmë pse nuk shpallen botërisht emrat e tyre), ç’na mbetet neve tjetër pos t’i nderojmë këta revolucionarë dhe të mburremi siç mburret çdo popull me bijtë e vet më të mirë.”

(Lajmëtari i lirisë, nr.1, gusht 1980, faqe 2)
Me rastin e 30 vjetorit të procesit të parë gjyqësor kundër anëtarëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi, të mbajtur më 4 qershor 1980, www.pashtriku.org, boton për herë të parë Aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të shpallur ”në emër të popullit” kundër tetë veprimtarëve të kësaj Lëvizjeje Kombëtare.
AKTGJYKIMI I GJYKATËS SË QARKUT NË PRISHTINË
P – nr. 137/80, datë 4 qershor 1980
N Ë E M Ë R T Ë P O P U LL I T

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në Kolegjin e përbërë nga gjyqtari Isak Nishevci. kryetar, gjyqtari Metush Sadiku dhe gjyqtarët porotë Azem Emini, Maksimoviq Dojqin dhe Qazim Goxhufi, anëtarë, me pjesëmarrjen e procesmbajtëses Bedrije Kasumi punëtore e kësaj gjykate, në çështjen penale të akuzuarëve:
Shefqet Jashari nga fshati Strofc, të cilin e mbronë sipas detyrës zyrtare Jusuf Hakaj av. nga Prishtina, për veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1, lidhur me nenin 114 të LPJ,
Ramadan Pllana nga fshati Shtitaricë, të cilin e mbronë Zeqir Arni av. nga Prishtina, sipas detyrës zyrtare, për vepër penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 lidhur me nenin 114 të LPJ,
Avdi Kelmendi nga Lipjani, të cilin e mbron Hasan Kryeziu av. nga Prishtina, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Avdyl Lahu, nga fshati Gllamnik të cilin e mbronë sipas detyrës zyrtare Zeqir Arni av. nga Prishtina, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Skender Jashari, të cilin e mbronë Latif Krasniqi av. nga Prishtina për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Isa Demaj nga fshati Shkrel, të cilin e mbronë dr. Millutin Gjuriqiq av. nga Peja, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Sylejman Qyqalla nga dshari Bellaqefci i Madh, të cilin e mbronë sipas detyrës zyrtare Hasan Kryeziu av. nga Prishtina, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ dhe
Hysen Gërvalla nga fshati Dubovik, të cilin e mbronë Gavrillo Vuleviq av. nga Peja, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
të akuzuar me aktakuzën e Prokurorisë publike të qarkut në Prishtinë PP. nr. 180/79 dt. 9 maj 1980, në praninë e të akuzuarëve, mbrojtësve të tyre dhe përfaqësuesit të akuzës publike, zëvendës propkurorit publik të qarkut, Ruzhdi Kozmaqi, më 4 qershor 1980 mori dhe publikisht shpalli këtë
A K T GJ Y K I M
Të akuzuarët:
Shefqet Jashari, i lindur më 15 maj 1944 në fshatin Strofc, KK Vushtërri, ku edhe jeton, ka kryer shkollën e lartë pedagogjike.
Ramadan Pllana, i lindur më 6 korrik 1947 në fshatin Shtitaricë, KK Vushtërri, ku edhe jeton, ka kryer vitin e tretë të Fakultetit filozofik – dega e gjuhës Frenge.
Avdi Kelmendi, i lindur më 21 dhjetor 1951 në fshatin Ribari i Vogël KK Lipjan, tani jeton në Lipjan, drejtor i repartit të Fabrikës “Mineks” në Ferizaj,
Avdyl Lahu, ka kryer fakultetin filozofik grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Skender Jashari, i lindur më 11 korrik 1954 në Prishtinë ku edhe jeton, punëtor në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.
Isa Demaj, i lindur më 12 janar 1946 në fshatin Shkrel KK Pejë, tani jeton në fshatin Pavlan, ka kryer Fakultetin filozofik – grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Sylejman Qyqalla, i lindur më 29 qershor 1954 në fshatin Bellaqefci i Madh KK Prishtinë ku edhe jeton, punëtor në Fabrikën e amortizatorëve në Prishtinë, ka kryer shkollën e nxënësve në ekonomi.
Hysen Gërvalla, i lindur më 11 dhjetor 1941 në fshatin Dubovik KK Deçan ku edhe jeton, ka kryer katër klasë të shkollës fillore.
JANË FAJTORË
Dhe atë:
I akuzuari Shefqet Jashari
Sepse për të kryer vepra penale kundër bazës së rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës, të sigurisë së RSFJ, e veçanërisht të cenimit kundër revolucionar të rregullimit shtetëror, të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore e njerëzve punues, shkatërrimin e bashkim-vllaznimit e të barazisë së kombeve e kombësive si dhe të ndërrimit antikushtetutar të rregullimit shtetëror federativ, gjatë vitit 1977 në Prishtinë, si një ndër organizatorët, në kontaktet e takimet e shpeshta me Sabri Novosellën dhe të akuzuarin Avdyl Lahu, me qëllim të masovizimit të grupit ilegal armiqësor të Kosovës dhe viset tjera të RSFJ ku jetojnë shqiptarët, merren vesh për formimin e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës” të cilën edhe e formojnë në vitin 1978 dhe vendosin që të njejtën ta udhëheqë “Komiteti Qendror” e që njëri prej anëtarëve të tij të bëhet i akuzuari Shefqet Jashari, njëherit e aktualizojnë çështjen e përfitimit të anëtarëve të rinj, dhe të shkruarjes së afisheve e parullave me përmbajtje armiqësore, në tremujorshin e parë të vitit 1979 në Prishtinë, pas shumë kontakteve dhe bisedave të mëparshme gjatë viteve 1977 dhe 1978 që i pati me të akuzuarin Ramadan Pllanën e udhëzoi që grupin armiqësor ilegal “Shkëndija e Kuqe” të cilin e kishte formuar gjatë vitit 1978, ta pagëzoi me emrin e ri “Organizata e Lëvizjes së Rinisë nacionalçlirimtare Kosovare”. Me këtë rast i akuzuari Shefqet Jashari e njohton të akuzuarin Ramadan Pllana se është pranuar për anëtarë të “Komitetit Qendror”, e pastaj përveç udhëzimeve për veprime konspirative dhe formimin e grupeve të “Treshit”, ia jep letrën përshëndetëse, “Betimin”, “Vendimin” mbi formimin e grupit ilegal armiqësor me emërtim të ri dhe “Vendimin” se anëtarët ripajtohen t’i bashkangjiten “Lëvizjes”, të cilin grup edhe e formoi i akuzuari Ramadan Pllana më 12 mars 1979 në Prishtinë, gjatë muajit prill 1979 të akuzuarit Ramadan Pllana i jep Statutin e Lëvizjes prej pesëmbëdhjetë pikave, “Parathënien” dhe “Udhëzimin e qëndrimit të anëtarëve të Lëvizjes”, materialet: “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar” në 9 faqe, “Rritja dhe kalitja ideopolitike e anëtarëve detyrë primare dhe permanente” dhe “Fjala e një renegati shqiptar” e me qëllim që tua shpërndaj anëtarëve të “Lëvizjes”, në fillim të muajit korrik 1979 në Prishtinë, afër stacionit të autobusave, i akuzuari Shefqet Jashari, pas një takimi i jep detyrë të akuzuarit Ramadan Pllana që në emër të “Lëvizjes NÇK” nëpërmes të anëtarëve të grupit të tij të ndërrmerrë akcionin e shkruarjes së parullës “NIN-i rren Ylli nuk rren”, të cilat parulla edhe janë shkruar më 10 korrik 1979, në gjysmën e dytë të muajit korrik të vitit 1979, në emër të “Komitetit Qendror” të akuzuarin Ramadan Pllana e udhëzon që të shkoi në Francë për të kontaktuar me udhëheqësit e fraksionit “Marksist-Leninist” të Partisë Komuniste Franceze, në mënyrë që ata të njoftohen për ekzistimin e “Lëvizjes” dhe qëllimet e saja, gjë që ky udhëton dhe qëndron në Francë prej 20 korrik gjer më 5 gusht 1979. Në fillim të muajit tetor 1979 në Prishtinë, në takimin me të akuzuarin Ramadan Pllana, këtij i jep detyrë të caktuar që në emër të “Lëvizjes” të shkoi në Stamboll dhe të kontaktoi me udhëheqësit e organizatës ilegale armiqësore që vepron në Turqi, me qëllim të bashkëpunimit, për çka i akuzuari Ramadan Pllana shkoi në Stamboll dhe qëndroi prej 5 deri më 8 tetor 1979 dhe kontaktoi me udhëheqësit e organizatës ilegale armiqësore e pastaj kur kthehet i raporton të akuzuarit Shefqet Jashari për të gjitha këto. Në fillim të muajit tetor 1979 i drejtohet Abdullah Hotit, e njohton për ekzistimin e organizatës “Lëvizja NÇK” dhe qëllimet e saja e pastaj nga ai kërkon që të bëhet anëtarë, por ky këtë ofertë e refuzon. Më 15 nëntor 1979 gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, janë gjetur poezitë “Mëngjesi i së nesërmes”, “Kosovës” dhe materialet tjera me përmbajtje armiqësore, me çka ka kryer veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 lidhur me nenin 114 të LPJ.
I akuzuari Ramadan Pllana
Gjatë vitit 1978 në Konviktin e studentëve në Prishtinë, organizoi dhe formoi grupin ilegal armiqësor “Shkëndija e Kuqe”, me përbërje prej pesë anëtarësh, të akuzuarit Ramadan Pllana si kryesor dhe anëtarëve Abdullah Hoxha, Musa Neziri, Demë Jashari e Latif Pllana, e pastaj të njejtëve u jep për lexim dhe përpunim literaturë e material propagandues duke i përfituar në këtë mënyrë që të punojnë armiqësisht ndaj sistemit të RSFJ, në fillim të vitit 1979 pas shumë kontakteve e bisedave të mëparshme gjatë viteve 1977 e 1978 që i pati me të akuzuarin Shefqet Jashari, nga ky është njohtuar se u pranua për anëtarë të “Komitetit Qendror” dhe ka marrë instrukcione që grupin armiqësor “Shkëndija e Kuqe” ta pagëzoi me emrin e ri “Organizata e Rinisë së Lëvizjes Nacionalçlirimtare Kosovare” me ç’rast ai përveç udhëzimeve për punë konspirative dhe formimit të grupeve të “Treshit”, mori “Letrën përshëndetëse”, “Betimin”, “Vendimin” e pajtimit për bashkangjitje “Lëvizjes”, “Vendimin” mbi formimin e grupit në emër të ri, pastaj më 12 mars 1979 në “Tokë bashqe” në Prishtinë me anëtarët e grupit të vet e mban mbledhjen ku e japin betimin dhe marrin përsipër detyrën e formimit të grupeve të reja të “Treshit”. Gjatë muajit prill 1979 nga i akuzuari Shefqet Jashari mori materiale propaganduese e udhëzime tjera për veprimtari armiqësore, e në të njejtën kohë i jep atij në shiqim punimin e vet “Rini shqiptare-Rini revolucionare”. Në fillim të muajit korrik 1979 pas marrjes së udhëzimeve dhe detyrës nga i akuzuari Shefqet Jashari se duhet të shkruhet parulla “NIN-i rren Ylli nuk rren” i organizaon anëtarët e grupit të vet Abdullah Hoxhën, Musa Nezirin e Hilmi Llugën, të cilët këtë parullë e shkruajnë natën e 10 korrikut 1979 në disa vende në Prishtinë. Prej datës 20 korrik deri më 5 gusht 1979 pas instrukcionave që i merr nga i akuzuari Shefqet Jashari në emër të “Komitetit Qendror” udhëton në Francë, me ç’rast udhëheqësit e frakcionit “Marksist-Leninist” të Partisë Komuniste Franceze i njohton për ekzistimin e “Lëvizjes NÇK”, qëllimet e saja dhe njëherit nga ata kërkon ndihmë. Prej datës 5 deri më 8 tetor 1979 pas udhëzimeve që i merr nga i akuzuari Shefqet Jashari, udhëton në Stamboll me qëllim të kontaktimit me udhëheqësit e organizatës ilegale armiqësore që vepron në Turqi, e pas kthimit të njejtin e njohton për bisedimet që ka patur atje. Gjatë vitit 1979 në Lipjan njohtohet me të akuzuarin Avdi Kelmendi dhe në bisedat e kontaktet e mëtutjeshme këtë e njohton për ekzistimin e “Lëvizjes NÇK” dhe i propozon që të formoj grupet e “Treshit”, ndërsa i akuzuari Avdi Kelmendi i pranon detyrat dhe në këtë kohë e fillon veprimtarinë armiqësore intensive duke e formuar “Komitetin Qarkor” në Lipjan prej pesë anëtarësh. Gjatë viteve 1978 dhe 1979 shumëherë kontakton me të akuzuarin Sylejman Qyqalla, shkëmben me te literaturë me përmbajtje armiqësore, me biseda të shpeshta shprehen negativisht ndaj sistemit të RSFJ dhe të njejtin e udhëzon për veprimtari armiqësore. Gjatë bastisjes së banesës së tij më 12 dhjetor 1979 dhe më vonë janë gjetur: “Statuti i LNÇK”, vendimet nga mbledhjet e mbajtura, “Letra përshëndetëse”, “Udhëzimi në tetë vargje”, “Parathënia”, “Fjala e një renegati shqiptar”, “Rrita dhe kalitja ideopolitike e anëtarëve detyrë primare dhe permanente” dhe shumë materiale tjera me përmbajtje armiqësore, -me çka ka kryer veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 lidhur me nenin 114 të LPJ.
I akuzuari Avdi Kelmendi
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim vëllazërimit dhe barabarsisë së kombeve dhe kombësive të RSFJ, kështu që gjatë viteve 1975 deri 1978 si profesor i Shkollës së mesme në Lipjan, i frymëzuar nga i akuzuari Isa Demaj lexoi dhe këmbej libra me përmbajtje armiqësore, ndër të tjera edhe “Mëngjeset e bardha”, “Ç’thurje dhe degjenerim”, “Shota dhe Azem Galica”, kurse gojarisht është shpreh negativisht për gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore në RSFJ dhe ka cekur moszhvillimin e barabartë socialoekonomik e politik të kombësisë shqiptare në KSA të Kosovës. Prej gjysmës së vitit 1978 deri më 20 tetor 1979 është takuar disa herë me Sabri Novosellën, përndryshe një ndër anëtarët e “Komitetit Qendror” të “Lëvizjes NÇK” dhe në bisedat që i ka patur në Prishtinë kanë diskutuar për paknaqësinë e shqiptarëve me sistemin ekzistues të RSFJ, se “Revolucionarët” po bien nëpër burgje dhe se ka ardhë koha që të kalohet në punë ilegale e revolucionare, se në Kosovë ekziston një “Lëvizje” e madhe dhe e fortë, etj. Gjatë vitit 1979 pas kontakteve të shumta e bisedave me karakter armiqësor me të akuzuarin Ramadan Pllana, nga ky është njohtuar se ekziston dhe vepron “Lëvizja NÇK” e “Komiteti Qendror”, ka marrë udhëzime për ta formuar “Komitetin Qarkor” në Lipjan dhe në këtë drejtim i angazhon disa persona siç janë Ismajl Gashi, Beqir Leci, Qemajl Aliu, Banush Bytyqi, Muhamet Ademi dhe Ali Zejnullahu. Pastaj të njejtit i furnizon me materiale e literaturë propaganduese, i njohton për ekzistimin e “Lëvizjes” dhe qëllimin e “Komitetit Qarkor” të porsaformuar në Lipjan. Gjithashtu nën udhëheqjen e të akuzuarit Avdi Kelmendi kanë qenë të përgatitur që për festat e nëntorit të vitit 1979 të shpërndajnë pamflete e shkruajnë parulla me përmbajtje armiqësore, mirëpo akcioni mbetet në tentativë pasi që në ndërkohë janë paraburgosur, -me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.
I akuzuari Avdyl Lahu,
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve dhe kombësive të RSFJ, e poashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështuqë gjatë viteve 1977 e 1978, në Prishtinë në kontaktet e takime me të akuzuarin Shefqet Jashari dhe Sabri Novosella e me qëllim të forcimit e masovizimit të grupit ilegal armiqësor të Kosovës dhe viseve tjera të RSFJ ku jetojnë shqiptarët merren vesh për formimin e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës” e njëherit pajtohen që njëri prej anëtarëve të Komitetit Qendror të bëhet i akuzuari Shefqet Jashari, me ç’rast e aktualizojnë çështjen e përfitimit të anëtarëve të rinjë dhe shkruarjen e afisheve dhe parullave me përmbajtje armiqësore. Poashtu gjatë vitit 1978 në Prishtinë e në vendet tjera, me kontakte të shpeshta me të akuzuarin Skender Jashari e persona tjerë e ka kritikuar sistemin e ndarjes së të ardhurave personale në Jugosllavi, ka cekë se Kosova është në pozitë të vështirë dhe se fajin për këtë e ka RS e Serbisë, se kombësia shqiptare në Kosovë me paraqitjen e rastit të volitshëm duhet të ngritet në revolucion, duhet kërkuar e afruar persona me mendime identike në mënyrë që të njejtit të aktivizohen në grupe armiqësore, se shpejt sistemi në RSFJ do të përçahet e çdo republikë do të formohet si e pavarur dhe gjatë muajit maj 1979 të akuzuarit Skender Jashari në shtëpinë e tij ia ka dërguar materialin armiqësor të shkruar në makinë me titull “Informatë për situatën politike e ekonomike të krahinave shqiptare të bashkangjitura vullnetarisht në RSFJ” i cili tekst fillon me fjalinë se iu është dedikuar “Organizatave politiko-shoqërore shqiptare në Jugosllavi – si atyre legale ashtu edhe atyre në ilegalitet – popullit dhe klasës punëtore të Kosovës” dhe përfundon me fjalinë “Pa pavarësi territoriale, politike e ekonomike s’mund të ketë barazi nacionale, se pas këtyre elementeve mshehet eksploatimi kolonialist”, se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij janë gjetur shumë traka megnetofonike të inçizuara me këngë nacionaliste e armiqësore, -me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.
I akuzuari Skender Jashari
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim-vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e poashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, gjatë vitit 1978 në Prishtinë e vendet tjera në kontakte të vazhdueshme me të akuzuarin Avdyl Lahu ka cekur se KSA e Kosovës ka ngecur në zhvillimin ekonomik, se kombësia shqiptare duhet të organizohet për ngritje në revolucion ngase nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe është e robëruar, se në Kosovë njerëzve të aftë e të arsimuar nuk iu mundësohet punësimi, se në rast nevoje pas ndonjë krize politike në Jugosllavi ai i ka të tubuar rreth vetes disa persona që do t’i kryejnë detyrat konkrete e që parashtrohen para tyre, poashtu se duhet gjetur ithtarë me qëllim që të bëhen anëtarë të grupit “Lëvizja NÇK” dhe të paguajnë anëtarësinë për blerjen e materialit propagandues. Gjatë vitit 1978 dëshmitarëve Vesel Veseli, Rexhep Maqedonci, Gafurr Ajvazi etj., u ka folur për grupin e organizatës “LNÇK” dhe u ka propozuar që edhe ata të bëhen anëtarë të kësaj organizate armiqësore e të paguajnë anëtarësinë. Gjatë muajit maj 1979 nga i akuzuari Avdyl Lahu në shtëpinë e vetë e ka marrë materialin të shkruar në makinë me titull “Informatë për situatën politike e ekonomike të krahinave shqiptare të bashkangjitura vullnetarisht në RSFJ” i cili tekst fillon me fjalinë se iu është dedikuar “Organizatave politiko-shoqërore shqiptare në Jugosllavi – si atyre legale ashtu edhe atyre në ilegalitet – popullit dhe klasës punëtore të Kosovës” dhe përfundon me fjalinë “Pa pavarësi territoriale, politike e ekonomike s’mund të ketë barazi nacionale, se pas këtyre elementeve mshehet eksploatimi kolonialist”. Së fundit gjatë bastisjes në shtëpinë e tij më 15 nëntor 1979 është gjetur “Informata” e përmendur, një afishe “Lexoje, shpërndaje, armikut mos ia dorëzo” dhe materiale tjera propaganduese e armiqësore, – me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

I akuzuari Isa Demaj
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror-socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim – vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që gjatë viteve 1975 deri në 1979 në Lipjan dhe vendet tjera gjatë bisedave me të akuzuarin Avdi Kelmendi, e pastaj me Ismajl Gashin, Beqir Lecin, Ekrem Llugiqin dhe persona tjerë ka deklaruar se në Jugosllavi nuk ekziston socializmi i vërtetë po vetëm politika revizioniste, se shoku Tito është antikomunist dhe se politika e tij të cilën e udhëheqë shkon në favor të kapitalizmit, se Beogradi udhëheqë politikë shfrytëzuese ndaj Kosovës, se RSFJ i shfrytëzon pasuritë natyrore të KSA të Kosovës. Poashtu ka kritikuar sistemin socialist vetëqeverisës dhe ka deklaruar se duhet punuar me rininë shqiptare në mënyrë që e njejta të ngritet ideologjikisht për veprimtari armiqësore ndaj RSFJ, e pastaj në banesën e Ismajl Gashit në Lipjan ka deklaruar se situata politike e Kosovës nuk ka ndryshuar pas Plenumit të Katërt, kurse para nxënësve të QAMO në Lipjan, ku ka qenë i inkuadruar në veti të profesorit të gjuhës shqipe ka recituar vargje nga “Lahuta e Malësisë” dhe shumë herë është shprehur armiqësisht ndaj sistemit socialist në RSFJ, dhe gjatë bastisjes në shtëpinë e tij më 27 dhjetor 1979 janë gjetur shtatë ekzemplarë të revistës “Ylli”, vjersha “Kosovës” e materiale tjera me përmbajtje armiqësore, – me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.
I akuzuari Sylejman Qyqalla
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror-socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim – vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që nga viti 1978 e më tutje në fshatrat Bellaqevc e Shtitaricë dhe Prishtinë ka kontaktuar me të akuzuarin Ramadan Pllana, i është lavdëruar se në bibliotekën e tij ka libra me përmbajtje armiqësore dhe njëherit kanë bërë shkëmbimin e librave dhe materialeve propaganduese. Në bisedë me të ka theksuar se zhvillimi ekonomiko social e kulturor në RSFJ nuk është i drejtë, se në mënyrë sistematike duhet të organizohet e të frymëzohet kombësia shqiptare për shkëputjen nga RSFJ. Pastaj gjatë shërbimit ushtarak prej muajit qershor 1978 deri më 6 shtator 1979 e ka përpiluar ditarin me përmbajtje armiqësore të drejtuar kundër sistemit politiko-shoqëror në Jugosllavi, me përmbajtje nacionaliste e irredentiste dhe plot fyerje e përbuzje të drejtuara kombeve e kombësive që jetojnë në RSFJ. Pas kthyerjes nga shërbimi ushtarak në fillim të muajit shtator të vitit 1979 vazhdon bisedat dhe kontaktet me Ramadan Pllanën e pastaj rreth vetit tubojnë disa nxënës të QAMO “Milladin Popoviç” në Prishtinë, të cilët i organizoi për veprime propagandistike, iu dha të lexojnë literaturë me përmbajtje armiqësore, para dëshmitarëve Nexhmedin Melenica e Rrahim Rama dhe të tjerëve ka kritikuar sistemin shoqëror vetëqeverisës të RSFJ, duke cekur se në Jugosllavi ekziston papunësia e madhe, se Kosova ka ngec mbrapa në zhvillimin ekonomik mu për shkak se ndodhet në kuadër të RSFJ, dhe gjatë bastisjes së shtëpisë së tij më 10 nëndor 1979 janë gjetur 260 ekzemplarë të gazetës “Zëri i Popullit”, revista “Dielli”, “Drita”, “Shqipëria e Re”, “Zëri i Rinisë”, shtatë kopje të “Ditarit” e shumë e shumë libra, revista, gazeta dhe materiale tjera me përmbajtje armiqësore, – me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.
I akuzuari Hysen Gërvalla
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror – socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim – vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që gjatë vitit 1979 në fshatin Dubovik, KK Deçan, nga Isuf Gërvalla, përndryshe vëllau i tij është njohtuar se ekziston dhe vepron organizata ilegale “Lëvizja NÇK” për çka edhe ka shprehur dëshirën që edhe ai të bëhet anëtarë, për çka edhe e ka marrë Statutin e organizatës “LNÇK” e libra e materiale propagandistike me përmbajtje siç janë: “Lidhja Kosovare”, “Kongresi i parë”, “Vetadministrimi Jugosllav – teori dhe praktikë kapitaliste”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Të njejtat i ka lexuar e pastaj ua ka dhënë Muharrem Blakajt, Mal Morinës e Ahmet Haxhiajt për lexim dhe ngritjen e tyre ideologjike si dhe për punë armiqësore. Gjatë muajit korrik 1979, pasi që më parë ka marrë instrukcione prej vëllaut të tij Isuf Gërvallës, Muharrem Blakajn e Mal Morinën i ka pregaditur e udhëzuar që në disa vende në Pejë e Istog të shkruajnë parullën “NIN-i rren Ylli nuk rren”, të cilat parulla këta nën ndikimin e tij edhe i shkruan më 10 korrik 1979, për çka në ditën e nesërme e informojnë se detyrën e dhënë e kanë kryer dhe gjatë bastisjes së shtëpisë së tij më 14 dhjetor 1979 janë gjetur shumë libra e materiale propagandistike, ndër të cilat edhe këto: “Rini shqiptare – rini revolucionare”, “Parathënia”, “Një komb shqiptar një shtet shqiptar”, “Bashkëpunëtorët e okupatorit nuk janë përfaqësues të popullit shqiptar”, “Statuti i LNÇK”, “Rrita dhe kalitja ideopolitike e anëtarëve detyrë primare dhe permanente”, “Udhëzime” dhe “Fjala e një renegati shqiptar”, – me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.
Prandaj gjykata në bazë të neneve të lartcituara si dhe neneve 5, 33, 38, 41 dhe 50 të LPJ si dhe nenit 351 të LPP i
GJ Y K O N
Të akuzuarin Shefqet Jasharin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh.
Të akuzuarin Ramadan Pllanën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh.
Të akuzuarin Avdi Kelmendin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh.
Të akuzuarin Avdyl Lahun me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Skender Jasharin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh.
Të akuzuarin Isa Demaj me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Sylejman Qyqallën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Hysen Gërvallën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh.
Më 10 nëntor 1980 Gjykata Supreme e Kosovës, në kolegjin e përbërë nga kryetari i gjykatës Riza Fazlija dhe gjyqtarët: Aqif Tuhina, Nikë Lumezi, Ramo Vodopiq e Shefqet Bytyqi, anëtarë, me bashkëpunëtoren profesionale, Sadije Dedinca – procesmbajtëse, në praninë e zëvendësprokurorit publik krahinor Sahit Meraku, mbrojtësve Zeqë Arrni, Hasan Kryeziu dhe dr. Millutin Gjuriqiqi, shqyrtoi Aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, P – nr. 137/80 datë 4 qershor 1980, dhe me këtë rast me Aktgjykimin (Ap – nr. 248/80 dt.10 nëntor 1980) përveç uljes së dënimit të Ramadan Pllanës nga shtatë (7) në gjashtë (6) vjet dhe të Avdi Kelmendit nga pesë (5) në katër( 4)vjet, të gjithë të tjerëve ua vërtetoi denimin e dhënë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
D O K U M E N T E

Faqja e parë e Akgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (Ap-nr.248/80, dt. 10 nëntor 1980)

Faqja e fundit e Akgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (Ap-nr.248/80, dt. 10 nëntor 1980)
(Ilustrimet nga arkivi i Pashtriku.org, 02. 06. 2010)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura