(Zvicër, 15. 11. 2012) – Në serinë e romaneve autobiografike të shkrimtarit Adem Dema, romani “Shkrumbnajë e dashuri”, me temën dhe mesazhin, paraqet një tablo të gjerë artistike të jetës së Kosovës së pasluftës, të Kosovës së çliruar nga UÇK-ja e lavdishme, të Kosovës me të gjitha të priturat dhe të papriturat që e përcollën çlirimin e popullit shqiptar nga robëria shumëshekullore. Vend të posaçëm në këtë roman zë rënia dhe kapitullimi me turp i Serbisë në Kosovë, viktimat e dhunës ushtarako-policore serbe si dhe dashuria njerëzore e ndërsjelltë, ilaçi më tokësor për kthimin e viktimave të luftës në jetë.
Të nderuar bashkatdhetar!
I nderuari Baca Adem!
Ndjehem me fat se m’u dha rasti që në përurimin e romanit “Shkrumbnajë e dashuri” të autorit Adem Dema të paraqitem me këtë fjalë të shkurtër. Për mua është vështirë të ndalëm vetëm në trajtimin e përshtypjeve të mia për romanin në fjalë e të mos flas për autorin e romanit, ashtu siç është vështirë të flas per autorin e romanit e të mos flas për veprën e tij të gjërë e të thellë, mbi gjysmë shekulli të gjatë dhe përjetësisht të vulosur në histori.
………………………………………………
Figura shumëdimensionale e Adem Demës për brezin tim si dhe për brezat e mëvonshëm për herë qe dhe mbeti në nivelin e një figure të denjë për hero legjendash. Ai jo vetëm se është konsideruar si njëri ndër zëdhënësit më besnik të idealeve dhe të kërkesave të popullit të Kosovës dhe viseve të saja të robëruara, ai jo vetëm se është konsideruar flijuesi më i ndërgjegjshëm në emër të idealeve dhe të aspiratave të popullit të shqiptar, por, me veprimtarinë e tij të gjërë politike, kulturore dhe shoqërore, konsiderohet ideolog dhe projektues i pavarësisë së Kosovës, të cilën ai e pa si hap të parë drejt bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet dhe nën një flamur. Nëse i besojmë faktit se gjatë periudhës së luftës së ftohtë ekzistonin dy supërfuqi botërore, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, atëherë duhet t’i besojmë edhe faktit të ekzistencës së personaliteteve të autoritetshme botërore, personaliteteve superfuqi, në mesin e të cilëve shquhet edhe Adem Dema, i cili, me idetë liridashëse, me veprimtarinë revolucionare dhe me armatën e tij të përbërë nga djemtë dhe vashat më të mira të Kosovës, vit pas viti, arriti ta shkatërrojë doktrinën planetare komuniste si dhe njërën ndër perandoritë bashkëkohore më të forta të rruzullit tokësor, siç ishte Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore.
Intelektual i pa shoq, protagonist i shquar i mendimit shkencor dhe i veprimit të guximshëm, krijues i talentuar në fushën artit letrar dhe mjeshtër i shkëlqyer i fjalës, njohës i mrekullueshëm i shpirtit të njeriut, i traditës kombëtare dhe asaj të përbotshme si dhe njohës i të gjitha dimensioneve shoqërore dhe historike të jetës, Adem Dema nuk rreshti asnjëherë të jetë zë i popullit të vet, ndërgjegje e zgjuar e bashkatdhetarëve të robëruar dhe kambanë alarmi e kohës sonë. Njëzet e tetë vjet vuajtje nëpër burgjet e errëta dhe të lagëta të pushtuesit në emër të progresit historik! Njëzet e tetë vjet qëndresë përballë torturave fizike dhe psikike të UDB-esë serbe në emër të drejtësisë! Njëzet e tetë vjet stoicizëm përballë fyerjeve dhe përbuzjes së armikut në emër të lirisë së popullit të vet! Me plot kuptimin e fjalës: simbol i rezistencës dhe flijimit shqiptar.
Edhe asokohe kur nuk ishte prezent me fjalën e gjallë, edhe atëherë kur doli nga burgu personal dhe hyri në burgun kolektiv të quajtur Kosovë, edhe sot në moshën e pjekur të mendimit dhe të veprimit, Adem Dema përherë qe dhe përherë është mes nesh, herë si frymë zgjimi netësh të robërisë së Kosovës e herë si misionar profetik i çështjes së kombit dhe fatit të atdheut, herë i pakapshëm si drita e diellit në ballin e mërrolur të masave popullore e herë i kthjelltë si mendimi i urtë në kuvendet tona historike, ja kështu, konkret, përherë në veprim dhe gjithmonë shembull i lartë frymëzimi për bashkëkohësit e tij guximtar dhe për të gjithë brezat e rinisë shqiptare që erdhën pas tij.
Shembull prijësi popullor për veprimtarinë atdhetare, shembull intelektuali në rrugën e idealit kombëtar dhe mbarënjerëzorë, shembull humanisti dhe morali parimor në jetën tonë shoqërore dhe më gjerë, Adem Dema mbetet edhe shembull i lartë shkrimtari në jetën tonë artistike, kulturore dhe shoqërore. Një pohim të këtillë e dëshmon krijimtaria e tij shumë e pasur e shprehur në poezi, në prozë dhe në dramë. Shembulli i shkrimtarit popullor, sa klasik po aq modern, vihet në pah sidomos në romanet e tij, që nga “Gjarpijtë e gjakut” e deri te romani “Shkrumbnajë e dashuri”, të cilin po e përurojmë sot.
Nuk është vetëm porosia vizionare, nuk është vetëm stili poetik, nuk është vetëm gjuha e pasur dhe e shkathtë, nuk janë vetëm figurat e fuqishme stilistike, nuk janë vetëm personazhet e ndërtuara me mjeshtri, nuk janë vetëm pejsazhet dhe dhe ngjyrat e mjedisit, etj., ato që shkrimtarin Adem Dema e bëjnë popullor, të dashur dhe të veçantë për çdo lexues, por, mbi të gjitha, është përgatitja dhe dhuntia e tij prej shkrimtari të talentuar, aftësia e tij për ta njohur jetën në tërësinë e saj si dhe qasja e tij ndaj shkrimit me përkushtim të veçantë atdhetar dhe me dashuri të pastër njeriu.
Në serinë e romaneve autobiografike të shkrimtarit Adem Dema, romani “Shkrumbnajë e dashuri”, me temën dhe mesazhin, paraqet një tablo të gjerë artistike të jetës së Kosovës së pasluftës, të Kosovës së çliruar nga UÇK-ja e lavdishme, të Kosovës me të gjitha të priturat dhe të papriturat që e përcollën çlirimin e popullit shqiptar nga robëria shumëshekullore. Vend të posaçëm në këtë roman zë rënia dhe kapitullimi me turp i Serbisë në Kosovë, viktimat e dhunës ushtarako-policore serbe si dhe dashuria njerëzore e ndërsjelltë, ilaçi më tokësor për kthimin e viktimave të luftës në jetë. I shkruar me elemente të theksuara të dramës romani ka karakter profetik dhe artistikisht parathotë platformën e zhvillimit të lëvizjes sonë kombëtare për të ardhmën deri te bashkimi i kombit shqiptar, deri te bashimi i trojeve të Atdheut tonë. Romani është botuar dhe nga sot ai i takon lexuesit.
(Fjala në përurimin e romanit “Shkrumbnajë e dashuri” të shkrimtarit dhe veprimtarit atdhetar Adem Dema, në Wettingen, më 11. 11. 2012 dhe në Winkeln, më 14. 11. 2012)