KALAJA PELLAZGE E SKODRIONIT (SHKODRËS)

KALAJA PELLAZGE E SKODRIONIT (SHKODRËS)

Nga Besnik Imeri, Vlorë 3 korrik 2022

Fortifikimi i lashtë i Skodrionit nuk përmendet nga asnjë autor si një fortifikim pellazgjik, ndërkohë që mjaft të dhëna, sidomos ato që lidhen me akropolin e tij, ku ka pasur ndërtime shumë të lashta, dashje pa dashje, e evidentojnë atë si të tillë. Ndjekim përshkrimet, që historianët e antikitetit dhe të kohëve të reja, si dhe arkeologët tanë, i kanë bërë këtij fortifikimi prehistorik

Që kalaja dhe qyteti prehistorik i Skodrionit është mjaft i lashtë, këtë na e tregon arkeologu G.Hoxha: “…Në vitet 1984-1985 gërmimet  u përqëndruan brenda mureve të kalasë: në sektorin A në anën VL të oborrit të parë, pranë hyrjes kryesore të kalasë; në sektorin B, në oborrin e tretë, pranë murit rrethues, në anën JL të kalasë, respektivisht në thellësitë 5 dhe 4,60 m, kjo e fundit deri në taban… Forma enësh të ngjashme me ato të gjetura në kalanë e Shkodrës janë gjetur në shtresën e parë të vendbanimit të Gajtanit, e cila sipas vlerësimit të kronologjisë të bërë nga B.Jubanit, është përcaktuar si fazë e parë e bronzit të hershëm… Nga përshkrimi i materialit qeramik të fazës Shkodër Ia del se ai ka një fizionomi të përafërt kulturore me ato të krahinave veriore, qëndrore dhe jugore të vendit tonë në fillimin e periudhës së bronzit të hershëm të njohura si të fazave Gajtan Ia, Nezir IIIa dhe Maliq IIIa (shtresat më të hershme të tyre të fazës së parë të periudhës së hershme të bronzit)… Qeramika e fazës Shkodër Ia ka afri të pjesëshme me qeramikën e periudhës së bronzit të hershëm të gjetur në nekropolet tumulare të Shkrelit dhe të Shtojit…Gërmimet arkeologjike tregojnë se në periudhën e bronzit të hershëm kemi një zhvillim të konsiderueshëm të kulturës në vendbanimin e kalasë së Shkodrës.” [1]

Njohja e kronologjisë së gjetjeve arkeologjike brenda kalasë së Shkodrës në bronzin e hershëm, madje identifikimin e vendbanimit brenda kalasë në këtë periudhë, automatikisht e vendos edhe kronologjinë e këtij fortifikimi në të njëjtën periudhë, pavarësisht se në atë periudhë mund të mos kenë qënë këto mure që janë sot, por muret e asaj periudhe, të cilat, ashtu siç tregon edhe Marin Barleci, janë shkatërruar nga barbarët, ndoshta gjatë dyndjeve stepike apo dyndjeve skithe në shek. e VIII p.e.s.  Si rrjedhojë, padyshim, ky fortifikim i bronzit të hershëm, me patjetër, është ndërtuar nga pellazgët.

Tahsin Jonuzi, në të mirë të tezës tonë dhe kronologjisë që bën arkeologu Gëzim Hoxha, në bronzin e hershëm, duke e lidhur me kronologjinë e Gajtanit, jep edhe një përshkrim të  Skodrionit të lashtë: “Praschniker-i dhe Schober-i (“Studime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi”, f. 9, 86, 89 dhe 91) mundën të zbulonin vetëm dy rrënoja nga lashtësia:

1.Këndin jugperëndimor të kalasë dhe

2. Murin e një oborri të vogël që arrinte deri përballë shkëmbit të kalasë.

Gurët janë vendosur njëri sipër tjetrit sipas stilit të ndërtimit që shihet në Lisos… Por me të drejtë ata pranojnë se (më herët) Akropoli ka qënë i rrethuar vetëm nga një mur i thjeshtë, si ai i stilit të Gajtanit, dhe duhet të ketë qënë i mjaftueshëm për banorët, ndërsa në kohën e mbretit Gent duhet të jetë pajisur me mure mbrojtëse të fuqishme, siç e përshkrojnë më lart Praschniker-i dhe Schober-i, dhe jo me mure të vendosura në mënyrë primitive, siç shihet në kështjellat e vjetra ilire.”[2]

***

Pra nga përshkrimi i mësipërm arrijmë në përfundimin se Skodrioni i lashtë ka pasur dy tipe fortifikimesh, fillimisht atë pellazgjik, pra me mure primitive, të ngjashëm me muret e Gajtanit, i cili si në shumicën e fortifikimeve prehistorike në Epir dhe Iliri, përfshinte vetëm Akropolin, por më vonë, në periudhën klasike, mbase dhe me zgjerimin e mureve të qytetit, u ndërtuan edhe muret antike.

Por këtu do të tregojmë dy hollësi interesante të përshkruar nga Marin Barleci për origjinën e qytetit të Shkodrës, lashtësinë dhe madhësinë e saj në prehistori, të cilat vërtetojnë se ajo ka qënë një fortifikim pellazgjik.

Ndjekim Barlecin: “…Mbi origjinën e Shkodrës nuk kemi fakte, s’kemi asgja të sigurtë, pastaj s’ka mbetë asnjë kujtim prej saj; sepse qyteti, mbasi u dogj dy herë nga barbarët dhe mbasi u shkatërrue nga Anici, pretor i Romakëve, u dogj krejt dhe vetvetiu. Edhe dihet fare mirë se në këtë kohë u dogjën të gjithë monumentet e vendit dhe të gjitha shkrimet historike të këtij qyteti… qysh kur u hodhën themelet e qytetit, rrethi i mureve shtrihej atje poshtë në fushë ma tepër se 2.000 hapa në formë katrore. Pjesës së poshtëme të këtij qyteti i binte përmes lumi i Drinit, mbi të cilin ishte ndërtuar një urë guri e mrekullueshme që ishte aq e gjatë saqë shkonte e prekte Bunën me pjesën e vet të fundit; edhe sot kanë mbetë disa gjurmë të asaj ure. Vendi ku ma parë gjindej vetëm qyteza (Akropoli), tashti përfshin të gjithë qytetin… Por na patën ra në dorë disa shkrime ma tepër fragmente se sa t’i quesh anale, në të cilat flitej më shumë për meremetimin që i banë këtij qyteti stërgjyshët tanë, se sa për ndërtimin e tij. Ishte shkrue aty, në gjuhën popullore (pellazgjisht-shqip B.I), se nji farë Roza me motrën e vet të quejtun Fa qenë themeluesit e parë të qytetit të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhej Rozafa.”[3]

Nga ky rrëfim i Barlecit mësojmë disa momente me interes:

Së pari, që qyteti është djegur dy herë nga barbarët para pushtimit romak. Mos vallë këta barbarë kanë qënë, fillimisht, hordhitë e të ashtuquajturave dyndje stepike në fund të mijëvjeçarit të III-të p.e.s; dhe më pas, dyndjet trako-kimere në shekujt VIII-VII p.e.s, përfshirë edhe depërtimin Skith në shekullin e VI p.e.s, të përmendura këto të fundit nga Aleksandër Stipçeviq?!! Si do që të ketë qënë, në kohën që qyteti është djegur dy herë, me siguri ka qënë një qytet në zotërim të pellazgëve autoktonë shkodranë.

Së dyti, përshkrimi madhësisë së qytetit jashtë mureve të kalasë mesjetare, e cila si në të gjitha ndërtimet mesjetare kanë qënë brenda akropolove, madje duke zënë vetëm një pjesë të tyre, tregon për një qytet të madh dhe shumë të fuqishëm pellazgjik, ku përveç akropolit, kalasë ekzistuese sot, ka qënë shtrirë në fushë në jug, deri në ndarjen e Drinit në dy degë, madje duke përfshirë nëpërmjet një ure guri edhe të dy lumenjtë e tjerë, Drinin dhe Bunën. Madje, për ta bërë të vërtetë këtë fakt, Barleci tregon që gjurmët e asaj ure ekzistonin ende në shekullin e XV në breg të Bunës. Vetëm gërmime arkeologjike masive mund ta zbulojnë këtë qytet të madh pellazgjik.

Së treti, duke treguar legjendën e Rozafatit, na vërteton më shumë, se me lashtësinë e saj legjendare kjo fortesë ka qënë pa dyshim një fortesë pellazge; ku edhe shkrimet në gjuhën popullore që e tregojnë atë, mund të jenë shkrime pellazgjike me alfabetin pellazg, ku gjuha popullore ka qënë në shekuj për shqiptarët, pellazgjishtja apo shqipja.

Nga një burim tjetër, Tahsin Jonuzi, i cili me sa duket, ashtu si Barleci, ka për bazë shkrimet e autorëve antikë, pohohet se Skodrioni antik shtrihej edhe në fushë pranë dy lumenjve: “Sipas të dhënave të Livius-it (XLIV, 31.), Shkodra ndodhet në vendin e vendbanimit të vjetër (akropolit pellazgjik.B.I). Kështu që sipas përshkrimit, qyteti romak ndodhej jo në veri, por në shpatin jugor të kodrës së Akropolit dhe ngrihej deri në afërsi të lumenjve Kiri dhe Drinasa (Ippen). Sipas Pech-it, edhe rrjedha e këtij të fundit Brenda këtyre katër shekujve të fundit ka pësuar një ngritje prej 3 m, kështu që pjesët e qytetit të lashtë duhet të ndodheshin nën sipërfaqe. Ippen-i tregon se në argjinaturat e Drinasës janë parë monumente guri të punuara mirë me përmasa të mëdha, por tek të cilat ishin mbivendosur sedimente.” [4]      

Neritan Ceka na sjell fakte interesante në të mirë të tezës tonë, atë të origjinës pellazgjike të banorëve të lashtë të Shkodrës: “Poshtë kalasë së Rozafatit, nga elementët arkitektonikë që kanë rënë në  shtratin e lumit Drin, mund të flitet për një tempull të perëndisë Poseidon që ngrihet mbi taracën buzë lumit.[5]   Atëhere me të drejtë pyesim: Çfarë do Poseidoni në Shkodër, në zemrën e Ilirisë së Jugut?!!! Përgjigja është e thjeshtë. Adhurimi i kësaj perëndie pellazge nga banorët e lashtë të Shkodrës vërteton qënien pellazge të tyre.

Por banorët e lashtë të Skodroinit nuk kanë adhuruar vetëm perëndinë e Poseidonit, por edhe atë të kryeperëndisë, Zeusit.Neritan Ceka tregon se, Skodra e përvetësoi kultin e Zeusit, duke e vendosur fytyrën e tij në monedhat e saj.[6]

“…kulti i përhapur i Zeusit të Dodonës, të vrejtur tek monedhat, i cili, sipas Paçit shtrihej në të gjithë anën perëndimore të gadishullit deri në Shkodër…” [7]

Selim Islami tregon se, Monedha e Skodrës kishte si symbol në faqe Zeusin dhe në shpinë një anije ilire. Ajo pritej në emër të bashkësisë qytetare dhe mbante legjendën SKODRION… Si tip kjo monedhë i ngjante asaj të Dyrrahut me Zeus-trekëmbësh, të cilën ky qytet e vuri në qarkullim aty nga fillimi i shek.III… Këto monedha janë hedhur në qarkullim pas vitit 270 p.e.s…”[8]  Tahsin Jonuzi flet për një sërë monedhash të Skodrionit me kokën e Zeusit të Dodonës.[9]

Më tej Neritan Ceka na tregon: “…për prerjen e një monedhe bronzi e koinonit të skodrinëve me kokën e Zeusit dhe anije liburne…” [10]

Adhurimi i dy perëndive më të mëdha pellazge, Zeusit dhe Poseidonit, e vendos Skodrionin e lashtë si një fortifikim pellazgjik dhe banorët e tij si pellazgë. Që të gjitha këto informata mjaft interesante flasin për atë që Skodrioni i lashtë në prehistori ka qënë një fortifikim pellazgjik njësoj si Lisi dhe Gajtani. Rrjedhojë e këtij qytetërimi pellazgjik është kultura sipërore e trashëguar në shekuj deri në ditët e sotme tek banorët e këtij qyteti.

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)


[1] Gëzim Hoxha, “Gjurmë të bronzit të hershëm në kalanë e Shkodrës ”, ILIRIA Nr.1-1987, f. 74, 76, 79

[2] Tahsin Jonuzi, “Die Topographie und die Strabenzuge Allbaniens in Altertum”, Innsbruck 1937”, “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”, ONUFRI-2021, f. 76-77

[3] Marin Barleci,“Rrethimi i Shkodrës”, Bot.PAKTI-2011, Përkth.Lat, Henrik Lacaj, f. 36-37, 40

[4] Tahsin Jonuzi, “Die Topographie und die Strabenzuge Allbaniens in Altertum”, Innsbruck 1937”, “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”, ONUFRI-2021, f. 77

[5] Neritan Ceka, “Ilirët”, Bot.ILAR-2001, f. 62-63, 140-141, 171, 180 

[6] Neritan Ceka “Ilirët deri tek shqiptarët”, Bot.MIGJENI, Tiranë-2014, f. 394-395

[7] Skënder Anamali, “Kuvendi i I i Studimeve Ilire”,15-21 shtator 1972, ILIRIA Nr.2, f. 66-68

[8] Selim Islami, “Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare në Iliri”, Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, 15-21 shtator 1972, ILIRIA Nr.2-1972, f. 18

[9] Tahsin Jonuzi, “Die Topographie und die Strabenzuge Allbaniens in Altertum”, Innsbruck 1937”, “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”, ONUFRI-2021, f. 78

[10] Neritan Ceka, “Ilirët”, Bot.ILAR-2001, f. 61, 82, 112, 139

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura