KALAJA PELLAZGE E SOPOTIT
Nga Besnik Imeraj, Vlorë 13. 01. 2023
Fortifikimi i lashtë i Sopotit, i cili ndodhet në majën e kodrës mbi fshatin Borsh 500 m mbi nivelin e detit, ka një pozicion strategjik të jashtëzakonshm, pasi kontrollon njëkohësisht detin, rrugëkalimin e bregdetit dhe luginën e lumit të Borshit, që lidhnin në lashtësi, ngushtazi, Onkezmin me Panormin dhe Himarën; dhe, më gjërë, nga rruga bregdetare, Apolloninë, Aulonën, Orikun, ndërsa nga lugina e lumit Kelydnos, Amantien me Foiniken dhe Buthrotin, deri në qytetet e Thesprotisë. Ky pozicion strategjik i kësaj majë kodre, nuk mendojmë se nuk ka tërhequr vëmendjen e banorëve pellazgë të Kaonisë, që ata të mos e shfrytëzonin për ngritjen e një fortifikimi të rëndësishëm.
Por që Kalaja e Sopotit, në prehistori ka qënë edhe një fortifikim pellazg, nuk e thonë arkeologët, por dhe as historianët. Ndoshta nuk kanë pasur të dhëna. Por trakte të veçanta të këtij fortifikimi të bëjnë që të mos dyzosh se ato janë mure pellazge. I pari që ka folur për to ka qënë një i huaj erudit, konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvili, dhe pas tij, një klerik katolik, Zhan Klod Faveirial, i cili për kalanë e Sopotit pohon: “Sopoti-thotë Pukëvili-gjëndet në malet Akrokeraune, përballë Korfuzit (saktësisht ndodhet në fshatin Borsh.B.I). Në muret mbrojtës të tij, dallohen qartë gurët ciklopikë që përbëjnë themelin e tyre…”[1]
Pas tyre, në kohët e sotme, i përmend edhe pellazgologu Luftulla Peza. Por, arkeologu vendas, Jano Koçi, ndryshe nga të tjerët, e vendos këtë vendbanim antik në periudhën e fundit të bronzit, duke i dhënë kësisoj, pa dashka, një pasaportë pellazgjike.
Fortifikimi i lashtë i Sopotit (Borshi i sotëm) paraqitet me të njëjtat karakteristika si fortifikimet e tjera të Epirit dhe Ilirisë: Foinike, Buthroti, Amantia, Olympe, Nikaja, Lisi, Zgërdheshi, etj, me akropol, me disa periudha dhe rrethime të mureve të qytetit, mure tërthorë dhe të përbashkët që ndanin qytetin në pjesë, me themele të mureve direkt mbi tabanin shkëmbor dhe me blloqe gurësh të mëdhenj dhe të papunuar, etj.
Arkeologu Jano Koçi gjatë një ekspedite vrojtuese të kryer në vitin 1976 tregon se, ky fortifikim kishte një akropol me një sipërfaqe prej rreth 1,2 ha,..qyteti i poshtëm kishte mur të përbashkët me akropolin… Muri mbështet mbi një themel të fortë me blloqe gurësh të mëdhenj. Shpesh si themel përdoren shkëmbinj natyrorë… Qyteti së bashku me akropolin, përfshin një sipërfaqe prej rreth 2,5 deri në 3 ha. Muret që e rrethojnë kanë një sipërfaqe prej rreth 1000 m.[2]
Trakt muri pellazgjik i Sopotit.
Ndërsa arkeologu Dhimosten Budina për kalanë e Sopotit tregon se, ajo ndodhet 500 m mbi nivelin e detit… sipërfaqja e saj është shkëmbore…Mbeturina muresh të kohës antike ndodhen në anën jugperëndimore me gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 1,33 m…Ato janë ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj, me forma paralelopipedi dhe trapezoidalë… kanë përmasa: 1,20 x 0,30 m… muret datohen të shek. IV-III p.e.s…” [3]
Në lidhje me këtë fortifikim Jano Koçi, në një periudhë më të vonë, shprehet: “Kalaja e Sopotit ku ndodhet akropoli i qytetit antik të Borshit muri parahistorik ruhet pranë akropolit dhe hyrjes së kalasë mesjetare. Është ndërtuar me të njëjtën teknikë ndërtimi si Karosi. Muri parahistorik mbështetej në një horizont banimi me qeramikë që datohet në Bronzin e vonë.” [4]
Arkeologu Neritan Ceka, me të drejtë, shikon ngjashmëri midis fortifikimeve amantine dhe atij të Sopotit për sa i perket tipologjisë dhe teknikës së ndërtimit të mureve dhe të vetë qytetit, madje është i mendimit se ai është një fortifikim i avancuar në pjesën jugperëndimore të territorit të amantëve.
Nëqoftëse do ta shikojmë nga pikëpamja strategjike, për të hyrë në territorin e amantëve nga jugperëndimi dhe bregdeti dhe për të dalë në luginën e lumit Kelydnos (Shushica e sotme) duhet të kalohet nga tri drejtime: së pari, nëpërmjet luginës së fshatit Çorraj, së dyti, nëpërmjet luginës së Qeparoit dhe Kudhësit, dhe, së treti, nëpërmjet qafës së Pilurit dhe pllajës së Vumlosë. Për të mbrojtur hyrjen nga lugina e përroit të Çorrajt ka qënë i nevojshëm një fortifikim për të mbrojtur këtë rrugëkalim. Pa dyshim, këtë funksion do ta kryente më së miri një fortifikim i ngritur në kodrën e fshatit Borsh, prandaj në antikitet, apo prehistori, këtu është ngritur fortifikimi pellazg, që në mesjetë do të merrte emrin kalaja e Sopotit. Ndërsa hyrjen në territorin e amantëve nga qafa e Pilurit e mbron më së miri fortifikimi tjetër pellazgjik, kalaja e Himarës.
Arkeologia Nevila Molla është e mendimit se emrin kalaja e Sopotit ky fortifikim e ka marrë në shekullin e XIII, kur ai kaloi në zotërim të despotit të Epirit Mihal II Komneni, i cili, madje, duhet të ketë ngritur në pjesën e akropolit antik, kalanë mesjetare.[5]
Vetë emri Sopot ka një prejardhje pellazgjike dhe rrjedh drejtëpërsëdrejti nga emri i Poseidonit. Sopot ka kuptimin So-Pot, sipër potamit, sipër burimit të ujit. Emri i Poseidonit në kuptimin dorik (siç e është shpjeguar nga Spiro Konda tek paragrafi-Mitologjia e Epirit në këtë studim) ndoshta ka qënë Potidan=Poti-Dan=Poti-Dhan=Poti-Dhen. Përpiqemi të bëjmë një shpjegim më sqarues të kësaj fjale.
Nikolas Hamond për adhurimin e Poseidonit nga Dorianët thotë: “…Poseidoni sipas mbishkrimeve Dore ‘Poteidan’ dhe Dorishtes së lashtë, ‘Potidan’ dhe dëshmive mbishkrimore tregojnë se në Epir adhurimi i Poseidonit ishte popullor…”[6]
Me etimologjinë e kësaj fjale për Poseidonin merret edhe Spiro Konda, i cili i referohet edhe (“Fjalorit Homerik” të Jani Pantazidhit, Athinë, viti 1885, f,458):
“…Hesiodi tek “Teogonia”, f,52 e quan Poseidonin-Potidan…fjala “Poseidon” nxirret nga “Potis” që do të thotë lumë dhe nga “Dan” ose “Das” = “Zeus”. Si rrjedhim, trajta “Potidan” ose “Potidas” është më e vjetra dhe do të thotë: “Perëndi e ujrave”…”[7]
Pra këtu, nga njera anë kemi emërtimin e Poseidonit nga Hesiodi-Potidan, i cili thotë se ky është një emër i lashtë i Poseidonit; nga ana tjetër, kemi mbishkrimet e lashta Dorike, të cilat, edhe ato nga ana e tyre, e quajnë Poseidonin – Potidan. Pra në Epir emri i lashtë pellazgjik i Poseidonit ka qënë Potidan.
Në të mirë të kësaj teze vjen edhe fakti, që çuditërisht nuk është përmendur nga Spiro Konda, pleqtë tanë dhe nënat tona këtu në Toskëri (pasuesen e Epirit të lashtë) përdornin fjalën “Potis”. Potis lulet, potis avllinë, potis perimet në baçe. Pra potis ka kuptimin e lagies me pak ujë, madje, kur bie shi i imët thuhet: potisi dhenë (dheun, tokën). Pra Poseidoni nuk ishte vetëm perëndia e deteve, lumenjve, liqeneve; por dhe perëndia që binte shiun në tokë, i cili ishte aq i domosdoshëm për bimët.
Shpjegimin etimologjik në këtë formë e bën edhe Aristidh Kola, i cili thotë: “Poseidoni: ishte përgjithësisht perëndia e ujrave dhe emri i tij vjen nga fjala ‘potis’, që në arbërisht do të thotë ujis dhe formohet nga greqishtja e lashtë ‘potos’, ‘posis’ dhe fjala ‘Dhenë’, që e shohim tek dorët si ‘Dhan’ dhe tek arbëreshët si ‘Dhea’. Gjithashtu ekzistonte dhe qyteti Posidhea dhe Potidhea. Pra, Posidhon, Posidhan apo Potidan, do të thotë ai që potis dhenë, pra, ai që ujit dheun…”[8]
Pra Potidan do të thotë edhe Zot i ujitjes. Por mund të jetë edhe ndryshe, pasi Poti(s)-Dan mund të jetë fare mirë edhe Poti(s)-Den ose Poti(s)-D(h)en. Pra ai që potis dhenë ose ai që ujit dhenë, vadis dhenë, zot i shiut. Zoti që potis dhenë.
Sot, në fshatrat dygjuhësh, shqip dhe greqishtfolës, të Himarës, fjala ‘Potam’ ka kuptimin e burimit të ujit, kroit, ose përroit. Kjo fjalë mbase, kështu e transformuar, nëpërmjet pellazgjishtes kaloi tek greqishtja e vjetër dhe vjen deri në greqishten e sotme. Por më e mundshme është ajo që, kjo fjalë e përdorur në këtë territor, Bregdetin Jonian qysh në kohë të pellazgëve, ka mbetur deri në ditët e sotme si një atavizmë e lashtë e pandryshuar dhe ruajtur me konservatorizëm nga banorët e kësaj zone si një fjalë fosile që tregon adhurimin e Poseidonit, zotit të ujërave. Pr
andaj edhe rrënja e fjalës potam, që përdoret sot është ‘pot’ dhe ka kuptimin e një burimi uji të dhënë apo të dhuruar nga zoti. Këtë dhuratë që zoti, Poseidoni u ka bërë njerzve ata ja kanë shpërblyer me adhurim duke ngritur faltore dhe tempuj për Poseidonin. Në këtë kuptim emri Sopot i këtij vendbanimi ka kuptimin sipër ujit apo sipër burimit, apo sipër përroit, apo lumit. Tani shtrojmë pyetjen: a kemi ndonjë fenomen të tillë në Borsh. Në rrëzë të fshatit Borsh dhe në rrëzë të fortifikimit të Sopotit ka rrjedhje të mëdha uji, madje në formë ujëvare. Me siguri edhe emri i vendbanimit Sopot në rrjedhën e Shkumbinit në krahinën e Shpatit këtë kuptim duhet të ketë.
Fortifikimi i Sopotit ka qënë një fortifikim i rëndësishëm i vendosur në një pikë nyje, prandaj ka pasur edhe një jetëgjatësi, më e pakta, 2500 vjeçare. Kalanë e Sopotit, e kanë përdorur pellazgët, kaonët epirotë, por në antikitetin e vonë dhe në mesjetë ajo ka pasur rindërtime. Në antikitetin e vonë fortifikimi, për rëndësinë që kishte u meremetua nga Justiniani. Bizanti e përdori dhe mirëmbajti këtë fortifikim.
Në vitin 1192 atë e përmend vajza e perandorit, Aleks Komneni, Ana Komnena. Despotët e Epirit, ashtu siç meremetuan kalanë e Beratit (1216) të Durrësit (1225), Kaninës, etj, meremetuan dhe riforcuan kalanë e Sopotit, madje sipas arkeologëve, Mihal Engjëll Dukë Komneni ngriti brenda akropolit të fortifikimit antik, kështjellën mesjetare. Ata e bënë Sopotin qëndër të Arhondisë së Sopotit: Archonteea Sopotu.
Në vitin 1266 ajo ra nën sundimin e Karlit të I Anzhu dhe më pas në zotërimin e Republikës së Venedikut. Në shekullin e XV Sopoti zotërohet nga turqit, për disa kohë ka qënë edhe nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës, dhe nga turqit deri në vitin 1913, ku komandant i fundit i kësaj kalaje në vitet 1913-1914 ka qënë ai i qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Selim Shahaj, dërguesi i ulitimatumit të Luftës së Vlorës, i njohur si Mehmet Selimi.
Besnik Imeraj – (marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)
___________________
QYTETI PELLAZG I ORIKUT
https://pashtriku.org/qyteti-pellazg-i-orikut/
[1] Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë, Bot.Plejad-2004, Përkth.Frëngj.Gent Ulqini, f. 321
[2] Jano Koçi, “Qyteti antic i Borshit-Sopoti”, ILIRIA Nr.7-8, 1977. f. 269-270
[3] Dhimosten Budina, “Harta arkeologjike e bregdetit Jon dhe pellgut të Delvinës”, ILIRIA Nr.1 – 1971, f. 284
[4]Jano Koçi, “Fortifikime parahistorike në bregdetin Kaon”, ILIRIA Nr.1-2, 1991. f. 57
[5] Nevila Molla, “ARCHONTEA SOPOTU”-Kronologjia dhe funksionii një kulle byzantine në kalanë e Sopotit”, ILIRIA Nr.36 – 2012
[6] Nikolas Hamond, Epiri dhe Invazioni Dorian, Bot.QSN 2004,Përkth.Angl.Leka Ndoja, f,121
[7] Spiro Konda, Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik, Bot.UEGEN-2011, f, 380-381
[8] Aristidh Kola, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Bot.”55”-2002, Përkth.Greq. Aldior Agora, f, 194-195