GENC KASTRATI: SHQIPTARËT NË MESJETËN E HERSHME

Prishtinë, 08. 07. 2015 – (Hyrje) – Mesjeta e hershme është ndër periudhat më të errëta në historinë evropiane dhe në historinë shqiptare në veçanti, si pasojë e mungesës së theksuar të dokumenteve. Në punimin tonë do të shtjellohen çështjet e ndryshimeve të mëdha etnike, politike, shoqërore dhe fetare që gjatë kësaj kohe ndodhën në gadishullin ballkanik, e veçmas formimi i popullit shqiptar dhe tkurrja e trojeve të tyre pas vendosjes së sllavëve.
Ilirët dhe themelimi i Bizantit
Krijimit të Bizantit dhe identitetit e kulturës bizantine i paraprijnë disa masa të ndërmarra nga perandorët romakë dhe disa ndryshime historike. Që në fillim baza e kësaj ndarje ishte përhapja e deriatëhershme e gjuhëve ndërkombëtare: në perëndim zotëronte latinishtja, ndërsa në lindje greqishtja, ndonëse si gjuhë zyrtare ishte latinishtja në tërë territorin. Perandori Konstantin më 313 legalizoi krishterimin që më vonë bëhet fe zyrtare; pasi mbeti sundues i vetëm më 323 i zëvendësoi magistratët e Romës me një aparat burokratik që varej prej tij. Pastaj më 11 maj 330 përuroi Konstantinopojën si kryeqytet të ri të Perandorisë. Më tej ndarja zyrtare më 395 dhe rënia e Romës perëndimore më 476 e përforcuan më shumë këtë ndarje.[1] Kështu qytetërimi bizantin u krijua nga simbioza e shtetit romak, fesë krishtere dhe gjuhës greke.[2] Një element tjetër është edhe ndryshimi i sistemit nga skllavëria në feudalizëm, që ia mundësoi Perandorisë mbijetesën, por gjithashtu vlen të përmendet pasi sistemi ekonomik ndikon thellësisht në mënyrën e jetesës dhe në kulturën e njerëzve.[3] Krijimi i shtetit, identitetit dhe qytetërimit bizantin konsiderohet njëri ndër ndryshimet e mëdha në gadishullin ballkanik.[4]

Konstandini i Madh në Kalanë e Beratit: Ka lindur rreth 280 në Naissus të Dardanisë Iliri, (sot Nishi), dhe vdiq më 22 maj 337. Ishte perandor romak me origjine Ilire prej 306 deri 337, dhe është i njohur si Konstantini, Konstantini i Madh apo Konstantini I. /sh.b/

Në këtë ndarje Iliria u nda më dysh: Dalmacia mbeti me Romën perëndimore ndërsa trojet e sotme shqiptare me Perandorinë romake të lindjes. Mesjeta e hershme, apo fundi i shek. V, e gjeti Ilirinë të rrënuar dhe me popullësi të dhjetuar nga sulmet e gjermanëve, hunëve dhe fiseve tjera barbare. Përveç skllevërve dhe kolonëve në Iliri kishte edhe bashkësi fisnore e fshatare që ishin njerëz të lirë, kryesisht në vise malore.[5] Sipas Hieronimit ilirët në Panoni e Dalmaci në shek. IV dhe V ende e flisnin gjuhën e tyre.[6] Ndarja e Perandorisë Romake ka pasur efekt të fuqishëm në historinë e popullit shqiptar sepse siç dihet shqiptarët mbijetuan pikërisht në trevat që ishin nën sundimin bizantin, duke qenë se gjatë luftërave kundër barbarëve iliro-shqiptarët ishin në aleancë me shtetin romak gjegjësisht bizantin.
Përhapja e krishterimit në Shqipëri
Ndonëse Shqipëria është vendosur në radhën e viseve mesdhetare ku krishterimi ka arritur në kohët apostolike, përhapja e kësaj feje nuk mbizotëroi deri në fundin e antikës dhe në mesjetën e hershme. Kështu ”E vetmja bashkësi kristiane e periudhës parakostandiniane dokumentohet të ketë qenë ajo e Dyrrahut”[7]. Pastaj në shek. III dhe pjesërisht në shek. IV, vërehet një lulëzim i artit dhe kulturës pagane ilire. Pjesa më e madhe e mbishkrimeve dhe përmendoreve ilire të karakterit religjioz-pagan, vijnë nga kjo periudhë, [8] ndërsa krishterimi më tepër duhet të kenë qenë i përhapur në mesin e masave të ekspozuara ndaj kulturave të jashtme, siç janë legjionarët, qytetarët, dhe banorët përgjatë rrugëve të mëdha.
Në shekullin IV, me Ediktin e Milanos më 313 e sidomos me zyrtarizimin e fesë krishtere, krishterimi fillon të përhapet gradualisht në mesin e ilirëve. Në këtë kohë fillon praktikimi i artit paleokristian që karakterizohet nga një përzierje e motiveve pagane dhe kristiane.[9]’[10] Në përhapjen e krishterimit rol të madh luajti dhuna e aparatit shtetëror; më 380 Theodosi shpalli Ediktin e Selanikut [11] sipas të cilit krishterimi ishte feja e vetme zyrtare në Perandorinë Romake.
Janë edhe një numër toponimesh kristiane, emra të martirëve, kulti i të cilëve ishte përhapur në shek. IV – VI. Të tillë janë Shirgji, Shubaku, Shëndekla, Shën Vlashi, Shëmria, Shëndëlli, Shëngjergji, që gjenden në tërë zonën bregdetare dhe malore të Shqipërisë.[12] Këto dëshmojnë se në shekujt IV – VI kishte ndodhur kristianizimi masiv i ilirëve.
Iliria i ndejti besnike Koncilit të Nikesë (më 325), ku u vendos besimi dogmatik që si Ati ashtu edhe Biri kanë natyrë të njëjtë hyjnore. Përveç kësaj ka edhe koncile që janë mbajtur në Iliri: Koncili i vitit 375 mbajtur nga Valentiniani, ku dënohej ideja se ka tri perëndi, i dyti më 415 pa ndonjë rëndësi të veçantë, i treti më 516 që dënonte doktrinën monofizite, dhe e katërta më 550 për dhunën që ushtroi Justiniani kundër Papës.[13] Organizimi kishtar i trevave shqiptare
Pas legalizimit të krishterimit më 313, në trojet shqiptare kisha ishte e organizuar me një strukturë mjaft të konsoliduar. Kishat organizoheshin mbi bazën e ndarjes administrative që bëri Diokleciani. Në Preval ishte kryepeshkopata e Shkodrës, në Dardani kryepeshkopata Justiniana Prima, në Epirin e Ri kryepeshkopata e Durrësit, dhe në Epirin e Vjetër kryepeshkopata e Nikopojës. Këto gjithsej kishin 25 peshkopata nën varësi. Të gjitha këto ishin nën varësinë e Papës së Romës, që e ushtronte autoritetin e vet përmes mbikëqyrësit të tij në Selanik.[14] Edhe me rastin e skizmës 35 vjeçare të peshkopit Akas, peshkopët ilirë konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Romës.[15] Ndryshimi më i madh ndodhi më 732, kur perandori ikonoklast Leoni III Izauri, shkëputi peshkopatat shqiptare nga varësia e Romës, dhe i vuri nën varësinë e Konstandinopojës. Gjatë kësaj kohe Italia ishte nën sundimin frank, që ishin armiq të bizantinëve, prandaj Bizanti nuk mund të toleronte ndikimin e Papës mbi besimtarët në territorin e saj. Megjithatë ndikimi i Vatikanit vazhdoi edhe pas kësaj date, veçanërisht në pjesët veriore të trojeve shqiptare (Preval dhe Dardani).[16] Ngulimet sllave në Ballkan
Dyndjet e popujve gjermanë dhe të tjerë gjatë shekujve III – V, kishin dërmuar Ilirinë dhe kishin pakësuar shumë popullësinë ilire. Popullësia ilire u pakësua për shkak se dashur pa dashur ishte balli i Perandorisë Romake, ishte toka e parë ku shkelnin fiset barbare kur dyndeshin drejt Perandorisë, por edhe për shkak se ilirët u shfrytëzuan nga Roma pa mëshirë si rekrutë për të luftuar barbarët, madje edhe në vise të tjera.
Në këtë gjendje në fund të shekullit V kur dyndjet gjermane ishin qetësuar pjesërisht, filloi vala e dyndjeve turko-sllave. Nga raca turke në Evropë u dyndën hunët, bullgarët dhe avarët, të gjithë këta të ardhur nga stepat euro-aziatike. Raca sllave që jetonte në territorin e Ukrainës, Bellorusisë dhe Polonisë, në këtë kohë ishte e prapambetur dhe me vetëdije të ulët, e sidomos kah ana politike e ushtarake prandaj vihej nën udhëheqjen e popujve të tjerë. Madje shpesh-herë merreshin me punë në prapavijë si p.sh. prerje lisash apo me punimin e varkave[17]. Ata njiheshin nga autorët e kohës, të ndarë në dy grupe, antë dhe sllavinë.[18] Të parët nga këta popuj u dyndën bullgarët. Më 499 ata zhvilluan një luftë, ku mposhtën fuqinë e fundit ilire, prej 15.000 ushtarësh.[19] Që nga kjo kohë dynden edhe sllavët që gjithnjë janë nën udhëheqjen e prijësve bullgarë. Një masë e madhe e tyre aty nga viti 500 arriti në rrjedhën e Danubit, përkatësisht Panoni dhe Daki.[20] Nga kjo kohë e deri në vitet e ’30 të shekullit VI nuk pati më dyndje të sllavëve e bullgarëve në Ballkan. Por me ardhjen e Justinianit në pushtet më 527, tashmë ka një ndryshim rrethanash. Justiniani angazhoi ushtrinë në perëndim ku donte të ringjallte perandorinë e lashtë romake, duke e lënë gadishullin zbrazët pa ushtri, ndërsa nga ana tjetër sllavët gjatë kësaj kohe kishin fituar shprehi dhe përvojë lufte.[21] Justiniani kishte ndërtuar ose rindërtuar 168 kështjella në Iliri,[22] mirëpo ato e kishin mbrojtjen e dobët prandaj nuk u bënë ballë dyndjeve.[23] Nga viti 528 deri në 558, për 30 vite rresht sllavët dhe bullgarët u dyndën në gadishull për çdo vit, duke shkretuar e grabitur dhe përsëri ktheheshin në veri të Danubit. Gjatë kësaj kohe mund të përmenden disa dyndje më të rëndësishme: më 540 u bë një dyndje e madhe bullgare, arritën deri në Konstandinopojë, Selanik dhe Korinth e në kthim e sipër morën me vete 100 mijë banorë të robëruar,[24] dhe më 548 një grup sllavësh arritën para Durrësit.[25] Më 558 bullgarët u mundën nga Bizanti pranë mureve të Konstandinopojës. Hovi i bullgarëve ra, ndërsa sllavët duke mbetur pa padronët e tyre, nuk kishin si të luftonin dhe qëndruan pasivë deri me ardhjen e avarëve.[26] Avarët që ishin edhe këta një fis turk, pasi mposhtën hunët, antët dhe bullgarët, më 567 u vendosën në Panoni. Që nga kjo kohë, avarët morën rolin e padronëve të sllavëve ashtu siç ishin më parë bullgarët.[27] Në tri dekadat e fundit të shekullit VI, ka inkursione të vazhdueshme avaro-sllave, dhe nga vitet e ’80 ngulitje të sllavëve në gadishull[28]që u lehtësuan mjaft nga kryengritja e shtresave të varfëra. Gjatë kësaj kohe në trojet shqiptare sikurse në tërë gadishullin po zhvillohej një luftë e brendshme mes klasës skllavopronare dhe klasës së varfër, ku bënin pjesë skllevërit e kolonët. Në fillim qëndresa kishte karakter individual, dhe shfaqej në formë të ikjes nga padronët, djegies e shkatërrimit të pronave skllavopronare, por në fund të shekullit VI kjo lëvizje filloi të organizohej dhe të gërshetohej me dyndjet sllave.[29] Në vitet e ’70 e ’80 në Iliri dhe Thraki shpërtheu një kryengritje e madhe e quajtur “lëvizja e kusarëve”, siç i quante klasa sunduese kryengritësit. Aty merrnin pjesë skllevër, kolonë dhe fshatarë të lirë.[30] Më 584 avarët dhe sllavët përshkuan gjithë gadishullin pa u shqetësuar nga bizantinët. Në vitin 597 ndodh dyndja e madhe sllave në Greqi ku arritën deri në Peloponez, u vendosën në numër të madh, ndërsa kah perëndimi iu drejtuan trojeve shqiptare ku u vendosën në numër më të vogël. Në të njëjtën kohë avarët invaduan Dalmacinë, por pa u vendosur.[31] Në shekullin VII, avarët e sllavët tashmë kishin përvetësuar teknikën dhe aftësitë e nevojshme për rrethimin dhe shkatërrimin e qyteteve. Nga viti 614 deri 618 sllavët arritën të pushtojnë tërë provincën e Dalmacisë.[32] Në vitin 626 avarët e sllavët rrethuan Konstantinopolin nga ana evropiane, kurse nga ana aziatike persianët, duke e vënë në pozitë kritike Perandorinë Bizantine. Ky rrethim dështoi dhe avarët u zbrapsën. Nga kjo kohë avarët filluan të dobësoheshin. Gjatë kësaj kohe me lejen e Heraklit u vendosën në gadishull edhe fiset e fundit sllave: kroatët dhe serbët.[33] Sllavët kudo që u vendosën formuan njësitë territoriale të tyre të quajtura “Sklavini”.[34] Shtrirja territoriale e grupacioneve sllave
Sllavët mendohet se nuk mbanin të gjithë të njëjtin emër por kanë qenë të ndarë në dy grupe të quajtura sllavinë dhe antë. Të parët u vendosën në pjesën perëndimore të gadishullit ballkanik, duke formuar popujt e mëvonshëm serbo-kroatë, ndërsa antët janë ai grup nga i cili u formuan bullgarët e mëvonshëm. [35] Sipas studiuesve sllavinët apo sllavët e mirëfilltë që në fillim kanë qenë të ndarë në sllavë të jugut, të perëndimit dhe të lindjes. Sllavët e perëndimit u dyndën në pjesën perëndimore të gadishullit më së shumti në Slloveni. Kjo shihet në gjuhën që flasin ende sot sllovenët që është e ndryshme nga gjuhët tjera jugosllave.[36] Në Shqipërinë e mesme e të jugut në numër më të vogël dhe në Maqedoni, Greqi dhe Thraki në numër më të madh u vendosën antët, dmth ai grup nga i cili më vonë do të krijohen bullgarët e sotëm.[37] Nga këto fise, Velegizitët u vendosën në Thesali[38] deri tek Theba në jug, pastaj Dragovitët, Sagudatët, Berzitët[39] të njohur në ditët e sotme si Bërsjakë u vendosën në Maqedoni, Vajunitët në Çamëri,[40] ndërsa në Peloponez u vendosën Ezeritët sllavë dhe Milingët për të cilët A. Kolja shpreh mendimin se janë iliro-arbër të shtyrë në drejtim të jugut nga presioni sllav.[41] Në provincën e Dalmacisë u vendosën sllavë të jugut, që më vonë njihen si serbokroatë. Aty janë vendosur fillimisht fise sllave më të vogla, për emrat e të cilëve nuk dihet aq shumë. Në fund serbët janë vendosur në Sanxhakun e sotëm, dhe kroatët në bregdetin e Dalmacisë veriore. Më vonë siç tregon Porfirogeneti detajisht, në këtë zonë u krijuan popuj apo njësi politike si Rashka, që ishte Serbia e mirëfilltë në Sanxhakun e sotëm, Travunia, Zahumla, dhe Pagania, gjendeshin mes Rashkës dhe Kroacisë, dhe në fund Kroacia. Me përjashtim të Kroacisë që kishte emrin nga fisi kroatëve, njësitë tjera territoriale kishin emra autoktonë të bastarduar nga sllavët. Rashka nga qyteti Arsia, Travunia nga qyteti Terbunie, Zahumla nga fjala latine “culme” që dmth kodër,[42] dhe Pagania nga fjala latine “pagan” sepse ishin të vetmit që nuk e pranuan krishterimin në kohën kur e pranuan edhe sllavët tjerë. Paganët quheshin edhe Narentanë që sërish është emër autokton dhe rrjedh nga emri i lumit Narenta, apo Neretva e sotme.[43] Pra këtu janë krijuar emra territoresh fillimisht duke u bazuar në emra apo fjalë të mëhershme latine ose ilire, dhe më vonë nga këta marrin emrin edhe banorët.
Një grup tjetër sipas studiuesve u vendos në Dardani me pakicë, dhe duke ndjekur këtë rrugë u vendos në Preval apo Mali i Zi i sotëm.[44] Këto janë fiset Obodriti dhe Veleti, që jetonin në bregdetin e Gjermanisë së sotme lindore,[45] dhe më pas u vendosën në rrethinat e liqenit të Shkodrës.[46] Si gjurmë të këtyre fiseve mund të konsiderojmë krahinën Obod në Mal të Zi, që duhet të ketë lidhje me emrin e Obodritëve, mali Veletin afër Janjevës dhe mali Veleçik në Malësinë e Mbishkodrës që duhet të jenë mbetje toponimike nga dyndja e fisit të Veletëve. Këto fise duke qenë nga grupi i sllavëve të perëndimit, kanë folur një gjuhë të ngjashme me polonishten e sotme ose çekishten, ndërsa malazezët e sotëm flasin serbishten që u ka mbetur nga periudha Nemanjiçe si pasojë e asimilimit të fiseve shqiptare malësore dhe ardhjes së serbëve, prandaj malazezët e sotëm nuk kanë lidhje gjuhësore me këto fise sllave që u vendosën në Mal të Zi gjatë dyndjeve të mëdha. Gjithashtu në Mal të Zi apo Dioklenë e atëhershme nuk pati vendosje të mëdha sllavësh, sepse edhe më vonë në shek. XII Nemanjiçët kur pushtuan Dardaninë dhe Dioklenë gjetën aty një popullësi të huaj, ndërsa disa dokumente flasin edhe në mënyrë eksplicite për banorë shqiptarë.[47] Natyra e dyndjeve sllave
Sllavët nuk kishin perandori apo ndonjë shtet, por ishin të ndarë në fise. Prandaj qëllimi i pushtimit të gadishullit nga ana e tyre nuk mund të jetë vendosja e pushtetit siç ishte rasti me Romën apo Perandorinë Osmane. Roma ose Stambolli dërgonin ushtri për të vendosur pushtetin, kurse sllavët vinin vetë me gra e me fëmijë, zhduknin popullësinë vendëse për t’u marrë tokën dhe vendoseshin vetë aty.
Për të marrë këto toka, sllavët nuk zgjidhnin mjete. Në përgjithësi përmenden shkatërrime vendbanimesh, vrasje njerëzish, skllavërime, plaçkitje, djegie e shkretime tjera, por në veçanti mund të përmendim disa vepra mizore të tyre për të cilat ka shkruar Prokopi i Cezaresë. Në një rast dikur në vitin 549 apo 550 sllavët pasi kishin zënë rob komandantin e kalorësisë romake, Asbadin, i kishin rjepur lëkurën e kurrizit pastaj e kishin hedhur në zjarr për së gjalli.[48] Një vit më vonë, sllavët kishin mbushur rrugët e Ilirisë me grumbuj kufomash që i kishin vrarë.[49] Prokopi thotë gjithashtu se sa herë që janë dyndur sllavët në gadishull, ka pasur mbi 200 mijë njerëz të vrarë ose robër, dhe se vendi u shëndrrua në shkretëtirë. Një autor tjetër flet për sllavë që shëtisnin nëpër gadishull dhe plaçkisnin.[50] Më me interes këtu është ky citat nga Prokopi: “kanë kryer akte të padëgjuara kundrejt banorëve të këtyre vendeve”.[51] Kjo tregon një ndër metodat efikase për spastrim etnik, e kjo është terrorizimi i popullësisë civile, dhe përfundimisht largimi i tyre.
Të gjitha këto tregojnë se është bërë eliminim i popullësisë në çfarëdo mënyre vetëm që të pastrohet territori në mënyrë që pastaj sllavët të vendosën të qetë në tokat e reja. Prandaj ndryshimet etnike në gadishull në shekujt VI dhe VII duhet t’i konsiderojmë spastrim etnik dhe gjenocid, dhe jo thjesht dyndje.
Fati i popujve vendës – tkurrja dhe mbijetesa e tyre
Para ardhjes së sllavëve, në gadishull jetonin ilirët në perëndim, thrakët në lindje, dakët në Rumani, maqedonët në Maqedoninë e Egjeut, epirotët në Çamëri, dhe helenët në jug. Dyndjet barbare, dhe sidomos dyndjet e pandërprera sllave kishin zvogëluar shumë numrin e popullësisë vendëse. Thrakët dhe maqedonët u zhdukën nga skena historike dhe u zëvendësuan me popullësinë sllave që më pas u shëndrrua në bullgare. Në Ilirinë e veriut ilirët u zëvendësuan poashtu me popullësinë e ardhur sllave. Pak a shumë të njëjtin fat do ta kishin edhe grekët po të mos ishte asimilimi që iu bë fiseve sllave nga ana e Bizantit. Grekët kishin mbetur si ishuj në mesin e sllavëve, por epërsia kulturore i helenizoi sllavët, [52] prandaj autorë të ndryshëm vënë në dyshim prejardhjen e grekëve të sotëm nga grekët e lashtë.[53] Në Rumani mbijetoi vetëm popullësia e romanizuar.
Në Ilirinë e jugut, sllavët u dyndën në numër minimal, dhe pas kësaj gradualisht u larguan, kështuqë popullësia ilire i qëndroi kolonizimit. Nëpër fusha e lugina krahas arbërorëve banonin edhe masa të konsiderueshme sllavësh.[54] Ndër shkaqet e mbijetesës së iliro-arbëreve veç tjerash mund të jetë edhe tkurrja. Nga faktet që kemi në dispozicion dalin në pah tkurrje fisesh nga shumë treva të gadishullit, dhe këto shtuan numrin e popullësisë vendëse në trojet e sotme shqiptare duke i përballuar më lehtë kolonizimit sllav. Në fakt nuk ka burime nga autorë antikë që dëshmojnë tkurrjen me përjashtim të spostimit të popullësisë nga Dakia që përmendet nga disa autorë; gjithashtu edhe të dhënat arkeologjike nga kultura e Komanit nuk mbështesin një gjë të tillë; ndoshta nga fakti se fiset ardhëse do të ketë qenë në pakicë[55], dhe të rraskapitura nga luftërat e shpërngulja, kështuqë nuk kanë ndikuar në kulturën materiale. Por megjithatë ka të dhëna nga fusha të tjera si onomastika dhe toponomastika, tradita gojore, folklori, etj. Çështjen e tkurrjes e lidhim ngushtë me etnogjenezën e popullit arbëror.
Ilirët e veriut në trojet e sotme shqiptare
Ndër të tjera Milan Shuflaj pa përmendur shprehimisht ndonjë lëvizje popullësie, thotë se qyteti Sarda në Shqipërinë veriore na kujton Sardeatët,[56] të cilët shtriheshin në Dalmaci, ndërsa në afërsi të këtij qyteti gjendet kështjella e Delmaces, që shpjegohet me emrin e fisit ilir të Dalmatëve. Por këto dy fise, ka mundësi që kanë ardhur nga Dakia, pasiqë gjatë sundimit romak ishin të vendosur në Daki si xehetarë në numër të madh, dhe kishin ruajtur identitetin e tyre gjë që vërehet në antroponiminë dhe në kultet ilire të ruajtura në Daki në mesin e këtyre fiseve ilire.[57] Për dëbimin e ilirëve nga trevat e Dalmacisë flet tradita gojore serbe e ruajtur në Hercegovinë: “Kjo traditë flet që fisi sllav novlan u vendos në krahinën e Travnikut prej nga u shkul prapë drejt detit dhe arriti në grykën e lumit Neretva. Këtu hyri në luftë me vendasit e fisit Matarug, të cilëve u mori tokat. Pa vonesë novlanët shkuan drejt lindjes dhe u vendosën në rrafshin e Banjskës, por një pjesë e tyre vete nga veriu nën Dormitor. Këtu prapë hynë në luftë me vendasit e quajtur Kriçe dhe i mundën.” Për fisin Matarug M. Shuflaj thotë se bën pjesë ndër fiset me “një përzierje të fuqishme shqiptare”[58] (sic), ndërsa mendimi jonë është se kemi të bëjmë me fisin Matrënga që shfaqet edhe me variante tjera të këtij emri si Matranga apo Mataranga, dhe njihet si një ndër familjet fisnike shqiptare të mesjetës.
Në Shqipërinë e veriut Dom N. Gazulli përmend edhe dy raste kur fshatarët malësorë punojnë tokën e përbashkët, dhe me këtë bën krahasim me Dalmatët që poashtu nuk njihnin pronën private por tokat i kishin të përbashkëta dhe i ndanin çdo tetë vjet.[59] Si mbetje nga fisi i Daorsëve e kosiderojmë një fis të Lumës të quajtur Darsët që thuhet se janë të zhdukur tashmë.[60]*[61] Për tkurrje të fiseve ilire veriore flasin edhe mikrotoponime si: Fusha e Bosnjes në Postrripë, Lami i Boshnjeve, Lagja e Bozhnjakëve në Zadrimë, etj. pasiqë Bosnia është një emërtim ilir.[62] Thrakët në Shqipëri
Sipas M. Shuflajt, Sappa në Shqipërinë veriore na kujton thrakasit Sapej.[63] Sappa më vonë kah shek. XIV del si qytet i banuar vetëm nga shqiptarë.[64] Në lidhje me Sapën më gjerësisht flet meshtari Gaspër Gurakuqi. Ai thotë që toponimi Sapa gjendet me shumicë edhe tek thrakët edhe tek ilirët përse këta ishin vëllezër të një gjuhe, mirëpo kishte gjetur një fakt më tepër që Sapa lidhet me thrakët, se emri Kotys që mbanin mbretërit thrakas, ai e kishte gjetur si personazh me emrin Kotuz, ndër këngët kreshnike që këndoheshin në ato zona.[65] Ka mendime se edhe Kelmendi si dhe një pjesë e fisit Berishë janë të ardhur nga Thrakia.[66] Kjo bazohet në traditën gojore sipas së cilës «Berisha janë të ardhun prej Murrdedi»[67]. Sipas Dom N. Gazullit ky emër do të thotë Deti i Murrmë, apo siç e quajmë sot Deti i Zi.[68] Kjo ishte sa i përket thrakëve të ikur gjatë dyndjeve të popujve. Megjithatë një numër i madh thrakësh kanë qenë në vend që nga fillimi; këta janë dardanët, të cilët siç dihet ishin me identitet të dyfishtë thrako-ilir[69], përkatësisht degët lindore Galabrët[70] dhe Thunatët ishin më tepër thrakë. Mbijetesa e popullësisë thrake e më vonë shqiptare në këto treva (Nish, Shkup etj), vërtetohet edhe nga evoluimi i emrave sipas ligjeve fonetike të shqipes si p.sh Naissus > Nish, Astibos > Shtipi,[71] etj. e poashtu është vërtetuar nga studiuesi I. Rexha, i cili ka gjetur toponime shqiptare të shumta në trevat lindore të Dardanisë dhe Maqedonisë nga periudha mesjetare[72]. Kjo popullësi thrako-shqiptare vazhdoi jetesën në këto treva deri në vitin 1878 kur u dëbuan nga serbët.
Dakët në Shqipëri
Ardhja e dakëve në trojet iliro-shqiptare, më konkretisht në trevat shqiptaro-veriore, është e vetmja e dokumentuar me burime historike. Sipas të dhënave në dispozicion mund të themi se dakët kanë ardhur në katër valë.
Vala e parë e ardhjes së dakëve daton nga koha e romakëve, dhe dëshmohet nga toponimi dakas Thermidava. Kjo ka qenë koloni e vetmuar, por ka rëndësi për hershmërinë e saj. Thermidava apo siç është quajtur nga dakët Germidava[73] përmendet nga Ptolemeu në shek. II të e.s.[74] Ky lokalitet i përgjigjet qytetit mesjetar Danja apo Deja e sotme në afërsi të Shkodrës.[75] Vala e dytë e dakëve ka ardhur pas suprimimit të provincës romake të Dakisë më 274. Burimet historike dëshmojnë se me këtë rast Aureliani themeloi Dioçezën e Dakisë ku bënin pjesë provincat e Prevalit, Dardanisë, Mysisë, Dakia Analumase dhe Dakia e Brendshme[76]; aty menjëherë u vendosën shtetasit romakë[77] nga Dakia të cilët në pikëpamje etnike duhet të kenë qenë romakë, dakë dhe ilirë. Në mesin e këtyre të fundit, të vendosur në Daki si xehetarë, që i përmendëm pak më parë, bëjnë pjesë Dalmatët, Pirustët, Baridustët, Maniatët, Sardeatët dhe Ansët.[78] Për praninë e gjerë të dakëve flet edhe Theodoreti, një historian kishtar nga shekulli V, i cili thotë se Serdika, apo Sofja e sotme në Bullgari, që ai e quan qytet të Ilirikut ishte qyteti më i madh i fisit të dakëve[79].
Në valën e tretë kanë ardhur Karpianët, poashtu një fis dakas. Këta jetonin në Rumaninë lindore dhe Moldavi.[80] Emri i tyre që ka lidhje edhe me malet Karpate shpjegohet me fjalën shqipen karpë që d.m.th. shkëmb[81]. Në vitet 295-296 u mundën në luftime me romakët, dhe pasi u zunë robër, u vendosën nëpër krahinat e gadishullit ilirik.[82] Aurel Viktori dëshmon se fisi karpian ishte vendosur i tëri në territorin romak.[83] Në valën e katërt e cila nuk përmendet në ndonjë burim historik, dakët shpërngulen si pasojë e trysnisë sllave nga lindja, qysh në fillim të shek. VI. Kjo trysni ndjehet edhe më në jugperëndim, prej nga na vjen e vetmja dëshmi, p.sh. tradita gojore shqiptare e ruajtur ndër gazullorët flet për ardhjen e fisit Kabash nga rrethinat e Nishit, si pasojë e trysnisë sllave[84] ndërsa Dom Nikollë Gazulli e lidh emrin e këtij fisi me krahinën Kabetzos[85] që gjendej diku në Dakinë Analumase ose në Dakinë e Brendshme[86]. Në këtë kohë, në të njëjtën valë shpërnguljesh, së bashku me dakët duhet të kenë ardhur edhe vllehët.[87] Këta duke qenë popullësi blegtorale, kanë pasur nevojë për hapësirë të madhe jetësore (kullosa), prandaj krahas shtimit natyror të popullësisë, janë zgjeruar gradualisht nëpër tërë gadishullin në kërkim të kullosave të reja.[88] Për vendosjen e dakëve flasin edhe të dhënat onomastike. Vetë antroponimi Dak ose Dakë i përdorur tek shqiptarët, në fshatin Radomirë të krahinës së Lumës është një fis që quhen Dakët, pastaj shpella e Dakut, gropa e Dakut, Guri i Dakajt, etj. të përhapura nëpër Shqipërinë veriore.[89] Maqedonët në trojet shqiptare
Për ardhje të maqedonëve në trojet shqiptare si evidencë konkrete në radhë të parë është emri i krahinës së Matit që ndryshe quhet Matje-Matja[90], që duhet të rrjedhë nga Emathia[91] që ishte emri origjinal (ilir) i Maqedonisë antike.[92] Me prejardhje maqedone mendohet të jetë fisi i Thaçit në Shqipërinë veriore. Dom N. Gazulli e shpjegon këtë me faktin se të parët e këtij fisi që sipas traditës gojore kishin ardhur nga drejtimi jugor në Shqipërinë veriore, ndryshe quheshin «Të bijtë e Gjibales» që e shpjegonte me emrin e Kybelës, që ishte një hyjneshë frigjiane dhe meqenëse këta të fundit jetonin pjesërisht edhe në Maqedoni atëherë lidhja është e qartë.[93] Ka edhe fjalë tipike maqedone që janë trashëguar në shqipen e sotme si p.sh. dramis me të cilën emërtohej një lloj buke, në shqip ka dhënë fjalën dromcë[94], pastaj keble që do të thotë kokë,[95] në gjuhën shqipe ka dhënë të paktën këtë fjalë me të cilën ngjan dhe ka analogji kuptimore, veçanërisht në pikën e dytë:
KABLÔSH-I em, 1. lesh i gjatë që ka delja në krye; 2. balluke[96] Natyrisht që fjalë të përbashkëta mes shqipes e maqedonishtes antike ka shumë më tepër e mund të gjenden në fjalorin e Hezikut[97], por këtu na interesuan fjalët/variantet që mendojmë se janë vetëm të maqedonishtes e që kanë hyrë në shqip, në mënyrë që të evidentojmë sadopak pjesëmarrjen e maqedonëve të lashtë në formimin e popullit arbëror.
Në bazë të këtyre fakteve, mund të themi që popullësia arbërore e mesjetës, nuk është vetëm me prejardhje ilire, por më tepër paraqet mbijetuesit e fundit dhe trashëgimtarët e vetëm të popullatave paleo-ballkanike, si ilirët, epirotët, thrakët, maqedonët, dakët dhe myzët, duke patur për bazë ilirët. Nëse këto popullata paleoballkanike i marrim si një tërësi e jo të veçuara[98], atëherë del se kemi të bëjmë me tkurrje të territoreve të popullësisë autoktone e jo me dyndje dakësh e thrakësh siç mund të pandehet.[99] Për mendimin tonë vetë afërsia mes këtyre popujve nga gjaku, gjuha, folklori, etj. me fjalë tjera, një origjinë e përbashkët që shkon thellë në mileniumet e parahistorisë duhet të jetë arsyeja e shkrirjes së plotë të këtyre popullatave. Bie fjala, vllehtë dhe grekët mbijetuan deri në ditët e sotme pikërisht sepse kishin gjuhë të ndryshme, ndërsa popullatat tjera paleo-ballkanike, me fillimin e mesjetës, zhduken plotësisht nga skena historike, duke i lënë vendin arbërorëve.
Në gjithë këtë mori të popullësive të tkurrura nuk duhet të harrojmë popullësinë e cila gjendej në vend që nga fillimi. Më lart përmendëm vazhdimësinë thrako-shqiptare në Dardaninë lindore. Edhe ilirët kanë vazhdimësi në trojet e sotme shqiptare, siç vërehet:
a) nga toponimet kristiane të cilat me shtrirjen e tyre dëshmojnë praninë e vazhdueshme të iliro-shqiptarëve sa në bregdet sa në vise malore (u përmendën tek kapitulli «Përhapja e krishterimit në Shqipëri»);
b) nëse i referohemi toponomastikës gjejmë edhe rajonin ku u ngjiz etnia arbërore; bie në sy kalimi s > sh, si p.sh. Naissus > Nish, Scupi > Shkup, Scampinus > Shkumbini; pastaj bie në sy rënia e tingullit a kur gjendet në fillim të emrit si p.sh. Aulona > Vlorë, Autariat > Tara (lumë), Antibarus > Tivar, Astibos > Shtipi, etj.[100] c) Kultura e Komanit për të cilën bëjmë fjalë më poshtë e cila vërteton vazhdimësinë iliro-arbërore.
d) dhe në fund nëse i referohemi traditës gojore gjithkund nëpër viset shqiptare ka fise dhe familje të caktuara që quhen «anas» që në gjuhën e popullit do të thotë autokton, e që një pjesë e tyre mund të jenë fare mirë nga kohërat e lashta[101] Është pikërisht përzierja e popujve të vjetër të gadishullit që solli deri tek emërtimi «arbër». Këta nuk mund të shërbeheshin me etnonimet e vjetra që nuk i njihte e tërë popullësia; i dhanë njëri tjetrit mjaft elemente të ndryshme kulturore,[102] duke krijuar kulturë të re, që nuk është krejt ilire, por vazhdimësi e saj deri diku e transformuar, dhe që e njohim si kultura e Komanit, ose kultura arbërore e mesjetës së hershme. Por ekziston edhe një faktor tjetër që ndryshoi emrin në «arbër»: pas ardhjes së sllavëve në gadishull mbretëron ekonomia natyrale dhe bashkësitë e lire fisnore e fshatare.[103] Kjo nënkupton edhe një lloj dezintegrimi të shoqërisë, parcializimi i saj në fise e regjione, prandaj emërtimi gjithëpërfshirës si ilir, thrak etj. nuk ka qenë i nevojshëm në këtë gjendje, dhe si pasojë e mospërdorimit është harruar tërësisht. Pas kësaj fillon një periudhë e integrimit, që zgjat me shekuj, dhe me këtë rast për popullin e ri që po krijohej nuk mund të përdorej ndonjë nga emërtimet e lashta për faktin e thjeshtë se ishin harruar tashmë, mirëpo hyri në përdorim emërtimi Alban apo Arbër, sepse ky fis ilir kishte një pozitë më të mirë gjeografike, në qendër të trojeve shqiptare dhe pranë rrugës Egnatia. Kjo nuk është për t’u kundërshtuar pasi edhe dy emra tjerë etnikë janë përhapur po nga e njëjta hapësirë: emri ilir me të cilin fillimisht quheshin vetëm taulantët dhe pyrejt[104] që banonin në fushën adriatike të Shqipërisë së sotme, si dhe emri shqiptar për të cilin M. Shuflaj shpreh mendimin se vje nga rrethinat e Shkodrës (Drishti).[105] Popullësia arbërore duhet të ketë marrë emrin nga vendi apo krahina, që duke qenë në veri të Shkumbinit ka pasur formën gege apo arkaike Arban, ndërsa vendësit janë quajtur «arbanasë» ngjashëm siç ndodh edhe sot p.sh. tiranas, prishtinas, etj. Në toskërisht emri është shëndrruar në Arbër, dhe emri etnik në arbëreshë.
Kultura e Komanit
Kultura e Komanit është kultura materiale e arbërorëve të mesjetës së hershme. Kjo i përket kohës së kalimit nga identiteti thrako-ilir në atë arbëror dhe kalimit nga antika në mesjetë.[106] Kultura e Komanit dëshmon se arbërorët ishin të krishterë. Ylli pesëcepësh[107] si simbol i pesë plagëve të Krishtit[108], mungesa e enëve në inventarin e varrezave, stolisjet në formë kryqi, prania e nekropolit afër dy kishave, janë fakte që tregojnë se kjo kulturë i përket kohës kur krishterimi u shtri edhe në vise malore. Ngjashmëria me kulturën materiale ilire sidomos fibulat, dhe në anën tjetër ngjashmëria me kulturën materiale të malësorëve shqiptarë të mesjetës dhe të kohëve më të vona, sidomos paftat dhe mënyra e ndërtimit të varrezave, dëshmojnë për vazhdimësinë nga ilirët tek shqiptarët.[109] Përjashtohet mundësia që bartësit e kulturës së Komanit të kenë qenë popullësi e romanizuar[110] për tri arsye:
a) numri shumë i vogël i toponimeve romake, si p.sh. në krahinën e Pukës me përjashtim të vetë emrit Pukë që rrjedh nga latinishtja «via publica» nuk ka asnjë gjurmë tjetër romake[111] b) fakti se popullësia e romanizuar në masë të madhe u largua si pasojë e trysnisë sllave, nga tokat e brendshme në drejtim të qyteteve bregdetare dhe ujdhesave[112]’[113] dhe
c) siç dëshmon Hieronimi ilirët e shek. V ende e flisnin gjuhën e vet, [114] prandaj meqenëse nuk janë romanizuar në kohën kur Perandoria ishte në kulmin e fuqisë së vet, atëherë nuk ka asnjë gjasë teorike që të jenë romanizuar në kohën kur Roma po shembej nga barbarët; edhe fisi i Besëve në Thraki fliste gjuhën e vet së paku deri në vitin 570[115];

Krejt këto të dhëna dëshmojnë se popullësia vendase e ruajti gjuhën dhe identitetin e vet dhe se nuk ishte e romanizuar. Prandaj edhe Kultura e Komanit u takon arbërorëve të hershëm.
Në këtë mënyrë Kultura Komanit është në pajtim të plotë me burimet tjera historike se:
a) shqiptarët janë autoktonë të gadishullit ilirik
b) se në trojet e sotme shqiptare pati vazhdimësi të jetesës së popullësisë ilire-arbërore
c) dhe se në këta shekuj të mesjetës së hershme qysh para ardhjes së sllavëve filloi kristianizimi i popullësisë iliro-arbërore
.
Konkluzion
Ngjarjet e mëdha të shekujve VI dhe VII, patën si epilog katër ndryshime të njëkohëshme: etnik, politik, shoqëror dhe fetar.
Ndryshimi etnik është se nga kjo kohë, në gadishull jetojnë popuj të rinj, qoftë mbi bazën e popujve autoktonë (arbërorët, grekët, vllehët), qoftë të ardhur (sllavët). Sllavët e pushtuan dhe e populluan pjesën më të madhe të gadishullit, në përgjithësi pjesën veriore. Popullatat paleo-ballkanike apo proto-shqiptare si ilirët, thrakët, dakët, maqedonët dhe epirotët, pësuan fatkeqësi të rëndë duke u tkurrur në trojet e sotme shqiptare, dhe duke jetuar kështu në një hapësirë jetësore shumë më të vogël se sa e kishin në kohën antike, por kësaj radhe për shkak të rrethanave e gjetën veten të unifikuar në një etni të vetme. Në pjesën jugore të Ilirisë, gjegjësisht trojet historike shqiptare, pati vazhdimësi jetese të pandërprerë, d.m.th. se mbi këtë bazë ilire u ngjiz populli arbëror, pavarësisht ardhjeve apo tkurrjes territoriale.
Ndryshimi politik qëndron në faktin se përkohësisht pushteti bizantin nuk ekzistonte në gadishull. Sllavët dhe arbërorët jetuan të lirë për afër dy shekuj. Vendosja e sistemit fisnor-fshatar si pasojë e shkatërrimit të strukturave shtetërore dhe ardhjes së sllavëve, vonoi kalimin në sistemin feudal, e kjo do të thotë që u vonua krijimi i shtetit shqiptar deri në shek. XII.

Ndryshimet shoqërore qëndrojnë në faktin se marrëdhëniet skllavopronare u shuan përfundimisht në tërë gadishullin. Në Bizant u zëvendësuan me marrëdhënie feudale si pasojë e ndryshimeve që solli perandori Herakli, ndërsa në gadishull mbizotëroi sistemi fisnor pjesërisht i sjellur nga sllavët, dhe pjesërisht i ruajtur në mesin e ilirëve, ndërkohë që skllavopronarët janë dëbuar e shpronësuar.
Ndryshimi fetar është se gjatë kësaj kohe u bë edhe konvertimi i të gjitha popullësive të gadishullit në krishterim. Popujt vendës kishin kaluar në krishterim herët, gjatë shek. IV-V, ndërsa sllavët pas ardhjes së tyre në gadishull kaluan gradualisht në fenë krishtere njëri pas tjetrit. Gjithashtu gjatë kësaj kohe ndodhi kalimi i kishave të trojeve shqiptare nga varësia e Romës në atë të Kostandinopojës. Kjo i shkëputi në masë të madhe lidhjet e forta që kishin patur iliro-arbërorët me Romën dhe në kohëra më të vona u dha shqiptarëve një identitet më tepër bizantin-ortodoks në aspektin fetar.
(Fusnotat janë hequr)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura