KALAJA URARTIANE E SHEK. VIII-të p.e.s, NË TURQINË LINDORE
Sardurihinilli, i njohur gjithashtu si Haykaberd ose Çavuştepe Kalesi (shqip – Kalaja Çavuştepe), është një fortifikim i lashtë urartian i shtrirë në një kreshtë, në skajin verilindor të fshatit Çavuştepe në rrethin Gürpınar, të provincës Vani, në Turqinë lindore. Ndodhet afërsisht 25 kilometra në juglindje të Vanit përgjatë rrugës që të çon në qytetin e Hakkâri, në një luginë të njohur dikur si Hayots Dzor në Armeninë historike.
Ajo u themelua nga mbreti urartian Sarduri II (764–735 p.e.s) disa kohë gjatë mbretërimit të tij në shekullin e VIII-të para Krishtit dhe besohet të jetë identike me kalanë e Sardurihurdës që përmendet në mbishkrimet kuneiforme të të njëjtit mbret. U zbulua si rezultat i gërmimeve të kryera midis viteve 1961 dhe 1986 nën drejtimin e Arif Erzenit.
Kalaja u ndërtua në dy kodra në skajin perëndimor të malit Bol, në një vend që komandon si fushën e Gürpınar, ashtu edhe rrugët që kalojnë përmes fushës. Gjatë periudhës urartiane, kështjella u emërua si “Sardurihinili”, që përkthehet si “qyteti i Sardurit”, për nder të themeluesit të saj. Kalaja mbulon një sipërfaqe prej afërsisht një kilometër të gjatë dhe mbrohet nga mure të forta dhe dy kanale, të gdhendura në shkëmb në lindje dhe perëndim të mureve.
Kalaja Çavu ştepe, është e njohur për muraturën e saj të jashtëzakonshme, një shenjë dalluese e zgjuarsisë arkitekturore urartiane dhe tregon teknikat e avancuara të ndërtimit me gurë të zhvilluara gjatë asaj kohe.
Muratura në vend përmban blloqe bazalti dhe gëlqerore të prera imët, të montuara me përpikëri pa llaç. Ky ndërtim prej guri të thatë jo vetëm që siguroi qëndrueshmëri, por gjithashtu demonstroi saktësinë dhe aftësinë e urartianëve.
Mbetjet e kështjellës urartiane janë të rralla dhe të shpërndara në majë të një kodre (Çavuştepe do të thotë kodër mbrojtëse). Muret e kalasë kanë një lartësi prej 5-6 metrash dhe duken nga autostrada. Brenda mureve, të ndërtuara në dy maja të një mali, ndodhen dy fortesa, të quajtura kështjellat “e Epërme” (yukarı kale) dhe “të poshtme” (asağı kale).
Kalaja e Epërme, e vendosur në seksionin lindor, është relativisht më e vogël në sipërfaqe se Kalaja e Poshtme. Ndodhet në një zonë drejtkëndëshe dhe rrethohet nga fortifikime të forta. Brenda murit të fortifikimit, ekziston një tempull me portik me plan katror kushtuar kryezotit urartian Haldi dhe hapësirave fetare të lidhura me to.
Kalaja e Poshtme, e vendosur në perëndim, përmban një strukturë të njohur si “Uçkale”, e cila mendohet se ka shërbyer një funksion fetar. Përveç kësaj, ekziston një pallat dhe njësi të ngjashme si dhomat e magazinimit, punishtet, kuzhinat, një tualet dhe cisterna. Për më tepër, Kalaja e Poshtme strehonte një tempull të dytë kushtuar perëndisë Irmushini. Nekropoli i kalasë ndodhet afërsisht 1 km në veri.
Brenda nekropolit u identifikuan katër lloje varresh të dallueshme: varre me dhomë, varre me urna, sarkofagë dhe varre të thjeshta prej balte.
Urartianët gjithashtu e bënë pjellore fushën poshtë pallatit të tyre duke gërmuar kanale vaditëse nga lumi Hoşap. Midis kështjellës së sipërme dhe të poshtme, ka mbetjet e një numri të konsiderueshëm ndërtesash punishtesh dhe jo vetëm.
_________
https://en.m.wikipedia.org/wiki/%C3%87avu%C5%9Ftepe
***
https://www.turkishmuseums.com/…/2252-van…/2252/1
***
https://turkeyphotoguide.com/cavustepe
***
https://www.kulturportali.gov.tr/…/gezi…/cavustepe-kales
***
https://muze.gov.tr/muze-detay?SectionId=VCK01&DistId=MRK
***
https://www.urartular.com.tr/…/cavustepe-sardurihinili…
Sheradin Berisha © Pashtriku.org