KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (2)

Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005

Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së

KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (2)

Intervistën e zhvilloi: Feim TAHIRSYLAJ

Marrëveshja që u thye ende pa u tharë ngjyra mbi letër

Në Junik, ne pjesëmarrësit e takimit, pra komandati i ZOD-it, Ramush Haradinaj e Sali Veseli, në njërën anë, dhe unë e Tahir Zemaj, në anën tjetrë, kemi rënë dakord dhe jemi pajtuar plotësisht se duhet së bashku të zhvillojmë operacionet luftarake kundër forcave serbe. Mirëpo, qëllimi i Tahir Zemës ka qenë që ai me njësinë e vet, të cilën e ka udhëhequr, të dislokohet në Prapaqan dhe ne jemi vendosur aty. Pas vendosjes në Prapaqan, kemi mbajtur në vazhdimësi takime lidhur me angazhimin e oficerëve. Është arritur marrëveshja dhe oficerët janë shpërndarë nëpër njësitë tjera të UÇK-së. Pra, sipas marrëveshjes, jemi inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër batalione e birgada, dhe kemi filluar të japim kontributin tonë. Por, mjerisht, kjo ka zgjatur një kohë shumë të shkurtër, sepse, vetëm pas një jave, u bë prishja e marrëveshjes nga Tahir Zema. Zema ndryshoi qëndrimin.

“24 Orë”: Domethënë u larguat nga Prapaqani?

Shaqiri: Po. Mua edhe sot më vjen shumë keq që nuk pata mundësi t’i lajmërohesha komandant Ramushit për t`i thënë se unë po shkoj në Drenicë. Mirëpo, ai ka qenë i njoftuar menjëherë porsa jam paraqitur në Shtab. Në Shtab më kanë bërë një pritje aq madhështore, sa s’mund t’ua kthej, e të mos flasim për popullatën se si e kanë pritur me gëzim ardhjen time, ngase deri atëherë në Drenicë nuk kishte patur asnjë oficer, po mendoj me akademi. Unë i vetmi dhe i pari jam inkuadruar aty, ku ishin edhe të gjithë komandantët e Zonës Operative të Drenicës. Unë u pata thënë atyre se nuk kam ardhur as për komandant, as për grada-unë jam vetëm një argat juaji dhe i Atdheut. Pas paraqitjes aty, kam pushuar tri ditë në shtëpi, ku nuk kisha qenë dhjetë vjet, dhe pas dy javësh me kanë emëruar si zëvendësshef i Shtabit për Operacione në Zonën Operative të Drenicës. Kam pasur kontakte edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi.

Jam takuar edhe me z.Hashim Thaçi, z.Jakup Krasniqi, z.Ramë Buja, me të gjithë. Kam punuar në operacionet, pozicionet mbrojtëse, si të mbrohemi, si të tërhiqemi, si të sulmojmë. Por, për mua ishte çështje kruciale organizimi i njësive ushtarake. Të gjitha ato plane i kam nxjerr në letër dhe i kemi zbatuar në praktikë, nëpër tërë rajonin e ZO të Drenicës. Ato i ka marrë edhe z.Bislim Zyrapi dhe i ka shpërnda nëpër zona, dhe kështu është bërë strukturimi e rreshtimi i UÇK-së. Punët ecnin shumë mirë, kemi luftuar me potencialin që kemi patur.

Në Drenicë kam ushtrur detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Zonës Operative deri më 12 tetor të 98-së, do të thotë deri pas ofensivës së tetorit. Pastaj kam shkuar për disa ditë te familja në Zagreb,ngase ashtu m’u imponua situata. Jam kthyer përsëri, me qëllim që të inkuadrohem në luftë, por pasi që nuk kam mundur të jem prezent fizikisht aty në Drenicë, të paktën jam inkuadruar në betejën e Koshares nja 18-20 ditë. Pastaj i kam dhënë një propozim Bislim Zyrapit, shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ministrit të Mbrojtjes, Azem Syla, dhe me një grup eprorësh jemi gjendur në Zonën Operative të Pashtrikut, ku e kemi bërë edhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në rajonin e Pashtrikut.

“24 Orë”: Z. Shaqiri, a ka mundësi t`i shpalosim këto rrëfime paksa më kronologjikisht. Pasi jeni futur në Kosovë, kur dhe ku jeni takuar për herë të parë me komandantin e ZO të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe kush ishte më të?

Shaqiri: Po. Në Junik jemi takuar me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, me Naim Malokun, Sali Veselin, Rifat Sylejmanin. Ne kemi hyrë një grup prej 23 eprorësh: Fadil Hadërgjonaj, Tahir Zemaj, Ramabaja, Ismet Ibishi, Sefadin Kuçi dhe shumë eprorë të tjerë, emrat e të cilëve nuk po me kujtohen.

“24 Orë”: Në një intervistë, Nazifi (Ramabaja) thotë se atje në Jasiq e Junik keni takuar ushtarë të humbur apo të braktisur nga eprori tashmë dëshmor Fadil Nimani (Tigri) dhe nga Magjupi dhe se keni pasur konfrontim me ta,a është i vërtetë ky pohim?

Shaqiri: Unë jam njohur me të gjithë eprorët. “Konfrontimi” im, po them në thonjëza, ka qenë me eprorët e mi në Tiranë, e edhe pas hyrjes në Dukagjin sa i përket asaj që luftën e kam parë si ajo zhvillohej në Kosovë, në trojet e Kosovës, duke filluar nga Dukagjini, Drenica, Shala dhe zonat tjera që ishin të përfshira në luftë. Nuk jam pajtuar me atë që ne si oficerë të rrimë duarkryq, por t’i japim kontributin kësaj lufte, të inkuadrohemi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa pretendime titujsh e gradash, apo të marrim rolin e udhëheqjes së luftës, por me njohuritë tona të ndihmojmë operacionet luftarake që zhvilloheshin në kohën sa unë isha në Rrafshin e Dukagjinit, sepse, fundja, populli nga ne këtë e priste, e dhe edhe komandantët në ZOD, komandanti Ramush Haradinaj, por edhe të tjerët që ishin e që po luftonin qysh më herët se ne. Kështu që konfrontime ka pasur sa u përket atyre papajtueshmërive që eprorët të vijnë si eprorë në Rrafshin e Dukagjinit apo në ndonjë zonë tjetër e të rrinë duarkryq, dhe vetëm të vështrojnë se si po zhvillohen operacionet ushtarake. Në realitet unë e kam ndier si obligim që ne eprorët të inkuadrohemi në radhët e UÇK-së dhe të japim pjesën e kontributit tonë, në mënyrë që lufta e popullit tonë të forcohet gjithnjë e më shumë, ngase një gjë të tillë e ka pritur dhe e mirëpriste edhe vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga grupi ynë i parë i eprorëve që u futëm më 21, përkatësisht më 22 qershor (1998) në Rrafshin e Dukagjinit, si në Jasiq, Junik, Prapaqan dhe në disa mjedise të tjera të këtushme që tashmë ishin të përfshira në luftë.

“24 Orë”: Të lutem, a bën të jeni paksa më konkret. Z.Shaqiri, unë pyeta: kur keni hyrë dhe kur keni mbërri në Junik, në Jasiq, a keni pasur ndonjë konfrontim me UÇK-në e ZOD, sepse Nazif Ramabaja thotë se jeni konfrontuar aty me Fadil Nimanin – Tigrin dhe me Magjupin?

Shaqiri: Jo. Nuk kemi pasur asnjë lloj konfrontimi dhe as që di për çfarë konfrontimi bën fjalë ai Ramabaja. Kemi pasur takime të punës, në të cilat është dashur të vendoset se si të sistemohen eprorët ushtarakë nëpër njësi të Zonës Operative të Dukagjinit. Por, konfrontime të drejtpërdrejta me dikënd nuk kemi patur asnjëherë. Ndoshta ka patur ndokund ndonjë lëshim, por ajo nuk do të thotë që ne jemi konfrontuar mes vete, dhe tash t’i interpretojmë gjërat krejt ndryshe. Nuk pajtohem me atë që thotë Ramabaja, por jo vetëm me këtë, se kinse paska patur konfrontime mes nesh dhe UÇK-së.

“24 Orë”: A është e vërtetë se në Jasiq ka qenë me komandant Ramushin edhe Lahi Ibrahimi?

Shaqiri: Lahi Ibrahimi nuk ka qenë aty me Ramush Haradinajn. Në Jasiq, përkatësisht në takimin e parë në Junik me z.Ramush Haradinajn, ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, kemi qenë unë e Tahir Zema nga njëra anë, dhe Ramushi e Sali Veseli, në anën tjetër. Më vonë është bashkëngjitur edhe Naim Maloku, por për shkak se ishte i zënë me operacionet e luftës në atë rajon, ai ka shkuar dhe takimi ka vazhduar deri në fund vetëm me ne të katërt. Pra, kemi qenë: Ramushi, Tahiri, Sali Veseli dhe unë Kemajl Shaqiri.

***

“24 Orë”: Si rodhi takimi në Junik, çka u bisedua aty, dhe a pati ndonjë përfundim konkret?

Shaqiri: Ka qenë takim konstruktiv dhe shumë i suksesshëm. Aty janë bërë marrëveshjet që ne eprorët ushtarakë të futemi nëpër njësitë ekzistuese të ZOD, në Lug të Baranit, në Shqiponjë, në brigadat qendrore në Gllogjan. Kjo me gëzoi pa masë, sepse u arrit marrëveshja, dhe ajo filloi të realizohej.

“24 Orë”: Pra, ju thuani se me marrëveshje u dakorduat që të jeni nën hierarhinë ekzistuese të Komandës së UÇK-së dhe bashkërisht t’i kundërviheni armikut, apo?

Shaqiri: Po. Në atë takim ne pjesëmarrësit kemi rënë dakord dhe jemi pajtuar plotësisht se duhet të zhvillojmë së bashku operacionet luftarake. Mirëpo, qëllimi i Tahir Zemës ka qenë që ai me njësinë e vet, të cilën e ka udhëhequr, të vendoset në Prapaqan, dhe ne jemi vendosur në Prapaqan. Pas vendosjes në Prapaqan, kemi mbajtur në vazhdimësi takime lidhur me angazhimin e oficerëve. Është arritur marrëveshja dhe oficerët janë shpërndarë nëpër njësi të tjera të UÇK-së. Pra, sipas marrëveshjes, jemi futur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër batalione, nëpër brigada dhe kemi filluar të japim kontributin tonë.

“24 Orë”: Sa zgjati kjo marrëveshje dhe çfarë ndodhi pastaj?

Shaqiri: Mjerisht, kjo ka zgjatur një kohë shumë të shkurtër. Sepse, dikund vetëm pas një jave u prish marrëveshja nga Tahir Zema. Zema e ndryshoi qëndrimin.

“24 Orë”: Pse?

Shaqiri: Sepse Zema donte të dëgjonte vetëm urdhrat e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, që vinin nga Tirana, e jo të vëhet në dispozicion të Komandës së komandantit të ZOD, Ramush Haradinaj. Se si kanë vajtur punët dhe çfarë ka ndodhur më tutje, unë nuk e di, ngase kam kaluar në Zonën Operative të Drenicës.

“24 Orë”: Nga kjo që thatë del se komandanti i ZOD, Ramush Haradinaj, paska pasur qëndrim konstruktiv sa i përket organizimit dhe ngjeshjes së radhëve sa më mirë të faktorit ushtarak shqiptar kundër forcave okupatore serbe, ndërkohë që krahu ushtarak institucionalist i quajtur FARK nuk u tregua i tillë, a qendron ky konkludim?

Shaqiri: Po, ashtu është. Komandanti i atëhershëm i ZOD, Ramush Haradinaj, ishte shumë konstruktiv dhe atë gjithnjë në funksion të bashkimit të forcave dhe të avancimit të luftës sonë, ngase ne kishim përballë një forcë shumë të pabarabartë. Por, vartësia dhe lidhshmëria me ministrinë e mbrojtjes të qeverisë së Bukoshit ka qenë aq e ngusht, saqë këta të dytët në asnjë aspekt nuk kanë dashur që të devijojnë urdhrat nga Tirana. Aty është edhe problemi që kanë lindur përçarjet, mospajtimet. Kjo nuk është dashur të bëhet, por është dashur që nën komandën e komandatit të Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneral Ramush Haradinaj, të inkuadrohen të gjithë eprorët. Kemi hyrë në Dukagjin 23 oficerë me akademi, dhe sikur ta kishim bërë këtë, punët do të kishin shkuar shumë më mirë. Por, përçarjet e kanë bërë të veten. Bile në një moment, po e përsëris, unë u pata thënë se lufta zhvillohet këtu, dhe ne këtu duhet të inkuadrohemi. Realiteti është ky. Nuk e them këtë sa për ta arsyetuar vetveten. Tërthorazi po e them se tashmë veç kur isha në Drenicë, pas ofensivës së Dukagjinit, me erdhi një urdhër nga Tirana prej Ministrisë së Mbrojtjes (të qeverisë në ekzil v.j.) në të cilin thuhej: ”Kemajl, kthehu edhe ti në Dukagjin, bashkangjitu e dilni në Tiranë”! Me fjalë tjera, kjo nënkuptonte këtë: Kemajl, mbathja për në Tiranë. Unë u pata thënë: Për Kemajlin nuk ka teori që të kthehet prapa. A lihet rezistenca, a lihet lufta, a lihet njësia, a lihet zona pa oficerë? Dhe, unë nuk e pranova atë ofertë assesi, bile s’kam dashur të dëgjoj për atë. Kam qëndruar aq sa kam qëndruar dhe e kam dhënë pjesën e kontributit tim, për Drenicë e kam fjalën.

Them edhe një herë se komandanti i atëhershëm i ZOD, Ramush Haradinaj, i ka pasur qëllimet e qarta, dhe këtë do ta thoja e do ta mbroja para botës: lufta dhe vetëm lufta për çlirimin e Kosovës. Asgjë më shumë. Ky ishte vizioni dhe qëllimi i komandant Ramushit. Por, e keqja është se grupi i eprorëve, ku edhe unë isha aty dy javë, nuk është angazhuar ashtu siç duhet. Me lutje, me bindje, me takime, të paktën edhe marrëveshjet kanë qenë aty, madje edhe me shkrim, që do të bëhemi bashkë-do të bëhemi një trup, një ushtri. Mirëpo, ndikimi i qendrës në Tiranë, përkatësisht i përfaqësuesve të Ministrisë së atëhershme të Mbrojtjes ka qenë aq i madh, saqë askush nuk ka marrë guximin dhe t`i thotë Ramushit: zotëri komandant, u bindemi urdhrave tuaj dhe do të luftojmë së bashku në Rrafshin e Dukagjinit. Tani mund ta merrni me mend se çfarë ka qenë ndikimi i njerëzve të asaj ministrie që jepnin urdhra nga Tirana.

“24 Orë”: Si i komentoni ju disa fletarreste të lëshuara në atë kohë nga Komanda e kazermës së Prapaqanit, konkretisht për to apostrofohet emri i Nazif Ramabajës, për eprorët tashmë dëshmorë, si Naser Brahimaj-Bardheci, Agim Zeneli-Çergashi, Fadil Nimani-Tigri, me arsyetimin se kanë sulmuar forcat serbe?

Shaqiri: Unë më të vërtetë nuk kam njohuri për këtë, ngase nuk kam qenë në atë kohë aty.

“24 Orë”: Gjatë qëndrimit tuaj gati njëzetditor në Prapaqan, a kanë marrë pjesë ushtarët e kësaj brigade në ndonjë vijë të luftimeve?

Shaqiri: Kanë marrë pjesë në betejën e Loxhës (unë dhe eprori Musë Gjakova nuk kemi qenë në ato memente aty). Kjo ka qenë sukses i të gjithëve. Në atë betejë kanë marrë pjesë edhe eprorët dhe ushtarët e komandant Ramushit. Ajo betejë nuk është meritë vetëm e oficerëve dhe e ushtarëve të brigadës së Prapaqanit, por edhe e pjesëtarëve të UÇK-së, që më parë se ne kishin filluar konfrontimin luftarak me forcat serbe aty. Pra, është meritë e të gjithëve.

VIJON …

——————————-

Ekskluzive për gazetën „24 Orë“, janar 2005

Intervistë me ushtarakun Kemajl Shaqiri, tani epror i TMK-së

KEMAJL SHAQIRI, USHTATRAKU QË E „TRADHTOI“ FARK-un: DUA TË FLAS TË VËRTETËN (3)

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura