KMDLNJ: INFORMONI DREJTË, JO LINҪIME PUBLIKE!

(Prishtinë, 11.02.2013) – Reagim i KMDLNj-së – Roli i mediave elektronike dhe të shkruara është krijimi dhe informimi i opinionit i mbështetur në fakte. Kjo sidomos vlen për gazetarinë që nuk ka ndonjë përvojë të gjatë në Kosovë, gazetarinë hulumtuese. Në mungesë të një gazetarie hulumtuese dhe gazetarëve që për bazë e kanë profesionalizimin dhe një kodeks moral, një numër i gazetarëve prodhon tema dhe tituj mbështetur kryesisht në spekulime, burime të “mirinformuara”, vendore dhe ato ndërkombëtare e në fakt janë dezinformata që bëhen nga qarqe të ndryshme dhe grupe interesi me qëllim të përbaltjes së personave të caktuar duke ua rrënuar integritetin moral, familjar apo rrethin e tij. Kjo dukuri është sidomos e rrezikshme kur kemi të bëjmë me persona të privuar nga liria, ata që dyshohen për vepra të ndryshme penale të cilët ende pa përfunduar hetimet dhe ende pa një vendim të plotfuqishëm të gjykatës përgjegjëse portretizohen si kriminelë të rrezikshëm të cilëve “gazetaria hulumtuese” apo “eskadroni i gazetarëve të parapaguar për vrasje publike përmes linçimeve gjithashtu publike” e marrin rolin e hetuesve policorë, gjykatave, prokurorisë dhe të njësitit për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Linçimi publik ka shkaktuar shumë vuajtje për persona të caktuar dhe familjet e tyre, ka shkatërruar shumë karriera, ka falimentuar biznese dhe si pasojë ka pasur raste të vetëvrasjeve apo përpjekjeve për vetëvrasje. Ndërhyrja në jetën private, bërja publike e të dhënave private, bisedave telefonike apo komunikimeve elektronike ka qenë shkelje flagrante e privatësisë e cila ka mbetur e pandëshkuar. E pandëshkuar ligjërisht dhe moralisht. Është interesant fakti se shumica e atyre që i janë nënshtruar “linçimit apo ekzekutimit” publik, pas procedurës gjyqësore kanë dalë të pafajshëm dhe askush nuk ka bërë përpjekje t’ua kompensojë dëmin moral, vuajtjet shpirtërore ndërsa kompensimi material ka qenë shumë simbolik. Arrestimet dhe bastisjet që më parë i bënte policia e UNMIK-ut, KFOR-i, tash policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës në të shumtën e rasteve e kanë pasur efektin shkatërruese për rrënimin e personaliteteve të caktuara por më vonë është vërtetuar se argumentet për këto veprime kanë pasur fuqinë e flluskave të sapunit. Janë të njohura rastet kundër disa komandantëve të ish UҪK-së të cilët janë liruar pastaj. Është aktual rasti i Fatmir Limajt i cili së bashku me të akuzuarit tjerë u lirua dhe tash përsëri gjykohet. Rasti Haradinaj gjithashtu. Rasti Abazi ishte kurdisje tipike. Të “dyshuarit“ për vrasjen e Xhemajl Mustafës ku përfoleshin emra të caktuar. Skandali i madh dhe rasti Dino Asanaj. Arrestimi i pabazuar i mjekëve dhe si emër i njohur Tunë Pervorfi. Krejt këta dhe shumë të tjerë dolën të pafajshëm pasi u linçuan publikisht dhe iu bënë dëme thuaja të pariparueshme. Opinion kosovar u trondit me vet-vrasjen e Hamdi Sopës, zyrtarit për informim të Qeverisë së Kosovës. Rreth këtij rasti pati dhe ka spekulime të shumta me ç’rast ende pa filluar hetimet dhe kur procesi është në fazën nismëtare po paragjykohet fajësia e anëtarëve të ngushtë të familjes përkatësisht gruaja dhe dy vajzat e të ndjerit. Ky rast dhe rastet e tjera paraqet rast flagrant i presionit që bëjnë disa medie ndaj procesit hetimor dhe atij gjyqësorë. Dhe kjo paraqet shkelje flagrante e të drejtave elementare të njeriut e sidomos për një gjykim të paanshëm dhe të pandikuar politikisht kur e kemi parasysh faktin se:”çdo i dyshuar dhe i akuzuar konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të prerë të gjykatës përkatëse”. Këto të drejta janë të garantuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Kushtetutën e Kosovës, Konventën evropiane për të drejtat e njeriut, Konventën për të drejtat civile dhe politike dhe dokumentet e tjera relevante për të drejtat e njeriut. Nëse duam shtet ligjor duhet t’i trajtojmë të drejtat e njeriut në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërkaq që informimi objektiv është një ndër shtyllat e këtij shteti. Informimi mohues dhe linçues është mohim i këtij shteti dhe mjerë ai shtet kur “gazetarë “ bëjnë hetime policore, e caktojnë shkallën e dënimit dhe e bëjnë ekzekutimin e dënimit. Vetëm një fije e hollë e ndanë ekzekutimin virtual prej atij fizik!
Prishtinë, 11 shkurt 2013


Behxhet Sh.SHALA, Drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

MIRËNJOHJE …

Vëllezërit Blend dhe Eris Ejupi dhurojnë shtatë laptopë (Macbook) për nevojat e shkollave të Podujevës Nga Alketa Zejnullahu…