KMDLNJ: KËRKIM FALJA PUBLIKE ËSHTË DETYRIM MORAL PËR ATA QË KANË PËRDORUR FJALOR FYES – NË PËRGJIMET TELEFONIKE

(Prishtinë, 07. 12. 2012) – Derisa nuk përfundojnë hetimet e pavarura pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia penale apo tjetër për personat që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin KMDLNj kërkon nga ata që kanë përdorur fjalor jashtëzakonisht fyes dhe denigrues të kërkojnë falje publike qytetarëve të Kosovës në përgjithësi dhe personat që kanë qenë objekt i fyerjeve të pashembullta, në veçanti. Fjalori i përdorur në këto komunikime i takon fushës së përgjegjësisë morale i cili shpeshherë është më e rëndë se përgjegjësia penale!
Mbrojtja e privatësisë si vlerë e demokracisë apo si mjet për shantazhim!
Ditëve të fundit opinioni në Kosovë është tronditur pas bërjes publike të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës. Këto përgjime janë bërë nga EULEX të cilat pastaj i kanë shpërndarë 31 CD mbrojtësve të personave të akuzuar dhe vet të akuzuarve. Pastaj, dikush prej tyre një transkript të përgjimeve e ka shpërndarë përmes rrjeteve sociale dhe janë publikuar në mediat elektronike dhe të shkruara, duke krijuar shqetësim të thellë te qytetarët e Kosovës, të cilët me të drejtë konsiderojnë se po rrezikohet seriozisht privatësia e tyre, duke konsideruar se kur edhe udhëheqësit shtetërorë përgjohen çka atëherë mund të presin qytetarët e thjeshtë!

EULEX’i përgjon të “zgjedhurit e popullit”!

Është krijuar një situatë absurde ku asnjëra palë nuk ndjehet përgjegjëse për këtë skandal! Madje, EULEX deklaron se ka përgjuar sipas ligjit dhe se nuk ndjehet përgjegjëse për shpërndarje të paautorizuar të këtyre përgjimeve. Për të shkaktuar huti edhe më të madhe në mënyrë implicite përgjegjësinë e drejton te mbrojtësit e të akuzuarve edhe te vet të akuzuarit. EULEX, si Pontie Pilati përpiqet t’i “lajë duart” nga çdo lloj përgjegjësie ndonëse në asnjë mënyrë nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia!
KMDLNj vlerëson se bërja publike e transkripteve të përgjimeve pa autorizim edhe për personat të cilët nuk janë të përfshirë në ndonjë vepër penale dhe ndaj të cilëve nuk udhëhiqet një proces para gjykatave paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut të garantuara me të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare që i rregullojnë këto të drejta siç janë Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Konventat Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj të Kushtetutës së Kosovës si dhe Ligjit për Mbrojtjen e të dhënave personale.
KMDLNj shfaq brengosje se nga autoritetet qeveritare e sidomos nga Policia e Kosovës këto përgjime janë shpallur të fabrikuara ende pa filluar hetimet. Këto konstatime do të kishin kuptim dhe seriozitet vetëm pas përfundimit të hetimeve të bëra nga Policia e Kosovës.
KMDLNj mendon se këto publike të paautorizuara prekin seriozisht dinjitetin personal dhe familjar të personave të përfshirë dhe lehtë mund nxisin hakmarrje dhe ngritje të tensioneve.
KMDLNj kërkon hetime të pavarura nëse përgjimet janë bërë në përputhje me ligjet në fuqi si dhe nëse bërja e tyre publike është në përputhje me ligjin, duke përjashtuar çdo përgjegjësi për mediat elektronike dhe të shkruara që i kanë bërë publike këto përgjime.
Derisa nuk përfundojnë hetimet e pavarura pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia penale apo tjetër për personat që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin KMDLNj kërkon nga ata që kanë përdorur fjalor jashtëzakonisht fyes dhe denigrues të kërkojnë falje publike qytetarëve të Kosovës në përgjithësi dhe personat që kanë qenë objekt i fyerjeve të pashembullta, në veçanti. Fjalori i përdorur në këto komunikime i takon fushës së përgjegjësisë morale i cili shpeshherë është më e rëndë se përgjegjësia penale! Kërkim falja publike në këtë rast është detyrim moral për ata që kanë përdorur një fjalor fyes dhe shpagim simbolik për të fyerit!
Si përfundim, KMDLNj konstaton se nëse nuk zhvillohen hetimet e pavarura deri në fund atëherë në vend të ruajtjes së privatësisë së qytetarëve do të përballemi me një shantazhim të pafund të fytyrave publike që për pasojë do të ketë rritjen e tensioneve dhe pasojave të paparashikueshme! Nga këto shantazhime nuk do të kursehen as qytetarët e thjeshtë dhe në këtë mënyrë shoqëria kosovare do të shndërrohej në një shoqëri të kontrolluar dhe të shantazhuar.
Shërbimi për informim i KMDLNJ-së
Prishtinë, 07. 12. 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura
Read More

DR.sc.ILMI VELIU: REAGIM KUNDËR DEKLARATAVE SHOVENISTE TË SKENDER ASANIT PËR GZETËN SHQIPTARE – KOHA

Shkup, 17 shtator 2020: (Deklarata e Skender Asanit) Застрашувачки е антисемитскиот јазик на весникот КОХА! За својата реализирана…