KMDLNJ: KUSH NË FAKT PO FLET SOT PËR GRATË E DHUNUARA GJATË LUFTËS SË FUNDIT!

Pashtriku.org, 18. 04. 2013 – Është një rregull i pashkruar se gjithmonë nuk hanë dardha ata që janë nën dardhë ndonëse kjo thënie thuaja është shndërruar në pjesë të folklorit filozofik shqiptar. Është edhe më shumë se e vërtetë se ata që pësojnë, viktimizohen në forma të ndryshme as për së afërmi nuk trajtohen në përputhje me pësimet. Madje, në të shumtën e rasteve mbesin në margjina duke ua “shpërblyer“ viktimizimin me përkrahje morale prej së cilës nuk mund të jetohet! Gjatë luftës së fundit në Kosovë qytetarët e saj kanë pësuar shumë, nga keqtrajtimet fizike, arrestimet, internimet, deportimet, shkatërrimet e pronës personale dhe shoqërore, plagosjet, vrasjet, vrasjet në masë që kanë shkuar deri në përmasa të gjenocidit KMDLNj i ka të faktuara këto krime dhe pavarësisht se ka pasur shkrime, publikime, ekspozita të ndryshme nga autorë të ndryshëm, të dhënat janë marrë kryesisht në zyrat e KMDLNj-së. Qoftë në Prishtinë apo në zyrat në terren.

Të dhënat e KMDLNj-së janë shfrytëzuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët. Ka të tillë që thuaja 100% të materialeve të publikuara kanë për burim KMDLNj-në ndonëse i kanë kontrabanduar si punime autoriale. Madje, disa foto dhe materiale të tjera nuk i kanë kthyer kurrë më në KMDLNj. Të tillë jemi ne! Është mirë megjithatë se ato punime janë bërë publike. Materialet e para me prova konkrete që i janë dorëzuar Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte si dhe kallëzimet penale kundër udhëheqësve jugosllavë përgjegjës për krime dhe dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, të përgatitura nga avokatët, shumica e të cilëve edhe sot janë aktivë përfshirë edhe doajenin e avokaturës kosovare, Bajram Kelmendin të ekzekutuar me dy djemt e tij dhe të nënshkruara nga kryetari i KMDLNj dhe fitues të Çmimit Saharov z. Adem Demaçi janë dorëzuar nga KMDLNJ. Në fakt, kishte mungesë guximi të nënshkruhen disa materiale shumë të ndjeshme të KMDLNj-së dhe të cilat bartnin rrezikshmëri të lartë. Menjëherë pasi nisi lufta në Kosovë, KMDLNj i dha disa materiale një organizate tashmë të huaj e cila i shiti si materiale të saja dhe i dërgoi në Tribunal të Hagës, gjithashtu si materiale të saja! Është për turp por disa foto dhe materiale shumë të ndjeshme të KMDLNj-së ua shitën agjencive të huaja edhe disa gazetarë dhe “korrespondentë“ lufte që tërë ditën pinin nëpër kafeteritë e Prishtinës nga edhe raportonin. Ata edhe sot janë aktivë, gazetarë dhe publicistë të shquar! Të shndërruar në “demokratë“ dhe “patriotë të shquar “! Në “mbrojte“ të femrave të dhunuara gjatë luftës! E bëra këtë hyrje shumë shkurtimisht që të kem mundësi të shkruaj më shumë më vonë!
Kategoria më e dhunuar, fizikisht dhe shpirtërisht para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë mbesin femrat e dhunuara. Femrat e dhunuara për ata që nuk dinë ta bëjnë dallimin. Dhe të cilat deri tash kanë mbetur pa përkujdesje dhe mbrojtje të shtetit! Femrat pa zë sepse nuk ka pasur kush ta dëgjojë zërin e tyre! Sepse nuk janë kuptuar nga familja, rrethi ku kanë bërë përpjekje të mbijetojnë në burgun e vuajtjeve të tyre shpirtërore dhe fizike! Të rrethuar nga meshkujt qyqarë të cilëve u qenka “cënuar nderi“ në kohën kur nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël për mbrojtjen e tyre. Një numër i madh i tyre! Që janë strukur në vrima si minj ndërsa sot dalin në mbrojtje “të viktimave të dhunuara gjatë luftës”! E pranoj se në shkrimin tim ka edhe mllef e që nuk është aspak në rregull, mirëpo është vështirë të përmbahem edhe pas diskutimeve në Kuvendin e Kosovës si dhe pas shkrimeve të shumta të ”mbrojtësve të moralit” të këtyre viktimave të luftës! Viktimave që e kanë paguar dhe po e paguajnë çmimin më të lartë e për të cilin, deri më tash nuk e kanë fituar as shpagimin më të vogël. As moral e as material! Viktimat me të cilët të gjithë po bëjnë përpjekje të manipulojnë. Për përfitime politike dhe për pastrim të ndërgjegjes!

Fillimi i tragjedisë apo vazhdim i agonisë
KMDLNj ka qenë organizata e parë që ka trajtuar çështjen e femrave të dhunuara. Dhe që ka bërë përpjekje që zëri i tyre të dëgjohet aty ku duhet. Te organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kanë pasur ndikim. Te Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë! Rasti i parë i një femre të dhunuar në Kosovë që i është marrë deklarata nga Tribunali i Hagës është bërë në zyrat e KMDLNj-së në Prishtinë. Nga hetues të Tribunalit të Hagës të cilëve Jugosllavia nuk i ka lejuar të punojnë në përputhje me mandatin e tyre por se kanë ardhur si gazetarë apo në ndonjë cilësi tjetër! Dhe disa raste të tjera. Në kohën kur ishte rrezik të dilje në rrugë aktivistët e KMDLNj-së mblidhnin fakte në terren ndërsa zyra në Prishtinë i pregatiste për opinionin vendor dhe ndërkombëtar. Femrat e dhunuara i strehonim nëpër shtëpi private në Prishtinë deri sa merreshin në pyetje nga hetuesit e Tribunalit të Hagës. Disa prej tyre pastaj dëshmuan edhe para këtij Tribunali. E gjithë zyra e KMDLNj-së në Prishtinë ishte e rrezikuar dhe punonte me ndërrime 24 orë. Mos të flasim për aktivistët në terren shumica prej të cilëve iu bashkangjit UÇK-së dhe njëkohësisht informonin KMDLNj-në për zhvillimet në terren! Ka rrëfime të tmerrshme për dhunimet që janë bërë në Kosovë në atë kohë për të cilët jemi dëshmitarë të parë që kemi ardhë në kontakt me femrat e dhunuara. Prandaj flasim me besueshmëri të plotë! Këto viktima prandaj nuk i konsiderojmë numra dhe nuk flasim për numra por për një ngjarje që ka ndohur vërtetë! Një ngjarje që regjimi serb e ka përdorur si mjet lufte! Një ngjarje që edhe me Rezolutën 1820 të OKB-së cilësohet se: ”dhunimet e femrave gjatë kohës së luftës janë krime lufte, krim kundër njerëzimit dhe veprim që plotëson elementet e gjenocidit. Gjithashtu, Rezoluta 1820 e OKB-së kërkon nga shtetet anëtare të OKB-së të respektojnë obligimet e tyre për ndjekje penale të atyre që kanë dhunuar duke mundësuar sanksione kundër atyre shteteve në të cilat ushtrohet dhunë seksuale gjat kohëzgjatjes së luftës.
Vlerësimi i KMDLNj-së është se nga aspekti i të drejtave të njeriut, dhuna seksuale si mjet lufte gjatë veprimeve ushtarake është krimi më i rëndë kundër të drejtave të njeriut sepse prodhon efekte shumë herë të pashërueshme për viktimën! Prandaj, detyrimi i shtetit për rehabilitimin, trajtimin e tyre shëndetësor dhe material është prioritet që këto viktima të integrohen në shoqëri! Deri më tani nuk është bërë asgjë! Ose thuaja asgjë! Për femrat e dhunuara mund të flasin ata që kanë qenë afër tyre në atë kohë! Ata që i kanë parë në atë gjendje dhe kanë qëndruar me to. Në zyrën e Prishtinës kanë qenë Limka, Naimja, Zina, Arjeta, Violeta, Mimoza, Nazlija, Ibra, Nuhiu, Fisi, Basriu, Xhavit Haziri, Ismeti dhe unë. Si dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë! Jemi dëshmitarë të asaj kohe sepse të gjitha deklaratat kanë kaluar nëpër duar tona dhe nëpër duar të Bacës Vehap.
Femrat e KMDLNj merreshin me rastet e femrave të dhunuara ndërsa pjesa mashkullore e zyres merrej me sigurimin e strehimit të këtyre femrave. Por ishte një zingjir që funksiononte shumë mirë. Dhe, çka ishte me shumë rëndësi ruhej sekreti dhe identiteti i femrës së dhunuar! Haliti në Mitrovicë siguronte deklarata dhe dëshmitarë për femrat e dhunuara si dhe Murati në Skënderaj, Ademi dhe Xhema në Drenas, Ruzhdiu në Shtime, Tahiri, Drita, Reshati në Pejë, Musa në Deçan, Fazliu në Gjilan dhe Anamoravë, Bajrushi në Ferizaj me Lumin, Ramizi në Kamenicë, Shemi në Kaçanik, Kadriu dhe Remziu në Prizren, Sabiti dhe Fadili në Vushtrri, Fitimi në Lipjan bashkë me Ismajl Gashin punën e së cilit e vazhdoi Arjeta, Fuadi me Besën në Gjakovë, Syla, Fadili, Selmani në Besianë dhe shumë aktivistëve të tjerë që po u hy në hak sepse nuk po më kujtohen emrat! Elmi Reçica ka qenë pjesë e KMDLNj deri sa nuk e përcolli Nuhiu në mal për shkak të rrezikut. Prej terreni, edhe gjatë luftës vazhdimisht ka dërguar informata për KMDLNj-ë, deri në përfundim të saj. Si edhe shumë të tjerë! Si Ismet Sopi dhe Hafir Shala. Prandaj, e them me përgjegjësi morale, materiale dhe penale se të gjithë këta e kanë merituar statusin e veteranit të UÇK-së. Si dhe KMDLNj si institucion që ka kontribuar në paqe, luftë dhe ndërtim të shtetit. Para shumë mashtruesve dhe atyre që janë kontrabanduar në listën që kanë aplikuar për këtë status të veteranit! Dhe të cilët kanë mungesë elementare të moralit njerëzor!
Si të zgjidhet statusi i femrave të dhunuara
KMDLNj, menjëherë pas përfundimit të luftës ka bërë përpjekje duke u mbështetur në përvojat e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë që ta trajtojë këtë çështje duke bashkëpunuar me Tribunalin për Krime Lufte në Hagë dhe duke ushtruar kallëxime penale për dhunime e të cilat ishin bërë gati nga ekipi avokatëve të Këshillit në prokuroritë vendore. Tribunali i Hagës i ka trajtuar disa raste ndërsa prokuroritë vendore të zhveshura nga kompetencat kanë qenë të pafuqishme të bëjnë diçka. UNMIK-u për këtë çështje nuk e ka luajtur as veshin sepse është udhëhequr nga oportuniteti politik. Femrat e dhunuara në Kosovë, për dallim të atyre në Bosnjë kanë hezituar të dalin dhe të dëshmojnë publikisht. Dhe nuk kanë qenë të organizuara! Një pjesë e vogël e tyre është trajtuar nga OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare mirëpo pa reflektim në statusin e tyre. Të gjithë kanë përfituar prej tyre ndërsa ato nuk kanë përfituar asgjë! Tash, 14 vjet pas përfundimit të luftës është krijuar një mundësi reale që edhe ato të përfitojnë një status të merituar!
Si KMDLNj kemi menduar dhe mendojmë se statusi i tyre duhet të rregullohet me një ligj të veçantë! Sepse rasti i tyre është i veçantë dhe vuajtjet e tyre janë të veçanta! Në këtë kontekst e kam kuptuar edhe angazhimin e disa deputetëve që kanë refuzuar që statusi i tyre të zgjidhet me Ligjin për viktima të luftës. Kam biseduar me disa prej tyre dhe kështu më kanë thënë dhe nuk kam arsye të mos besoj sepse Elmi Reçica ka qenë pjesë e hershme e hulumtimit që ka bërë KMDLNj në prag të fillimit të luftës për dhunimi e femrave në Kosovë! Kam biseduar edhe me Feriden, Igballen, Lulen dhe përfaqësues të OJQ-ve që nuk janë për ligj të veçantë sepse mendojnë se me këtë ligj bëhet një segregacion dhe femrat e dhunuara veçohen nga të tjerët. Mund të kenë edhe të drejtë! Por, pavarësisht qëndrimeve të kundërta besoj se duhet të dëgjohet zëri i viktimave të dhunuara dhe ato duhet të vendosin se me cilin ligj duan ta rregullojnë statusin e tyre. Ne, të gjithë duhet t’i përkrahim. Vetëm pasi të dëgjohet zëri i viktimave, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të votojnë. Edhe ata që kanë votuar kundër do të jenë para një sfide dhe prove; të dëshmojnë se vërtet janë në anën e viktimave duke përkrahur kërkesat e tyre. Dua të besoj dhe jam i sigurt se do të votojnë sipas vullnetit të viktimave të dhunuara sepse çdo veprim tjetër nuk do të kishte kuptim fare dhe do të ishte jashtë çdo norme morale! Me zgjidhjen e statusit të femrave të dhunuara gjatë luftës edhe disa medie do t’i ulnin armët duke mos keqpërdorur hapësirën mediale për qërime hesapesh politike apo të animoziteteve personale. Ndryshe, Kosova është vend shumë i vogël dhe strehë e pasigurt për mbulimin e horëllëqeve të tyre apo të parëve të tyre, para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës! Pse, do të duhej që femrat e dhunuara të bëhen viktima përsëri?! Kush, në fakt mund t’i përfaqësojë ato?! Sigurisht se jo ata që kurrë nuk kanë punuar me to dhe për to? Ata që nuk ndjejnë dhembje për vuajtjet e tyre! Ata që, jo se nuk kanë pësuar as vet e as familjet e tyre por vetëm kanë përfituar nga kjo situatë dhe ende duan të përfitojnë! Dhe këtu qëndron turpi! Femrat e dhunuara gjatë luftës janë viktima të një lufte të ndyrë! Ato janë të pastërta si loti i një foshnjeje. Po ne, a jemi të tillë?!….


Behxhet Sh.SHALA, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-së
Prishtinë 17 prill 2013

============================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura