KOMANDANTËT MILIONERË DHE LOTI I USHTARIT TË UҪK’së!

Këmbanë ALARMI!

KOMANDANTËT MILIONERË DHE LOTI I USHTARIT TË UҪK’së!

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 26 Nëntor 2021

Sot veteranët, ish luftëtarët e vërtetë të UÇK’së janë kategoria me e përdhosur në shoqërinë tonë, pikërisht nga “komandantët” e pushtetshëm, të cilët pas luftës duke e shfrytëzuar pozitën pushtetore u bënë milionerë. Madje ka tillë që kanë blerë me 1 – 3.52 cent arin e tokës!!! Për të argumentuar këtë fakt në vijim sjellë një dëshmi rrënqethëse të një luftëtari të orëve të para të UÇK’së (bashkluftëtar i K-dant Adem Jasharit) që ka evidentuar, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, z. Behxhet Shala.

Çka shkruan Behxhet Shala, lidhur me këtë rast?!

“A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”. Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’i zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ’së, të njëjtën ditë.

Ishte një burrë rreth të 50’ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim-bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte!

Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish’bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish’bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij!

Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jashari, Komandantin Legjendar të UÇK’së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin“ e merituar!

Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i lëshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 (kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja.

Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja!” – thotë në fund rrëfimit miku im Behxhet Shala.

* * *

Në fakt gjendja e luftëtarëve është edhe më e rëndë se kaq! Edhe pas dy dekadave pas luftës dhjetra ish’ushtarë të UÇK’së, për shkak të skamjes dhe varfërisë së skajshme, i kanë dhënë fund jetës së tyre në mënyra më trishuese, me varje në litar, etj!!!

Kjo skamëri e skajshme dhe trishtuese, duket se është një Këmbanë ALARMI, për shoqërinë, e cila duhet të zgjohet për ta ndalur këtë gjëmë që ka pllakosur vendin tonë!

_____________________

Rrënimi i invalidit të luftës

LUFTËTARI I KATANDISUR NË KUFINJTË E MJERIMIT DHE MËSHIRËS!

Nga Besim R CENGU, Tiranë 25 Nëntor 2021

Qe vjeshta e vitit 2003.

Kishte rreth katër vjet pas luftës së Kosovës. Po shkonim në Kamenicë me dy miqtë e mi të ngushtë që mjerisht nuk jetojnë më, Sylë Zhitinë dhe Idriz Isufin. Të dy veprimtarë të dalluar të lëvizjes për çlirim dhe atdhetarë të dëshmuar.

Sapo kaluam Gjilanin rrugës në drejtim të Kamenicës, s’më kujtohet se për çfarë arsye ndaluam. Ndërkohë na afrohet një burrë me patericë që i mungonte njëra këmbë.

U interesuam për të. Ai na tregoi hallin e vet, që në fakt ishte edhe yni, i gjithë shoqërisë. Kishte qenë pjesëmarrës në formacionet luftarake të UÇK-së në vitin 1999 në Kosovë si dhe kish vijuar kontributin edhe në rradhët e UÇPMB-së pak më pas. Ishte plagosur dhe si përfundim nuk ishte më si të gjithë të tjerët.

Lufta u krye dhe liria erdhi, por etja për pushtet po të ndryshoka karakterin. Askush nuk ishte kujtuar më për të, për shëndetin e tij, për familjen dhe fëmijët.

Kishte rënë në varfëri të thellë duke u katandisur deri në kufinjtë e mjerimit dhe mëshirës. Idrizi i afroi 100 franga. Ai hezitoi, por ne e lutëm që t’i merrte se, helbete do t’i duheshin për të mbyllur ndonjë nga problemet e shumtë.

Sa e sa të tillë janë në Kosovë…!

Ikëm të trishtuar dhe me ndërgjegje të vrarë.

Bukur një copë rrugë të gjatë e bëmë në heshtje. Një heshtje që flet. Heshtje-protestë kundër harresës së vetëdijshme dhe të qëllimshme.

Kësaj i thonë të vrasësh ëndrrën, ëndrrën dhe shpresën bashkë. Ti biesh mu në lule të ballit.

Vijuam rrugën… ndërsa luftëtarin e lamë pas në hallin e tij, krejtësisht në rrjedhën e lirë të fatit dhe nën hijen e rëndë të indiferencës dhe mosmirënjohjes së pashpirt.

Sa keq…!

______________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura