KONTEKSTI NDËRKOMBËTAR I DEMONSTRTATAVE TË VITIT 1981 NË KOSOVË DHE RRJEDHOJAT E TYRE PËR JUGOSLLAVINË

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Nga Prof.dr.Hamit KABA

1. Situata ndërkombëtare në prag të shpërthimit të demonstratave të Kosovës

Gjatë viteve që Tito drejtoi Jugosllavinë, ajo pati një stabilitet relativ jo të lehtë. Natyrisht, nuk mund të flitet për balancim, sepse brenda vendit kishte pasur jo pak kërkesa, kundërshti e demonstrime për më shumë të drejta e liri individuale e kombëtare, nga kombet dhe kombësitë e këtij vendi dhe në mënyrë të veçantë nga shqiptarët. Tek shqiptarët kërkesat për të drejta kombëtare prevalonin mbi ato individuale, ndonëse rrethanat e ndërkombëtare për një kohë të gjatë nuk e favorizuan zgjidhjen e tyre.  

Lufta e shqiptarëve të Kosovës për barazi deri në shkëputje nga Jugosllavia e Titos ishte një proces i gjatë, që kishte filluar që në vitin 1945 dhe kishte vazhduar pandërprerë për disa dhjetëvjeçarë, përmes ngritjeve dhe uljeve, por pa u shuar ndonjëherë. Jugosllavia Federative në fillim të viteve ‘80-të nuk ishte aq e rrezikuar nga kërkesat e shqiptarëve, se sa siç tregoi koha nga kërkesat e shovinizmi serb. Qëkur Tito ishte gjallë, kishte shprehur shqetësim në rrethet e ngushta, se pas vdekjes së tij do të shpërthente shovinizmi serbomadh dhe rendi federativ do të prishej. Realiteti i ngjarjeve që ndodhën pas vitit 1981 e vërtetoi parashikimin e tij. Në vitin 1974 në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë ekzistonte opinioni se Jugosllavia pas vdekjes së Titos do të copëtohej në dy grupime: njëri grupim i përbërë nga Kroacia e Sllovenia mendohej se do të kalonte me Perëndimin, ndërsa republikat e tjera të kryesuara nga Serbia do të kalonin nën influencën komplete të Bashkimit Sovjetik.

Klani serb nuk u pajtua me statusin që mori Kosova në vitin 1974 dhe e kundërshtoi atë në shumë mënyra, por qëllimi i tij kryesor ishte që të vendoste hegjemoninë në gjithë Jugosllavinë. Pretendimi, se në planin e ushtrimit të sovranitetit, Serbia duhej të barazohej me republikat e tjera, ishte vetëm një pretekst për të privuar Kosovën nga autonomia dhe statusi i saj, si element konstituiv i Federatës. Në fakt, nënshtrimi i Kosovës nuk ishte fundi, por vetëm fillimi i një skenari dhe hallkë e një zinxhiri të tërë, që duhej të përfshinte gjithë territorin e Federatës dhe vendosjen e tij nën hegjemoninë e republikës më të madhe – Serbisë. Arritja e këtij objektivi do të binte në kundërshtim me interesat e popujve të tjerë të Jugosllavisë, ndërsa realizimi i tij, do të kushtëzohej nga shumë faktorë, përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar.

Parë në kontekstin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, politika e Jugosllavisë edhe pas vdekjes së Titos, do të duhej që t’u përmbahej tre parimeve kryesore: vetadministrimit në zhvillimet e brendshme, ruajtjes së pavarësisë së vendit, duke u mbështetur në politikën e ekuilibrit ndërmjet klaneve dhe mosangazhimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pikërisht ruajtja e ekuilibrave të brendshëm rezultoi faktori më i brishtë dhe më i cenueshëm për Federatën Jugosllave.   

Në analizat e bëra mbi të ardhmen e Jugosllavisë nga diplomatë shqiptarë, menjëherë pas vdekjes së Titos, shprehej opinioni se politika e jashtme e Jugosllavisë, përveç disa nuancave, nuk do të ndryshonte në vijat e saj kryesore. Jugosllavia do të  vazhdonte të ruante ekuilibrat ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe të përfitonte sa të mundej nga të dy palët. Parashikohej gjithashtu, njëfarë dobësimi i rolit të Jugosllavisë në lëvizjen e të paangazhuarve, dhe zbehja  e rolit të saj prej lideri, në grupimin e shteteve që mbështetnin këtë politikë. Sipas gjykimeve të diplomatëve shqiptarë pozita e Jugosllavisë në lëvizjen e të paangazhuarve kishte filluar të dobësohej, përveç të tjerave edhe për shkak të përkrahjes që udhëheqja jugosllave i kishte dhënë politikës amerikane për çështjen e Afganistanit, nënshkrimit më dy prill 1980 të marrëveshjes tregtare me Tregun e Përbashkët Evropian etj. Të tjerë mendonin se Jugosllavia po prirej drejt BS, për shkak të një numri të madh marrëveshjesh që u nënshkruan ndërmjet tyre në fillim të viteve ‘80-të. Jugosllavia edhe pas vdekjes së Titos vazhdoi të “lundrojë” ndërmjet të dy blloqeve të mëdha, pa u angazhuar as me njërin dhe as me tjetrin, pavarësisht nga prirjet dhe anësitë e republikave të saj. 

SHBA dhe shtetet e Perëndimit në përgjithësi ishin të interesuara që edhe pas vdekjes së Titos të ruhej uniteti i Federatës Jugosllave, që Jugosllavia të vazhdonte në këtë rrugë, për shkak të interesave strategjike dhe pozitës së saj në rivalitet me BS; për shkak të investimeve të mëdha ekonomike, financiare, bile edhe ushtarake në këtë vend. Amerikanët ishin aq të angazhuar për ruajtjen e stabilitetit të Jugosllavisë, sa që presidenti Karter kishte deklaruar publikisht se SHBA-ja, ishte e gatshme të angazhohej ushtarakisht në mbrojtje të pavarësisë së saj. Pavarësisht nga reagimet e ndryshme dhe deklaratat publike brenda Jugosllavisë, udhëheqësit jugosllavë e pritën mirë deklaratën e Karterit dhe garancitë që jepte Pentagoni, në rast të ndonjë intervenimi nga BS dhe aleatët e tij mbi Jugosllavinë. Pak a shumë të njëjtin qëndrim kishin edhe shtetet e tjera të Perëndimit, pavarësisht nga nuancat politike. Vendet anëtare të NATO-s, sikurse edhe në rastin e Shqipërisë (1961), nuk dëshironin që të humbnin avantazhin e fituar në vitin 1948, pas ndarjes së Jugosllavisë me BS dhe vendet e tjera të Bllokut Komunist.

Rreziku kryesor i jashtëm për Jugosllavinë, sikurse edhe për Shqipërinë, pas ndërhyrjes së armatosur të trupave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki në gushtin e vitit 1968 vinte nga humbësi i mëparshëm – BS. Frika e një sulmi sovjetik mbi këto dy  vende ekzistonte, ndonëse në rrethanat e Luftës së Ftohtë ishte pothuajse e pamundur të “kapërceje gardhin”, për shkak të kundërveprimit të palës tjetër, në rastin konkret të NATO-s, por edhe të prirjes në shumicë antisovjetike të udhëheqjes jugosllave. Ngjarjet e Hungarisë të vitit 1956 kishin treguar se sa e vështirë ishte që të ndodhnin të tilla kapërcime. BS do të rrezikonte shumë nëse ndërmerrte ndonjë sulm ushtarak ndaj Jugosllavisë, me qëllim që ta rikthente atë në “vathën sovjetike”, duke shfrytëzuar klanin serb. Në opinionin ndërkombëtar në fillim të viteve ’80-të gjykohej me të drejtë se BS, do ta kishte të vështirë në mos të pamundur që të ndërmerrte ndonjë sulm përmes Traktatit të Varshavës kundër Jugosllavisë apo Shqipërisë. Në Perëndim dyshonin se një sulm i tillë nuk do të ndalej, por do të shërbente si pedanë për të kaluar në Evropën Perëndimore. 

Nga dokumentacioni që kemi mundur të shfrytëzojmë, nuk mund të arrihet në konkluzionin se demonstratat që shpërthyen në Kosovë në pranverën e vitit 1981 ishin të parashikuara nga diplomacia shqiptare, ndonëse kësaj të fundit nuk i mungonin informacionet e ardhura nga përfaqësuesit e saj në botë, por edhe brenda Kosovës. Më 29 nëntor 1980, vetëm disa muaj para fillimit të demonstratave të Kosovës, ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, ishte takuar me kreun e lartë politik të Krahinës së Kosovës, Fadil Hoxha; ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Tefta Cami, kishte vizituar Kosovën, ndërsa kryeministri, Mehmet Shehu, ishte takuar me ambasadorin jugosllav në Tiranë.

Interes të veçantë paraqet, biseda e Fadil Hoxhës me Sokrat Plakën. Ndër problemet e trajtuara në këtë takim do të nënvizonim faktin se të dy palët i vlerësonin pozitivisht marrëdhëniet shtetërore ndërmjet dy vendeve dhe sidomos fokusimin e tyre tek raportet direkte Shqipëri-Kosovë. Këto marrëdhënie kishin influencuar në zhvillimin dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe në shkëmbimet dypalëshe. Sidoqoftë, në rrethanat e krijuara pas vdekjes së Titos, udhëheqja  krahinore e  Kosovës kërkonte që të avancohej më tej niveli i tyre. Shqiptarët dëshironin që të Kosova të fitonte statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave dhe të barazohej me republikat e tjera. Ndërkohë, Serbia e konsideronte të pamerituar statusin aktual të Kosovës dhe kërkonte rishikimin e tij, dhe varësinë e saj të plotë nga republika serbe. Në rrethanat kur presioni serb ishte në rritje udhëheqja krahinore e Kosovës kërkonte ndihmën e Shqipërisë. Gjatë bisedës së lartpërmendur, Fadil Hoxha i kërkoi Sokrat Plakës, t’i bënte atij një vizitë zyrtare, sepse siç shprehej ai pozita e shqiptarëve pas vdekjes së Titos ishte lëkundur. Por, Fadil Hoxha duket se gjendej edhe nën presionin e shqiptarëve të Kosovës dhe dyshimit të tyre. Ai do të shprehej: “Në kushtet e Jugosllavisë, ne shqiptarët, mundëm të bënim kaq sa bëmë dhe le të na gjykojë koha”. Në përfundim të takimit, Fadil Hoxha u ankua për veprimtarinë që zhvillonin organizatat revolucionare kosovare në Perëndim, të cilat, sipas tij, vepronin kundër interesave të Kosovës, duke pasur edhe mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë jashtë vendit.

Reagimi ndërkombëtar ndaj demonstratave të  vitit 1981 në Kosovë

Demonstratat vitit 1981 e vendosën Kosovën, si asnjëherë tjetër në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe fokusit të opinionit botëror. Kërkesat e shqiptarëve u diskutuan e shqyrtuan gjerësisht, ndërsa shteti jugosllav i mbivlerësuar deri në atë kohë, do të shihej pas tyre me dyshim dhe jo më si një vend “kampion” dhe “model” për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe nivelin e të drejtave të njeriut. Për arsye të mungesës së plotë të dokumentacionit bazik arkivor e kemi ende të vështirë të japim definicione për politikën zyrtare të qeverive apo instancave të tjera drejtuese evropiane e amerikane mbi këto demonstrata dhe çështjen e Kosovës në përgjithësi. Në këto rrethana jemi mbështetur sidomos tek shtypi botëror dhe tek disa botime të mbështetura në dokumente  arkivore.

Duke pasur në konsideratë tematikën e kësaj konference unë do të përqendrohem kryesisht tek shtypi amerikan, turk dhe disa deklarime të bëra në rrethet diplomatike për këto ngjarje. Demonstratat u bënë objekt sidomos në shtypin perëndimor, ku duhen veçuar gazetat austriake, gjermane (të Republikës Federale të Gjermanisë-RFGJ), amerikane, turke etj. Pasqyrimi i demonstratave në shtypin e Evropës Lindore ka qenë i zbehtë, tërësisht zyrtar dhe jo mbështetës për kërkesat e shqiptarëve.

Shtypi amerikan 

Për  demonstratat e zhvilluara në Kosovë në vitin 1981 kanë shkruar gazetat më të mëdha të SHBA-së, si: “New York Times”, “Washington Post”, “Times Herald”, “Chronicle”,”World”, “Free Press”, “News Day”, “Times” (Los Angeles), “Star”, “New York Post”, “The Sun”, “Morning News”, “New American”, “Hortford”, “World Press Review”, si dhe shtypi i komunitetit shqiptar të Amerikës si “Dielli”, “Liria” etj.

Shtypi amerikan nuk reagoi menjëherë pas fillimit të demonstratave në Kosovë, por disi me vonesë. Mosnxitimi lidhej me përpjekjet për njohjen më të mirë të realitetit në Kosovë, miqësisë jugosllave-amerikane dhe interesave të shtetit amerikan në këtë vend, rezervave të publikut amerikan për atë që po ndodhte në Kosovë, si rezultat i dhunës së përdorur nga forcat qeveritare jugosllave ndaj demonstruesve etj. Në të vërtetë, deri në këtë kohë, çështja e Kosovës nuk kishte qenë pjesë e repertorit tradicional të problemeve që trajtonte shtypi amerikan. Në rrethanat kur qëndrimet zyrtare të Departamentit të Shtetit mungonin, kur dokumentet rreth demonstratave të vitit 1981 në Kosovë mbeten të klasifikuara,  shtypi vazhdon të mbetet ende një burim i rëndësishëm për njohjen e tyre. Pavarësisht nga diferencat në gjykimet ndaj tyre, shtypi duhet përmendur se ka vetinë që të ndjek dhe të “nuhasë” tendencat zyrtare të qeverisë amerikane, dhe në këtë kuptim, mund të themi se shkrimet e gazetave pasqyrojnë në një masë të konsiderueshme edhe opinionin zyrtar të qeverisë amerikane. Në pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë shtypi amerikan fillimisht u tregua i njëanshëm, duke u bërë jehonë tezave të historiografisë serbe mbi Kosovën. Ai u mbështet kryesisht në shkrimet e shtypit jugosllav, tek lajmet e dhëna nga “Tanjug” dhe tek deklaratat e zyrtarëve të lartë jugosllavë.

Me kalimin e kohës dhe me rritjen e intensitetit të demonstratave në Kosovë, shtypi amerikan bëri korrigjimet e duhura. Në  javën e dytë të demonstratave, pikërisht në datën 1 një dhe 2 prill u botuan mjaftë shkrime, jo thjesht me karakter informues, por me komente të forta dhe gjykime pak a shumë realiste. Arsyet e këtij ndryshimi duhen kërkuar tek njohja më e mirë e asaj që po ndodhte në Kosovë, tek ndikimi i shkrimeve të kolegëve gazetarë nga Evropa Perëndimore, tek profesionalizmi dhe parimet e lirisë dhe demokracisë, të njohura dhe të zbatuara më së miri në këtë vend. Qëndrimin përgjithësisht korrekt të shtypit amerikan u detyruan ta pohonin edhe diplomatët shqiptarë në përbërje të Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

 Më 1 qershor gazeta “Liria” botoi intervistën e zv. sek. të Shtetit për çështjet Evropiane, John D. Scanlan, pas takimit të një përfaqësie të komunitetit shqiptar në Amerikë, të organizuar më 10 mars në Shtëpinë e Bardhë. Komuniteti shqiptar përfaqësohej nga Hamdi Oruçi, Pren Camaj, Ekrem Bardha, S. Bytyçi dhe Nikolas Zoto. Duke ju përgjigjur pyetjes së Pren Camaj, mbi qëndrimin e SHBA ndaj problemit të Kosovës, nënsekretari i shtetit do të shprehej, se e kishte vizituar disa herë Kosovën, duke filluar nga viti 1955, dhe se e njihte mirë atë krahinë. Sipas tij, Kosova ishte një nga krahinat më pak të zhvilluara, por që vitet e fundit kishte bërë përpara në fushën ekonomike, duke shtuar, se zgjidhja e kërkesës “Kosova Republikë” është mjaft e vështirë të realizohet, sepse Kosova konsiderohet si zemra e Serbisë së vjetër dhe për pasojë, ky ishte një problem emocional për serbët.

Në artikujt e botuar u theksuan arsyet e vërteta të shpërthimit të demonstratave dhe drejtësia e kërkesave të tyre. “New York Times” i vlerësonte të ardhura për frymë në Kosovë në vitin 1980, në 346 dollarë, ndërkohë që Kosova ishte krahina më e goditur më rëndë nga kriza e fundit. Në shumë shkrime vlerësohet si e drejtë kërkesa e shqiptarëve për të pasur republikën e vet brenda Federatës. Në “New York Times” të datës 27 prill 1981 shtrohej pyetja se “shteti federativ i Jugosllavisë ka tashmë 6 republika, çfarë ndryshim do t’i sillte edhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos jetë republikë, kur 85 % e banorëve me popullsi 1,5 milionëshe janë shqiptarë etnikë? Gazeta “Chrisitian Science Monitor” e datës 21 maj 1981 shkruante se Shpallja e Kosovës Republikë është e vetmja zgjidhje, që do të forconte sistemin, duke shërbyer si një përfundim logjik i procesit. Shpejt apo vonë, vazhdonte më tej gazetarja, do të provohet se statusi i republikës është e vetmja zgjidhje, jo vetëm për të ruajtur paqen në Kosovë,  por edhe për të ruajtur sigurinë në Ballkan. Qeveria jugosllave, theksohej më tej, ka frikë t’i japë Kosovës statusin e Republikës, sepse ajo mund të shkëputet nga Federata.

Përgjithësisht në shkrimet e gazetave amerikane pohohej fakti se Shqipëria nuk kishte gisht në demonstratat e zhvilluara. “Boston Globe” e datës 18 qershor shkruante: “Sigurisht është më e lehtë për të qortuar një djall të jashtëm, se sa një kalbëzim të brendshëm dhe shqiptarët e regjimit të Enver Hoxhës që jetojnë të mbyllur, përbëjnë një rast të mrekullueshëm për të ngatërruar gjurmët”. Në shkrime përmendej gjithashtu se shqiptarët në Jugosllavi kishin statusin e “qytetarëve të klasit të dytë’. “New World” më 13 prill shkruante: “Shqiptarët u ankohen gazetarëve se jetojnë si qytetarë të klasit të dytë në tokën që ishte e tyre, shumë kohë para se zoti të vendoste që këtu, të vendoseshin serbët, kroatët dhe turqit”. Numri i pjesëmarrësve në demonstrata sipas shtypit amerikan jepej herë 20 000, herë 10 000 e në ndonjë rast 2 000 veta, siç kishin deklaruar zyrtarët jugosllavë. Në shtypin amerikan, në disa raste u pasqyrua edhe reagimi i Shqipërisë ndaj ngjarjeve, duke ju referuar gazetës “Zëri i popullit”.

Në gazetat amerikane u shkrua gjithashtu për situatën e rëndë që u krijua në Kosovë pas demonstratave, për terrorin dhe masat shtypëse që po ndërmerrte qeveria jugosllave kundër shqiptarëve. Këtu, përmendeshin fakte të tilla si mbyllja e universitetit dhe e shkollave të mesme, përqendrimi i mijëra trupave ushtarake e policore në Kosovë, numri i demonstruesve të vrarë e të arrestuar, të tjerë që dolën në gjyqe, për procesin e diferencimit etj. 

Shtypi turk

Ngjarjet e Kosovës zunë vend edhe në shkrimet e disa gazetave të rëndësishme të Turqisë , të tilla si: “Miljet”, “Xhumhurjet”, “Son “Havadis”, “Gunajden”, “Ege Telegraf” e Izmirit etj. Opinioni publik turk nuk u njoftua që kur filluan demonstratat, por pas 26 marsit të vitit 1981. Vëmendje më e madhe ju kushtua demonstratave të fillimi të muajit prill. Demonstratat tërhoqën në mënyrë të veçantë vëmendjen e qytetarëve turq me orgjinë shqiptare, të cilët llogariteshin në disa milionë në Turqi. Një pjesë e shkrimeve u shkruan direkt nga Kosova, por nuk mungonin edhe artikujt që i referoheshin shtypit shqiptar. 

Shteti turk nuk u shpreh zyrtarisht për qëndrimin e vet ndaj demonstratave të Kosovës, duke mos u shprehur as pro dhe as kundër tyre, duke e konsideruar atë një çështje të brendshme të Jugosllavisë. Por tek mjaft zyrtarë turq të rangjeve të larta deklarohej se e konsideronin të drejtë kërkesën “Kosova Republikë” dhe se e dënonin shtypjen serbe që ushtrohej mbi popullin shqiptar në Kosovë.

Pavarësisht nga vlerësimet pozitive të shtypit të vendeve të Perëndimit, duhet thënë se munguan deklaratat zyrtare të qeverive të këtyre vendeve në mbështetje të çështjes së Kosovës. Kërkesat e shqiptarëve patën rezonancë të gjerë ndërkombëtare dhe shënuan një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e afirmimit të shqiptarëve në Jugosllavi. Reagimi i rezervuar i qarqeve diplomatike perëndimore mbi lëvizjen shqiptare të vitit 1981 duhet parë i lidhur ngushtë kohën kur ato u zhvilluan. Në fillim të viteve ’80-të Lufta e Ftohtë ishte në një nga kulmet e saj, ndërsa Jugosllavia vazhdonte ende të konsiderohej edhe disa vite më vonë, si një vend model për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe për aplikimin e standardeve të përparuara të drejtave të njeriut.

Mund të shtrohet pyetja, se a e bëri si duhej detyrën e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare qeveria shqiptare? Përgjigja nuk do të ishte pozitive sipas opinionit tim, ndërsa arsyet mund të jenë të ndryshme. Në fakt në vitin 1981, MPJ e Shqipërisë përgatiti një projekt-rezolutë për Kosovën, por ajo nuk u paraqit asnjëherë në Kombet e Bashkuara. Arsyet janë të kuptueshme: Udhëheqja e Shqipërisë ndiqte politikën e izolimit dhe ishte pa aleat dhe pa mbështetje ndërkombëtare. Ajo kishte probleme të mëdha me të drejtat e njeriut dhe imazhin e saj jo të mirë. Qeveria e Shqipërisë e kishte refuzuar të merrte pjesë në Konferencën e Helsinkit të vitit 1975, ishte bërë disa herë objekt diskutimesh i organizmave të ndryshme ndërkombëtare, për shkeljen e të drejtave të njeriut. Rezoluta nëse do ishte paraqitur në OKB, sipas opinionit tim nuk do ishte miratuar, por sidoqoftë ajo do të sensibilizonte dhe ndërkombëtarizonte çështjen e drejtë shqiptare. Për qëndrimin e qeverisë shqiptare pati kritika edhe nga emigracioni politik shqiptar në vendet e Perëndimit. Shqipëria akuzohej se nuk e kishte ngritur zërin, përveç se kishte botuar disa artikuj për ngjarjet e Kosovës, një pjesë e të cilëve ishin marrë nga shtypi i huaj.

Qëndrimembështetëse ndaj demonstratave u mbajt edhe nga ambasadori i Australisë në Beograd.  Sokrat Plaka do të informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë  nga Beogradi, mbi rezultatet e bisedës që ai zhvilloi me ambasadorin e Australisë, më 12 gusht 1981. Ky i fundit do të shprehej se për  çështjen e Kosovës, se në Jugosllavi ishin kristalizuar dy tendenca të ndryshme, e udhëheqësve të republikave të veriut dhe e Serbisë. Por, sipas tij, edhe brenda udhëheqjes serbe ekzistonin dy rryma: e konservatorëve dhe të moderuarit. Tek të moderuarit ai përfshinte edhe kryeministrin e Serbisë Ivan Stamboliq, i cili sipas tij e shihte problemin e Kosovës më gjerë, në perspektivë dhe në sensin e pajtimit. Marrëdhëniet jugosllavo-sovjetike, për ambasadorin australian përbënin shqetësim për disa prej anëtarëve të Tregut të Përbashkët Evropian, për shkak të shtimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik. Për ambasadorin australian në Jugosllavinë në periudhës së pas demonstratave i mungonte stabiliteti politik. Ai i bëri të njohur përfaqësuesit të Shqipërisë në Beograd, se kërkesat e Jugosllavisë për kredi të tjera nga bankat kanadeze, gjithashtu nuk ishin pritur mirë nga këto të fundit, të cilat kishin shfaqur rezerva për mundësitë e kthimit të tyre nga shteti jugosllav. Jugosllavisë, sipas tij, i kanosej rreziku i nacionalizmit serb.

Vlerësime pozitive për demonstrata e Kosovës do të jepte edhe i ngarkuari me punë i Austrisë në Jugosllavi . Serbët përpiqeshin, sipas opinionit të tij të ri integronin Kosovën dhe Vojvodinën në republikën serbe. Por, shtonte ai më tej, ata vepruan shumë gabim me demonstratat e Kosovës, sepse i kthyen ato në lëvizje popullore masive, dhe tani po veprojnë akoma më keq me politikën e dhunës, duke përjashtuar njerëzit nga puna, nga organizatat, duke arrestuar e dënuar shqiptarët. Kjo tregon se në udhëheqjen jugosllave nuk ka forca të mjaftueshme inteligjente. Në lëvizjen e të paangazhuarve, komentonte më tej diplomati austriak, jugosllavët u japin mësime të tjerëve për respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa në Kosovë, sillen si kolonialistë të këqij. Çështja e Kosovës po vë në pikëpyetje politikën e Titos, duke dëmtuar “bashkim-vëllazërimin”. Ai stigmatizonte përpjekjet e nacionalistëve serbë, të cilët sipas tij  donin të fitonin atë që kishin humbur gjatë kohës së Titos. Ai mendonte se Jugosllavia po humbte tregjet perëndimore dhe po orientohet drejt BS. Sipas burimeve të Ambasadës sovjetike në Beograd, gjatë vitit 1982, Jugosllavinë e kishin vizituar 38 delegacione zyrtare, përveç një numri të madh personash të tjerë të fushave të ndryshme. Në këtë kohë, Jugosllavia mori nga BS armatime të ndryshme, duke përfshirë edhe një numër tankesh.

Imazhi i ndryshuar i Jugosllavisë pas demonstratave të vitit 1981

Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, mjaft organizatat të specializuara për  nivelin e zbatueshmërisë së lirive dhe të drejtave të njeriut në botë, adresuan kritika të forta ndaj Jugosllavisë. Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan në vitin 1984 botoi një raport mjaft kritik për nivelin e  zbatueshmërisë së lirive dhe të drejtave të njeriut në Jugosllavinë e vitit 1983. Raporti bazohej tek vëzhgimet e Komisionit Amerikan të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe tek informacionet e organizatës “Amnesty Internacional”. Baza morale dhe juridike e gjykimeve e kishte burimin tek “Akti Final i Helsinkit” dhe sidomos tek “Shporta e tretë”, që i kushtohet lirive dhe të drejtat të njeriut, e miratuar në vitin 1975 në  Konferencën e Helsinkit.  Jugosllavia, një ndër vendet më aktive për thirrjen dhe organizimin e  kësaj konference do ta humbiste dalëngadalë emrin e saj “të mirë” në këtë fushë dhe në zgjidhjen e çështjeve kombëtare në Evropën Lindore, ndonëse vlerësimet për të në Perëndim, vazhdonin të konsideroheshin më të mira se sa ato të vendeve të tjera të vendeve komuniste dhe të Shqipërisë. Jugosllavia, pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë shndërrua në një problem të ndjeshëm për SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore, në objekt kritikash për nivelin e zbatimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Siç dëshmon me të drejtë raporti i mësipërm, Kosova do të konsiderohej si “thembra e Akilit”, që tregonte qartazi fytyrën e vërtetë të qeverisë jugosllave. Jugosllavia do të akuzohej dhe kritikohej me të drejtë për vrasjet politike të shqiptarëve, për rrëmbimet dhe zhdukjet e tyre nga policia e fshehtë, për arrestimet dhe burgimet e natyrës politike të cilat do shtoheshin nga viti në vit, për kushtet e rënda të burgjeve etj.

 Sipas një raporti të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë të njohur nga Departamenti i Shtetit, 62% e të akuzuarve për “krime politike” i përkisnin etnisë shqiptare, të cilët fajësoheshin për “irredentizëm”. Sipas kryetarit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Iljaz Kurteshi, pas fillimit të trazirave në Kosovë në vitin 1981 ishin dënuar 595 vetë me burgime të ndryshme. Mbi gjysma e 700 të burgosurve politikë në Jugosllavinë me mbi 22 milionë banorë, ishin të kombësisë shqiptare.  Ata ishin dënuar për trazirat në Kosovë. Liria e fjalës vazhdonte të ishte e cenuar, një fenomen pikant tek profesorati i Universitetit të Prishtinës, të cilët akuzoheshin për propagandë nacionaliste. E cenueshme vazhdonte të mbetej edhe liria e besimit, e cila ishte e shpallur, por jo e garantuar. Raporti përmend rastin e dënimit të 12 intelektualëve myslimanë në gusht 1983, të cilët u burgosën me 5 deri në 15 vjet për “veprimtari armiqësore” dhe për krime të tjera.

Raporti sipas gjykimit tim, përbënte vetëm “majën e ajsbergut” për atë çka ndodhte në realitet në Jugosllavi. Me kalimin e kohës, situata në Jugosllavi do të rëndohej më tej dhe ajo do ta humbiste gradualisht emrin e fituar më herët, (qoftë edhe për arsye politike) dhe do të shfaqej ashtu siç ishte në të vërtetë, një vend me probleme të rënda në fushën e  zbatueshmërisë së lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe të drejtave nacionale, ku më të cenuarit do të vazhdonin të mbeteshin shqiptarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura